Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ka përcjellë një tjetër anë të Shqipërisë turistike, atë të njohjes përmes degustimit të verërave shqiptare.
“Degustimi i Shqipërisë përmes shijes së verës sonë. Turi i Verës, që i jep ngjyra programit “Turet e Agroturizmit” ndaloi për të provuar shijen e verërave të kantinave “Çobo”, “Pupa” dhe “Alpeta” duke promovuar një eksperiencë të veçantë të të përjetuarit të Shqipërisë, ku vreshtaria dhe enogastronomia janë thesare të ofertës sonë turistike, por edhe për të vlerësuar mundin që fermerët dhe prodhuesit e verës kalojnë për të ruajtur varietetet autoktone dhe realizuar verëra me cilësi të lartë”, thuhet në postimin e Kumbaros në rrjete.
Vreshtaria dhe prodhimi i verërave cilësore shqiptare sot është kthyer në një sektor kyç për zhvillimin ekonomik dhe një krenari për brandin shqiptar “Made in Albania”. Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, vitin e kaluar u regjistruan 10 178 hektarë vreshta dhe 9 822 hektarë vreshta në prodhim.
Rritja e sektorit të verës ka ardhur nga mbështetja që i ka dhënë qeveria nga Skemat Kombëtare në vite dhe Programi IPARD për rritjen e sipërfaqeve të vreshtave, investimet në pajisje teknologjike për procesin e prodhimit, rritja e certifikimit të fidanëve autoktonë dhe mbështetja për të marrë pjesë në panaire ndërkombëtare në tregje elitare./atsh/ KultPlus.com