Hapet ekspozita “Ky është një Titull Shumë i Fuqishëm!”, një paralele e gruas së kaluar dhe të tashmes

Era Berisha

Atmosfera në ambientin historik të Hamamit në Prishtinë mbrëmë ka qenë në nivel të lartë. Krejt kjo për të parë nga afër punën e dy artisteve të njohura; Mjellma Goranci-Firzi dhe Shqipe Kamberi, të cilat kanë sjellë veprat e tyre para publikut në një format tejet unik. “Ky është një Titull Shumë i Fuqishëm!”, titullohet ekspozita që u shpalos nën petkun e fushatës “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore” e që erdhi nën kurimin e Vullnet Jakupit, shkruan KultPlus.

Mbrëmë, akoma pa shënuar ora 19:00, artdashësit e artistë të njohur mbushën vendin jashtë Hamamit, teksa i ftohti mbështolli qeniet e pranishme. Një nga një, nëpërmjet një dere të ngushtë, ata hynin brenda si zakonisht për të përcjellë ceremoninë hapëse.

Drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi ka thënë se ekspozita “Ky është një Titull Shumë i Fuqishëm!”, vjen si thirrje për të gjitha gratë dhe vajzat që të kenë vendimmarrje për trupat e tyre.

“Hamami ka shërbyer si hapësirë për të diskutuar për tema të ndryshme. Në kohërat kur është ndërtuar Hamami, gratë kanë pasur një mundësi për të i ikur përditshmërisë dhe iu është ofruar një mundësi që mendja dhe trupi i tyre të jenë bashkë. Kjo ekspozitë është një shenjë mirënjohjeje për të gjitha gratë artiste që i kanë shërbyer emancipimit dhe fuqizimit të grave dhe vajzave me veprat e tyre. Ju ftojmë në këtë ekspozitë që ka një peshë jashtëzakonisht të madhe që e kanë krijuar këta artistë. Për mua, si drejtoreshë për kulturë, ky është një moment i mirë për të reflektuar për pozitën e grave dhe vajzave në shoqërinë tonë. Kjo ekspozitë është një thirrje për të gjitha gratë dhe vajzat që të kenë vendimmarrje për trupat e tyre dhe kur gratë iu rikthehen trupave të tyre me mendjen e tyre, e trasojnë rrugën për liri”, thotë Halimi.

Tutje, të pranishmit u përballën me një performancë që ishte pjesë e këtij projekti e që nisi fiks në orën 19:04. Brenda një rrethi të vendosur në qendër të tokës u zhvillua gjithçka. Artistja Agnesë Nokshiqi bënte rreth-rrotullime, teksa britmat e saj kohë pas kohe shprehnin emocione e ndjesi të ndryshme që përkonin me qenien e gruas. Hapësira e mbuluar me zall e krijonte një atmosferë të këndshme, ndonëse ftohti nuk u hoq fare.

Uji pikonte pika-pika mu në mes të atij rrethi ku po jepej performanca prej pesë minutave dhe reflektorët në ngjyrë portokalli po ndriçonin poshtë rrethit duke simbolizuar edhe fushatën “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”. Kori Zanat dhuroi melodinë e “Një lule që m’ka çil’ tash”, dhe zëri i tyre i pastër jehonte në katër muret e vendit. Harmonia e tyre të jepte ndjesinë e fuqizimit, e të bukurës, me ç’rast u portretizua në plotësi zëri i gruas.

Gjithashtu, fokusi kryesor ishte i vendosur mbi veprat e Mjellma Goranci-Firzi dhe Shqipe Kamberi. Instalacioni i Shqipe Kamberit ka shpalosur një reflektim mbi trashëgiminë e Kanunit të Lekë Dukagjinit, duke portretizuar thirrjen për ndikimin e traditave të mëhershme në shoqërinë e sotme. Si gjithmonë, figura e gruas dominon në punën e saj, dhe sigurisht që edhe këtë herë, ajo nuk mungoi. Instalacioni që shfaqte veshjet tradicionale në kombinim me plumbin e vendosur poshtë, futi publikun brenda mendimit se çfarë do të thotë të jesh prezent sot, me një të kaluar të hidhur. Të gjitha veshjet ishin qëndisje të grave të cilat janë krijuar për të vetmin qëllim, për të ia dhanë nuses kur martohet, dhe ato “lecka” ishin e vetmja gjë që ato merrnin me vete. Ndërsa, plumbi paraqitej si simbol i heqjes së të drejtës për të jetuar që i jepej burrit të nuses.

Në anën tjetër, dy pikturat e Mjellma Goranci-Firzi erdhi me një fokus krejt ndryshe nga ajo e artistes Kamberi. Dukej se e kaluara dhe e tashmja po ndesheshin brenda një vendi. Bashkëkohorja dhe tradita ishin jetësuar mbrëmë bukur nën kurimin e Vullnet Jakupit. Pikturat e Goranci-Firzit e trajtuan figurën e gruas në mënyrë të veçantë. Qasja eksperimentale e saj na shfaqi një grua moderne, të lirë dhe plotësisht të nderuar me qenien e saj dhe kuptimin që ka një grua në këtë botë. Bota e saj erdhi me plot ngjyra, plot kuptime të fshehura brenda materialit lin.

Veprat e shfaqura në përmasa të mëdha arritën të shfaqin një ritëm të ngjashëm, ku gruaja është çelësi i gjithçkaje brenda hapësirës, dhe nëpërmjet saj, arrihet të kuptohet esenca e ekspozitës “Ky është një titull i fuqishëm”.

Vullnet Jakupi, kuratori i ekspozitës për KultPlus tha se punimet e dy artisteve i kushtohen atyre grave të cilave historinë ua dimë por pluhuri i ka mbuluar ato histori e nuk janë dëgjuar më.

“Fillimisht titulli i ekspozitës i referohet titullit të gruas si nënë, si motër, si vajzë që e kanë marr prej shumë vitesh. Është një titull i fuqishëm për arsye se e ka një peshë shumë të madhe, e ndonjëherë harrojmë me i rikujtu këto histori. Ekspozita ku ndodhemi sot është në Hamamin e Prishtinës, një objekt që ka shërby si vendtakim mes grave e burrave, mirëpo rifunksionalizmi i kësaj hapësire me idenë që kjo hapësirë të shërbejë si pikëtakimi mes gjeneratave të ndryshme, po jep jetë edhe një herë në një formë tjetër ndaj historikut të Hamamit. Ekspozita është ndriçuar në këto ngjyra për shkak se mbahet në kuadër të ‘16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore’, përmes punimeve të Shqipes që flet për të kaluarën, duke ngrehë paralele në punimet e Mjellmës e cila flet për gratë në kohët e sotme, duke ngrehë pyetjet të shumta pas shumë ngjarjeve që i kemi parë viteve të fundit. Kjo ekspozitë i kushtohet krejt atyre grave të cilave historinë ua dimë por pluhuri i ka mbuluar ato histori e nuk i kemi dëgjuar më”, thotë ai.

Piktorja Shqipe Kamberi në anën tjetër për KultPlus potencoi se ndonëse ajo ka paraqitur diçka nga e kaluara, e tashmja nuk do të thotë që është total në ndryshim.

“Kjo vepër prapa meje është paja e Kanunit, ku jam munduar me e vizualizu një nen të Kanunit i cili i jep të drejtë burrit me e vra gruan. Është një nen kur babai e qon vajzën për martesë, me gjithë pajën ia jep edhe një fishek. Si figurë kryesore, unë dhe Mjellma e kemi pasur gruan, andaj dhe jemi mundu me u përballë, unë me gruan e kaluar dhe Mjellma me gruan e sotme. Grua e Mjellmës është një grua e pavarur, krenare, e fortë dhe e imja është një grua totalisht e varur nga të tjerët, e shtypur. Ne e kemi ballafaqu të kaluarën me të tashmen por kjo nuk do të thotë që kjo e imja nuk përkon sot, pasi që akoma kemi fenomene të tilla në shoqërinë tonë”, thotë Kamberi.

Sipas saj, ajo tenton që si artiste të reflektojë mbi këto çështje, jo për të rregulluar situatën por për të vetëdijesuar sadopak dikë.

Piktorja Mjellma Goranci-Firzi për KultPlus tregoi se është ndjerë e nderuar me ftesën për të qenë pjesë e ekspozitës. Ajo tha se nëpërmjet mediumeve të ndryshme, së bashku me Shqipen, kanë tentuar të tregojnë dy kohë të ndryshme, një realitet të hidhur dhe një realitet bashkëkohor.

“Së pari dua të theksoj që kjo ekspozitë është iniciativë e Komunës së Prishtinës, në krye me drejtoreshën e kulturës Sibel Halimi e cila ka insistu me ndodhë kjo ekspozitë. Jam ndje e nderuar kur e mora ftesën por kam qenë shumë e gëzuar që ekspozita do të ndodh në Hamamin e Prishtinës, në këtë ndërtesë që ka vlerë shumë të madhe historike. Koha ka qenë e shkurtër por me ndihmën e kuratorit, Vullnetit, kam arrit me e prezantu artin tim dhe të Shqipes. Nëpërmjet mediumeve të ndryshme dhe kohërave të ndryshme, ne kemi bazë figurën e gruas. Unë përballë një realiteti të dhimbshëm, e prezantoj një femër bashkëkohore e cila është një figurë e fuqishme që ka shumë përgjegjësi e sakrifica. Nëpërmjet kohës, gruaja është avancuar dhe ka pozitë shumë më të mirë. Sot, një femër e fuqishme është ajo që udhëheq shtetin, institucionet, që krijon art, dhe paralelisht krijon punën e njëjtë me gjininë e kundërt. Unë jam krenare me figurën e gruas shqiptare”, ka thënë Goranci-Firzi.

“Ky është një Titull Shumë i Fuqishëm!”, sjellë një reflektim të thellë mbi fuqinë transformuese të artit në luftën kundër dhunës gjinore.

Ambienti Historik i Hamamit përforcon mesazhin e fuqishëm që arti mund të jetë një forcë e ndryshimit, duke ndihmuar në ndërprerjen e cikleve të dhunës dhe promovimin e respektit ndërmjet gjinive./ KultPlus.com

Projekti “What After We Leave” vjen të enjten në Paper Gallery

Projekti “What After We Leave” nga Vullnet Jakupi shfaqet të enjten në Paper Gallery, përcjell KultPlus.

Ky projekt realizohet në bashkëpunim me “Në Duart Tona”, projekt i bazuar në komunitet, i cili bën pjesë në Prishtina Biennale. Bazuar në anekdotat e njerëzve që kanë jetuar në fshatin Stresdka, disa prej të cilëve ende jetojnë.

Shkolla, e vendosur në zemër të Malit të Sharrit, ku askush nuk dinte për të, tani është e shkretë dhe e braktisur, e “përhumbur” nga zhurmat e të vegjëlve, ku fëmijët vrapojnë si kur shkolla ishte funksionale.

Projekti i cili hapet më 14 prill do të shfaqet nga ora 10:00, ndërkaq biseda me artistin Vullnet Jakupi nis nga ora 14:00. / KultPlus.com