Filluan të merren me muzikë që në vitet 90-ta, duke u shndërruar në një prej grupeve më të pëlqyera të muzikës‘rock’ në mbarë trevat shqiptare. Marigona është emri që gjithmonë na sjell me freski në kujtesë këngët e bukura të aso kohe që këndoheshin nga ata.
Vokalisti i këtij grupi, Vullnet Sefaja, një emër shumë i njohur për publikun kosovar, i është rikthyer muzikës së fundmi në një projekt të përbashkët për t’i kënduar as më pak e as më shumë se qytetit të tij të lindjes, pra Mitrovicës – megjithëse siç thotë ai, Vullnet nuk ka hequr dorë nga muzika kurrë.
Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, artisti Sefaja njëherësh edhe biznesmen i njohur, vjen për ta na rrëfyer emocionet e rikthimit me një këngë dedikuar qytetit të lindjes, të rejat në jetën e tij private si dhe atë që të gjithë po e presin…një rikthim të mundshëm të grupit Marigona.
“Të them të drejtën ishte ideja e Ilir Beranit, i cili e kishte bërë një kompozim të një kënge shumë të bukur për qytetin tonë, pra Mitrovicën dhe unë pa hezituar e pranova ofertën e Ilirit”, ka treguar Sefaja.
Ai ka thënë se është një ndjenjë e veçantë që pas kaq shumë viteve do të ngjitet sërish në skenë.
“Është një ndjenjë paksa e përzier për mua në veçanti, sepse ne si grup, pra Marigona, në vitin 1997 e kemi bërë këngën për Mitrovicën, e që sot në vitin 2018 është akoma aktuale dhe nuk është se kam pasur dëshirë të bëj ndonjë kënge prapë për Mitrovicën të llojit të njëjtë, pra të vështirësive në të cilat kalon ai qytet edhe sot e asaj dite, por ja që mua krejt më njohin si një lokalist fanatik dhe unë pranova të jem pjesë e këngës së Ilir Berani”, ka rrëfyer Sefaja. /KultPlus.com