Nis restaurimi i kishës së Shën Nikollës në Vuno

Në fshatin Vuno ka nisur puna për restaurimin e kishës së Shën Nikollës.

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore bën të ditur se në kuadër të projektit për restaurimin e kishës janë planifikuar të bëhen ndërhyrjet si më poshtë: konsolidim strukturor; restaurim i strukturave të gurit; ndërtim çatie; sistemim territori; drenazhim përreth dhe dyer dhe dritare druri.

Sipas IKTK-së, aktualisht kisha, e ndodhur në pjesën e sipërme të fshatit, është e rrënuar, duke mos i shërbyer prej vitesh komunitetit të fshatit.

Kjo kishë është shpallur monument kulture i kategorisë së parë (I) në vitin 2015, ndodhet në fshatin Vuno, rreth 9 km nga qyteti i Himarës.

Projekti për restaurimin e kishës u financua nga Banka Amerikane e Investimeve.

Kisha u ndërtua në shekullin XVI nga dy familje autoktone dhe dishendente nga të cilat vijnë dhe dy emra të shquar të artit shqiptar si aktori Robert Ndrenika dhe regjisori Dhimitër Anagnosti.

Kisha ishte e ruajtur në formën e saj më të mirë deri në vitin 1967, pas shembjes me vendim të regjimit komunist. Tashmë aty gjenden vetëm rrënojat e mureve, të cilat japin më së miri idenë mbi bukurinë që ka pasur./atsh/KultPlus.com

Manastiri i Shën Spiridhonit në Vuno, monument kulture që duhet vizituar patjetër

Sezoni veror turistik sjell edhe më shumë vizitorë në sajtet e trashëgimisë kulturore dhe monumentet natyrore të vendit, mes të cilëve edhe në Kishën e Shën Spiridhonit në fshatin piktoresk të Vunoit, në Vlorë.

Në skajin jugor të fshatit Vuno, midis ullishtave shekullore ndodhet edhe manastiri i Shën Spiridhonit me kishën më të madhe të vetë këtij fshati. Në një mbishkrim thuhet se kjo kishë u rindërtua në vitin 1778 dhe madje u pikturua e gjitha në vitin 1784 me harxhet dhe shpenzimet e banorëve të vetë fshatit.

Kisha është e tipit bazilikatë e përbëhet nga hajati i mbështetur në arkada e kolonada, nga naosi i ndarë në tre nefe, altari dhe hapësida. E gjithë kisha ruan vlerat arkitekturore dhe është e pasur me piktura murale. Pas shkatërrimit që pësoi me djegien e gjithë çatisë në vitin 1998 dhe dëmtimet që pësojë në muajin maj të vitit 2014 u realizua restaurimi i plotë i kësaj kishe.

Restaurimi konsistoi në përforcimin e gjithë strukturës, në konservimin e pikturave murale dhe në mbulimin e çatisë. Ky restaurim do të sigurojë jetëgjatësinë e vlerave monumentale dhe artistike të kishës. Kjo kishë e mrekullueshme që nuk duhet humbur pa u vizituar është një monument kulture i kategorisë së parë. / ATSH / KultPlus.com

Kthehet në identitet fshati piktoresk i Vunoit

Peizazhi mahnitës dhe arkitektura e veçantë e Vunoit, fshatit të vendosur në një nga pjerrësitë e vargmalit të Çikës, ka mahnitur vizitorët dhe turistët e shumtë vendas e të huaj.

Ky fshat me bukuri të rrallë po rilind falë investimeve që po kryhen për restaurimin e shtëpive të fshatit dhe qendrës së tij.

Këto punime po bëhen në kuadër të projekteve të integruara që Fondi Shqiptar i Zhvillimit po zbaton në bashkinë Himarë me financim të qeverisë shqiptare dhe Bankës së Këshillit të Europës.

Kryetari i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, tha për ATSH-në se ““sipas të dhënave nga kompanitë përkatëse të zbatimit që implementojnë në terren dhe nga përfaqësues të Fondit Shqiptar të Zhvillimit numri shtëpive të restauruara në këtë fshat arrin në 180”.

Goro u shpreh se “aktualisht punimet po ecin shumë mirë dhe restaurimi i qendrës historike dhe shtëpive pritet të përfundojë në fund të muajit maj”.

Sipas tij, punimet e ngelura përfshihen ne zonat jashtë qendrës historike dhe janë të pakta.
“Punimet përfshinë rregullimin e çative, fasadave, dritareve rrugëve të brendshme, kanalizimeve, ndriçimit, etj”, shtoi Goro.

Kreu i bashkisë së Himarës e vlerësoi këtë projekt si një punë shumë të madhe që po bëhet për kthimin e fshatrave historikë.

Qendra Historike e Fshatit Vuno është shpallur Qendër Historike me vendim të Këshillit të Ministrave më 20 janar 2016. Elementi më i spikatur i Qendrës Historike të Vunoit është pikërisht arkitektura e tij.

Arkitektura dhe pamja piktoreske e Vunoit i bëri mjaft përshtypje edhe shkrimtarit të njohur anglez Edward Lear, i cili nga vizita e tij në vitin 1848 shprehet: U habita nga madhësia, karakteri, rregulli dhe pastërtia e shtëpive në Vuno, të cilat ngjanin me ”Palazzi” të qyteteve italiane.

Ndërtimet shumë afër njëri-tjetrit, kanë krijuar një rrjetë të dendur rrugore. Kjo ka bërë që në mjaft raste të ngrihen banesa edhe mbi rrugë duke siguruar kalimin nëpërmjet qemerëve cilindrike.

Për të lehtësuar kalimin në kthesat e forta, qoshet e ndërtimeve zbuten me thyerjen karakteristike. Tipologjia e banesave është mjaft e larmishme, duke nisur me ato më të thjeshtat me kat e gjysmëkat, banesat e fortifikuara e deri tek komplekset ndërtimore. Elementët arkitektonikë të harqeve, qemerëve e qosheve të punuara janë përdorur mjaft dendur, duke u dhënë ndërtimeve pamje monumentale.

Vunoi ndahet nga deti me një rafshnaltë mbushur me ullishte e bimësi të pafund dhe pemë të tjera frutore që përbën një pasuri të vërtetë për banoret e tij dhe vizitorët e turistët e shumtë që e kanë kthyer Vunoin dhe zonën e bregut shqiptar jonian në një destinacion të aktraksionit të ri turistik.

Një vepër tjetër historike, në qendër të fshatit Vuno është edhe Kisha e Panajasë. Ajo  ngrihet këtu e dyqind vjet me parë dhe është një vlerë e shtuar e turizmit historik të kësaj zone. / atsh/ KultPlus.com


Rivitalizimi i Vunoit, motor zhvillimi ekonomik dhe turistik

Bashkia Himarë është duke përjetuar një transformim rrënjësor falë investimeve të integruara që po bëhen në gjithë territorin e saj.

Në kuadër të projektit “Punët në Komunitet IV” të mundësuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në bashkëpunim me Institutin e Monumenteve të Kulturës dhe bashkinë Himarë, janë më shumë se 10 milionë euro investime të reja të cilat kanë filluar nga puna dhe financohen nga Banka e Këshillit të Europës për Zhvillim (CEB).

Ky projekt parashikon rikualifikimin urban të të gjithë zonës, përfshirë Himarën, Dhërmiun, Vunoin, zonat begdetare në Jalë dhe Dhërmi, infrastrukturën rrugore, parkimin dhe plazhin publik në Dhraleo, etj. Ndërhyrja konsiston në ndërtim/rikonstruksionin e rrugëve, kalldrëmeve, ujësjellës kanalizime, fasada, çati, sheshe, shëtitore, trotuare, plazhe, vendparkime, ndriçim publik, etj. 

DRKK Vlorë është një nga monitoruesit e këtij projekti investimet e të cilit do të kenë impakt të drejtpërdrejtë në zhvillimin e sektorit të turizmit, rritjen e numrit të turistëve, rritjen e punësimit, përmirësimin e cilësisë së shërbimeve, e për rrjedhojë të ardhura më të larta për familjet himarjote.

Sezoni turistik i këtij viti do ta gjejë të gjithë territorin e bashkisë Himarë të transformuar në fushën e trashëgimisë kulturore dhe të gatshëm për një sezon turistik cilësor, shkruan ata.

KultPlus gjatë vitit të kaluar ka shkruar një reportazh për këtë fshat piktoresk, të fshehur në jug të Shqipërisë.

Reportazh: Vuno, një mrekulli e fshehur në jug të Shqipërisë (FOTO)

Gili Hoxhaj

Rrugëtimi drejt Shqipërisë rëndom të jep ndjesinë e zhytjes drejt një thesari që bart brenda shumë bukuri që presin të zbulohen. Ata që ia mësyjnë Jugut të këtij vendi, nuk mund ta kenë vetëm një destinacion, bukuritë drejt kësaj zone të ftojnë drejt shumë ndalesave për t’i shijuar pamjet e bregdetit e maleve të larta. Rruga drejt atje nuk është dhe shumë e lehtë, kthesat duket se janë të pambarueshme e qielli duket shumë afër. Ata që duan të zbresin në Himarë, domosdo kalojnë përmes fshatrave të ndryshëm.

Arkitektura e njërit nga fshatrat e kësaj zone, të fton drejt eksplorimit. Kafenetë qëndrojnë buzë rrugës por shtëpitë e banorëve qëndrojnë jo shumë afër këtyre kafeneve. Është Vunoi, fshati që është i pozicionuar në bregun e detit Jon, që rri në shpatullat e malit të Mjegulloshit. Vuno është një thesar prej të cilit vizitorët do të marrin më të mirën, në çdo gur lexon një histori të kësaj pjese e duket sikur nuhat rezistencën e lashtësisë, që rri në muret pa dritare. Në çdo skutë të ndërtesave mund ta shihje fshatin mes këndeve të ndryshme, cdo derë drejt se cilës hyje të nguliste një pamje të këtij vendi.

Pjesa e sipërme e fshatit duket sikur një botë në vete. Një botë drejt së cilës çdo kush ëndërron të ikë, të paktën një herë në jetë, të paktën në njerën nga katër stinët. Drita e diellit duket sikur ruan dritaret e shtëpive prej guri, andaj mbrojtëset e dritareve kanë një bukuri në vete mes ngjyrave të drunjta e atyre më të ndezura. Drita e diellit edhe e bën edhe më të theksueshme bukurinë e këtij fshati. Harqet dhe qemerët e mbuluara me gjethe japin një ndalese hijeje. Këmbët herë ngjiten me më ngadalësi e herë rrëshqasinnë rrugët e kalldërmta.

Ani pse rruga herë-herë duket e mundimshme, bukuria në çdo skutë të fshatit, domosdo të bën të ndalesh e të shijosh secilin gur e secilën ndërtesë, një pjesë e tyre edhe me gjurmë të thella të rrënimit kanë një bukuri që duket sikur flet mbi atë se si e bukura i reziston edhe shkatërrimit. Gurët ishin të fortë, por jo edhe gjithçka në këtë pjesë, në çdo vend mund ta zësh veten duke e shijuar qoftë edhe trëndafilat ngjyrë të ndezur, që diku edhe janë tkurrur nga dielli i fortë.

Përveç zhurmës së punëtorëve lart, e zhurmës së zogjve poshtë në këtë fshat, gjithçka dukej që qëndronte e heshtur në bukurinë e vet. Shtëpitë e gurta qëndrojnë afër njëra-tjetrës dhe larg zhurmës së veturave. Ishin disa pjesë të fshatit që e thyenin lashtësinë e ndërtesave, kjo tregonte se kjo zonë ishte në restaurim, gjë që iu ngjallte shpresat banorëve për të takuar edhe më shumë turistë viteve që vijnë. Këto rrugë të kalldërmit, për disa prej banorëve janë edhe oborr, andaj dalja e tyre në ballkon shpesh i bën që papritur ta takojnë ndonjë nga banorët a vizitorët e kësaj pjese. Në këtë pjesë të fshatit nuk e gjen as një dyqan, as një kafene, por gjen njerëzit që me dashuri t’i shërbejnë ato.

Afërsia mes ndërtesave që nuk dallojnë shumë nga njëra tjetra, të jep ndjesinë e një bashkëjetese në harmoni. “Këtu jeta është e bukur”, shumica e banorëve me këtë fjali e përkufizojnë jetën e përditshme mes gjelbërimit, detit, mes flladit të natyrës, ndërtesave prej gurit dhe nxehtësisë së diellit.

Një nga gratë e kësaj ane duhet të ecën mbi shumë gurë që të dërgojë bukën e gjërat e tjera ushqimore deri tek shtëpia e saj. Kur fëmijët nisen për në shkollë, me ta duhet të shkelë në gurët që të dërgojnë poshtë rrugës dhe ta bëj të njëjtën rrugë kur ata të vijnë. Ajo e ndjen bukurinë e këtij ritmi të jetës, ani pse ecja tri herë në ditë në këtë rrugë nuk duket të jetë e lehtë.

“Këtu të bësh vetëm pesë orë ditë në gjumë, është e mjaftueshme”, shprehet ajo. Kjo tregon se si ky fshat ia ka dhuruar prehjen e shpirtit, se si vet jeta këtu ia plotëson nevojën e gjumit.
Rrobat e varura për tu tharë, tregojnë së numri i banorëve nuk është dhe i madh, madje, sipas banorëve shumë prej tyre e kanë braktisur këtë vend. Nëse shikohet madhësia e rrobave që qëndrojnë të varura jashtë shtëpive, kuptohet mungesa e të rinjve e fëmijëve. Më së shumti takon njerëz në moshë më të shtyrë por që pamjen e kanë tejet të freskët. E tillë është dhe Vasilika Kongjik, një grua e thinjur e bujare që i buzëqesh çdo kalimtari qe kalon pranë shtëpisë së saj. Me plot bujari sjellë shishen me ujë të freskët e mbush gotat plot. Duart i ka plot bonbone të ëmbla që i dhuron me buzëqeshje. Ajo nuk e kthen asnjë mbrapa, i zbraz duart e t’i dhuron me shkëlqim në sy. Ajo ka jetuar me vite në Greqi, prej nga është larguar që nga ditët e para të pensionimit, për të kaluar këtu pjesën e mbetur të jetës, pasi që është i vetmi vend që i jep qetësi.

Është Festivali South Outdoor ai që i ka sjellë ngjyrat e gjallërisë kësaj pjese, e që disa prej banorëve i ka bërë kureshtar për të zbritur poshtë tij. Me buzëqeshje të fëmijëve, zhurma të biçikletave, të lojërave të ndryshme, mes qetësisë së yogas, ngjyrave të pikturave u manifestuan tri ditë të festivali që kishin përfshirë edhe shumë fshatra të tjerë të kësaj zone. Ky festival i ka bërë bukuritë e këtij fshati, pjesë të kujtimeve të shumë vizitorëve të huaj e shqiptarë.

Brenda pjesës së poshtme të fshatit, duhet jo dhe pak përpjekje për të gjetur një vend për parking. Tendat e vendosura në njërën anë flasin për interesimin që ka zgjuar ky festival i organizuar nga GIZ, e që në Vuno shënoi edicionin e dytë të tij. Njerëzit që ka mbledhur ky festival, reagojnë me qetësi e buzëqeshje e rrallë qëndrojnë në një pozitë të vetem, disa prej tyre janë zhytur në një hapësirë më të thellë eksploruese të kësaj zone.

Vërehej dukshëm që njerëz jashtë festivalit, i janë bashkangjitur atij në natën e dytë. Aleksandër Gjoka, Elton Deda e Redon Makashi ishin emrat që krijuan natën kulminante të këtij festivali dhe njërën nga mbrëmjet më të bukura që kanë ndodhur në këtë fshat. Terri tashmë kishte fshehur bukurinë e fshatit por të ndjekur rrugën drejt dritave që zgjateshin, të dritave drejt skenës që po mirëpriste këngët që do të deshifroheshin në emocion e kënaqësi të rrallë.


“Unë i pasur s’jam vërtetë por në ëndërr e shoh veten mbret”, ishte vargu që çdo kush e ka dëgjuar, ishte vargu që fuqishëm vinte nga ngjyra e rrallë e zërit, e atij që në muzikën shqiptare po dëshmon që është vështirë i tejkalueshëm. Mosha nuk ia ka zbehur fuqinë e skenës, as afërsinë me publikun. “As rrufetë s’më vrasin dot se ka një Zot”, vinte përmes zërit të tij dhe njërit gisht që ngrihej. Me një afërsi të rrallë dukej sikur i këndonte çdo njeriu që gjendej aty, çdo njeriu që i ka dhënë emocion përgjatë viteve.

Kush mund të këndonte me të, para tij dhe pas tij përveç EltonDedes dhe Redon Makashit të cilët sollën këngët e tyre hite. Ata ndër vite e kanë ushqyer publikun me muzikë sa që shumë prej të pranishmëve këngët e tyre i kishin brumosur brenda vetes. Ata i kanë kënduar dashurisë e urrejtjes, stinëve, pranimit të vetes e tjetrit. Mes këndimit e vallëzimit të kënges së Elton Dedës “Na lini të jetojmë”, publiku u shpërnda duke kënduar këngët e tyre mes qiellit që ndriqohej e duarve që ngriheshin drejt tij.

Ata që i kanë përjetuar këto ditë të South Outdoor Festival dhe ata që e kanë shijuar koncertin e “Tre muskutierëve”, do të presin gjithnjë për një kënaqësi të dytë të momenteve të tilla.
Për ata që e kanë vizituar Vunon, ai mbetet një mozaik i bukurive të përkufizuara në gurë, i njerëzve që jetojnë në prani të njëri-tjetrit dhe kanë lenë pjesën tjetër të fshatit të paprekur me shtëpi, por të pasur me bukuritë e ngjyrave të natyrës./ KultPlus.com















Fëmijët shijojnë aktivitetet e South Outdoor Festival (FOTO)

Gili Hoxhaj

South Outdoor Festival tashmë është në ditën e dytë derisa po shënon rrugëtimin e edicionit te dytë të Festivalit. Ky festival që ngërthen shumë aktivitete sportive, kreative dhe kulturore dhe si i tillë ka mbledhur mjaft shumë vizitorë rreth vetes, të cilët po e gjejnë veten në fusha të ndryshme. Fshati Vuno që është në afërsi të Himares, këtë vit është epiqendra e këtij edicioni, ndërsa në shumë vende rreth Himarës po zhvillohen aktivitetet të këtij festivali. Arkitektura e veçantë e kësaj zone e veçmas e fshatit Vuno po e bën edhe më të paharruar eksperiencën që ky festival po e sjellë. Pozita gjeografike po i jep edhe më shumë gjallëri aktiviteteve të këtij edicioni.


E veçanta e këtij festivali është se ka mbledhur rreth vetes njerëz të moshave te ndryshme duke u dhënë të gjithëve mundësinë që ta përjetojnë një përvojë te paharruar nga ky vend e festival. Shumë fëmijë sot kanë shijuar atë çfarë ka përgatitur ky festival për ta. Me këngë, poezi e shumë lojëra atraktive, e aktivitete artistike ata kanë vallëzuar e shprehur kreativitetin e tyre.
Një pjesë e trajnerëve të Qendrës Sportive “Smart”, janë pozicionuar në një ambient të fshatit Vuno, prej nga shihen shumica e ndërtesave të këtij fshati. Përmes eksperiencave të tyre, ata po i njoftojnë të pranishmit më mënyra te ndryshme te argëtimit dhe aktiviteteve sportive.

Njëri nga trajnerët e kësaj Qendre është edhe Gentian Vuca i cili tha për KultPlus se këto aktivitete janë mjaft të rëndësishme për shkak se i njoftojnë turistët dhe shqiptarët me natyrën e kësaj zone dhe gjatë kësaj kohë të jenë edhe sa më aktiv përmes lojërave të ndryshme.

“Ne ofrojmë aktivitete sportive për fëmijë të grupmoshave të ndryshme dhe duke iu përshtatur edhe terenit malor, ne përpiqemi që tu ofrojmë gjithë sigurinë fëmijëve në mënyrë që të kënaqen sa më tepër në këtë aktivitet. E veçanta e kësaj është se edhe të rriturit po bëhen pjesë e aktiviteteve në lojëra të ndryshme dhe sfidat po rriten nga momenti në moment ndërsa po vijnë secilën herë e më tepër njerëz andaj po e shfrytëzojmë sa më shumë këtë dite të bukur”, u shpreh ai për KultPlus.

South Outdoor Festival po ashtu mbrëmë ka sjellë edhe një koncert të mrekullueshëm të “Tre muskutierëve”, duke e bërë kështu këtë edicion të paharruar. Edhe sot pritet që të ketë mjaft shumë aktivitete për pjesëmarrësit e këtij festivali. / KultPlus.com

Kosta Zhonga në South Outdoor Festival: Çdo fëmijë është artist, t’iu ndihmojmë të mbesin të tillë

Gili Hoxhaj

Shtëpitë mahnitëse të fshatit Vuno, e pozita gjeografike i japin një pamje të mahnitshme këtij fshati. Ky fshat ka marrë një pamje krejtësisht tjetër pasi që South Outdoor Festival, këtë vit ka zbritur aty, duke e bërë pamjen e tij edhe më të dukshme. Sot dhe dje Vuno është bërë një pikëtakim për shumë mysafirë që kanë ardhur nga vende të ndryshme e të cilët janë mbledhur për t’i shijuar aventurat e paharruara që South Outdoor Festival po i sjellë në eksplorimin e kësaj pjese. South Outdoor Festival organizohet nga GIZ dhe tashmë është kthyer në një traditë me qëllim promovimin e fshatrave për zhvillimin e turizmit.

Aktivitetet e këtij festivali janë të përqendruara në shume lokacione të Himarës por në pjesën e poshtme të fshatit Vuno, pranë Kishës së Shën Spiridonit, ndodhet epiqendra e edicionit të dytë të këtij festivali. Një kënd i veçantë i është kushtuar fëmijëve, të cilëve ky festival u ka dhënë një mundësi të jashtëzakonshme që të shprehin veten përmes aktiviteteve sportive, argëtimit, lojërave, këndimit, vizatimit dhe recitimit.


Në këtë hapësirë, një tavolinë e posaçme i është kushtuar fëmijëve, të cilët në duart e tyre mbajnë ngjyra të llojllojshme, e vizatojnë mbi hijezimin e duarve të tyre të vogla. Përmes mjeteve ricikluese, ata mbushën ambientin me punime të veçanta. Pranë tyre ishte piktori i njohur, Kosta Zhonga. Ai e trajtonte me një kujdes të rrallë çdo detaj që sillte një produkt artistik nga duart e këtyre fëmijëve, e për çdo pyetje të tyre kishte një përgjigje dhe një formë demonstrimi. Zhonga ka kohë që u kushton rëndësi aktiviteteve të tilla me fëmijët, kjo bazuar edhe në eksperiencën disavjeçare në emisionin “Artist Tak Fak” në Tring Tring.

Ai tregoi për KultPlus se kishte vite që nuk ka ecur nëpër këtë pjesë të Shqipërisë ndërsa në Vuno po vinte për herë të parë andaj tha se aktivitete të tilla janë shumë të nevojshme si për këtë pjesë të Shqipërisë, ashtu dhe për Kosovën e vende të tjera pasi që fëmijët kanë shumë nevojë të zhvillohen edhe në aspektin artistik.

“Këto aktivitete janë shumë të rëndësishme ngaqë fëmijët të çlirojnë emocionet dhe fantazinë e tyre andaj jam shumë i kënaqur që më kanë ftuar në këtë festival që ishte iniciativë e GIZ-it. Kryesorja është riciklimi dhe këtu u mundova që për këtë t’i përdorim pjatat e plastikes, me pipëza që përdoren për të pirë lëngje dhe pikturën pasi që fëmijët duan të argëtohen me të gjitha”, u shpreh piktori Kosta Zhonga.

Fëmijë të moshave të ndryshme sot e shprehen kreativitetin e tyre artistik përmes formave të ndryshme rreth tavolinës. Ata përdornin pothuajse çdo gjë që kishin pranë vetes. Më tutje Kosta Zhonga tregoi për KultPlus për rëndësinë e artit tek fëmijët. Ai tha për KultPlus se arti është pjesë e pandashme e fëmijëve qysh në moshën e hershme dhe që po që se u dhuron ngjyrat fillojnë të pikturojnë, para se të fillojnë të shkruajnë e të lexojnë. Zhonga tha se për të çdo fëmijë është artist dhe për këtë duhet kushtuar një rëndësi e veçantë fëmijëve që ta zhvillojnë artistin që gjendet brenda tyre.

“Për mendimin tim çdo fëmijë është artist , këtë e ka thënë edhe Picasso por detyra jonë është që edhe kur të rriten të mbeten të tillë, sidomos e prindërve që duhet t’i sjellin fëmijët që ta zhvillojnë atë”, u shpreh tutje piktori Zhonga.

Mbrëmja e sotme do të sjellë në skenë Tre Musketierët, me koncertin që është paraparë të nisë me fillim nga ora 20:00. Ndërsa eksplorimi i Vunos, do të vazhdojë edhe nesër më 29 prill, kur edhe përfundojnë tre ditët e këtij festivali./ KultPlus.com

Vuno, fshati që sivjet hapi dyert për South Outdoor Festival (FOTO)

Sarandë Selimi

Shumë qytetarë shqiptarë dhe të huaj rrugën për në Himarë e kanë marr goxha shpesh por shumica nga ta, pak kilometra para se të mbërrijnë në Himarë nuk kanë vënë re se aty ndodhet një mrekulli tjetër shqiptare të cilën mund ta eksplorojnë.

Është fshati Vuno. Një mister tjetër i Shqipërisë që duket se qysh moti ka kërkuar sytë e njerëzve të tjerë, përpos atyre që banojnë aty. Një arkitekturë e mahnitshme, natyrë që të bënë për vete e traditë e lashtë e cila mori sivjet vëmendjen e të gjithëve përmes edicionit të dytë të South Outdoor Festival.

Dita e premte, data e 27 prillit ishte ajo që startoi këtë edicion të këtij festivali që organizohet nga GIZ. Një ditë që startoi me aktivitete të ndryshme duke u pasuar nga sot, ditë e shtunë e 28 prillit, me eksplorime edhe të fshatrave të tjera përreth Himarës por me theks të veçantë të Vunos.

Rruga për të shkuar deri te vendi ku mbahen aktivitete kryesore ishte shumë pak minuta e krejt kjo për arsye se bukuria e atij vendi të zvogëlonte rrugën dhe të hapte sytë që nuk mjaftonin të shihni aq sa ofronte ky vend. Aktivitete për fëmijë, adoleshent e të rritur. Ushqime të llojeve të ndryshme, me veçanti ushqime të jugut të Shqipërisë. Panaire të gjërave ushqimore, artizanale e të pijeve. E në fund fare, por jo më pak e rëndësishme, një skenë e madhe që sonte do të digjet nga Tre Musketierët, me një koncert madhështorë që do jehojë thellë në muret e bukura dhe plot kreativitet të fshatit Vuno.

KultPlus, duke qenë i pranishëm në këtë festival që po promovon me një seriozitet të madh turizmin, traditën dhe kulturën e Shqipërisë së Jugut, bisedoi sot me ambasadoren e këtij edicioni të South Outdoor Festival, Valbona Selimllari. Ajo për KultPlus, përveç të tjerash tregoi se mbi të gjitha e rëndësishmja e këtij festivali, sipas saj është se e para promovohet ky vend dhe tjetra që shijohet kjo bukuri.

“Ky është edicioni i parë që marr pjesë dhe të them të drejtën jam shumë e kënaqur. Kur e them këtë, e para është sepse arrijmë të promovojmë këtë perlë që kemi, sepse unë e quaj perlë gjithë jugun e Shqipërisë, dhe nuk është nevoja ta komentoj shumë, sepse është diçka që shihet dhe nuk ka nevojë për koment, dhe e dyta është që kur më thanë se isha ambasadore e këtij festivali, u ndjeva krenare në një mënyrë”, tha ajo për KultPlus.

Duke pas parasysh se çka të ofron kjo pjesë e Shqipërisë, duket qartë që është dashur shumë më herët të ketë ndonjë aktivitet të tillë që të promovohet sa më shumë. Sipas Valbona Selimllarit, kjo është dashur të ndodhë, por që, sipas saj me mirë vonë se kurrë.

“Ne kemi një thënie që e pëlqej dhe dua ta rithem, më mirë vonë se kurrë, është vonë ndoshta, por mendoj që tani u poqën gjërat dhe është mirë”, u shpreh ajo.

Festivali South Outdoor, organizohet nga GIZ. Për KultPlus, foli edhe përfaqësuesja e organizatorëve Dhurata Gazulli, e cila shpalosi pjesë nga programi i këtij edicioni.

“Këtë vit ne jemi zhvendosur në Vuno, dhe mendojmë që vitin tjetër të zhvendosemi në një vend akoma më të bukur. Mendoj që dita e parë ka kaluar shumë mirë, sportet janë ndarë, njerëzit janë nëpër aktivitetet përkatëse që po ndodhin në fshatra të ndryshme dhe mendoj që këtu ka shumë aktivitete në fushë, aktivitete për fëmijë, adoleshentë dhe më të rritur ku secili mund ta gjejë vetën në diçka. Shqipëria ka shumë asete për të pasur një turizëm gjithë vjetorë. Jugu ka shumë asete, që janë gjëra që japin mundësi që sezoni të fillojë shumë herët apo të themi më mirë të mos mbarojë kurrë. Poashtu ka shumë njerëz që po vijnë po dëgjojnë dhe po bëhen pjesë e eventit. Ka pasur francez, gjerman e shumë të tjerë që na u janë bashkangjitur. Jemi të lumtur që kemi arrit ta kthejmë këtë vëmendje nga kjo pjesë e mrekullueshme e Shqipërisë”, u shpreh Gazulli nga GIZ.

Përpos aktiviteteve që përmendëm, një rëndësi të madhe organizatorët iu kishin kushtuar fëmijëve. Plotë gjëra që ata të paraqesin kreativitetin e tyre, ishin organizuar nga ky festival. Lojëra të ndryshme, këngë, pikturë, e shumëçka tjetër patën rastin që fëmijët që kishin ardhur me prindërit e tyre, t’i shijonin nën bukuritë e Vunos.

Disa nga fshatrat ku pjesëmarrësit e këtij festivali po eksplorojnë bukurinë dhe misteret që fshehin janë: Kuçi, Kudhësi, Çorraj, Qeparoi dhe Borshi, ku nuk po mungojnë edhe aktivitetet e plazhit (kayaking, zhytje, volejboll, plazh) në gjiret e mahnitshme të Jalës dhe Gjipesë.

Argëtimet gjatë ditës dhe çlodhja në mbrëmje rreth zjarrit në kampin me çadra të ngritura, janë thelbi i mikpritjes së këtij festivali. Nuk do të mungon edhe muzika live, si dhe iso-polifonia (Trashëgimia Kulturore e ruajtur nga UNESCO), që do të dëgjohet gjatë gjithë festivalit.

Mbrëmja e sotme do të sjellë në skenë Tre Musketierët, me koncertin që është paraparë të nisë me fillim nga ora 20:00. Ndërsa eksplorimi i Vunos, do të vazhdojë edhe nesër më 29 prill, kur edhe përfundojnë tre ditët e këtij festivali./ KultPlus.com

Së shpejti fillojnë aventurat e “South Outdoor Festival”

South Outdoor Festival i kthyer tashmë në një traditë me qëllim promovimin e fshatrave për zhvillimin e turizmit këtë vit do të startojë në Vuno dhe do të zgjas për tri ditë nga data 27 deri më 29 prill, shkruan KultPlus.

Disa nga fshatrat ku pjesëmarrësit e këtij festivali do të eksplorojnë bukurinë dhe misteret që fshehin janë Kuçi, Kudhësi, Çorraj, Qeparoi dhe Borshi, ku nuk do të mungojnë edhe aktivitetet e plazhit (kayaking, zhytje, volejboll, plazh) në gjiret e mahnitshme të Jalës dhe Gjipesë! Argëtimet gjatë ditës dhe çlodhja në mbrëmje rreth zjarrit në kampin me çadra të ngritura, do të jenë thelbi i mikpritjes së këtij festivali. Nuk do të mungojë edhe muzika live, si dhe iso-polifonia ( Trashëgimia Kulturore e ruajtur nga UNESCO), që do të dëgjohet gjatë gjithë festivalit.

Fshati i Vunoit ka një arkitekturë të pasur dhe unike në gjithë zonën e bregdetit dhe konsiderohet si një nga qendrat më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore, ku gjendet në afërsi të Kishës së Shën Spiridonit. Atje do të mbahen shumë aktivitete, do të ketë muzikë, kampe, lojra, seminare, forume, aktivitetet kulinarie, etj. Ujërat e mrekullueshme të plazhit të Jalës, ofrojnë mundësi për sportet ujore. Aktivitete të tjera si hiking, biking, do t’i ofrojë mali.

Vunoi ka një pamje magjepsëse, ku të jep përshtypjen e një Akropoli të madh që del nga shkëmbinjtë. Është një shembull i shkëlqyer i arkitekturës rajonale si në shtëpitë dhe kishat, të ruajtura që nga shekulli i tetëmbëdhjetë. / KultPlus.com