Vushtrria e pasur me objekte të trashëgimisë, ministri i MKRS-së premton investime

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka vizituar Komunën e Vushtrrisë ku është takuar me kryetarin e Komunës, Bajram Mulakun, me të cilin ka biseduar rreth bashkëpunimit ndërmjet MKRS-së dhe Komunës së Vushtrrisë në fushat e interesit të përbashkët, veçmas për projektet të cilat janë realizuar dhe projektet që janë të planifikuara për të ardhmen në fushën e trashëgimisë kulturore, kulturës, rinisë dhe sportit, përcjellë KultPlus.

Mulaku e informoi ministrin Gashi për fazën se ku kanë arritur investimet e MKRS-së që po realizohen momentalisht në Vushtrri si dhe për aktivitet që organizohen në fushën e rinisë, kulturës dhe sportit në këtë komunë, me 36 klubet që ka Vushtrria. Ai theksoi se Vushtrria është e pasur me objekte e monumente të shumta të trashëgimisë kulturore. Po ashtu, veçoi festivalin “Poeteshat” me një traditë të gjatë, që sivjet do të jetë edicioni i 35-të, e që pritet të organizohet gjatë tetorit.

Në kuadër të investimeve kapitale, në takim u diskutua për projektet konkrete që pritet të hyjnë në planifikim për t’u realizuar në të ardhmen siç janë: ndërtimi i Qendrës së re të Kulturës “Hasan Prishtina”, meremetimi i stadiumit të qytetit, restaurimi i tërësishëm i Urës së Gurit dhe një hulumtim arkeologjik mbi historikun e urës që do të faktojë vërtetësinë e saj.

Në lidhje me këtë të fundit, ministri Gashi, bashkë me kryetarin Mulaku, panë në vend të ngjarjes, gërmimet dhe zbulimin e harqeve të reja që është bërë te Ura e Gurit në Vushtrri, të cilat është duke i zhvilluar Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës. Vlerësohet se zbulimi i dy harqeve të reja që është bërë në këtë lokalitet i rrëzon tezat e mëhershme që pretendohej se ura i ka nëntë harqe.

Ardiana Qorraj, udhëheqëse e gërmimeve, e informoi në hollësi për punën restauruese që po bëhet në këtë monument të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore jo vetëm të Vushtrrisë por të Kosovës. Në kuadër të restaurimit të urës, si një ndërhyrje emergjente, ka ardhur deri tek zbulimi i harqeve të reja të urës, u shpreh Qorraj.

Ministri Gashi tha se Vushtrria do të ketë vëmendjen dhe përkrahjen e pakursyer të MKRS-së në realizimin e projekteve që janë në realizim e sipër dhe atyre që do planifikohen për të ardhmen. Ai u shpreh se është e nevojshme që të ndërhyhet shpejtë në restaurimin e Urës së Gurit, sepse përpos që është një monument në mbrojtje, ai përfaqëson një identitet dhe një histori në vete për Vushtrrinë por edhe më gjerë.

Gjithashtu, Gashi e Mulaku vizituan edhe Qendrën Rinore i cili është në fazën përfundimtare të ndërtimit, e që do të jetë një hapësirë me standarde moderne për të rinjtë vushtrrias, investim i tërësishëm i MKRS-së, në vlerë prej 275 mijë eurove dhe shtëpinë muze të Mahmut Agë Gjinollit, në të cilat MKRS-ja ka investuar 140 mijë euro. / KultPlus.com

Kalaja e Harilaqit, atraksion turistik i rëndësisë së veçantë

Kalaja e Harilaqit do të shndërrohet në një atraksion turistik. Kështu u shpreh Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, që vizitoi Kalanë e Harilaqit, ku u njoftua për së afrimi më gërmimet arkeologjike, konservimet dhe restaurimet që po bëhen në këtë lokalitet me rëndësi të veçantë për trashëgiminë kulturore të Kosovës, përcjellë KultPlus.

Ministri Gashi i përgëzoi arkeologët për punën e realizuar në kala dhe u shpreh se MKRS-ja do ta përkrah vazhdimësinë e punëve në këtë lokalitet. Ai tha se trashëgimia mbetet ndër prioritetet e ministrisë.

“Kalaja e Harilaqit është një pasuri kulturore e jashtëzakonshme jo vetëm e Fushë Kosovës por e tërë vendit, dhe ne, me mbështetjen dhe punën e përbashkët do ta ruajmë, promovojmë dhe shndërrojmë këtë lokalitet në një atraksion turistik”, tha ministri.

Udhëheqësi i punimeve në Kalanë e Harilaqit, profesor Arben Hajdari, e informoi ministrin Gashi për procesin e konservimit dhe restaurimit në kala dhe për planet në të ardhmen për këtë lokalitet me një hapësirë prej 130 ari. “Nuk është një kala e rëndomtë, por është një kala unike në llojin e vet në bazë të strukturës së saj dhe materialit specifik arkeologjik që ka kalaja dhe në bazë të gjetjeve vlerësohet se ka qenë një pikë pelegrinazhi”, tha Hajdari.

Ndërsa drejtori i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Enver Rexha, u shpreh i gëzuar për gatishmërinë e shprehur nga ana e ministrit Kujtim Gashi, për vlerësimin e punës që është bërë në kala dhe mbështetjen e premtuar për vazhdimin e punimeve në lokalitetin në fjalë.

MKRS-ja gjatë pesë viteve të fundit, në realizimin e punimeve në Kalanë e Harilaqit ka investuar projekte në vlerë që kalojnë shumën e 200 mijë eurove dhe në bazë të projeksioneve buxhetore ministria do të mbështesë edhe më tutje realizimin e punimeve në këtë lokalitet me rëndësi të veçantë. / KultPlus.com