Këngëtarja Eda Zari nëpërmjet një shkrimi të gjatë ka përshëndetur organizimin e Festivalit të Këngës në RTK. Ajo ka thënë se tashmë talentet e reja kanë hapësirë dhe se kjo ka qenë ëndrra e Kosovës, Nexhmije Pagarushës dhe publikut.
“Festivali i Parë i Këngës në RTK – Kosovë, në ndjesinë time, shpreh dhe transmenton një dashuri të përbashkët për muzikën dhe kulturën, duke krijuar hapësira për talentet e reja vendase dhe gjithë krijuesve në trojet shqiptare duke promovuar artin dhe ekspresionin artistik kombëtar. Ky festival nxit një ndjenjë të bashkëpunimit dhe solidaritetit në skenën e muzikës në Kosovë dhe rajon, duke krijuar mundësi për artistët – të ndajnë talentin e tyre me publikun dhe me botën”, ka shkruar ajo.
Tutje këngëtarja e famshme ka kujtuar edhe bisedat që ka pasur me ikonën e këndimit, bilbilin e Kosovës, Nexhmije Pagarushën.
“E kam pritur festivalin e Këngës në RTK në Kosovë, dhe shumë herë kemi folur me ikonën e zërit të madh të kombit, zonjën e lartë dhe të pa harruar Nexhmije Pagarusha. Sa e sa herë e kemi vizualizuar rikthim e bukur të këtij festivali. Ëndrra e saj, ëndrra ime, dhe e gjithë Kosovës tanimë është realitet. Personalisht vërej një mobilizim të madh me një frymë të rinovuar në këtë festival. Ky është një moment i madh për kulturën dhe muzikën në Kosovë dhe një shenjë e fuqishme se ëndrrat mund të bëhen realitet kur punohet bashkë”, ka shkruar ajo.
Zari i ka bërë thirrje garës evropiane, “Euro Song Contest” që edhe Kosova ta gëzoj fatin e pjesëmarrjes.
“Ndaj ESC – bëj vend për Kosovën dhe Zërat e saj! Kuptimi i kulturës, artit, muzikës është thelbi i edukimit, është përcjellja dhe kultivimi i asaj që në vendet fqinje të Evropës quhet “civilizim”, është ura e parë paqësore për t´i dhënë dorën njëri-tjetrit”, ka shkruar ajo./rtk/KultPlus.com