“Mrizi i Zanave”, një prej restoranteve më të bukura dhe mahnitëse shqiptare, tashmë ka arritur të bëhet i njohur edhe jashtë kufirit shqiptar.
Përmes rrjeteve sociale, ata kanë bërë të ditur se televizioni gjerman WDR, kanë realizuar një dokumentar kushtuar këtij restoranti.
“Pjesë nga dokumentari i televizionit gjerman WDR, të lumtur që kontribojmë në promovim të Shqipërisë autentike. Këto emisione na ndihmojnë të jemi të qëndrueshëm dhe garant për komunitetin”, është shkruar mbi videon e postuar nga “Mrizi i Zanave./KultPlus.com
Shqipëria është shndërruar në një destinacion shumë të njohur turistik, pasi vitet e fundit numri i vizitorëve është më shumë se dyfishuar, shkruan rrjeti i njohur televiziv gjerman, WDR, në një reportazh kushtuar turizmit në Shqipëri.
Në një reportazh mes Alpeve Shqiptare, gazetari i televizionit gjerman, Christian Loss thekson se “aktualisht, edhe infrastruktura është përmirësuar shumë për turistët dhe udhëtimet mes qyteteve kryesore nuk përbëjnë më një problem”.
Ai ka udhëtuar nga Shkodra, drejt Thethit dhe Valbonës, duke u shprehur se “sa më thellë nëpër male që futemi aq më i bukur bëhet peizazhi”.
”Shqipëria është e njohur edhe për mikpritjen e njerëzve të saj. Për standardet gjermane, kostoja e jetesës është relativisht e ulët dhe ju mund të darkoni për rreth 10 euro për person”, thuhet në reportazhin e WDR.
Pas Komanit, Christian Loss i drejtohet lumit të Shalës, duke e përshkruar si një “parajsë e vogël”, ku mund të shkosh vetëm duke kaluar në ujë.
“Le të marrim pak ushqim, kam shumë uri. Kjo është gjëja më emocionuese në udhëtim, kur shkon diku dhe porosit diçka që të pëlqen dhe nuk e ke idenë se çfarë është, por mendoj se kështu mëson dhe ja vlen. Unë nuk kam ngrënë shumë, por provoni gjithçka, jini kuriozë. Pra ky tani është peshku, troftë, troftë e ujërave të ftohta, ose diçka e tillë. Mendoj se duhet ta shikoj, por është shumë e shijshme. Gjithçka këtu më pëlqen jashtë mase shumë”,- shprehet ai.
“Pas darkës kemi pak kohë për t’u qetësuar. Në Instagram ky vend krahasohet shpesh me Tailandën. Nuk kam qenë asnjëherë në Tailandë, por pak a shumë ashtu mendoj dhe unë. Gjëja që të bën të kuptosh se dikush nuk është në Tailandë, por në Shqipëri është uji akull i ftohtë. Por sigurisht këtë gjë e kupton vetëm ti”,- përshkruan gazetari gjerman.
“Ishte bukur, por e lodhshme. Por shëtitja ishte një mrekulli. Pra nëse dëshironi të vini në Shqipëri, udhëtimi për në lumin e Shalës është shumë i bukur. Kushton 40 euro, që më duket i përshtatshëm për atë çfarë merr prej tij dhe peizazhet janë të thjeshta, të bukura dhe të përshtatshme për instragram”, thekson ai në këtë reportazh.
”Kampimi lejohet pothuajse kudo në Shqipëri. Sidoqoftë, kjo nuk vlen për parqet kombëtare. Duhet të pyesni paraprakisht se ku mund të vendosni një çadër. Sidoqoftë, mund të kaloni pushimet në kampe ose bujtina. Akomodimi në qytetet më të mëdha fillon nga 25 euro për natë. Sidoqoftë, numri i hosteve dhe bujtinave nuk është ende shumë i madh”, shkruan televizioni gjermane.
Një tjetër ndalesë e gazetarit gjerman ishte edhe Thethi, duke e konsideruar një vend perfekt dhe të bukur.
”Alpet Shqiptare ndodhen në veri të vendit në kufirin me Malin e Zi dhe Kosovën. Maja më e lartë është Jezerca me lartësi 2 694 metra. Falë vendndodhjes në distancë, ka disa specie të rralla kafshësh si ariu në ngjyrë kafe dhe ujku. Koha më e mirë për të vizituar malet është nga prilli deri në tetor. Në dimër, kalimi në Theth mund të mos jetë i mundur”, shkruan WDR.
“GIZ, Shoqëria Gjermane Për Bashkëpunim Ndërkombëtar, promovon turizmin në Shqipëri prej shumë vitesh. Familjeve u është dhënë mundësia për të përfituar grante për investime në bujtinat që ata drejtojnë. Që atëherë lugina, Parku Kombëtar i Thethit, kanë patur një zhvillim të turizmit. Përshtypja jonë rreth bujtinave është relativisht të mirë. Një dhomë këtu kushton 10-20 euro nata. Por këtu mund të gjeni një paqe absolute dhe idilet e mrekullueshme të vendit”,- përshkruan ai, duke theksuar se “është një vend i mrekullueshëm. Të lë vërtet pa frymë. Sapo kemi mbërritur në bujtinë, duket një vend piktoresk”.
“Kudo që sheh përreth është mahnitëse. Kështu që, vendi është gjithandej i mrekullueshëm. Gjëja më fantastike është se nuk mund të zgjedhësh një pamje si më të mirin për Instagram, si përshembull, Kulla Eiffel, ose Big Ben, ku të gjithë vrapojnë për të bërë foto, por këtu ndodh ndryshe, sepse i gjithë vendi është i mahnitshëm. Mund të qëndroj për javë të tëra në këto male, por në orën 7:00 në mbrëmje duhet të jem në bujtinë për të ngrënë darkën, dhe nuk dua ta humbas këtë”, shprehet ai.
“Do ta përshkruaja Shqipërinë si një vend të mrekullueshëm. Unë u njoha me vendin, me njerëzit, shumë të këndshëm dhe mikpritës, dhe siç mund ta imagjinoni ushqimi është i shkëlqyer, peizazhet janë fantastike”, thuhet ndër të tjera në reportazhin e televizionit gjerman. /ATSH / KultPlus.com