Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja u shpreh sot se një tjetër aktivitet i është shtuar Tiranës, si një mundësi për të promovuar artistë të ndryshëm bashkëkohorë. Tirana Art Weekend është ngjarja e parë publike e AVAN (Albanian Visual Arts NetWork), që mbledh aktorët kryesorë të skenës së pavarur të arteve pamore në Shqipëri dhe përreth, duke ofruar një platformë për ekspozita dhe shfaqje artistike të ndryshme.
“Kjo fundjavë arti është një mundësi për t’u njohur me punën e shumë artistëve, hapësirave të ndryshme ekspozuese, organizatave kulturore dhe kolektivave artistikë lokalë, të cilët janë bashkuar nën një program të përbashkët, i cili përfshin aktivitete të ndryshme si ekspozita, prezantime dhe diskutime. Tirana Art Weekend ka për qëllim të promovojë dhe të mbështesë krijimtarinë bashkëkohore, duke e vendosur Tiranën në qendër të skenës ndërkombëtare të artit, përmes një bashkëpunimi të ngushtë mes artistëve, institucioneve dhe komunitetit”, thotë Gonxhja në një postim në rrjetet sociale.
Ky aktivitet mbështetet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, në kuadër të Javës Kombëtare Kulturore, si dhe nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, dhe është një mundësi për të festuar dhe përforcuar lidhjet kulturore ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve të tjera evropiane. Gjatë kësaj fundjave arti, Tirana Art Weekend sjell dhjetëra artistë të njohur, si dhe projekte që përfshijnë një gamë të gjerë mediatikash dhe shprehjesh artistike./atsh/ KultPlus.com