Analizë e veprës “Family Album” të Alban Mujës

Nga: Milot Gusia, Kritik i Artit

Në Galerinë Kombëtare të Kosovës, mbrëmë u mbajt ekspozita e artistit Alban Muja, me titull: “Whatever Happens, We Will Be Prepared”, kuruar nga Maria Isserlis. Në këtë ekspozitë artisti Muja është prezantuar përmes video Instalacioneve, filmave të shkurtër dhe dokumentarëve, vizatimeve, pikturës dhe performancës.

Artisti Muja i takon një grupi artistësh kontemporan të cilët arritën sukses përmes shprehjes me anë të mediumeve të reja. Muja është gjerësisht i ndikuar nga proceset e transformimit social, politik dhe ekonomik të vendit të tij të lindjes Kosovës. Ai i takon një brezi artistësh të cilët janë bërë akterë në proceset transformuese të shoqërisë sonë, duke formuluar perspektivat personale të pakomprometuar nga interesi ekonomik dhe politik duke krijuar hapësira për diskutime dhe opinione me publikun e gjerë vendorë dhe ndërkombëtar. Shpesh përmes veprave të tij ai ka bërë audiencën e vet poashtu akterë përmes pjesëmarrjes aktive të tyre në proceset artistike.

Në këtë ekspozitë vizitorët kanë pasur rastin të shohin një video instalacion të ri të Mujës me titull “Family Album” të realizuar për Pavijonin e Kosovës, në Bienalen e Venecias, i cili gërmon thellë në kujtesën personale dhe kolektive të Luftës së Kosovës (1998-1999) dhe heton rolin që imazhet dhe mediat kanë në konstruktimin dhe formësimin e narracionit, identitetit dhe historisë, sidomos në kohëra të konflikteve.

Si pikënisje e këtij projekti të Mujës shtrihet një përzgjedhje fotografish të fëmijëve refugjatë të marra gjatë luftës në Kosovë, imazhe që ishin publikuar në gazetat dhe në lajmet përgjatë vendeve të ndryshme në botë, dhe të cilat janë bërë sinonim i luftës, emblema të kaosit, traumave dhe dhembjes të komunikuar publikut nga mediat globale. Muja preokupohet si imazhet e dhëna veprojnë si bartës të kujtesës personale dhe si këto kujtesa ndikuan në formësimin e kujtesës së gjerë kolektive politike dhe kulturore.

Kujtesa kolektive i referohet mënyrës sesi shoqëria kujton të kaluarën e vet. Kinezët kujtojnë shekullin e poshtërimit, ndërsa amerikanët kujtojnë 11 Shtatorin dhe ngjarjet e mëvonshme, dhe njerëzit e shumë kombeve kujtojnë epokën e Luftës së Dytë Botërore. Të kuptosh kujtesën e një vendi do të thotë të kuptosh diçka thelbësore në lidhje me identitetin dhe pikëpamjen e tij kombëtare. Sigurisht, vendet nuk kanë kujtime; janë njerëzit në vend ata që ruajnë kujtimet, por shpesh ka edhe ngjarje dhe motive të përbashkëta. Kur u kërkohet të kujtojnë Luftën e Dytë Botërore, amerikanët tregojnë ngjarje të shumta, por shumica e njerëzve kujtojnë sulmin në Pearl Harbor, Ditën D dhe bombardimet në Hiroshima dhe Nagasaki. Kur u kërkohet shqiptarëve të kujtojnë luftën, ata së pari do të kujtojnë ngjarje nga eksodi i refugjatëve të vitit 1998-99.

Jan Assman në veprat e tij përkufizon Kujtesën kolektive, si një term të përgjithshëm, i cili përfshin “kujtesën komunikuese” dhe “kujtesën kulturore”. Sipas Assmanit e para është e bazuar në komunikimet orale dhe përfshin një periudhë prej vetëm disa gjeneratave të njëpasnjëshme. E dyta, ajo kulturore është e institucionalizuar, “e jashtësuar, objektizuar, dhe e ruajtur në formë simbolike”, e aftë të kaplojë shumë gjenerata. Kujtimet kolektive mund të ndodhin edhe në nivele individuale. Secili prej nesh ka një lloj kujtese kolektive për çdo grup të rëndësishëm shoqëror të cilit i përkasim. Njëzet vite më vonë, Muja zhurmon individët, tani të rritur, të kapluar në këto imazhe për të gërmuar mënyrën në të cilën imazhet veprojnë si bartës të kujtesës personale dhe si ato ndihmuan në formësimin e kujtesës më të gjerë kolektive politike dhe kulturore përtej kontrollit të subjekteve të prezantuara në imazhe.

“Besa”

Derisa kujtesa individuale kulturore është e ndikuar nga kontekstet personale, kujtesa kolektive kulturore duhet të freskohet në mënyre konstante nga individët të cilët ndajnë të njëjtin nocion të së kaluarës. Në të kundërtën, ai humb ndikimin e tij social dhe bien në harresë apo zhdukje (Bruno Notteboom, Andreas Wesener). Muja përmes mediumit të video instalacionit, ndihmon në objektizimin e kujtesës jetëshkurtër individuale, duke krijuar me anë të videos së tij një kujtesë Kulturore për brezat e ardhshëm.

“Agimi”

Kujtimet kolektive të një populli mund të ndryshojnë ndër breza. Një studim i kohëve të fundit tregoi se të rinjtë dhe më të vjetërit i shpërfaqnin ndryshe ngjarjet kritike të shoqërisë. Kujtesa kolektive kombëtare nuk është fikse, por ndryshon me kohën. Kujtesa kolektive nënkupton që edhe harresa kolektive ndodh, dhe ne e kemi studiuar një harresë të tillë në një kontekst të veçantë: sa shpejt politikanët janë të harruar.

Në bartjen e kujtesës kolektive krahasuar me fjalët, imazhet gjithmonë shfaqen si forma më të preferuara për themelimin dhe ruajtjen e njohurisë së përbashkët, pasi që ato ofrojnë një “zë” vizual për të ndihmuar në përshkrimin e së kaluarës së përbashkët (Barbie Zelizer). E adresuar më herët nga Frances Yates, ndikimi i imazheve është dëshmuar përmes shembujve të artefakteve materiale të periudhave të civilizimeve antike të cilat kanë lehtësuar kapacitetin për të mbajtur mend, prandaj objekti material për një kohë të gjatë është parë si sinekdokë e ngjarjeve dhe çështjeve të mëdha dhe të rëndësishme. Ky nocion është elaboruar nga analistë të shumtë, duke përfshirë Paul Connerton, Barry Schwartz, dhe Jacques Le Goff. Këta të fundit theksuan instrumentalitetin e mbajtjes në mend të ngjarjeve komplekse përmes mjeteve të memories kolektive. Sidomos, nocioni i Pierre Nora-s “lieux de memorie” apo “sajtet e memories” ka ndihmuar për të demonstruar lidhshmërinë në mes të aftësisë për të mbajtur mend dhe vendeve fizike dhe konceptuale ku memoriet e përbashkëta janë ruajtur.

Teoritë e reprezentimit vizual kanë qenë të përfshira për një kohë të gjatë në përkufizimin e mënyrave si imazhet veprojnë ndryshe nga fjalët. Në të vërtetë, konsiderimi si imazhet veprojnë krahasuar me fjalët daton qysh nga veprat e Gotthold Lessingut. Në esenë e tij të hershëm mbi “Laokunin (Laokoon: oder über die Grenzen der Malerei und Poesie)”, ai argumentonte se imazhi ndryshon nga poezia thjesht sepse ai “mund të përdorë një moment të vetëm të akcionit, prandaj duhet të zgjedh momentin më të ngarkuar, më sugjestiv të asaj që ka ndodhur më parë dhe asaj që do të ndodh në të ardhmen.” Me fjalë tjera vizualja, përkundër verbales, mund të tregoj më së miri storien duke kapluar strategjikisht gjërat në mes. Ajo shpërfaq për shikuesit e vet momentin në zhvillimin e një ngjarje në të cilin ata marrin pjesë derisa duke qenë e vetëdijshme se ku do të sjellë ky zhvillim. Kjo do të thotë se vizualja shpesh përfshin kapjen e një sekuence ngjarjesh apo çështjesh në mes, duke i ngrirë ato në mënyrë strategjike në momentin potencialisht më të fuqishëm të prezantimit kuptimplotë (The Voice if the Visual in Memory, Barbie Zelizer).

Ky moment është krucial në përshrimin e rolit të imazheve në memorie. Kjo sugjeron se imazhet na ndihmojnë të mbajmë në mend të kaluarën duke ngrirë reprezentimin e saj në një moment të fuqishëm të mirënjohur për ne.

“Besimi dhe Jehona”

Normalisht që imazhi është një formë e fuqishme e shprehjes vizuale. Siç kishte pohuar Aaron Siskindi: “Fotografia është një mënyrë e ndjenjës dhe përjetimit. Ajo që është mbajtur në film është kapluar përgjithmonë…ajo mban mend gjëra të vogla, shumë kohë pasi ne kemi harruar çdo gjë”. Muja në veprën e vet “Family Album” vendos që përmes mediumit të Video instalacionit ti rijetësojë këto imazhe. Por, në këtë rast, videoja si medium ndihmon në sqarimin e mëtejmë të ngjarjeve për të cilat shumë shikues nuk dinin asgjë. Dhe natyrisht njohja më e mirë me protagonistët e këtyre imazheve, dhe rrethanave në të cilat këto imazhe janë jetësuar, kontribuon në përjetimin më të thellë dhe empatinë ndaj personave që përjetuan këto ngjarje. Dhe në këtë aspekt, duke kujtuar thënien e Ingmar Bergmanit mund të përfundojmë se: “asnjë formë tjetër e artit nuk depërton në ndërgjegjen tonë sikur filmi, dhe kalon direkt në ndjenjat tona, thellë në dhomat e errëta të shpirtrave tonë” (Ingmar Bergman). / KultPlus.com

Hapet ekspozita ‘Whatever happens, we will be prepared’, Muja: Secila vepër komunikon në një formë apo tjetër me publikun

Flonja Haxhaj

Sot, në Galerinë Kombëtare të Kosovës është hapur ekspozita ‘Whatever happens, we will be prepared’ e artistit, Alban Muja dhe kuratores, Maria Isserlis.

Vepra të realizuara në sërë mediumesh duke filluar nga filmi, fotografia, piktura, vizatimi dhe skulptura kanë gjetur vend në katër kategoritë, Family Album, Personalja, Socialja dhe Kombëtarja, që autori Muja ka vendosur t’i ekspozojë në ‘Whatever happens, we will be prepared’, shkruan KultPlus.

Autori, Alban Muja në një deklaratë për KultPlus thotë se është i kënaqur që po e prezanton këtë ekspozitë para publikut kosovar pas dy shtyerje për shkak të përhapjes së pandemisë.

“Whatever happens, we will be prepared” është një segment të cilën ne e kemi marrë në njërën prej videove të Family Album. Në këtë ekspozië kemi punuar përreth dy viteve dhe jemi të kënaqur që pas dy shtyerjeve po e hapim” – thotë Muja duke folur për realizimin e ekspozitës.

Ai tutje shton se “Whatever happens, we will be prepared” është e ndarë në katër kategori: Family Album, Personalja, Kombëtarja dhe Socialja.

Kati i parë i galerisë është i dedikuar vetëm për veprën ‘Family Album’ me të cilën artisti Muja përfaqësoi Kosovën në Bienalen e Venedikut në vitin 2019. Në këtë vepër shpalosen rrëfime të të mbiejtuarve nga periudha e luftës në Kosovë. Vepra përmban video-incizime që artisti ka sjellë në mënyrë shumë të veçantë në tre kanale.

“Kati i parë është i dedikuar për ‘Family Album’ me përjashtim të veprës së parë nga e cila ka nisë gjithçka, është fotografia si refugjat i kryeministrit Jose Maria Aznar, i cili është edhe si referencë politike për ata që e shohin të kaluarën apo marrëdhëniet që i kemi pasë dhe që i kemi sot me Spanjën, por ato janë lënë anash edhe pse ka qenë një lloj motivimi” – shton më tutje Muja.

Në katin e dytë janë paraqitur kategoritë Kombëtarja, Personalja dhe Socialja në të cilat artisti thotë se shfaqen kryesisht projektet e reja që ai ka realizuar, dhe ato që kuratorja e ekspozitës, Maria Isserlis, ka vendosur t’i ekspozojë.

Krejt në fund, Alban Muja thekson rëndësinë që ka kjo ekspozitë për të. “Çdo vepër këtu është e rëndësishme, e sidomos për mua dhe secila komunikon në një formë apo tjetër me publikun kosovar, për të cilin po prezantohet.”-shton ai

I pranishëm në hapjen e kësaj ekspozite ishte edhe drejtori i Kulturës në Komunën e Prishtinës, Adrian Berisha, i cili e cilëson këtë ekspozitë si një ekperiencë të jashtëzakonshme dhe të veçantë për të.

“Sot jam ndjerë si çdonjëri apo çdonjëra që e ka vizituar këtë ekspozitë, në mënyrë të veçantë duke marrë parasysh edhe titullin ‘Çfarëdo që ndodhë, ne jemi të përgatitur’ pikërisht në këtë periudhë të pandemisë. Tri sferat që janë brenda ekspozitës tregojnë në një mënyrë që ne jemi të gatshëm  të jetojmë në kohëra të ndryshme si tash në pandemi, apo në aspektin kombëtar ashtu edhe në aspektin personal e social , që të trija këto kanë një ndërlidhje me njëra-tjetrën. Prandaj ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme dhe shumë e veçantë të jem i pranishëm dhe ta përjetoj krejt këtë përurim të mrekullueshëm që po ndodhë sot.”- ka deklaruar Berisha për KultPlus.

Një numër i madh i vizitorëve kishin zënë vend në hapsirat e galerisë dhe prisnin në radhë për të hyrë brenda për t’i parë veprat. E entuziazmi i tyre shihej edhe pasi ata kishin shijuar pamjet brenda ekspozitës.

“ Albani ka kaluar nivelin e yllit lokal, tashmë është i njohur edhe ndërkombëtarisht me vlerat e veta artistike të të gjitha mediumeve si në foto, video, në pikturë, vizatimet e tij janë të shkëlqyeshme poashtu”- thotë piktori, Bashkim Kabashi i cili më tuje e përgëzon artistin Muja për këtë realizim.

Ekspozita ‘Whatever happens, we will be prepared’ do të jetë e hapur deri më 2 nëntor./KultPlus.com