Në Tiranë koreografi i famshëm Willi Dorner, nesër audicioni për performancën e tij

Koreografi austriak Willi Dorner vjen për herë të parë në Shqipëri. Dorner, një koreograf i njohur ndërkombëtarisht, vjen në Tiranë në kuadër të Javëve Kulturore Ndërkombëtare, për performancën “Bodies in Urban Spaces”. E veçanta e kësaj performance është lidhja që krijon mes arkitekturës dhe koreografisë.

Punëtoria dhe performanca e tij do të realizohet në tetor, në kuadër të Javës Austriake, por nesër do të kryhet përzgjedhja e pjesëmarrësve në “Bodies in Urban Spaces”.

Shoqata DoART ka ftuar të marrin pjesë të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të bëhen pjesë e punëtorisë së Dorner-it.

Performanca e krijuar prej Dorner-it, “Bodies in Urban Spaces”, është shfaqur në mbi 110 qytete të botës, si: New York, Londër, Moskë, Vjenë, Sao Paolo, Montreal, Macau, Paris, Sidnej, Kopenhagen, Berlin etj. Tashmë edhe Tirana do të ketë pjesë në këtë hartë.

Performanca mirëpret çdokënd që është elastik, është marrë me kërcim, akrobaci, joga apo sporte të ndryshme.
Audicioni është nesër, 14 shtator, ora 17:00 dhe pjesëmarrësit duhet të paraqiten me veshje të përshtatshme për ushtrime fizike, pranë Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.

Të përzgjedhurit, do të jenë pjesë e workshopi-it dhe performancës që do të realizohet në kuadër të Javës Kulturore Austriake në datat 23-29 Tetor 2023. / atsh / KultPlus.com