Pas Gerard Depardieu e Sir Tony Robinson që tashmë kanë kryer xhirimet për filmin “Unë dhe Millosheviqi” me skenar dhe regji të Arben Kastratit, në Kosovë tashmë ka ardhur edhe aktori tjetër i kastës së këtij filmi William Baldwin, shkruan KultPlus.
Mbrëmë është mbajtur konferenca për media për ardhjen në Kosovë të aktorëve të njohur, William Baldwin dhe Maria Grazia Cucinotta.
Me këtë rast, aktori i njohur amerikan, William Baldwin i cili tashmë është në sheshxhirim për katër ditë, deklaroi për KultPlus se Kosova gjithmonë ka qenë në vëmendjen e tij edhe para se ai të bëhej aktor.
“Kam qenë shumë i interesuar dhe kam ndjekur se çfarë po ndodh në politikë. Jam krenar me veprimet e NATO-s, të udhëhequra nga SHBA-ja dhe nëse bëhem i sinqertë mendoj se ka marrë kohë deri sa kanë reaguar. Kam qenë i dëshpëruar sepse kam menduar se do të duhej të ndërhynim më parë”, ka thënë ai.
Ai tutje ka kujtuar edhe kohën kur disa kosovarë pas luftës kanë falënderuar Zotin dhe SHBA-të. Ndërsa, ai tani thotë se është koha që Kosova të bëjë të njëjtën pasi që sipas tij, SHBA tani ndodhet në një rrëmujë.
“Më kanë thënë disa kosovarë pas luftës: ‘Faleminderit Zot dhe SHBA’. Është shumë prekëse. Tani unë them: faleminderit ‘Zot dhe Kosova’, sepse tash jemi ne ata të cilët janë në një rrëmujë. Ejani dhe na ndihmoni”, thotë Baldwin.
Filmi flet për një periudhë të pas luftës në Kosovë, e tema kryesore ka të bëjë me lindjen e një heroi aksidental, e në film luajnë edhe aktorë vendorë siç janë: Blerta Syla, Xhevdet Doda, Afrim Kasapolli, etj. / KultPlus.com