William John Cheever: Alarmi i katërt

William John Cheever (1912 –1982), shkrimtar amerikan. Është konsideruar “Çehovi i lagjeve periferike” dhe një prej shkrimtarëve më të rëndësishëm amerikanë të shek. XX, mbi të gjitha për tregimet e tij të shkurtra (për të cilat i është ndarë çmimi Pulitzer), por edhe për romanin ‘Falconer’

ALARMI I KATËRT

Nga John Cheever

Jam ulur nën diell dhe po pi xhin. Ora është dhjetë e mëngjesit. E diel. Znj.Uxbridge është diku jashtë me fëmijët. Znj.Uxbridge është kujdestare e shtëpisë. Ajo merret me gatimet dhe gjithashtu edhe me Peterin dhe Louisen.

Është vjeshtë. Gjethet kanë ndryshuar ngjyrë. Mëngjesi është pa erë, por gjethet po bien me qindra. Po pate mendjen që të shohësh ndonjë gjë – një gjethe ose një fletë bari – duhet, mendoj, të njohësh etjen e dashurisë. Znj.Uxbridge është gjashtëdhjetë e tre vjeçe, gruaja ime ka dalë, dhe znj.Smithsonian (e cila jeton në anën tjetër të qytetit) rrallëherë është në gjendje të mirë shpirtërore këtyre ditëve, kështu që më duket se po e humb një pjesë të mëngjesit thua se ora e ka një prag ose një varg pragjesh që unë nuk mund t’i kapërcej. Mund të mjaftonte të hidhja topin, por Peteri është tepër i vogël dhe fqinji i vetëm që luan futboll ka shkuar në kishë.

Gruaja ime, Bertha, pritet të vijë të hënën. Ajo vjen nga qyteti të hënën dhe kthehet të martën. Bertha është një grua e re që duket bukur, me një personalitet të shkëlqyeshëm. Sytë e saj, mendoj, janë një çikëz afër njëri-tjetrit dhe nganjëherë është grindavece. Kur fëmijët ishin të vegjël, ajo kishte një mënyrë ashtu prej grindaveceje për t’i disiplinuar. “Nëse nuk e ha kafjallin e mirë që e ka përgatitur mami për ty para se të numëroj deri në tre”, thotë ajo, “do të të kthej në shtrat. Një. Dy. Tre”. E dëgjoj këtë përsëri në mbrëmje. “Nëse nuk e ha darkën e mirë që e ka përgatitur mami për ty para se të numëroj deri në tre, do të të çoj në shtrat pa ngrënë. Një. Dy. Tre”. E dëgjoj prapë. “Nëse nuk i mbledh lodrat para se mami të numërojë deri në tre, atëherë mami do t’i bëjë copa të gjitha. Një. Dy. Tre”. Kështu vazhdonte banja dhe koha e gjumit dhe një dy tre ishte ninulla e tyre. Nganjëherë mendoj se ajo mund të ketë mësuar të numërojë kur ishte foshnjë dhe kur t’i vijë fundi do ta thërrasë Engjëllin e Vdekjes duke numëruar për së prapthi. Po patët mirësinë të më falni, do të marr edhe një gotë xhin.

Kur fëmijët u rritën mjaftueshëm për të shkuar në shkollë, Bertha zuri punë si mësuese e shkencave shoqërore për klasën e gjashtë. Kjo e mbante të zënë dhe të lumtur dhe tha se gjithmonë kishte dashur të ishte mësuese. Kishte reputacionin e të qenit strikte. Mbathte këpucë të zeza, i mbante flokët thjesht dhe priste bashkëpunim dhe bindje nga nxënësit. Për ta larmuar jetën e saj, iu bashkua një grupi teatror amator. E luajti shërbyesen tek Engjëlli i rrugës dhe të moshuarën thatime te Desmonds acres. Miqtë që i zuri në teatër ishin të gjithë njerëz të lezetshëm dhe mua më shijonte ta çoja atë në ndejat e tyre. Është me rëndësi të dihet se Bertha nuk pi. Mund të marrë një dubonet nga mirësjellja, por nuk e shijon pijen fare.

Ajo mori vesh nga miqtë e saj se sapo ishte lansuar një shou nudo i quajtur Ozamanides II. Ma tha këtë dhe tërë atë që vijoi. Kontrata e saj e mësimdhënies i jepte një leje mjekësore dhjetëditëshe dhe duke u bërë se ishte e sëmurë një ditë shkoi në Nju Jork. Ozamanides do të realizohej në një zyrë produksioni në mes të qytetit, ku hasi në një radhë prej një qind a më shumë grash e burrash që po prisnin të intervistoheshin. Nxori nga çanta një faturë të papaguar dhe duke valevitur si të ishte një letër kërceu nga radha duke thënë, “Më falni ju lutem, e kam një takim”. Askush nuk doli kundër dhe shumë shpejt ajo kaloi në krye të radhës, ku një sekretare mori emrin e saj, numrin e sigurimit social, etj. I thanë të shkonte brenda një të ndare kubike dhe të zhvishej. Pastaj e përcollën drejt një zyre ku ishin katër burra. Intervista, marrë parasysh rrethanat, qe bukur serioze. I thanë se do të qëndronte nudo gjatë gjithë performances. Prej sa pritej të simulonte ose performonte kopulimin dy herë gjatë performancës dhe të merrte pjesë në një dashuri grupore ku ishte e përzier edhe audienca.

Mbaj mend natën kur ajo më foli për gjithë këtë. Ishim në dhomën e ndejës. Fëmijët i kishim vënë në gjumë. Ajo ishte shumë e lumtur. S’kishte pikë dyshimi për këtë. “Isha lakuriq”, tha ajo, “po në fund të fundit nuk isha fare në siklet. E vetmja gjë që më merakoste ishte se këmbët e mia mund të ndoteshin. Ishte njëfarë vendi i modës së vjetër me programe teatrore të kornizuara në mure dhe një fotografi të madhe të Ethel Barrymooret. Isha pra lakuriq, përballë atyre të huajve dhe për herë të parë në jetën time u ndjeva se e gjeta veten time. E gjeta veten time në lakuriqësi. U ndjeva si një grua e re, një grua më e mirë. Të jem lakuriq dhe të mos ndiej turp para të të huajve ishte përvoja më eksituese që kam pasur ndonjëherë…”.

Nuk dija ç’të bëja. S’e di as tash, në këtë të diele në mëngjes, çfarë duhej të bëja. Me gjasë duhej ta kisha marrë shpulla. Thashë se s’duhej ta kishte bërë këtë. Ajo tha se nuk mund ta ndaloja. I përmenda fëmijët dhe ajo tha se ajo përvojë do ta bënte një nënë edhe më të mirë. “Kur i hoqa rrobat e mia”, tha ajo, “u ndjeva sikur e kisha çliruar veten nga çdo gjë e parëndësishme dhe e vogël”. Atëherë i thashë se s’do t’ia jepnin atë punë kurrë për shkak të vrragës së apendicidit. Pak minuta më vonë ra telefoni. Ishte producenti që po ia ofronte asaj një pjesë. “Oh, sa e lumtur që jam”, tha ajo. “Oh, sa e mrekullueshme, e pasur dhe e çuditshme mund të jetë jeta kur resht së luajturi rolin që prindërit e tu dhe miqtë e tyre e kanë shkruar për ty. Po ndihem si eksploruese”.

Përshtatshmëria e asaj që bëra ose më tepër që lashë pa bërë ende më huton. Ajo e shkëputi kontratën e mësimdhënies, iu bashkua Equitys dhe nisi provat. Posa u hap Ozamanidesi, ajo e hoqi nga puna znj. Uxbridge dhe mori një apartament afër teatrit. I kërkova shkurorëzimin. Ajo tha se nuk shihte ndonjë arsye për t’u shkurorëzuar. Tradhtia bashkëshortore dhe pashpirtësia kanë lënë gjurmë të forta në rrjedhën e veprimeve, por ç’mund të bëjë burri kur gruaja dëshiron të dalë cullak në skenë? Kur isha i ri pata njohur ca vajza të burleskës, ca nga to patën qenë të martuara dhe me fëmijë. Sidoqoftë, ato bënin atë që Bertha donte të bënte vetëm në shoun e së shtunës në mesnatë dhe me sa mbaj mend burrat e tyre ishin komedianë të sërës së tretë dhe fëmijtë prore dukeshin të uritur.

Pas një a më shumë ditësh shkova te një avokat shkurorëzimesh. Ai më tha se shpresa ime e vetme ishte një ujdi e përbashkët. Nuk ka precedent për simulimin mishëror në publik si argument për shkurëzorim në New York State dhe asnjë avokat s’do ta merrte një rast shkurorëzimi pa një precedent. Shumica e miqve të mi u treguan me takt sa i përket jetës së re të Berthes. Ma ha mendja se shumica e tyre shkonin ta shihnin, por s’e vrava mendjen për këtë rreth një muaj a më tepër. Biletat ishin të shtrenjta dhe zor t’i gjeje. Natën që unë shkova në teatër, ose çka dikur kishte qenë teatër, ishte duke rënë borë. Harku paraskenik ishte rrënuar, seti ishte një koleksion gomash të përdorura dhe tipari i vetëm familjar ishin ulëset dhe vendkalimet mes tyre. Audiencat teatrore përherë më kanë hutuar. Ma ha mendja se kjo vjen për arsye se aty gjejmë një mori modelesh të pakuptueshme të rrasura në atë që kishte qenë një interier tmerrësisht i dekoruar dhe thelbësisht shtëpiak. Atë natë pati nga të gjitha llojet. Kur hyra unë brenda po luhej muzikë rok. Ai lloj roku i modës së vjetër shurdhues që e kishin zakon ta luanin në vende si Arthuri. Në orën tetë e trridhjetë dritat e shtëpisë u errësuan dhe pjesëtarët e kastit – ishin katërmbëdhjetë – erdhën teposhtë nëpër vendkalimin mes ulëseve. Fare qartë, ata ishin krejt cullak, me përjashtim të Ozamanidesit, i cili mbante një kurorë.

Nuk mund ta përshkruaj performancen. Ozamanidesi kishte dy djem dhe ma merr mendja se i vrau ata, ama nuk jam i sigurt. Seksi ishte i zakonshëm. Burra e gra të përqafuar, ndërsa Ozamanidesi përqafonte disa burra. Në një moment një i huaj, ulur në ulësen në të djathtën time, vuri dorën mbi gjurin tim. Nuk desha t’i vë faj për gjendjen njerëzore, as nuk desha t’i jap zemër. Ia largova dorën dhe ndjeva një mall të fortë për sallat kinematografike të pafajme të rinisë sime. Në qytetin e vogël ku jam rritur ka qenë një sish– Alhambra. Filmi im i preferuar quhej Alarmi i katërt. E pashë për herë të parë një të marte pas shkollës dhe qëndrova aty edhe për shfaqjen e mbrëmjes. Prindërit e mi u merakosën kur nuk u ktheva në shtëpi për darkë dhe kështu e hëngra një qortim të mirë. Të mërkurën luajta hokej dhe qeshë në gjendje të shihja filmin dy herë dhe të kthehesha në shtëpi me kohë për darkë. Shkova në shkollë të enjten, por ia mbatha për në teatër posa që u përfundoi mësimi dhe mbeta aty deri sa kaloi gjysma e filmit në orarin e mbrëmjes. Prindërit e mi me gjasë kishin thirrur policinë, ngase një polic patrullimi hyri në sallë dhe më detyroi të shkoja në shtëpi. Ma ndaluan të shkoja në teatër të premtën, por e kalova të shtunën aty dhe të dielen ishte hera e fundit që e shfaqnin. Filmi kishte të bënte me zëvendësimin e karrocave të zjarrfikësve të tërhequr nga kuajt me automobila. Katër kompani zjarri ishin të përfshira. Tri nga ekipet ishin zëvendësuar nga makinat dhe kuajt e shkretë u ishin shitur njerëzve të pashpirt. Kishte mbetur një ekip, por ditët e tij ishin të numëruara. Burrat dhe kuajt janë të mërzitur. Pastaj papritur shpërthen një zjarr i madh. Shihen kamioni i parë, i dyti dhe i treti se si shkojnë drejt zjarrit shkatërrimtar. Të rikthyer në kompani të transportit me kuaj, gjendja duket shumë e zymtë. Atëherë bie alarmi i katërt – është thirrja për ta – dhe ata i përvjelin mëngët, i marrin pajimet dhe galopojnë përmes qytetit. E shuajnë zjarrin, e shpëtojnë qytetin dhe amnistohen nga kryetari i komunës. Tash, në skenë, Ozamanidesi po shkruante diçka të pisët në mollaqet e gruas sime.

A e kishte asgjësuar lakuriqësia – teka e saj – ndjenjën e saj të nostaligjisë? Nostalgjia – pavarësisht syve të saj të ngushtë – ishte njëri prej sharmeve të saj më të mëdha. Ishte dhuntia e saj e hirshme të përçonte kujtimin e disa përvojave në kohë të tjera. A i kujtonte ajo, e kalëruar publikisht nga një i huaj lakuriq, ndonjë nga vendet ku ne kishim bërë dashuri – shtëpitë e marra me qira ngjitur detit, ku njeriu i ndien në tingujt e shiut veror premtimet parahistorike të dashurisë, qetësinë e lume dhe të bukurën? A duhet të ngrihem në këmbë në sallë dhe t’i bërtas të kthehet, të kthehet në emër të dashurisë, humorit, qetësisë? Ishte e këndshme të ngisja për në shtëpi pas ndejës në borë, mendova. Bora depërtonte nëpër dritat e rrugës dhe bëri të dukej sikur po e ngisnim një qind milje në orë. Ishte e këndshme të ngisja për në shtëpi në borë pas ndejës. Pastaj kasti u çuan në këmbë dhe na lutën – na urdhëruan në të vërtetë – të zhvisheshim dhe t’u bashkoheshim.

Kjo dukej të ishte detyra ime. Si ndryshe do të mund të arrija ta kuptoja Berthen? Gjithmonë kam qenë goxha i shpejtë t’i heq rrobat e mia. E bëra. Sidoqoftë, kishte një problem. Çfarë duhej të bëja me kuletën, orën e dorës dhe çelësat e veturës? Nuk mund të isha i sigurt t’i lija në rrobat e mia. Kështu, lakuriq, u nisa teposhtë vendkalimit mes ulëseve me gjërat e mia të çmuara në dorën time të djathtë. Kur mbërrita te skena e veprimit një burrë i ri lakuriq më ndaloi dhe më bërtiti-këndoi – “Hidhi poshtë gjërat e tua të huazuara. Huazimet janë të pista”.

“Po janë kuleta ime, ora ime e dorës dhe çelësat e makinës”, thashë unë.

“Hidhi poshtë gjërat e tua të huazuara”, këndoi ai.

“Por më duhet të ngas për në shtëpi nga stacioni”, i thashë, “dhe i kam gjashtëdhjetë a shtatëdhjetë dollar para të thata”.

“Hidhi poshtë gjërat e tua të huazuara”.

“Nuk mundem, sinqerisht nuk mundem. Më duhet të ha, të pi dhe të shkoj në shtëpi”.

“Hidhi poshtë gjërat e tua të huazuara”.

Atëherë njëri pas tjetrit, përfshirë Berthen, zunë të më magjepsnin. E gjithë kasta nisi të psalte: “Hidhi poshtë gjërat e tua të huazuara, hidhi poshtë gjërat e tua të huazuara”.

Ndjesia e të qenit i padëshiruar përherë ka qenë për mua dhimbje therëse. Ma ha mendja se ndonjë mjek mund të ketë ndonjë shpjegim. Ndjesia është reflektuese dhe duket se sulmon vetveten në hallkën e fundit në një zinxhir të përbërë prej përvojash të ngjashme. Zërat e kastes ishin të fortë dhe përçmues dhe unë isha aty, shpinë zhvedhur, mashkull lakuriq, diku në mes të qytetit dhe i padëshiruar, duke i kujtuar ndërhyrjet e munguara në futboll, përballjet e humbura, përbuzjen e të huajve, tingullin e të qeshurës mbrapa derës së mbyllur. I mora gjërat e mia të çmuara në dorën time të djathtë, identifikimin tim të fjalëpërfjalshëm. Asnjë nga to nuk ishte e pazëvendësueshme, por të hiqja dorë mund të dukej sikur po e kanosja esencën time, hijen e vetes sime që mund ta shihja në dysheme, emrin tim.

U ktheva tek ulësja ime dhe u vesha. Kjo qe e vështirë në atë hapësirë aq të ngjeshur. Kasta ishte ende duke u çirrur. Të ecja vendkalimit të pjerrët mes ulëseve të teatrit të rrënuar ishte fuqishmërisht reminishente. Të njëjtën ngjitje të fisme e kisha bërë pas Mbretit Lir dhe Kopshtit të qershive. Dola jashtë.

Po binte borë. I ngjante një tufani. Një karrocë kishte ngecur para teatrit dhe mua m’u kujtua se kisha rrota bore. Kjo ma dha një ndjesi sigurie dhe zotësie që do ta kishte neveritur Ozamanidesin dhe trupën e tij lakuriqe; por nuk m’u duk se i kisha shfaqur frenimet e mia, por se isha përplasur për një pjese kryeneçe dhe mahnitshëm praktike të vetes sime. Era ma përpëlasi borën për surratit dhe kësodore, duke kënduar dhe duke zhongluar me çelësat e makinës, eca drejt trenit.

/Marrë nga John Cheever, “Collected Stories”, Vintage, 2010 /Përkthimi: Gazeta Express/ KultPlus.com

John Cheever 128606823