Wired: Bunkerët e Shqipërisë, dëshmia e triumfit mbi nënshtrimin!

Më shumë se 750 mijë bunkerë ushtarakë mbinin dikur anembanë Shqipërisë, një vend i vogël ballkanik i Evropës Juglindore me sipërfaqe prej vetëm 28,748 kilometrash katrore, shkruan Laura Mallonee e revistës së njohur amerikane ”Wired”, që fokusohet në faktin se si teknologjia ndikon në kulturë, ekonomi dhe politikë.

Bunkerët u ndërtuan nga diktatori komunist Enver Hoxha, i cili sundoi për 40 vjet pas Luftës së Dytë Botërore duke besuar se armiqtë mund ta sulmonin nga çasti në çast. Kjo në fakt nuk ndodhi kurrë. Më vonë, krejt pa zhurmë, qytetarët i përdorën vendstrehimet e luftës për të tjera qëllime, si për të strehuar bagëtitë, akomoduar turistët ekskursionistë apo për të shitur ushqime të shijshme.

Fotografi britanik Robert Hackman ka fiksuar imazhe të 250 prej tyre, gjatë udhëtimeve të tij anembanë Shqipërisë në dekadën e fundit. Ato shfaqen në librin e titulluar “Metamorfoza: Ripërdorimi i Bunkerëve Shqiptarë të Epokës Komuniste”, një botim për të cilin ai shprehet se është “një dëshmi e triumfit popullor mbi shtypjen dhe nënshtrimin”.

“Dëshira ishte që ta regjistroja këtë kapitull kalimtar të historisë shqiptare”, shprehet ai, “dhe për të bërë të njohur jo vetëm bunkerët, por edhe popullin shqiptar dhe vendin e tyre në sytë e një audience më të gjerë”.

Bunkerizimi i Shqipërisë ishte një sipërmarrje 2,2 miliardë dollarëshe i nxitur nga izolimi ekstrem i vendit. Hoxha, vartësit e të cilit e quanin “forca e vetme”, mori kontrollin e vendit në vitin 1944, duke ndërtuar një formë fanatike të komunizmit që nuk krahasohej me asnjë aleat tjetër. Në vitin 1968, ai doli nga Traktati i Varshavës, që ishte një kundërpërgjigje e Moskës ndaj NATO-s, ndërsa ftohu dhe tendosi marrëdhëniet me ish-Bashkimin Sovjetik, ish-Jugosllavinë dhe Kinën. Pa asnjë vend aleat, ai u mbyll në bunkerë. Gjatë gjithë periudhës mes viteve 1970-’80-të, fabrikat prodhuan blloqe dhe kupola betoni të përforcuara me çelik për vendstrehime, madhësia e të cilëve varionte nga një vendrojë për një ushtarë të vetëm në fortesa nëntokësore pesëkatëshe. Punëtorët përdorën traktorë dhe vinça për t’i ndërtuar bunkerët në plazhe, fusha dhe rrugë qytetesh anekënd vendit dhe qindra prej tyre humbën jetën në punë.

Pas rënies së komunizmit në vitin 1990, tokat ku ishin ngritur bunkerët iu rikthyen pronarëve të tyre të dikurshëm, të cilët u përpoqën t’i shfrytëzonin sa më mirë. Ata i shndërruan në gjithçka, nga qebaptore në salla bilardosh, siç ishte rasti i bunkerit që Hackmani pa në vitin 2001, ndërsa shërbente në Shqipëri si përfaqësues i Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët.

“E dija se ishte temë e pazakontë dhe do të ishte një projekt i veçantë fotografik,” shprehet ai.

Por, ishte viti 2008 kur ai nisi ta merrte seriozisht fotografimin e tyre. Pas fluturoi nga Londra drejt Tiranës, do të kalonte më shumë se dy javë duke udhëtuar anembanë vendit në kërkim të gjurmëve të kupolave prej betoni. Vendasit ishin në përgjithësi të lumtur që ai i fotografonte këto struktura, edhe pse nganjëherë vetëm pasi kishin kaluar së bashku një ditë duke pirë raki, një pije shumë e fortë alkoolike. “Kur ngrihesha të fotografoja rreth mbrëmjes, mezi rrija në këmbë,” rrëfen Hackman.

Ndërkohë që vazhdonte projektin e tij, Hackman vuri re se bunkerët po zhdukeshin në masë. Çmimet e metaleve për skrap ishin rritur me shpejtësi, shprehet ai, dhe shqiptarët e varfër përdornin lëndë shpërthyese dhe makineri industriale për shkatërrimin e bunkerëve. Ndonëse që atëherë qeveria i ka marrë nën mbrojtje, pasi ende i konsideron pronë publike, bunkerët vazhduan të shkatërroheshin. “Besoj se popullata vendase ka humbur mundësinë për të qenë mbrojtëse e kujtimit të atyre që kanë vuajtur nën regjimin e Enver Hoxhës, duke i mohuar vetes në të njëjtën kohë një burim të madh të ardhurash nga turizmi,” shprehet Hackman.

Sa u takon shqiptarëve, ata kanë opinione të ndryshme: disa janë të lumtur që shohin shkatërrimin e tyre, ndërsa të tjerë janë të një mendjeje me Hackmanin dhe kërkojnë ruajtjen e tyre. Në vitin 2012, studentët e universitetit ”Polis” në Tiranë ndërmorën projektin “Bunker me mëngjes” (Bed and Bunker), një përpjekje për t’u shndërruar bunkerët në hotele me mëngjes për turistët. Projekti “Kërpudhat prej betoni” krijoi gjithashtu hap pas hapi një manual lidhur me transformimin dhe ripërdorimin e bunkerëve. Në periudhën mes viteve 2014 dhe 2016, dy bunkerë të mëdhenj të nëndheshëm u shndërruan në muze, njëri prej të cilëve u dëmtua gjatë ndërtimit nga një grup protestuesish, që e shikonin muzeun si glorifikim të së kaluarës.

Enver Hoxha vërtet nuk jeton më, por duket se së paku disa prej bunkerëve të tij do të jenë aty përgjithmonë”, përfundon Mallonee për revistën amerikane ”Wired”. /atsh/