Era Berisha
Mjeshtëria dhe karizma, këto dy elemente unike të ndërlidhura në mes vete kanë futur thellë rrënjët e tyre në dhënësin e përjetshëm të ritmit, dirigjentin Memli Kelmendi, i cili me energjinë, intensitetin e befasitë drithëruese, ka bërë shumë më tepër sesa thjesht tundjen e duarve në ajër. Pulsi i muzikës klasike frymon brenda stilit të pakrahasueshëm të tij, i cili nëpërmjet lëvizjeve koreografike që çdo herë përvijojnë rrahjet e pakontrolluara të publikut, ai ka arritur të krijoj vepra që përherë do të jetojnë në kujtesë, dekadë pas dekade. E me një përkushtim e dashuri aq të madhe ndaj punës, ai me Korin Siparantum, përfaqësoi Kosovën për herë të parë në historinë e shtetit tonë, dhe jo vetëm. Në mesin e mbi 300 koreve nga 90 shtete të botës, ishte pikërisht ky kor i drejtuar nga dirigjenti Kelmendi, ai i cili doli triumfues në Olimpiadën e Koreve Botërore “World Choir Games”, e që bëri krenarë një popull të tërë për një sukses që tundi nivelin e muzikës klasike në vend, me ç’rast në një intervistë ekskluzive për KultPlus ai ka rrëfyer për rrugëtimin e tij drejt kësaj ëndrre, një ëndërr që përgjatë realizimit të saj, ka ngjallur edhe ëndrra tjera, shkruan KultPlus.
Njëfarë lloj çudie mistike ende vazhdon ta rrethojë natyrën e krijimtarisë së këtij dirigjenti teksa ai qetësisht qëndron në podium. Figura e tij misterioze me vetëm një copë druri në dorë ose dhe ndonjëherë vetëm me duart e tij që herë portretizojnë flatrat e dallëndysheve që nën ritmin e veçantë njëherazi krijojnë melodi të papërshkruara e herë tjera krahët e tij që dukshëm i ngjasojnë një shqiponje, krahët e së cilës vrullshëm thyejnë ajrin me shpejtësinë e precizitetin e tyre. Njëjtë është edhe prezenca e tij në skenë që arrin të armatos prodhimin e zërit të dhjetëra e qindrave njerëzve që përdorin instrumente apo thjesht telat e zërit, për të sjell kështu një performancë artistike e krejtësisht autentike të veprave të njohura botërore e deri tek ato shqipe, përpara një publiku i cili gjithmonë kthehet në shtëpi me një përvojë që askush nuk do të mund ta harronte dot.
Audienca e cila shpeshherë është e bindur se e di saktësisht atë se çfarë do të mund të përcaktonte një dirigjent përgjatë një koncerti me një repertor të planifikuar, në rastin e dirigjentit Kelmendi, ndodh ndryshe. Pothuajse çdo herë pikasim fytyra të habitura të cilat para tyre shohin pasionin e zjarrtë në dy sy, djersët që vazhdimisht pikojnë, lëvizjet e pandalshme e pozicionin e trupit të tij si dhe gjërat e panumërta të cilat atë e vendosin në hapësirën ku ai fut tërë Korin nën një komandë, fuqia e së cilës luhatet mes nivelit të skajshëm të çmendurisë melodike e herë të tjera sjell tërbimin e qetësisë absolute të tingujve magjik.
Në anën tjetër, ajo që bie më së shumti në sy në vazhdën e performancave të tij, është stili i tij unik që gjithmonë inkuadron mënyra të veçanta të interpretimit duke sjell në jetë një partiturë muzikore e njëkohësisht duke komunikuar ndjenjat më të rafinuara që veprat përmbajnë brenda tyre, nëpërmjet një gjuhe individuale gjestesh, e cila thekson në çdo sekondë, nuancat e elementeve muzikore që vazhdimisht ripërtërihen në vetvete dhe fusin kthetrat e tyre përbrenda shpirtit të pranishëm. Ndërkohë, elementet koreografike të cilat ëmbëlsisht ndërlidhen me praninë e publikut, sjellin para publikut një skulpturë lëvizëse që skalit natën e një koncerti thellë brenda një kujtimi të paharrueshëm. E këtë veçanti të posaçme të dirigjentit, ne e marrim dhe e gdhendim në copëzat e qosheve të zemrave tona.
Ekzistenca e një dirigjenti të tillë në podium është shumë më shumë sesa vetëm prezenca e tij me shkop në dorë e veshjeje prej bishti. Detyra e pandalshme e tij vjen nga brendësia shpirtërore për të dirigjuar gjithmonë ritmin e duhur, të vendosë tempon e të vazhdojë ta kontrollojë atë dhe më pas, e jo vetëm. Përpos elementeve komponentë për një performancë të mirë, për të vënë vulë në secilën mbrëmje, dirigjenti Kelmendi shndërrohet në një metronom, prezenca e të cilit mban së bashku një Kor, si një zinxhir transparent e i pashkëputshëm mes tyre.
Ndërkohë, kemi një Kor individësh të cilët duan të ndihen plotësisht të realizuar, e ky plotësim vie pikërisht nga fokusi kolektiv i dirigjentit i cili në fakt është dëgjuesi më i mirë i rezultatit të punës së tyre. I njëjtë është edhe dirigjenti Kelmendi, i cili bënë që zëri hyjnor i pjesëtarëve në Kor të jehojë përtej mureve, aty ku ekziston prania e diçkaje më të madhe e ndoshta edhe më e madhe se vetë ne. E janë pikërisht zërat e Korit që dirigjohen saktë nga timoni i Kelmendit, e sytë e tyre që nguliten vazhdimisht tek ai, në mënyrë që tingëllima të jetë e njëjtë me atë së çfarë kërkohet. Pra, ura virtuale mes syve të tërë Korit dhe dirigjimit të Kelmendit, është ajo urë muzikore që përçon tek publiku emocionet më diversive të paramenduara ndonjëherë e që njëkohësisht shndrit tërë sallën porsi një univers, aty ku pafundësia e yjeve shndërrohet në nota muzikore që dirigjenti Kelmendi projekton para nesh.
I lindur në Pejë, pasioni për muzikën klasike ka ardhur qysh herët, me ç’rast dirigjenti Kelmendi kësaj radhe ka shpalosur pak për fëmijërinë e tij, frymëzimet e para në nisjen e karrierës së tij e për të mbërritur deri tek shpalosja e suksesit të Korit Siparantum, një sukses ky i cili si çdo nisje tjetër në jetë, fillet nuk i pati dhe aq të lehta, por që ende edhe sot zhurmshëm vazhdon rrugëtimin e tij drejt ambicieve të radhës që presin të trokiten nga ky Kor. Janë disa momente e çaste të ndryshme që dirigjenti ka vendosur ti tregoj përgjatë kësaj interviste që nisi me vendimin mbi përzgjedhjen e tij në karrierën e tij si dirigjent.
I rritur nga një baba kantautor e një familje ku muzika ishte burimi kryesor, interesimi i tij për meloditë e muzikës klasike fillimisht erdhi si një trashëgimi nga daja e tij, Refik Çakolli, por ky interesim vazhdoi të zgjohej akoma më shumë atëherë kur ai vazhdimisht ka pasur rastin ti shihte festivalet e ndryshme për fëmijë. Andaj, familja për të mbetet motivi kryesor me të cilin ai ende vazhdon ti synojë majat më të larta. Por që në fakt ishte babai, Xhevat Kelmendi, ai i cili e ka mbështetur atë më së shumti për të vazhduar interesimin për një karrierë në muzikë, duke e ndihmuar atë në çdo hap të jetës e duke qenë prezent aty me mbështetjen e tij e sakrificat e veta ndaj dirigjentit Kelmendi, i cili shprehet se për gjatë gjithë jetës do të jetë mirënjohës ndaj tij.
E kështu, kjo shtytje do të shënonte nisjen e një historie të jashtëzakonshme suksesi.
Udhëheqës i korit të shkollës së muzikës “Halti Kasapolli”, Korit të Fëmijëve “Siparantum Kids” dhe Korit “Siparantum”, me të cilin tashmë ka dëshmuar talentin e tij edhe jashtë Kosovës, dirigjenti Kelmendi posedon edhe një opus të gjerë e të pasur të kompozimeve të shumta të veprave të cilat janë luajtur para publikut në vende të ndryshme të botës. Por, duke qenë dirigjent i përhershëm i korit “Siparantum”, ai arriti suksesin e ëndërruar prej vitesh, e që i njëjti tani synon të arrijë edhe përtej kësaj, për të vazhduar ëndrrat e tjera të radhës.
Para së gjithash, ishin sfidat e ndryshme të cilat ndonjëherë shndërrohen në pengesa të mëdha që këto suksese të mos gjejnë vend në karrierën e një dirigjenti, me ç’rast disa prej tyre u konsideruan normale e disa prej tyre edhe banale. Por, sigurisht që gjatë procesit të punës për një rrugëtim kaq të gjatë e unik, janë pikërisht këto sfida e pengesa që do duhej të ndodhnin, në mënyrë që ai të forcohej edhe më shumë e ti bënte ballë gjithçkaje që potencialisht do të mund ta fuste kokën brenda rrugëtimit të tij artistik e plotësisht të veçantë.
“Kam shumë vepra të veçanta me të cilat ndjej një lidhje të fortë e prej të cilave sot ndihem shumë i lumtur. Jam krenar që kemi arritur të formojmë një Kor që tashmë ka marrë rrugëtimin botëror. Konsideroj që kjo është njëra prej veprave më të bukura që kam bërë deri më tani. Me këtë ne do t‘lëmi gjurmë ta pashlyeshme në muzikën tonë. Ka qenë dhe mbetet misioni im që rininë tonë, vullnetin dhe energjinë që kemi, ta shfrytëzojmë për të promovuar kulturën tonë në botë. Jemi në një rrugë të drejtë”, thekson ai.
Ndërsa, kur flasim për një përzgjedhje të një repertori perfekt për koncertin e tij, atëherë është pikërisht eksperimentalizmi, ai elementi që është konsideruar i domosdoshëm në çdo moment. Me një repertor asnjëherë të përsëritur në asnjë koncert, monotonia nuk ka pasur rastin që të futet përbrenda magjisë së vijës melodike në koncertet e dirigjentit Kelmendi, koncerte këto që ngërthejnë në vete një laramani stilesh, duke e bërë të veçantë punën e tij. Kurse, varësisht nga vendi, të pranishmit dhe rrethanave tjera, ai vendos vetë programin e koncertit por në një mënyrë të tillë që asnjëherë ai të mos tentojë të iu përshtatet rrethanave të tilla.
Është ëndrra e çdo dirigjenti që të prek vendet performuese më të mahnitshme në botë, e së bashku me prekjen, të përjetojë përhumbjen në këto vende magjike ku sytë e njeriut nuk do mund të kapnin të gjitha detajet e mundshme që krijojnë një atmosferë të jashtëzakonshme për të pranishmit që adhurojnë muzikën klasike. Por, se cili është vendi i preferuar ku ai ëndërron të performojë, e tregon vetë Kelmendi.
“Ne kemi prekur deri më tani njërën prej vendeve më të mëdha në botë, “World Choir Games”, për arsye se ëndrrat realizohen me punë. Por, në fakt, po, është edhe një vend të cilin ne e kemi ëndërr ta prekim, e që kjo do të ndodhë së shpejti”, shpalos Kelmendi.
Sipas tij, muzika dhe audienca, janë ato dy elementet me të cilat ai kryesisht punon. Qëndrimi indiferent ndaj artit që ai e krijon, asnjëherë nuk ndodh. Pra, nëse vepra është ‘atraktive’, ai nuk mund të qëndroj ‘statik’, por thjesht duhet që ai të inkuadrohet përbrenda muzikës që ai e krijon në ato momente.
“Dua që audienca të jetë sa më afër skenës dhe jo më larg saj. Jam dirigjent që ndërtoj stilin tim, prandaj unë inkuadrohem brenda lëvizjeve koreografike. Pra, luftoj të kem stilin tim”, thotë ai.
Për Kelmendin, të qënurit dirigjent i pavarur në Kosovë është jashtëzakonisht e vështirë për arsye se ky vend nuk jap mundësi, prandaj edhe pas studimeve të tij ai kishte vendosur mes dy zgjedhjeve; të ndenjurit në shtëpi e gëzimit se ai është një dirigjent i diplomuar apo të vazhdonte punën e tij e mendimin e tij të pavarur.
“Kjo është sfidë, prandaj e sfidova vetën time, zgjodha opsionin e dytë. Jam shumë i lumtur që puna ime vlerësohet kudo, pak ka rëndësi sa vlerësohemi këtu. Thjesht unë po e përmbushi misionin për të cilin jam betuar si artist – promovimi i të rinjve, muzikës, kompozitorëve dhe kulturës sonë në botë. Këtë edhe e kemi dëshmuar. Por, përgjatë këtij rrugëtimi tim, ndoshta disa prej punëve që sot i bëj, është dashur ti bëj më herët. Mund të jem edhe në gabim sepse faktori kohë ndikon shumë, ndoshta këto kanë funksionuar më shumë në këtë kohë tani. Për këtë rrugëtim nuk kam qenë edhe shumë i informuar, nuk kam pasur këshilla që dikush të më orientonte për punën që bëj sot. Prandaj, duke u nisur nga ky fakt unë shpesh hapi tema me studentët dhe nxënësit në lidhje më këtë sepse mendoj që kjo gjuhë do të ishte shumë e nevojshme edhe për mua kur unë isha student i tillë”, thotë Kelmendi.
Në mesin e rrëfimit, ai tregon se varësisht nga vepra, stili dhe përmbajtja e veprës, ai posedon një dëshirë të madhe që artistët të shohin një vepër “sikur një film”. Ekzistojnë shumë raste kur ai një vepër e ka trajtuar në atë mënyrë, e kjo vjen edhe si pasojë nga puna të cilën ai e bënë me filmin dhe teatrin, me ç’rast domosdo ka ndikuar që të kuptohet më shumë rëndësia e muzikës. Ai tutje konsideroi se secila vepër ka dhe karakterin e saj, prandaj ai dëshiron që të jetë brenda karaktereve të ndryshme, e që sipas tij, kjo është vlerësuar kudo që Kori ka qenë pjesë e festivaleve të ndryshme në botë.
“Disa nga muzikantët/kompozitorët e mi të preferuar janë: Arvo Pärt, Henryk Górecki, Dmitri Shostakovich, Eric Whitacre, Gustav Mahler e shumë të tjerë. Gjithashtu, është e vërtetë që ka shumë vepra të bukura në botë dhe është shumë e vështirë të zgjedhësh njërën prej tyre dhe të thuash se “kjo është më e mira”. Unë hulumtoj shumë në këtë aspekt, andaj dhe programet për koncerte i punoj pothuajse dy vite përpara. Nëse gjatë hulumtimit gjej një vepër të bukur, nuk ia lë kohës, atë e vendosi në repertorin tim menjëherë”, tregon Kelmendi.
Tutje, kur flasim për përkufizimin e tij rreth suksesit, ai konsideron se: puna, puna dhe vetëm puna, dërgon tek ky sukses i deritanishëm.
Duke pasur parasysh suksesin e Korit Siparantum, i cili morri pjesë në ngjarjen më të madhe korale në botë, në Olimpiadën e Koreve Botërore “World Choir Games”, ku në mesin e mbi 300 koreve nga 90 shtete të botës, ishte pikërisht Kori i drejtuar nga dirigjenti Kelmendi, ai i cili doli triumfues në vendin e parë, me ç’rast vetë ai shpalos fillimisht fillet e para të themelimit të këtij Kori në Pejë.
“Unë doja që të krijoja në kor më ndryshe, krejtësisht ndryshe. Në fillim jam ballafaquar nga komentet më të ndryshme; pozitive si dhe ato negative. Unë doja të krijoja një rrugëtim krejtësisht tjetër, një gjuhë tjetër të artit përmes tingullit. Ne jemi të gjithë vullnetarë, funksionojmë në baza vullnetare me një qëllim të vetëm – promovimin e artistëve dhe të kulturës në botë. Korin e kemi formuar në Pejë por sot në ‘Siparantum’ janë anëtarë që vijnë pothuajse nga e gjithë Kosova. Ka qenë dhe është një rrugëtim i vështirë por vullneti është ajo që na mban për të vazhduar këtë rrugëtim. Energjia që kemi brenda nesh është e jashtëzakonshme. Ne funksionojmë sikur një familje e madhe. Kemi qenë pjesë e shumë festivaleve të ndryshme në: Gjermani, Francë, Belgjikë, Itali, Kroaci, Maqedoni Veriore, Shqipëri dhe Kosovë. Jemi pjesë e dy publikimeve, CD-ve ndërkombëtare dhe shumë bashkëpunimeve të ndryshme me dirigjentë dhe kompozitorë të cilët janë të njohur sot në botë. Deri më sot kemi realizuar më shumë se 100 vepra korale dhe kemi mbi 90 paraqitje me korin, 30 prej tyre janë ndërkombëtare (ndonëse vetëm 4 vite themelim)”, tregon Kelmendi.
Kurse, kur u pyet se si është pritur fitorja e çmimit të fundit në “Lojërat Botërore të Korit”, dhe se sa ekziston mundësia që kjo fitore të hapë rrugë drejt sukseseve për koret e tjera në Kosovë, dirigjenti Kelmendi tregon se ka shumë përvoja të paharrueshme në një koncert, por që momentet më emocionale do të ishin çastet e pakrahasueshme ku Kosova u përfaqësua me Korin Siparantum për herë të parë në historinë e shtetit tonë në sallën më të njohur në Antwerp, ‘Queen Elisabeth Hall’, e cila ndryshe njihet si shtëpia e Filharmonisë Fllamane.
“Pjesëmarrja e korit në Olimpiadën e Koreve Botërore “Wolrd Choir Games” është një histori në vete për muzikën tone korale në vend. Ky sukses erdhi pasi që unë jam tash e tre vite anëtar në ‘World Choir Council’ dhe për të qenë pjesë e “World Choir Games” ne është dashur t’i plotësojmë disa kushte. Fatkeqësisht ne nuk mundëm të plotësonim asnjë kusht përpos pikës së fundit; që unë isha anëtari i këshillit të koreve botërore, ‘World Choir Council’. Por, ne aplikuam dhe pasi që u përzgjodhëm, ne aplikuam me fazën e dytë, pra me programin me të cilin do të paraqitemi (nga këshilli artistik). Kështu u bëmë pjesë e ngjarjes më të madhe korale në botë, ‘World Choir Games 2021’. Të jesh në mesin e mbi 300 koreve nga 90 shtete të botës dhe në fund të dalësh triumfues, është sukses. Ne këtë e deshëm dhe e morëm. Kur jemi të bashkuar, jemi pjesë e suksesit, kjo është dëshmi suksesi. Ne prezantuam muzikën tone korale, paraqitëm kulturën dhe rininë tonë në mënyrën më të mirë dhe sigurisht që kjo do të jetë shumë më e lehtë për koret tona në vend. Pjesëmarrja në ‘World Choir Games’ hapi një kapitull të ri për muzikën tonë profesionale. Momenti më emocional erdhi kur puna jonë u vlerësua, ne morëm vendin e parë, pra fitues të kategorisë “Musica Contemporanea” në ‘Open Competition’. Kështu ne morëm dy të arta. Sot dhe përherë ky do t’mbetet njëri prej momenteve më të veçanta të jetës time”, shpalos Kelmendi.
Kështu, krejt në fund duke pasur parasysh kushtet në aspektin e muzikës klasike në Kosovë, ai tregon edhe disa ndryshime drastike që do të duhej të ndodhnin menjëherë, ku sipas tij, më së shumti ekziston nevoja që të kemi më shumë kuadro të reja në shkollat e muzikës, përkushtim më të madh në edukimin e brezave të rinj si dhe orkestra e kore në çdo qytet të Kosovës.
“Kjo është shumë e nevojshme për rrugëtimin tonë të përbashkët kulturor. Ne duhet të fillojmë nga shkolla e ulët e muzikës sepse edukimi fillon këtu dhe “nuk duhet të fillojmë nga e kundërta”. E di, jemi shtet i ri dhe jemi pjesë e zhvillimit dhe tranzicionit, por duhet të jemi shumë më të kujdesshëm në edukimin e brezave të rinj. Mendoj që duhet të punojmë më shumë si shoqëri”, tregon tutje Kelmendi.
Ndërkohë, krejt në fund të intervistës, nëse do të ekzistonte vetëm një mesazh që të pasionuarit pas muzikës klasike duhej ta dëgjonin, atëherë sipas dirigjentit Kelmendi, ajo mendohet të jetë: Punë, vullnet, energji, sakrificë dhe përkushtim. Suksesi vie vet. / KultPlus.com