Era Istrefi, këngëtare nga Kosova e njohur për vendasit e saj pothuajse me të gjitha këngët e publikuara, për publikun ndërkombëtar u bë e njohur me këngën “BonBon”.
Që nga lansimi i kësaj kënge, Era Istrefi u ftua të performojë në vende të ndryshme, ndërsa një ftesë që la gojëhapur të gjithë, ishte ajo që iu bë për të kënduar Himnin e Kampionatit Botërorë 2018-të, shkruan KultPlus.
Era Istrefi së bashku me Will Smith dhe Nicky Jam, pak para se të nis ky kampionat, publikuan këngën “Live it Up”. Kënga u lëshua përgjatë gjithë kampionatit, e jo vetëm në Rusi atje ku edhe u mbajt sivjet, por në gjithë botën. Zëri i shqiptares u dëgjua e stërdëgjua sa e sa herë në Kampionat, por sonte pikërisht në Rusi, në stadiumin Luzhinki në Moskë ERA ISTREFI do të këndojë përpara 81.000 personave – aq vende sa ka stadiumi.
Era Istrefi, para dy ditësh u paraqit edhe në një konferencë për medie në Rusi bashkë me Will Smith dhe Nicky Jam. Ajo nuk la pa përmendur dy bashkëvendësit e saj që në këtë kampionat luajtën për kombëtaren e Zvicrës – Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka. Era, tha se momenti më i mirë gjatë kampionatit ka qenë ai kur dy shqiptarët kanë shënuar gol kundër Serbisë që atë ditë luante me Zvicrën.
Ndërkohë, ende nuk është bërë e ditur ora se kur Era Istrefi do të ngjitet në skenën e madhe të kësaj finale të madhe futbollistike por ajo që dihet është se ajo do të këndojë.
Era Istrefi këndon sot në Rusi në finalen e madhe të Kampionatit Botërorë 2018 në Rusi./ KultPlus.com