Çmimin Nobel për Paqe për vitin 2020 iu dha organizatës “World Food Programme” (WFP) për ndihmën ushqimore të dhënë nga ta te zonat konfliktuoze dhe të varfëra, shkruan KultPlus.
Këtë e kanë bërë të ditur faqja zyrtare e Çmimit Nobel në Facebook nëpërmjet një postimi.
“Komiteti Norvegjez i Nobelit ka vendosur t’ia jap Çmimin Nobel për Paqe për vitin 2020 “World Food Programme” (WFP) për përpjekjet e tyre për të luftuar urinë, për kontributin e tyre në përmirësimin e kushteve për paqen në zonat e prekura nga konflikti dhe për të vepruar si një forcë lëvizëse përpjekjet për të parandaluar përdorimin e urisë si një armë lufte dhe konflikti”, thuhet në njoftimin e faqes “Nobel Prize”.
World Food Programme (Programi Botëror i Ushqimit) është organizata më e madhe humanitare në botë që lufton urinë dhe siguron ushqimin. Në vitin 2019, WFP siguroi ndihmë për afër 100 milion njerëz në 88 vende që vuajnë nga uria.
“Deri në ditën kur kemi një vaksinë mjekësore, ushqimi është vaksina më e mirë kundër kaosit”, kishte deklaruar organizata humanitare World Food Programme.
Kjo organizatë është instrumenti kryesor i Kombeve të Bashkuara për të luftuar urinë, ku edhe në vitin 2015, zhdukja e urisë u miratua si një nga Synimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm të KB.
Programi Botëror i Ushqimit ishte një pjesëmarrës aktiv në procesin diplomatik që arriti kulmin në maj 2018 në miratimin unanim të Rezolutës 2417 të Këshillit të Sigurimit të KB, e cila për herë të parë adresoi në mënyrë të qartë lidhjen midis konfliktit dhe urisë.
Në vitin 2019, 135 milion njerëz vuanin nga uria akute, pjesa më e madhe e saj u shkaktua nga lufta dhe konfliktet e armatosura./KultPlus.com