Revista prestigjiozje e letërsisë botërore “World Literature Today” i ka kushtuar një numër special shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare, portretizimit dhe veprës së tij, fitues i çmimit Neustadt International Prize for Literature për vitin 2020.
Shkrimi: Përktheu: Granit Zela – Qendra Kombetare e Librit
Arsyeja kryesore dhe më e rëndësishmja pse duhet të lexojmë Ismail Kadarenë është se ai është një rrëfimtar i shkëlqyer. Rrëfen histori të mrekullueshme – dhe rrëfen shumë.
Në disa aspekte, Kadare është si Balzaku. Por Balzaku u kufizua në një vend të quajtur Paris, dhe në një kohë, në vitet 1820 (me vetëm disa ekskursione në provincat franceze dhe në Rilindje), ndërsa Kadare na çon kudo: në Egjiptin e lashtë, në Kinën moderne, në një vendpushim turistik në Balltik, në Moskë dhe Austri dhe në Perandorinë Otomane. Ka një aftësi gati si të Zhyl Vernit për të udhëtuar nëpër botë.
Nëse lexoni Ismail Kadarenë, përshkoni të gjitha epokat që nga shpikja e shkrimit: nga Keopsi që ndërton Piramidën e Madhe te debatet mbi trashëgiminë e Enver Hoxhës në Shqipërinë e viteve 1980-të, e deri te ngjarjet dhe situatat që ndodhin në Evropën Perëndimore pas rënies së komunizmit.
Numri më i madh i historive të Kadaresë ndodhin në shekujt nëntëmbëdhjetë dhe njëzetë. Ngjarjet e Prilli i Thyer zhvillohen në vitet 1930, Kronikë në gurë në vitet 1940, Gjenerali i ushtrisë së vdekur në vitet 1950-të, Vajza e Agamemnonit në vitet 1970-të. Këto rrëfenja të lejojnë të lexosh historinë e Shqipërisë – dhe të botës – përmes prizmit të prozës letrare. Kjo është një arsye e fortë pse duhet ta lexoni Kadarenë, dhe pse më pëlqen kaq shumë ta bëj. Kadare ka krijuar, le të themi, një univers paralel, i cili ka një marrëdhënie të thellë me atë në të cilin jetojmë. Është e gjithë bota e kthyer në formë letrare.
Natyrisht përveçse romancier, Kadare është lëvrues i shumë gjinive. Ai është dramaturg dhe eseist, dhe për disa kohë ka qenë edhe gazetar dhe redaktor. Në fillim të një karriere të gjatë, ai u bë menjëherë i famshëm si poet – si poeti i ri i madh i Shqipërisë moderne. Por lexuesit e gjuhës angleze mund ta njohin vetëm si prozator. Kjo s’është ndonjë hata, sepse deri tani pjesa më e madhe e veprimtarisë së tij letrare ka qenë në gjininë e romanit.
Por Kadare nuk shkruan vetëm një lloj romani. Disa nga historitë e rrëfyera janë të vogla, vetëm pesë faqe të gjata, si Ëndërr mashtruese; të tjerat janë saga të mëdha që shtrihen në më shumë se pesëqind faqe. Në mes, qëndrojnë historitë e gjata, si Vajza e Agamemnonit, dhe pastaj janëdisa romane që Kadaresë i pëlqen t’i quajë “romane të shkurtër”, (mikro-romane) siç është Fluturimi i shtergut. Ka romane me gjatësi standarde si Prilli i Thyer, dhe pastaj romanet-sagë, ku përfshihet Koncerti dhe Dimri i Madh. Pra, sa i përket formave të njohura romanore, është një larmi e jashtëzakonshme formash të tilla për t’u hulumtuar brenda një vepre e cila në vetvete hulumton të gjithë botën.
Është e zakonshme ta lexosh Kadarenë si shkrimtar që flet për jetën e tij në Shqipëri nën regjimin e Hoxhës. Ka sigurisht një të vërtetë në pikëpamjen që të gjitha vendet dhe kohët e ndryshme të universit të Kadaresë janë imazhe të zhvendosura të një vendi dhe kohe të veçantë. Por nuk të duhet ta dish këtë dhe as nuk ke nevojë ta vësh re në mënyrë që ta lexosh Kadarenë. Mund t’i lexosh historitë e Kadaresë thjesht si krijime letrare. Ai ka aftësinë të të ngjall kërshërinë për fantazmat, për nuset që kalojnë qindra kilometra brenda natës me një kalë që rend me galop, për të vdekur që ngrihen nga varri…dhe për të gjitha llojet e gjërave që s’para e tërheqin një lexues racional modern si unë. Por, njësimi që ai i bën mitit me folklorin dhe me portrete të mendjeve moderne dhe realiteteve vendase është aq mjeshtërore sa unë e gjej veten të zhytur në këtë lloj bote dhe kështu ndodh me çdo lexues. Universi i Kadaresë ka shumë nivele që përfshijnë atë joracional, transhendent dhe të çuditshmen.
Një nga tiparet më të goditura dhe të vazhdueshme të botës së Kadaresë është prania e përhershme e disa miteve të Greqisë së lashtë: jo të gjithë mitologjisë greke, por e atyre miteve që dramatizojnë urrejtjet familjare dhe efektin helmues, korruptues dhe të frikshëm të afërsisë me pushtetin.
Tipari i dytë që është gjithmonë i pranishëm te Kadareja janë rrëfenjat popullore ballkanase. I quaj “ballkanase” dhe jo thjesht shqiptare sepse këto rrëfenja popullore ekzistojnë edhe në shumë gjuhë të tjera të rajonit. Në të vërtetë, Kadare dramatizon pikërisht çështjen e origjinës etnike të kulturave ballkanike në romanin Dosja H, një nga rrëfenjat e tij më magjepsëse, mbështetur në gjetjet historike të folkloristëve amerikanë në tokat kufitare shqiptare në vitet 1930.
Veçoria e tretë mbizotëruese që dua të përmend është se Kadare hulumton gati në çdo histori të rrëfyer marrëdhëniet midis vetjakes dhe politikes. Jo politikes në kuptimin e çështjeve aktuale apo partiake-politike, por politike në kuptimin e gjerë, domethënë se si grupet dhe individët i manipulojnë të tjerët dhe ushtrojnë pushtet mbi ta.
Veçori tjetër e botës së Ismail Kadaresë – le ta quajmë Kadariana – është moti, i cili, siç kanë thënë të tjerët, funksionon pothuajse si një personazh më vete. Moti në Kadarianë është gjithmonë i kobshëm, dhe kjo e bën klimën e Skocisë të duket po aq e butë sa riviera italiane. Si lexues, mësohesh shpejt me përmasën gati komike të kronikave klimaterike të Kadaresë (mjegull, shi i imët, shtrëngatë, dëborë, mot i ftohtë, qiell me re), pasi klima e Shqipërisë është në të vërtetë më shumë si riviera italiane se sa brigjet e Loch Lomond-it. Ato s’janë përshkrime të përpikta të ndonjë skene ku ndodhin ngjarjet, por treguesit kryesor të gjendjes shpirtërore, e cila të tregon se nuk do të lexosh një histori të lumtur. Por bëjnë shumë më tepër sesa kaq: ata ju thonë se s’do të ketë asnjë shoqe flokëverdhë ndanë traktorëve shndritës që sjellin të korrat e grurit të pjekur nga dielli dhe se vepra nuk do të ketë skoda me normat e imponuara në letërsinë shqipe nga doktrinat sovjetike të realizmit socialist. Kjo është në të vërtetë një mënyrë shumë e stërholluar për të gdhendur një pozitë unike kritike brenda një shoqërie ku kritika ishte, le të themi, seriozisht e nënvlerësuar.
Shumë nga personazhet njerëzore të Kadaresë shpesh s’janë të sigurt nëse janë zgjuar apo në gjumë. Hyrjet tipike në jetën e brendshme të protagonistëve fillojnë me: “Iu duk se…”, “S’ishte fort i sigurt nëse…,” dhe kështu me radhë. Kufiri midis të qenit në gjendje të shohësh qartë dhe pamundësisë për ta bërë këtë s’është kurrë plotësisht i dallueshëm. Kështu kur të keni mbaruar së lexuari një roman, pavarësisht nëse është ritregimi i një legjende si “Kush e solli Doruntinën” apo rikrijimi gati historik si te Gjenerali i ushtrisë së vdekur, s’jeni shumë të sigurtë nëse keni parë apo jo një ëndërr. Kadare na shtyn vazhdimisht të vëmë në dyshim ndryshimin midis gjendjes së zgjimit dhe ëndërrimit dhe na bën të reflektojmë për mënyrat me të cilat jeta është si një ëndërr dhe në çfarë mënyre makthet janë si jeta.
Prandaj s’është për t’u habitur që Pallati i Ëndrrave (titulli i motërzmit të parë ishte Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave) është kolona qendrore e botës shumëplanëshe të trilluar të Kadaresë: një roman që në qendër të një shoqërie ogurzezë dhe të paparashikueshme autokratike ka një institucion të përkushtuar ndaj manipulimit të ëndrrave, dhe në qendër të këtij institucioni është një i ri i ndjeshëm dhe i hutuar që me të vërtetë s’e di se çfarë po bën, ose pse përfundon duke u bërë strumbullari i të gjitha ngjarjeve.
Në fund, në rast se e gjithë kjo ju frikëson, pasi s’mund të tërhiqeni menjëherë nga mendjet e mjegullta që enden brenda dhe jashtë peisazheve të ëndrrave ku bie shi dhe dëborë, duhet të shtoj, dhe vërtet të këmbëngul që rrëfimi i Kadaresë është me të vërtetë mjaft argëtues. Duhet ta lësh veten të zhytet thellë në këtë univers paralel, por pasi ta bëni, do të zbuloni një humor dredharak, përtallës, që përcillet si nga situatat ashtu edhe nga fjalët. Ndoshta çuditërisht, stërhollimet e humorit dredharak të Kadaresë vijnë edhe në përkthim të larmishëm.
Kadare ka thënë në më shumë se një rast se lexuesit dhe kritikët e tij s’duhet t’i kushtojnë vëmendje të tepërt kontekstit. Në mbështetje të kësaj mënyre leximi, do të theksoja se mënyra e rrëfimit dhe natyra e historive që rrëfen Kadareja, s’ka ndryshuar aspak gjatë gjashtëdhjetë viteve të fundit, edhe pse konteksti shoqëror, gjeografik dhe politik ka ndryshuar në mënyrë të jashtëzakoshme. Është sikur e gjithë bota imagjinare e Kadaresë të jetëshfaqur plotësisht e formësuar që në fillim fare dhe se dyzet apo pesëdhjetë historitë dhe romanet që ai ka rrëfyer qysh atëherë s’janë veçse pjesë të një tërësie më të madhe, të ndërlidhur dhe të pandryshueshme.
Ajo që thekson ndërlidhshmërinë e opusit të veprës së Kadaresë është ripërdorimi sistematik i vendndodhjeve, objekteve, historive dhe aluzioneve. Në Murin e Madh, për shembull, ekziston një simbol që rikthehet tek Ura me tri harqe; tek Dosja H është një han që rishfaqet në disa histori të tjera; te Qorrfermani, është një djalosh që do të bëhet më vonë protagonist i Pallatit të Ëndrrave dhe në atë roman, këndohen disa këngë epike që na çojnë sërish te Dosja H… Kjo është një teknikë si e Balzakut me “personazhet e rishfaqur” në Komedinë Njerëzore, por për mendimin tim tek Kadareja është shumë më e mprehtë, pasi nuk lidh edhe aq subjektet rrëfimore të romaneve sesa tërë strukturën e tyre të aluzioneve dhe referencave. Kjo përbën një arritje të jashtëzakonshme, dhe gjithashtu do të thotë që secila histori që lexon nuk është vetëm ajo histori – është një kontribut në kujtesën tënde dhe në kuptimin e historive të tjera që ke lexuar, dhe forcon ndjenjën e përgjithshme se vërtet je në një botë të ndryshme që është çuditërisht si ëndërr.
Sigurisht, sa më shumë që lexon, aq më shumë përkap mijëra fije që lidhin së bashku veprat e Kadaresë. Për fat të keq, deri më sot është përkthyer në anglisht vetëm rreth një e treta e saj. Kjo është një arsye mjaft e mirë për të mësuar frëngjisht, nëse nuk provoni të mësoni gjuhën shqipe aq sa të jeni në gjendje për të lexuar këtë mjeshtër të madh të letërsisë moderne evropiane. Le të shpresojmë se është edhe një arsye mjaft e mirë për botuesit britanikë dhe amerikanë që të porosisin një mori përkthimesh të reja, pasi janë nxitur nga dhënia e Çmimit Neustadt. Nga David Bellos
Princeton, New Jersey
David Bellos është profesor i letërsisë frënge dhe letërsisë krahasuese në Princeton University dhe përkthyes i shumë autorëve nga frengjishtja. I shkolluar në Oksford,Bellos është autori i biografive të Georges Perec dhe Jacques Tati, i një studimi për Romain Gary-n dhe një hyrjeje në studimet e përkthimit. Libri i tij i fundit është një studim i kryeveprës së Viktor Hygosë, Të mjerët.-/KultPlus.com