binte shi litarë – litarë kohë të largëta; kollotumba shi bie prap, shi me rrshekë muzgu flên në zgrip t’kujtesës nji zâ në horizon’ vjen e voket kadalë në fyt; ngjyrat zân e vdesin dimni don me qên’ i gjatë dy hana të verdha flejnë paq sysh gri – kujtime t’vrânta gjithçka vorfnohet – gjithçka veç grija mbétet, rrugave bosh të qytetit;
-mbyt dëshira t’hershme e koha perëndon / KultPlus.com
çdo stinë asht një stinë por ka dy vjeshta njêna plot me ngjyra puhiza dhe pirgje poezish një tjetër si dimën ditë që shkurtohen diell që ndrit’ ma pak lamtumira në heshtje e trísht’
Ja të të mbaj ngarkuar, dhe të të bezdis po qè. nuk shqetësohem fare për ty, derisa të shoh që ti shqetësohesh për mua. ndaj të dua. e di ti.
kisha dy ditë e net pa zenë gjumë me sy. po përgatisja një temë për në Kembrixh. pas tri javësh do e lekturoj para studentëve te ri. emocion. tani: bëhet fjalë për fillimin e fundit të Bashkimit Sovjetik. kam marrë përsipër të zbuloj sekrete shteterore. do jap hollësira për rekrutimin e Gorbaçovit nga shërbimet sekrete britanike. ti e di, të kam pas treguar dikur. babi im, ka qenë ndër ata që e kanë rekrutuar së pari gruan e tij Raisa. pastaj vetë liderin sovjet. po. e di që do më thuash se eshtë ndërmarrje e rrezikshme… por do e bëj. edhe dy vite dosja do deklasifikohet si “top secret”, mbasi kalojnë pesëdhjetë vite nga rekrutimi i Mihailit. kur mendoj se një prift si babai im e ka thyer shërbimin sekret sovjet në mes, ndihem krenare për gjenet që mbart. sinqerisht!
por kjo mënjanë;
– ja të them se me Manfredin i kemi sheshuar mosmarrëveshjet siç më rekomandoje. ai është i kollajtë. të mos ishte me atë pozitë në universitet as do ia varja fare. kupton!
më ka marrë malli për ty. përnatë më del gjumi me mendjen tek ti. oh! – dje mbasdite vonë, shkova në parkun e pëllumbave. kisha me vete një radio dore dhe ndoqa një radiodramë nga të fakultetit të arteve. u mahnita. ishte plot fantazi. e llahtarëshme po të them. m’u kujtua ajo nata me shi kur ne të dy u ndalëm përballë shtëpisë së verdhë në Beleville…
unë mora dritaren e katit të parë, ti atë të katit të dytë. të kujtohet apo jo!
sado, që fantazia ime është e pafre, atë natë më pate mahnitur me tënden.
ajo gruaja e brishtë pas dritares në dhomën me drita të zbehta që refuzonte të bënte dashuri me peshkun kinez në akuarium…
fjalët që i pëshpëriste peshku nga uji… jargët që dirdhte…
mënyra se si e shihte ajo dhe si revoltojhej peshku i kuq ishin të shkallës sipërore. kur e vura me shkrim e humbi pak shkëlqimin por kur ia treguam Sofias, ajo pat qenë tërbuar. të kujtohet si vuri dorën poshtë dhe thërriste me të lartë mes barit e ngazëllyer? – sillmani kinezin e kuq ta dashuroj! dua ta dashuroj e ta ha njëkohësisht. ja këtu, ja këtu, dhe rraste dorën te vendi poshtë barkut… ti fillimisht u mbrojte me atë botën e fshehtë, tinzare të lindjes. pastaj u dhe në gaz. qeshje e plasje kembët mbi dyshemenë e pistë. krejt klientët të shihnin e qeshnin bashkë me ty.
po kur u the mos qeshni kot? haha, ishte hata. – unë nuk e di vetë pse qeshi me budallallëqet tuaja popull i marrë… ju bëni seks me peshqit.
ata nuk donin t’ia dinin se ç’thoje ti. ata veç qeshnin e pinin. vërtetë të marrë. / KultPlus.com
shi, e net’ të gjata të zeza frikë, shumë frikë dy ura janë rrëzue; e nji tjetër mâ e vjetra a shembë ka mot… tash, veç harabelat bubrrojnë arave e carcamijt nuk ka ma jetë; vetëm brenga e vransina posht’ malit, fushat mbjellë me lakna janë ngri nji fëmijë i zbathun këndon kâng’ të çuditshme, kângë jetimash –
ushtri të huaja shkojnë e vijnë; toka â mblue n’vorre dhe përrejtë rrëkejnë detit uj të zi
dy ura janë rrëzue; edhe nji tjetër ma e vjetra a shembë ka mot / KultPlus.com
Ku di! Ti më pyete, por unë nuk dija si të të përgjegjesha, si të ta thoja atë që kaq kohë e kisha mbajtur kyçur brënda meje, atë që e kisha folur me zë të ulët me qindra herë që nga momenti kur folëm bashkë herën e parë.
Të kam thenë që unë jetoj tri kohë? Të shkuarën, të tashmen e të ardhmen. …Dhe që kërcej herë në njëren, e herë në tjetren dhe në tjetren pastaj. Si mund të ta thoja, kur më pyete nëse kishim folur ndonjeherë më parë, nëse njiheshim… Të t’thoja se po, njihemi që kohë më parë pa të bërë të dyshoje në qartësinë e mendjes time? E egzaltuar në të vërtetë që edhe ti nuk e kishe fshirë nga mendja. Jo, jo nga mendja por nga shpirti, sepse ai mbetet edhe kur mendja ikën. Pra një natë e vetme, nata jonë e vetme e jetuar në një nga jetët tona të shkuara që akoma nuk të ishte fshirë nga kujtesa e shpirtit.
Nuk di nëse të kujtohet ndjesia e muzgut që erdhi heret atë natë të ftohtë me shi të imët që binte shtruar nga qiejt blu të errët. Ti prisje në stacionin e metrosë, në një kënd ku drita lëpihej e përthyhej e unë të kërkoja me nuhatje. Gjithmonë në hije të kisha parë në mendjen time dhe në hije të kërkova e të gjeta atë natë. I strukur nën pallton e gjatë gri tek thithje cigaren… i qeshur, plot jetë.
Qëndruam përballë njëri-tjetrit dhe unë zgjata krahët drejt teje e u mbështolla në gjoksin tënd, e ti më përqafove i hutuar.
– Ku do shkojme?
– Di unë një vend. Do shkojmë atje, ka verë… e birra plot.
U rehatuam në “Jacobine Paris”, dhe unë porosita verë për vete, e me shaka i thashë kamarierit që zotria kërkon një çaj. Ti më hodhe një shikim të vemendshëm që ndeshi veshtrimin tim djallëzorë. Buzëqeshe, e i the kamarierit duke shkelur syrin: Kurr mos u beso kurvave!
Nuk m’u desh shumë të kaloja në atë gjendjen flu në të cilen lundroj diku në ajër; pak më lart se toka, por jo mbi çatite e shtëpive. Se pse më pëlqeu kur the kurvë!…
– Ta prek pak mjekrën?
– Ëhë…
Zgjata dorën, dhe rreshqita bulat e gishtave nga njeri vesh tek cepi i veshit tjetër duke të hedhur nje veshtrim joshës me sytë flakë, si dy yje të vegjel. Pastaj mblodha gishtrinjte dhe i ngatërrova nepër mjekrën tënde duke qeshur pa kuptim.
– Mjaft, the ti butë – butë… Ma shkule.
Më kape dorën nga kyçi dhe më pe në sy, me atë vështrimin që kërkon vetëm nje miratim të heshtur dhe afrove fytyren drejt times. Gojët gjysëm të hapura u bashkuan. Çfarë është ajo “puthja në buzë” që thonë njerëzit? Puthja duhet në gojë. Goja e ëmbël nga vera, e flaka brenda.
Deshe ta dije? Ja!
Po. Njihemi ne të dy. Jemi takuar dikur në një jetë tjetër… në të shkuarën.
Do doja të isha per ty veç muzg. Një muzg i purpurt shtruar poshtë një nate të kuqe si flaka, mbi gjak. Një nate me zjarmi… Un të të mbuloja si frymë, e ti të më pëshpërisje lehtë në vesh fjalën që më ndezë. Ta ndjej aromën e shtatit…” / KultPlus.com
njimbëdhjetëmijë e treqindenjëmbëdhjetë ditë mërgim
-nji oqean ndërmjet
zani i fëminisë çirret andej dhe kumbulla në fund t’oborrit shêj kokrrat n’gem –
ah! malli jem
gjithçka tjetër këndej fryma e nanës – vorri i babës
tan’ bota nji katund i madh në konfuzion
-pse e le vendin tand? më pyeti nji gjerman ka mot -për liri, i thashë me ballin nalt. uli kryet gjermani -shì sikur unë; foli plaku – syni lot. kur ta gjesh lirinë tha, fillo e qaj mallin!
mori kodrat me vrap. ishin kodra të thata shkëmbinjsh ngjyre të murrmë. ndonjë pishë shatorre aty – këtu këpuste ndoca monotoninë dhe piklonte cikla jete mbi gurët e nxehtë gushtit. fabrika e tjegullave ishte m’at anë kodrave, pranë një katundi të vogël me emër të çuditshëm Rrenc. goja i qe tharë e trupi i djersinte çurg. herë – herë e lëshonte këmba a i rrëshqiste çakulli poshtë dhe lëshohej mbi gurë, binte. ngrihej ashtu e gjakuar e fillonte risht vrapin. Mendimi se mund ta gjente të vdekur burrin e tmerronte. i erreshin sytë e i tkurrej diçka poshtë barkut… boshllëk. kur mbërriti majë kodrës desh iu mbajt fryma. atje poshtë, shtrihej një trupë gjigante betoni. ca automobilë të mëdhej të shëmtuar parkuar në një rrethomë me mur e tela me gjëmba. ishte parku i tatrrave e ndanë tij një punishtë e mirëmbajtjes dhe riparimit të armëve. zona ishte tejet e militarizuar. bri kodrave ishin pesë a gjashtë reparte speciale ushtarake.
fabrika e tjegullave ishte tej, më të djathtë… larg. fabrika ishte me seksione ngrehinash, si stalla bagëtish. ndër ato gërmadha prodhoheshin tjegullat e nxehta.
këmbët zunë t’i dalin jashtë kontrollit e rreziku i theqafjes ndër shkrepat e thatë e të nxehtë rritej. po i afrohej fabrikës. sa më shumë afrohej, më tepër i rritej ankthi, frika. o Zot i madh jo! – thirri me zë, kur pau një grumbull njerëzish në rrugë pranë një autoambulance lyer me të verdhë e të kuqe, si të ishte qerre kineze. nga fabrika drejt rrugës, një karvan me njerëz që nxitonin me shkalca në duar drejt automobilit spitalor. thua të kenë qenë shumë të dëmtuar? të kenë vdekur vallë?
***
mbas vorrimit të burrit, Lena shkoi në katund të vet diku në jug të vendit… nuk u kthye më. atje gjeti një burrë vejan që e kishte dashur në rini. më vonë të dy thuhet se vdiqen në Greqi në aksident me motor. askush nuk dinte gjë me siguri.
Lena nuk u kujtua kurrë për burrin e vorruar në atë katund të Shkodrës ku nuk kishin asnjë të njohur. askush nuk ia vizitonte vorrin burrit të vetmuar…
***
katundarët pyesnin njëri – tjetrin: – kush qenë vallë këta njerëz? pse i sollën nga jugu në këto anë? ca thoshin se qenë grekë minoritarë të internuar… disa të tjerë, mendonin se ishin spijunë të policisë sekrete. kishte nga të dy llojet në atë katund përzierjesh. një fëmijë i mbrapshtë iu thoshte të gjithëve se e kishte parë Lenen sa e sa herë me operativin e sigurimit te zonës duke u puthur e duke bërë turpe tek ullishta, poshtë moknave me mrina bri Kirit, pranë urës me tela… roja i vreshtave përdridhte musteqet kur flitej për Lenen dhe lironte një nënqeshje prej bandilli. / KultPlus.com
Kur isha fëmijë, i kam pas kaluar një pjesë të mirë të pushimeve verore e dimnore në krahinën e Matit. Kryesisht në nji katund me emnin Pleshë, në Guri Bardhë dhe Klos. Kishim shumë miq atje. Ishin miqt e babës. Baba ka pas punue në Mat për gjashtë vite rresht pothuaj. Ka qenë mësues në Burrel, Klos e Guri Bardhë. Baba banonte atje dhe e vizitonte shtëpine një herë në gjashtë muaj. Atje ai s’kishte shtëpi, banonte në shtëpinë e Ymer Efendi Hoxhës. Ata kurrë s’i morën qira babës, je djali jonë i thonin. Kishte miq krejt fshatin por shtëpitë ku ndjehej si në shpinë e tij përveç Hoxhejve ishin shtëpia e Kaçelit, Baletës, Laskut, Musa Karajt, Dezhgiut etj. Akoma sot mbajmë lidhje familjarisht me të gjithë. Kurse unë e motra dhe vëllau, ndjeheshim ma mirë në Pleshë e Klos. Në Pleshë miqtë tanë ishin Balejt, në Klos familja Laçi. Bedriu i biri i Ismailit ishte shoku im si vëlla. Sadiku, i zoti i shpisë i ka pas bâ babës tim vend në një nga odat e kullës, ku flinin krejt familja e tij. Pra si bir të vetin. Ma vonë edhe baba si mirënjohës i mirë që ka qenë mundohej me sa mundte me iu gjend prane bijve e bijave të tyre që vinin me studime në Shkodër. Dihet arsimdashja e matjanëve. Vetëm në Mat kam pa biblioteka në pothuaj çdo shpi të miqve në fshat. E veçantë ishte ke Baleta (shpia e të mirënjohurit Abdi Baleta, baba i ka dhanë mësim dhe e donte shumë), ke Tahir e Selman Hoxha muret dyshem e tavan mbushë sergjenët me libra. Ke Hazizi i Balejve etj. Ke shpija e Balejve në Pleshë pra dhe te shpia e Ismail Laçit në Klos rehatoheshim për pushime ne femijët, sidomos unë. Mama e Izetit (kështu e thirrnin gruan e shpise te Balejt), ishte shpirt njeriu. Zojë e pakrahasueshme. Na donte ne fëmijëve e sidomos mua më llastonte si s’ka ma. Na bënte banjë në mes t’oborrit me ujë kroi, finjë kazani mes avllisë. Mbrëmjeve na lante kambët me duart e saj në një legen bakri të kallaisur.
Më kujtohet si tash kur vinin ca grekër nga jugu dhe kallaisnin enët prej bakri të krejt katundit. Thërrisnin t’madhe: – kallaisi bakri! kallaisi bakri! Jorgo e i vëllai ishin mjeshtra për ketë punen e kallajit. Kur na shtronte me fjetë Shemja, (mama e Izetit) na puthte krenat ne fëmijëve dhe shtrihej poshtë këmbëve tona derisa na shihte fjetë. Më vjen në hundë akoma sot aroma e mollës që u vinte çarçafëve të bardhë si biluri. Shemja kujdesej për ketë, fuste mollë në turrën me jorganë e çarçafa.
Sigurisht që ditët kulmore kanë qenë përveç vajtjeve ne shé (përrua), dhe lodrimi hurdhave me shokë e shoqe edhe vajtjet ne qytetin e Burrelit. Burreli asht qytet i vogël dhe shtrihet në një rrafsh me rrugë të drejta. Më bante përshtypje që atje ndryshe nga likustrat e blijt që kishim ne në Shkodër, ata e kishin hijeshuar bulevardin e tyre me pemë molle. Mbanin duke u thyer degësh mollat e Burrelit, dhe lëshonin aromë të kandshme. Edhe fakti që askush s’i prekte me dorë ma tërhiqte vemëndjen. Çuditesha si ishin aq të mirë e të ndershëm matjanët.
***
Mbas një mungese të madhe, vjet shkova për vizitë në Mat. Mbajta frymën në Pleshë ke Bala. Aty na prisnin Hazizi me zojen e tij Naimen, Aliu, Isufi e Izeti me zojat e tyre. Nuk ishin fëmijët. Kanë emigruar në Angli, na thanë disi të pikëlluar. Hangrëm drekë. E kush shtron bukë ma bukur se matjanët! Në Klos shkuam bri lumit ke rrapi në një restorant-kafé të dorës së parë, e në Guri Bardhë as u ngjitëm fare. Është boshatisur fshati na thanë. Do do në Tiranë e Durrës e do tjerë jashtë shteti. Mbasdite u shtrimë ndër petka me pushue pak. Nuk u vinte era mollë mâ. Shemja kishte ndërrue jetë, tradita ishte këputur. Në kthim për Shkodër ndaluam në Burrel. Gjithçka kishte ndryshue. Nuk kisha derë me trokit mâ. Të gjithë miqt e babës kishin ndërrue jetë. Mollat i kishin prerë. As aty nuk kishte ma aromen e dikurshme. Tek zbrisnim rrafshnaltës poshtë për kah Shkodra, ma pat qejfi të mbyllja sytë si në të dremitur e si në andërr bashkë. Pashë veten me babën dorëpërdore duke këputun rrugën Klos-Guri Bardh për shkurt nga qaf shkoza tek më tregonte për kohët e shkuara atje. I fola Raufit, djalit të hallës që po grahte makinën në kthim, të më zgjonte kur të mbërrinim te ura e Zogut. Nga ana e Mirditës e urës më kujtohet ka pas qenë një klub. Aty ndalnim me babën dhe më blente gjithçka doja vetë. Baba e merrte ngadalë me Jakun. Jaku ishte banakjer aty për tri dekada. Baba e kishte mik. Me siguri edhe Jaku do ketë vdekur, mendova, e më ra mall. / KultPlus.com
Më bjen ndërmend si njitash n’vogli kur shkoja me gjyshin në breg t’bunës me zanë peshk e mandej kadalë-kadalë merrnim rrugën për në Shirokë. Gjyshi bante sikur shkonim për hatrin tim, por un e vëreja se ai ma shumë shkonte me takue nji mikun e tij të vjetër, Tomen. Toma ishte plak, a ndoshta plak më dukej mue ngase isha fëmijë. Toma e kishte shtëpinë në mes të Shirokës, sa kalojshe nji klub n’qoshe të rrugës së vetme e merrshe rrugën përpjetë për kah kampi i fmijëve, dikur vila e Mbretit Zog. Gjyshi e gjuante penxheren e shtëpisë me guralec: -Erdha me vrep, ndihej zani i Tomës. Toma kishte za të pakët… përherë me nji xhaketë bojkafe, dimën-verë e n’krye nji kasketë doku. Gjyslykët me skelet të trashë të zi, i jepnin atij pamje prej intelektuali. Fliste ngadalë e me buzen në gaz krejt kohës. E donte fort gjyshin, e vëreja se i ndrinin sytë kur takoheshin. Mos të ishte për gurabijat pesë lekëshe që më blinte, nuk do e kisha kujtue me kaq hollësi Tomen…
Mandej zbrisnim të tre drejt bregut të liqenit. Toma e gjyshi mblidhnin do gur petashuqa e mi jipnin mue me gjuejt petulla n’uj. Kur ta çojsh në dhjetë petulla me ‘i gurë, ke i gurabi tjeter më thonin.
Me binte krahu n’tokë tue dashte me mbërri dhjetën. – Oh, po për Zoten! -thërriste Toma e qeshte me za. Fiks dhjetë. Qê artist! – e ma zgjaste nji pesë lekësh tjetër për gurabinë e premtueme, ani se edhe ai edhe unë e dinim se as gjasht petulla nuk i kisha ba. Më bante përshtypje pse gjyshi e Toma përherë flisnin me za të ulët.
Isha kureshtar me i ndigju, por me petulla uji, e gurabija klubi me mbanin gjithmonë larg. Vetëm pak vite mâ vonë, kur Toma pat vdek në senatorium nga tuberkulozi, e pata kuptue se Toma kishte qênë prift… E ndigjova gjyshin kur i tha nji burri thatuk që erdhi te na me marr vesht si qé puna. Nesër mbrama, i tha gjyshi lehtë, dom Lorenci ka me çu meshë për Tomen diku në shtëpin e nji miku të tyre në Shkodër. Gjyshi me Tomen kishin pas jetue për vite me radhë në nji odë burgu dhe e kishin nda kafshatën e bukës me njêni-tjetrin. Me pat marrë edhe mue me vedi gjyshi kur shkuam në vorrimin i Tomës. Ata i kishin vorret e tyne në mal, atje mbi liqen. Vorret e tyre më paten shti friken… ishin do qiparisa të naltë e kumritë zinin vend ndër ta… nuk kishte shum njerëz në varrimin e tij. Kah u kthyem në shtëpi, gjyshi heshti e un nuk bzana hiç. Ma mori mendja që po përcillte ndërmend të kaluemen me mikun e tij. Vetëm kur mbërritem në Tophane, mori frym thellë e tha duke me fërkue qafen e duke iu dridhun gusha: -E kam pasë si vlla! Lotët që i rrodhen për faqe nuk i fshiu. Vetëm mblodhi vetullat e shikimin treti diku larg.
Prej aty e deri te shtëpija, gjyshi nuk çeli ma gojë. Atbotë e mbrapa, kurrë nuk më pat marrë mâ për shetitje kah liqeni.
Kur shkoj në Shirokë, përherë më kujtohen ata dy burra të mirë… herë kthej kryet poshtë kah bregu i liqenit ku uleshin mbi gurë e përshpërisnin lehtë-lehtë e herë kthej kryet kah qiparisat ndër vorre ku prehet Toma, mbi të cilat kukujnë pa prâ kumritë. / KultPlus.com