Pas dëmtimit të portës hyrëse në rrënojat e xhamisë së kuqe, DRTK Berat ka marrë masa për restaurimin dhe rivendosjen e saj.
Vënia e portës siguron monumentin nga vandalizmi dhe jep një pamje më dinjitoze për vizitorët.
Xhamia e Kuqe Berat, mendohet se është një nga xhamitë e para të ndërtuara në Shqipëri.
Për identifikimin dhe datimin e këtij objekti ka ndihmuar në radhë të parë përshkrimi i Evlija Çelebiut, gjatë vizitës së tij të dytë në Berat, më 1671.
Sipas tij, në kalanë e Beratit ai ka parë dy faltore islame. Në kalanë e qytetit janë rrënojat e dy xhamive të quajtura njëra “e kuqe”, mesa duket prej përdorimit me shumicë në muret e saj të tullave me të njëjtën ngjyrë dhe tjetra “e bardhë”, e ndërtuar krejt me gurë të gdhendur gëlqerorë.
Aktualisht në ditët e sotme Xhamia e Kuqe ruhet në formë rrënoje pranë rrethimit jugor të kalasë së Beratit. Muret janë shembur e vetëm pak kanë mbetur mbi tokë, ndërsa minarja qëndron ende në këmbë nga teknika më e fortifikuar e ndërtimit dhe materiali i punimit të saj është në ngjyrë të kuqe nga ka marrë edhe emrin.
Minarja ruhet më tepër dhe i shton vlerat këtij monumenti, ajo është e ndërtuar me teknikën e klausonazhit dy rreshta horizontale tullash e dy vertikale me fuga të përpunuara pastër. Nga kazani ruhet vetëm një pjesë e fundit të tij me tulla të vendosura në formë dhëmbëshare./atsh/KultPlus.com
Trashëgimia kulturore e një vendi është pjesa më e rëndësishme e historisë së atij vendi, sepse në secilën pjesë të saj shpaloset një pjesë e historisë, një pjesë që tregon për zhvillimin kulturor të vendit ndër etapa të ndryshme të periudhave të ndryshme kohore. Trashëgimia kulturore në Kosovë është mjaft e pasur, edhe pse ka shumë objekte të cilat janë lënë anash përkujdesjes së institucioneve përkatëse, shkruan KultPlus.
Një rast i tillë ka ndodhur edhe me Xhaminë e Çarshisë në Prishtinë. Një objekt tejet i veçantë në arkitekturën e tij, që konsiderohet ndër objektet më të vjetra e më me vlerë në trashëgiminë kulturore të vendit tonë, objekt ky të cilit i janë dashur dashur gjithsej 51 vjet për t’u ndërtuar (1389-1440) dhe ka përfunduar para 580 vitesh.
Xhamia e Çarshisë shënon fillimin e qendrës së qytetit të vjetër. Kjo xhami është ndërtesa më e vjetër ekzistuese në Prishtinë sot. Në të kaluarën Xhamia e Çarshisë gjendej përballë çarshisë së mbuluar të Prishtinës, prandaj edhe sot mban emërtimin Xhamia e Çarshisë. Sot nuk ka mbetur asgjë nga çarshia e vjetër, vetëm emri i Xhamisë së Çarshisë shërben për të na e përkujtuar atë. Shumë ndryshime si dhe punime për riparimin e saj e kanë ndryshuar pamjen origjinale të kësaj xhamie, mirëpo simboli i saj – kulmi i gurët minares – ka mbijetuar për më shumë se 600 vite. Këtë xhami e quajnë edhe ‘Tash Xhamia’, që në përkthim do të thotë ‘Xhamia e gurit’.
Mirëpo, Xhamia e Çarshisë, restaurimi i së cilës është ndërprerë në vitin 2011, tashmë për pothuajse 10 vjet është lënë anash nga institucionet dhe ka mbetur si mos më keq. Qytetarët e papërgjegjshëm po e shfrytëzojnë atë për nevoja të ndryshme, duke e shndërruar atë në një vend të tmerrshëm.
KultPlus ka qenë në vendin e ngjarjes ku ka realizuar disa fotografi, tek të cilat shihet gjendja në të cilën ka mbetur ky objekt.
KultPlus ka kontaktuar me drejtorin për shtyp dhe veprimtari nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, Ramadan Shkodrën, i cili ka deklaruar se kanë marrë masa për parandalimin e hyrjes së qytetarëve të papërgjegjshëm, kanë bllokuar edhe hyrjen me llamarina, por sipas tij ato janë shkatërruar.
I pyetur nëse kanë provuar të vënë një kujdestar për parandalimin e hyrjes së njerëzve në xhami, ai nuk i është përgjigjur kësaj pyetje, por ka pohuar që kanë bllokuar hyrjen me llamarina e që nuk kanë arritur ti parandalojnë.
Sipas tij Bashkësia Islame e Kosovës mbetet e shokuar me papërgjegjësinë e njerëzve që arrijnë të bëjnë vepra të tilla në një vend ku predikohet feja.
Ndër të tjera, Shkodra ka treguar për KultPlus se restaurimi pritet të fillojë shumë shpejt dhe uron që edhe përfundimi të jetë i shpejtë. Ndonëse restaurimi ka filluar nga viti 2011, si aryetim u morë edhe situata e krijuar nga pandemia Covid-19
Xhaminë e karakterizon edhe maja e minares poligonale me gurë, duke e bërë atë ndër tre xhamitë e vetme në botë që ndërtimine minares e kanë në mënyrë të tillë.
Në aspektin funksional, arkitektonik dhe historik, kjo ndërtesë është strukturë unike në harmoni me transformimet e kohës, dhe në përbërje ruan të gjitha elementet karakteristike nga koha e ndërtimit, për të cilat edhe radhitet si vepër ndërtimore e spikatur.
KultPlus ka kontaktuar edhe me Drejtoreshën e Kulturës nga Komuna e Prishtinës, Blerta Basholli, e cila ka treguar se pas nënshkrimit të memorandumit ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe TIKA-së, kjo e fundit ka filluar me procedurat për hartimin e projektit të Xhamisë së Çarshisë.
Ku, sipas saj, pas punës së realizuar të hulumtimeve historike dhe arkitektonike nga ekspertët e fushës së konzervimit dhe restaurimit brenda këtij viti ka përfunduar hartimi i projektit i cili është dorëzuar ne zyrën qendrore të TIKA-së, ku nga ekspertët e fushës është marrë për shqyrtim.
Ndërkaq, akoma nuk dihet data e saktë se kur do të fillojë e sa pritet të zgjasë restaurimi i kësaj xhamie. ‘Komisioni ka dhënë rekomandimet e veta dhe ka aprovuar projektin, tani është duke u punuar projekti kryesor për të zhvilluar procedurat e fundit për ndërhyrje’, ka potencuar Basholli për KultPlus.
Sa për shfrytëzimin e hapsirës së Xhamisë nga ana e qytetarëve për nevoja të ndryshme, Basholli e ka konsideruar si një sjellje të papranueshme, mirëpo nuk ka deklaruar nëse komuna ka ndërmarrë masa drejt parandalimit të kësaj dukurie. Basholli tutje për KultPlus potencoi se për parandalimin e kësaj gjendjeje së pari duhet të hulumtojë se cila është mundësia dhe çfarë kompetenca ka Komuna e Prishtinës për të marrë masa.
Xhamia e Çarshisë në Prishtinë brenda vetes bartë një qytetërim të kahmotshëm të kryeqytetit, muret e saj tregojnë histori, traditë e kulturë qindra vjeçare dhe zhdukja apo shkatërrimi i një monumenti të tillë do të thotë më shumë se humbje, më shumë se shqetësim dhe mbi të gjitha një pasqyrë jashtëzakonisht e tmerrshme për vendit tonë. Faji i pësimit tragjik të kësaj vlere të madhe kulturore qëndron mbi supet e institucioneve përkatëse e deri tek qytetarët e thjeshtë, pasiqë asnjëra palë nuk e ka trajtuar këtë objekt me dinjitet. / KultPlus.com
Disa persona të panjohur, janë futur tinëz në një xhami në Izmir të Turqisë, dhe nga minarja, kanë lëshuar me altoparlant këngën e njohur të partizanëve “Bella Ciao”.
Ky incident u xhirua nga qytetarët që ishin afër me telefona mobil.
Autoritetet në Turqi kanë nisur hetimet për të kapur të dyshuarit dhe t’i sjellin para drejtësisë, raporton CNN në gjuhën turke, transmeton KOHA.
Zyra e Prokurorit në Izmir ka dënuar këtë akt.
Kryetari i komunitetit Hamza Dag, bëri thirrje për reagime dhe tha se ky akt, “duhet të shihet si shumë shqetësues”. / KultPlus.com
Kanë përfunduar punimet restauruese, konzervuese në mejtepin dhe xhaminë e vjetër të fshatit Shkozë të Malishevës. Këto punime janë drejtuar nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren në kuadër të zbatimit të programeve për ndërhyrje në asetet e trashëgimisë kulturore të mbështetura financiarisht nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, shkruan KultPlus.
Xhamia dhe mejtepi i vjetër i fshatit Shkozë është ndërtuar në vitin 1916 ku sipas të dhënave gojore nga të moshuarit e këtij fshati kjo xhami së bashku me mejtepin (shkollën) ishte ndërtuar me kontributin e fshatarëve rreth mbi njëqind vite më parë.
Në këtë xhami shkollë, përveç mësimeve fetare hoxhallarët patriot qysh gjatë ish Jugosllavisë mbretërore, fshehtas u kishin mësuar fëmijëve shkrim-leximin në gjuhën shqipe, përmes librave shqip që i kishin siguruar në fshehtësi nga konsulli i Shqipërisë së atëhershme në Shkup.
Objekti i xhamisë dhe mejtepit nga janari i vitit 1999, përveç si objekt i kultit u shfrytëzua edhe nga kompania e UÇK-së e fshatit Shkozë, si vendkomandë dhe vendstrehim i pjesëtarëve të saj. Forcat serbe pasi thyen pozicionet e UÇK-së në mars të vitit 1999 e dogjën dhe e shkatërruan tërësisht këtë objekt.
Po ashtu sipas të dhënave të banorëve të këtij fshati në këtë xhami shërbyen shumë personalitete të njohura të fshatit Shkozë, si hoxha i parë i fshatit Mulla Bajram Bytyçi, njëherësh edhe pleqnar dhe veprimtar i njohur i viteve 1900-1913, më pas shërbeu Hafës Islam Bytyçi një hoxhë dhe intelektual i ri atdhetar, poet dhe pjesëtar i organizatës së fshehtë atdhetare ,,Drita” që veproi gjatë viteve 1930-1939. Gjithashtu në këtë objekt fetar shërbeu edhe Mulla Adem Bytyçi, një hoxhë patriot i cili ishte udhëheqës i burrave të Shkozës dhe më gjerë në luftërat për mbrojtjen e kufirit të Shqipërisë etnike në Kollashin gjatë viteve 1942-44.
Drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren Samir Hoxha ka theksuar se “themelet e rrënojave të xhamisë së fshatit Shkozë, tashmë të restauruara, janë me rëndësi historike, por edhe e vaçant për ariktekturën lokale, ngase është ndërtesa e vetme arkitekturore publike që ka pasur fshati Shkozë” “Veç tjerash aty janë shkolluar gjenerata të tëra me njohuri fillestare, pra, kjo ndërtesë ka ushqyer nevojën shpirtërore dhe arsimore të komunitetit dhe si e tillë ruajtja dhe prezantimi i këtij monumenti ishte i nevojshëm pasi që ajo paraqet burimin e dijes, dhe në të njëjtën kohë dëshmon edhe për pasojat shkatrrimtare të luftës së fundit në trashëgiminë kulturore” theksoi Hoxha.
Vlen të theksohet se pas restaurimit dhe konzervimit të themeleve të këtij aseti të trashëgimisë kultutore nga ana e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, banorët e këtij fshati kanë shprehur gadishmërinë e tyre për tu kujdesur për këtë monument, duke mos kursyer edhe mbështetjen finaciare për rregullimin e amientit rreth saj si dhe infrastrukturës përcjellëse. /KultPlus.com
Një nga xhamitë më të hershme në botë, e ndërtuar rreth 1,200 vjet më parë, është zbuluar nga arkeologët në shkretëtirën Negev të Izraelit.
Mbetjet, që datojnë nga shekujt VII-VIII, u gjetën në qytetin beduin të Rahatit. Autoriteti i Antikitete të Izraelit thotë se xhamia u zbulua gjatë ndërtimeve në zonë.
Drejtuesit e gërmimeve, Jon Seligman dhe Shahar Zur, thanë se xhamia është “zbulim i rrallë kudo në botë”. Ndërtesa ishte e formë drejtkëndore, kishte vendin e imamit dhe ishte e kthyer drejt Mekës (vend i shenjtë islam).
“Këto karakteristika janë prova për qëllimin që ishte përdorur kjo ndërtesë”, ka thënë Seligman.
Banorët e lagjes Sylani të Mitrovicës sot kanë protestuar para komunës kundër ndërtimit të një xhamie në lagjen e tyre.
Këta protestues kanë thënë se po kërkojnë revokim të menjëhershëm të lejes së ndërtimit të xhamisë në lagjen e tyre, deri në arritjen e një marrëveshjes në mes palëve.
Disa nga organizatorët e kësaj proteste u takuan me nënkryetarin e komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka dhe me pas të gjitha kërkesat e tyre i ndan me media përmes një shkrese, përcjell ksp.
Në këtë letër thuhet se banorët, nga komuna e Mitrovicës po kërkojnë që të gjejnë një zgjidhje për ndërtim të një ambulance dhe shkolle për nivelin e ulët arsimor.
Kjo protestë ka ardhur pasi që të premten banorët kanë parë që investitorët kanë filluar punimet për ndërtimin e xhamisë.
Sipas banorëve kanë ardhur disa individë dhe i kanë kërcënuar duke u thënë se askush nuk guxon tua ndërpres punimet.
Po këta banorë ndërtimin e xhamisë në lagjen Sylani e kanë kundërshtuar me peticion para dy viteve, dhe po në qershor të vitit 2017 kishin marr shkresën zyrtare nga Drejtoria e Urbanizimit në Mitrovicë se asnjë punë nuk do zhvillohet në atë zonë pa ujdi mes palëve.
Sipas banorëve aprovimin për ndërtim të kësaj xhamie e ka dhënë hoxha Gazmend Mehmeti, për të cilin kanë kërkuar që ti revokohet aprovimi nga Bashkësia Islame e Kosovës.
Njëri prej profesorëve në Fakultetin e Studimeve Islame, Xhabir Hamiti ka bërë thirrje të ndalohet ndërtimi i faltoreve të panevojshme nëpër vende të ndryshme të Kosovës.
Kërkesa e tij është drejtuar kah organizatat humanitare ndërkombëtare që po bëjnë ndërtime të xhamive e kishave në tërë Kosovën.
“A bënë t’i lusim “humanitarët” e vendeve islame, por edhe të krishtera të ndalojnë që edhe më tutje të bëjnë garime në ndërtimin e faltoreve në mesin tonë”, ka kërkuar Hamiti, përmes një statusi në fb.
Ky profesor që ligjëron parimet fetare islame ka bërë thirrje të investohet në shkencë e hulumtime për të rritur mirëqenien e qytetarëve.
“Trojet tona dhe kombi ynë sot, krahas faltoreve të domosdoshme për besimtarët, është më se i nevojshëm për hapjen e ndonjë laboratori shkencor, instituti të hulumtimit apo fabrika prodhimi të cilat do të ndihmonin në përmirësimin e mirëqenies sociale për qytetarët tanë”, ka shtuar ai.
Hamiti ka cituar një fjalë shqipe dhe një arabe për të përshkruar krizën e besimit që vjen si pasojë e kushteve të këqija ekonomike, shkruan Gazeta Express.
Prandaj, ai ka thënë se s’ka nevojë të ketë dy e tri faltore në një fshat a lagje për besimtarët që s’i mbushin as ditëve të festave.
“Varfëria dhe mungesa e përspektivës zbehë dhe vë në rrezik edhe lidhjen e besimit me Zotin. Fjala e urtë arabe thotë: “ Varfëria pothuajse të shpie në mos besim”. Ndërsa ne shqiptarët themi: “Varfëria të qonë në derë armikut”. Faltoret na duhen si të domosdoshme, por jo edhe nga dy brenda dy lagjeve të një fshati, e të cilat nuk mbushen asnjëherë me besimtarë, qoftë edhe në ditët e shënuara festive./ KultPlus.com
Këngëtarja Dua Lipa ka vizituar një nga xhamitë në Abu Dhabi, me ç’rast ka bërë edhe disa fotografi e mbuluar me shami.
Ajo ka publikuar disa fotografi në rrjetet sociale, ndërsa thotë e ka parë xhaminë më të bukur në Abu Dhabi, transmeton Koha.net. Fotografitë i ka bërë Pixie Levinson.
“Para koncertit në Abu Dhabi vizituam xhaminë më të bukur. Isha e nderuar, faleminderit”, ka shkruar ajo në Facebook./ KultPlus.com
Një imam në Australi është duke synuar që të hapë xhaminë e parë për myslimanët LGBTI, duke pohuar se ky komunitet ka mungesë përkrahje dhe hapësira të sigurta.
Nur Warsame, imami i parë që ka pranuar se është homoseksual, u ka thënë mediave australiane se përballet me “një ortek të mjerimit” nga myslimanët LGBTI, të cilët kanë nevojë për përkrahje. Warsame ka thënë se në shtëpinë e tij qëndrojnë disa myslimanë LGBTI që frikësohen për jetët e tyre dhe kjo përvojë e ka shtyrë atë që të besojë se myslimanët LGBTI kanë nevojë për vende që të jetojnë e punojnë. Ai do që xhamia LGBTI të ketë edhe një shtëpi për të strehuar këta myslimanë.
“Një prej gjërave esenciale të një të riu është një shtëpi e sigurt dhe e përballueshme. Me qëllim që të përshtaten në shoqëri ata nuk mund të jenë në një ambient që shkakton trauma”, ka thënë Warsame për ABC-në në Australi.
Xhamia e propozuar do të jetë në Melbourne dhe Warsame ka thënë se është duke punuar me autoritetet lokale për të siguruar një vend të sigurt për këtë xhami, transmeton Koha.net.
“Do të jetë në qendër. Është afër me shërbimet që unë ua rekomandoj: Praham Market Clinic, që është një shërbim mjekësor për komunitetin LGBTI, spitali është matanë rrugës, ndërsa policia është në fund të saj”, ka thënë Warsame për lokacionin e xhamisë.
Warsame i lindur në Somali është imam i njohur në Australi. Ai drejtoi njërën prej xhamive më të mëdha të Melborunet. Ai gjithashtu është hafiz, besimtari që di Kuranin përmendësh.
Por kredencialet si një mysliman i devotshëm nuk u morën parasysh nga bashkësia myslimane në Australi që shkëputi lidhjet me imamin kur ai pranoi orientimin seksual në vitin 2010.
Warsame kishte disa kërcënime me jetë nga njerëzit që besojnë se homoseksualiteti nuk është i pranueshëm nga feja. Por kjo nuk e ka ndalur atë që të flasë hapur se si është të jesh mysliman dhe homoseksual.
Rreth 2.6 për qind e popullatës së Australisë janë identifikuar si myslimanë. Shumica prej tyre jetojnë në Melboune. Në vitet ’90 myslimanët në Australi arritën nga vendet si Afganistani, Iraku, Irani, Bosnja, Shqipëria, Indonezia dhe Malajzia./ KultPlus.com
Xhamia historike e Gjin Aleksit në Rusan të Delvinës kthehet në destinacion turistik për vizitorët e huaj.
E ndërtuar në rrënojat e një kishe, në oborrin e xhamisë janë të përfshira tre objekte fetare, një teqe, një kishë dhe xhamia.
Xhamia e Gjin Aleksit është ndërtuar në kohën e Sulltan Sulejmanit.
Këto objekte religjioze janë kthyer në destinacion shumë të pëlqyer për turistët e huaj, pasi brenda pak metrave katrore ka të ndërthurura fe të ndryshme.
Prej disa kohësh kjo xhami po i nënshtrohet një restaurimi, që po financohet me fonde të Komunitetit Mysliman Shqiptar.
Ajo po kthehet në një kuriozitet të përditshëm për vizitorët vendas e të huaj./ KultPlus.com