Objekt kulti dhe trashëgimie kulturore. Xhamia e Plumbit, në Shkodër, klasifikohet si monument kulture i kategorisë së parë. Xhamia e Mehmet Pashë Bushatit (Xhamia e Plumbit) u ndërtua në vitin 1773-1774, nga Mehmet Pashë Bushati (Plaku), themeluesi i familjes së njohur të Bushatllinjve të Shkodrës.
Në vazhdën e marrëveshjeve të nënshkruara në takimin e sotëm në Ankara, mes Shqipërisë dhe Turqisë është dhe restaurimi i Xhamisë së Plumbit në Shkodër.
Ministrja shqiptare e Kulturës, Margariti, sqaron se konstruksioni do të prekë sistemin e mbrojtjes nga përmbytjet të Xhamisë në Shkodër.
Për të, Xhamia e Plumbit nuk është thjesht objekt kulti, por pjesë e trashëgimisë kulturore. Margariti thekson se, kjo marrëveshje është e shumëpritur jo vetëm nga banorët e Shkodrës, besimtarët myslimanë, por edhe gjithë shqiptarët.
“Do ta quaja një fillim të mbarë dhe një ogur të mirë, që një nga punët e para të këtij viti të ri lidhet me restaurimin e shtëpisë së Zotit. Por Xhamia e Plumbit nuk është thjesht një objekt kulti. Ajo është pjesë e trashëgimisë sonë kulturore.
Ndaj dhe Marrëveshja që nënshkruam sot në Ankara, mes Drejtorisë së Përgjithshme të Fondacioneve të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Republikës së Turqisë, përfaqësuar nga Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Z. Mehmet Nuri Ersoy dhe Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë synon “Restaurimin dhe Konstruksionin e sistemit të mbrojtjes nga përmbytjet për Xhaminë e Shkodrës” merr një rëndësi të veçantë. Një marrëveshje e shumëpritur jo vetëm nga banorët e Shkodrës, apo besimtarët myslimanë, por edhe për të gjithë shqiptarët, që e kanë të gdhendur në memorie pamjen e xhamisë së përmbytur nga ujërat. Kësaj kohe po i vjen fundi dhe ato imazhe do të jenë vetëm një kujtim“, ka shkruar ajo.
Xhamia e Plumbit në Shkodër është e vetmja xhami shqiptare, e përfshirë mes 50 objekteve më të bukura myslimane në botë. Ajo renditet në vendin e 37 para xhamisë Vahsiz Khan në Lahore të Pakistanit dhe pas xhamisë Jami Ul Alfar në Sri Lanka. Në vendin e 31-të, renditet Xhamia Blu në Stamboll, Turqi, ndërsa dhjetë vende pas xhamisë shqiptare, është Xhamia e Madhe në Paris.
Në fund të listës, renditen xhamia e Lindjes së Diellit në Melburn, Australi, si dhe Xhamia Kombëtar e Abujas, në Nigeri.
Por cila renditet në vendet e para? Është pikërisht xhamia Mashkhur Jusup në Kazakistan dhe në vend të dytë, Xhamia e Kristaltë në Malajzi. Vendi i tretë i takon një xhamie në vendet e ftohta të Europës. Është xhamia e Nusrat Djahan, në Kopenhagen, Danimarkë. Në Islamabad, në Pakistan, gjendet xhamia e katërt më e bukur në botë, Shah Faisal Masjid dhe fill pas saj, renditet Xhamia Pakirin në Stamboll.
Historia e Xhamisë së Plumbit
Xhamia e Plumbit është një monument kulture i kategorisë së parë, në qytetin e Shkodrës. Xhamia e Mehmet Pashë Bushatit ose Xhamia e Plumbit u ndërtua në vitin 1773-1774, nga Mehmet Pashë Bushati (Plaku), themeluesi i familjes së njohur të Bushatllinjve të Shkodrës. Kjo xhami është një nga ndërtesat më të vjetra të Shkodrës, si dhe xhamia më e madhe dhe më e bukura e Shqipërisë, deri në gjysmën e parë të shekullit XX, periudhë në të cilën filluan të ndërtohen xhami të dimensioneve të mëdha. Xhamia ka qenë e veshur me plumb dhe nga kjo u quajt “Xhamia e Plumbit” e me këtë emër, njihet edhe sot.
Xhamia është e vendosur në pjesën e jashtme të ish-pazarit të Shkodrës, rrëzë kalasë Rozafat, në një livadh në rrafshinën e lumenjve Kir e Drin. Për nga forma e ndërtimit është frymëzuar nga xhamitë e sulltanëve të Stambollit. Kjo xhami është e vetmja në Shqipëri për nga lloji, që fillon me një oborr me kolona të gjera, para se të hysh në sallën e faljes. Ndërtimi i kësaj xhamie, në këtë formë, ka të bëjë me atë që pashallëku i Shkodrës është në gjendje që edhe në ndërtimin e objekteve të kultit të thyejë të drejtën perandorake për të pasur një element të tillë, vetëm ata.
Salla e faljes paraqitet si një bllok i ulët, kapërcyer nga një tambur oktogonal shumë i lartë, në majë të të cilit qëndron kubeja, gjysmërrethore. Interieri shfaqet si një dhomë e gjatë dhe e gjerë, pavarësisht se përmasat janë jo dhe aq të mëdha. Vizualisht, kjo dhomë është zgjeruar nga një lloj thellësie, në të cilën është vendosur Mihrabi. Në majë të Mihrabit ka tre kube, ndërsa në të djathtë ka dy kube. Xhamia është ndërtuar me gurë të shkëlqyer në të kaltër e të bardhë, që janë shumë rezistentë ndaj erozionit.
Nga dëmtimet e ndryshme që pati kjo xhami, qoftë nga mbulesa, ashtu edhe në brendësi, si dhe nga vërshimet e herëpashershme të lumit Kir, për disa kohë mbeti e papërdorshme, ndërsa në vitin 1978, periudhë që në Shqipëri ishin shkatërruar ndërtesat e bukura dhe të vjetra që tregonin kulturën shqiptare, shërbimet e monumenteve të kulturës, u kujtuan t’i vinin një mbulesë me çimentoje për ta shpëtuar këtë thesar, jo si objekt kulti, por si objekt ndërtimor. Me ndërtimin e kësaj xhamie të madhe të Shkodrës, shohim se në Shqipëri po shfaqej një arkitekturë me stil të zhdërvjellët e me shije, që nuk munguan në shekullin XVIII. Ky stil, haset edhe në ndërtimin e xhamive të tjera në Bullgari, Anatolinë qendrore, etj.
Në këtë xhami gjendet një shkrim që na jep një informacion historik, ku shkruhet: Madhëria i veprave bamirëse dhe bujare, Mehmet Pasha e ndërtoi këtë xhami madhështore në vitin 1773 Administratori i kësaj xhamie, Haxhi Mahmut Berberi, data e rinovimit 1863. Riparimi i saj është bërë para vitit 1865, periudhë kur në Shkodër ndodhi përmbytja e madhe që shkatërroi një pjesë të mirë të Shkodrës së vjetër. Mbas kësaj, kujdestarinë e kësaj xhamie e mori familja e njohur shkodrane e Myftijve të Tabakëve, në fillim nga Hafiz Isuf Tabaku dhe vazhdoi brez pas brezi, deri në ditët e sotme. Brezi i ri i këtij trungu, amanetin e të parëve e ka mbajtur edhe kur xhamia është lënë pas dore nga pushteti i kuq.
Xhamia e Plumbit në mes të ujit
Fotoja që i referohet klasifikimit të gazetës së njohur The Huffington Post, e paraqet Xhaminë e Plumbit në mes të ujit. Ndonëse disa prej xhamive më të bukura janë thuajse në mes të ujit, nuk dihet nëse gazetarët e huaj e kanë kuptuar faktin se, uji që rrethon xhaminë shqiptare nuk ka të bëjë fare me një stisje arkitekturore.
Legjenda
Ndërsa po ndërtohej xhamia, vetë Mehmet Pasha mori pjesë në punimet; ky gjest shpjegohet me përkushtimin e tij fetar dhe me qëllimin për ti treguar popullit se puna është e madhërishme, aq më tepër në vepra publike. Në lidhje me pjesëmarrjen e Mehmet Pashës në këto punime ka një anekdotë: Një fshatar donte t’i paraqiste një ankesë personale Pashës; mori vesh se ndodhej mes punëtorëve, por nuk e dallonte, sepse ai ishte i veshur thjeshtë. Rastisi që vetë personi ta pyeste vetë (vetë Pashën) se ku gjendej Pasha dhe mori përgjigje që të priste pak. Pas përfundimit të punës, Pasha u vesh zyrtarisht dhe i doli para hallexhiut që mbeti i prekur nga thjeshtësia e tij./ KultPlus.com