Për herë të parë me kompozime origjinale, “Prishtina Jazz Festival” rrëqeth audiencën e kryeqytetit

Era Berisha

“Prishtina Jazz Festival”, festivali më i madh i xhazit në vendin tonë mbrëmë ka shpalosë natën e parë për këtë edicion të ri. Kjo ngjarje e rëndësishme për kulturën dhe muzikën në Kosovë ka përhapur mbrëmë një atmosferë të veçantë në kryeqytet dhe padyshim ka qenë një përvojë e paharrueshme për të gjithë ata që patën rastin t’i përjetojnë tingujt e meloditë e larmishme që përqafuan imtësitë e shpirtit të gjithsecilit, shkruan KultPlus.

Gjithsej pesëmbëdhjetë muzikantë kanë shkelur skenën në Teatrin Oda, për të shfaq një program të bukur me plot nëntë vepra që rrëshqitshin ëmbëlsisht një nga një në koncertin e dhënë për gati dy orë të plota. Diversiteti i instrumenteve ka qenë diçka fenomenale, e që ka dalë përtej të imagjinueshmes. Nga momenti në moment, gjithçka ndryshonte dhe të rrëmbente pa pikë mëshire, për të t’dhënë diçka që jo lehtë harrohet nga zemra e njeriut. Interpretuesit në anën tjetër, jepnin gjithçka nga vetja, dhe kjo dallohej sa herë që ata mbyllnin sytë dhe dukeshin sikur muzika po ia pushtonte qenien e tyre. Në disa momente, ata edhe ndërlidheshin nëpërmjet tingujve dhe i buzëqeshnin njëri-tjetrit, asisoj që të krijonte një përshtypje se muzika është ajo fija e mëndafshit që po i ndërlidhte pasionet e tyre në një shpërthim ritmik, sharmant e tejet unik.

Fillimisht, para se gjithçka të gjente fillin, në skenë doli aktori i njohur Alban Ukaj, i cili tha se festivali më i dashur për të, përherë do të mbetet “Prishtina Jazz Festival”.

“Jam një ndër ata aktorët që ka pasur gjithmonë ëndërr të bëhet muzicient, por se kam arrirë dhe jam bërë aktor. Dëshira ime e kamotshme ka qenë që ta bëj hapjen e festivalit të xhazit në Prishtinë dhe Xhaferi ma plotësoi atë. Unë gëzohem pa masë që ky festival e ka një vazhdimësi të vetin dhe gëzohem që festivalin po e organizon Armendi, me të cilin njihemi shumë gjatë. Herën e parë që kam shkuar në Sarajevë, ka qenë pikërisht me të dhe më kujtohet që rruga ka qenë shumë e gjatë, por ai flinte gjithmonë shumë. Ai më thoshte se pavarësisht nervozes, gjithmonë vjen koha për të fjetur. Ashtu është edhe muzika e xhazit. Duhesh me qenë i gjerë në mendime, me e dashtë atë në aspektin shpirtëror, për të bërë diçka të tillë. Unë e kam pasur fatin që shumicën e kohës të shoqërohesha më shumë me muzicientë e me pak me aktorë. Kur në Sarajevë nëpërmjet intervistave më pyesin se cili është festivali më i dashur, gjithmonë i them që është Prishtina Jazz Festival”, thotë ai.

Po ashtu, kryeministri Albin Kurti, ka thënë se “Prishtina Jazz Festival” ka ndikuar në aftësimin shpirtëror dhe komunikim social, andaj dhe ngjarjet e tilla do të kenë përherë mbështetje nga Republika e Kosovës.

“Është nder për mua që sonte ndodhem këtu bashkë me ju dhe ta vazhdojmë traditën e zhanrit më demokratik në muzikë, në Kosovë, me këtë festival. Ky festival sjell një gjallëri dhe cilësi të shprehjes muzikore për pesë ditë të mbushura me performime dhe aktivitete. Xhazi ka lind në New Orleans dhe atje është zhvilluar përtej kufijve amerikanë duke iu falënderuar pionierit si Louis Armstrong, që ka sjellë një frymë të re. Meqenëse zgjerohesh përtej atje ku lind, nuk mbetesh i njëjti më asnjëherë. Në vitet e 60-ta, figura të ndryshme kanë përdorur xhazin për të drejtat civile për paqe në shtet. Në vitet e 70-ta e 80-ta, është dhënë një kontribut nga artistë të ndryshëm ku xhazin e kanë kthyer në simbol global të kualitetit artistik”, thotë ai.

Sipas tij, edhe në Kosovë, në vitet e 60-ta, elementet e xhazit janë interpretuar nga artistë si Abdurrahman Shala dhe këngëtarë të tjerë të njohur. Ai ka thënë se ky zhanër ka filluar të rritet dukshëm, duke iu falënderuar pionierëve si Sheki Hoxha dhe artistëve nga gjenerata e parë, ndërkaq intensiteti i xhazit në Kosovë është shumë zhvilluar pas luftës, veçanërisht në dekadën e parë me kontributin e “Prishtina Jazz Festival “që tashmë është bërë një vlerë identifikuese e muzikës në vend.

“Në këto edicione të këtij festivali, duhet të theksojmë se improvizimi xhaz na mëson të provojmë të jemi të rehatshëm në mos-rehati sepse rehatia na largon prej dëgjimit. Pjesëmarrja e orkestrës në ditën e parë të festivalit është një dëshmi e rëndësisë së xhazit për kulturën tonë. Ky festival ka ndikuar në aftësimin shpirtëror dhe komunikim social dhe ngjarjet e tilla do të kenë përherë mbështetje nga Republika e Kosovës. Ftoj që qytetarët që për këto ditë të vijnë në këtë festival dhe të takojnë artistë nga Kosova dhe të huaj e të marrin pjesë në punëtoritë e festivalit. Urimet më të përzemërta për organizatorët e festivalit që mundësojnë bashkimin nëpërmjet muzikës”, përfundon Kurti.

Tutje, pas disa falënderimeve ndaj të pranishmëve dhe artistëve pjesëmarrës e po ashtu edhe shakave të cilat janë të njohura nga kitaristi dhe drejtori i “Prishtina Jazz Festival”, Armend Xhaferi, nisi koncerti fiks në orën 20:35.

Terri mbuloi vendin për disa sekonda, më pastaj reflektorët në ngjyrë vjollcë ishin ato që shoqëruan të pranishmit brenda hapësirës gjatë gjithë koncertit. Të vendosura në vende të përshtatshme pos njërës në qendër, ato ndihmuan që ne të shihnim nga afër gishtërinjtë që lëviznin si krahë të fluturës, frymëmarrjet e shumta, lëvizjet e kokave që ndjenin emocion e shumëçka tjetër.

“Albinox” (swing) dhe “Lanugo” për violinë me kompozim nga Visar Kuçi, “As Indikalastros”, “Ni sendviq t’shpise” për xhaz orkestër kompozuar nga Librun Jupolli, “Mantija” kompozuar nga Taulant Mehmeti, “Nji Lule”, “Winds of Suxhuk”, “Sharllabuzllat” e “Çaji rus”, ishin veprat që u shpalosën e që arritën të krijojnë tinguj që u duartrokitën vazhdimisht në publik, me ç’rast atmosfera sa vinte dhe bëhej akoma më e ngrohtë, më e gjallëruar dhe krejt madhështore.

Veprat vinin në një kontrast të dukshëm me njëra-tjetrën, por ato njëra pas tjetrës vazhdonin të tejkalonin perfeksionin e dhuruar. Pothuajse të gjitha veprave iu bashkëngjitej instrumenti i parë elektrik në botë, teremin, e që kontrollohej nga kompozitori Librun Jupolli, i cili kishte një fokus të vazhdueshëm ndaj qasjes që e dhuronte dhe kjo e bënte koncertin akoma më të mrekullueshëm. Më pastaj, fronin e merrte vazhdimisht instrumenti i violinës që luhej nga violinisti Visar Kuçi, i cili me një qetësi të paparë dhuronte spektakël mahnitës. Është evidente se violina për të është hyjni në të cilën ai beson plotësisht. Tutje, kitarat elektronike në krye me Armend Xhaferin e Taulant Mehmetin, po elektrizoheshin nga çasti në çast dhe kjo pasonte nga dashuria e dëlirë që ata kanë për muzikën. Sytë e tyre shndritnin vazhdimisht teksa muzika përçonte emocione të llojllojshme.

Përgjatë gjithë koncertit, instrumentistët thuajse ia pasonin “topin” secilit me radhë. Në secilën vepër, mbi secilin instrumentist vihej një “dritë” që i bënte ata fokusin kryesor përgjatë disa minutave.

Armend Xhaferi, Raynald Colom, Daniel Nosig, Dukagjin Muhaxheri, Jure Pukl, John Cushing, Philip Yaeger, Visar Kuçi, Ilir Bajri, Librun Jupolli, Taulant Mehmeti, Driton Bejta, Enver Maxhuni, Nesim Maxhuni, Enes Beu dhe Sam Levin, mbështollën natën e mbrëmshme si një strofull lirike ku secila notë të bënte të çmendeshe por edhe të qonte në “qiellin e shtatë”. Boritë e instrumentistëve lëshoheshin këndshëm në atmosferë duke krijuar shpërthime e kthesa të vazhdueshme me ç’rast rrahjet e zemrave sa vinin e shtoheshin. Çdo notë e saksofonit, sintit, trumbetës, baterive të hynte në brendësi dhe krijonte shtëpinë e vetë.

Nën fishkëllima, brohoritje të kohëpaskohshme dhe duartrokitje të shumta, përfundoi koncerti i parë i “Prishtina Jazz Festival”, e që do të vazhdojë deri më 18 nëntor.

Ndërkaq, për të treguar më shumë rreth emocioneve pas një koncerti të tillë, për KultPlus foli drejtori i “Prishtina Jazz Festival”, Armend Xhaferi.

“Koncerti erdhi nën një kombinim të muzikantëve të Prishtinës dhe muzikantëve të huaj xhaz. Koncerti ka qenë një ide e jona për të krijuar një ansambël me veprat tona. Kësaj here vendosëm që kompozimet tona të jenë pjesë e këtij viti brenda orkestrës dhe ne kemi kontaktuar të gjithë shoqërinë tonë për këtë festival. Ka qenë një xhaz i kombinuar me folklorin tonë në një farë mënyre, pra kemi prezantuar atë se çfarë ne e kemi dëgjuar si fëmijë. Kryesisht, veprat tona janë ndryshe nga to, por ka elemente ngjashmërie. Këto vepra kanë fjetur shumë mirë në konceptin e bendit dhe në repertor. Është hera e parë që e kemi bërë këtë dhe po shpresoj që nuk është hera e fundit. Veprat vijnë të kompozuara nga unë, Taulant Mehmeti, Librun Jupolli dhe Visar Kuçi”, thotë ai.

Sipas tij, ka pasur akoma shumë vepra të tjera të kompozitorëve të tjerë që ishin dashur të luhen, mirëpo tani drejtimi i festivalit parashihet të eci në këtë frymë për të prezantuar muzikën shqiptare.

Po ashtu, violinisti Visar Kuçi për KultPlus ka shprehur emocionet e tij lidhur me paraqitjen e dy kompozimeve të tij.

“Në një farë mënyre më shumë përdoret violina elektrike në muzikën xhaz në këso lloj formacioni. Unë personalisht nuk luaj shumë shpesh në violinë në këto lloj projekte përveç nëse është diçka shumë e veçantë si sonte kur orkestra dhe të gjithë muzikantët i përkasin një niveli të jashtëzakonshëm, andaj edhe ka qenë shumë e përshtatshme me e përdorë violinën sonte. Mendoj që violina i ka dhënë një ngjyrë të veçantë komplet programit, momente-momente. Kur muzikantët i ke të mirë përreth atëherë krijohet një platformë ku edhe ti vetë personalisht shkëlqen, prandaj ishin edhe disa momente shumë të bukura gjatë koncertit. Komplet programi ka qenë me muzikë origjinale, ku dy nga to ishin kompozime të mia. Njëra ka qenë me ritme tradicionale shqiptare/ballkanike, dhe në një moment e kam cituar edhe një temë të njohur popullore, ndërsa tjetra ka qenë e vetmja vepër që erdhi si pardoi e xhazit swing”, thotë Kuçi.

Kujtojmë që nesër (16 nëntor), vjen koncerti i radhës me Erkand Morinën, Xavier Nikçin, Hugo Rehman Langemarnin duke filluar nga ora 20:00, pastaj pason bendi i Raynald Colomit duke filluar nga ora 21:30./ KultPlus.com

Si dhe ku lindi magjia e Jazz-it, kush ishin ata që e shndërruan atë në kaplimin hyjnor të shekullit?

Jazz është shkrirje e te shprehurit muzikor laik e shpirtëror e zezakeve amerikane me prejardhje afrikane dhe e elementeve muzikore evropiane. U paraqit ne mbarimim të shekullit XIX në Amerikë si rezultat i vuajtjeve nen roberin e te bardhëve. Karakteristike e tij është ritmi me akcent jo te drejte, forma josimetrike, sinkopat e shpeshta dhe intervalet e zbritura e te zvoguluara.

Muzika Jazz është një lloj muzike shumë intelektuale. Ajo ka një rol shumë të madh në edukimin dhe formimin e individit. Muzika Jazz ndikon për një formë tjetër të menduari të njeriut. Ajo krijon ndjenja dhe emocione të veçanta tek individi. Melodia, ritmi, harmonia dhe loja modale e bëjnë muzikën Jazz një lloj i veçantë arti. Muzika Jazz shquhet për një teknikë të veçantë, improvizime dhe fantazi. Ajo ka aftësinë të depërtojë në skutat më të thella të ëndjes dhe nevojës së muzikëdashësit për t’iu dhënë i gjithi një fluturimi të lirë në qiellin e thyer të ëndrrave.

Muzika e Jazzit është një stil muzikor që u shfaq në fillim të shekullit të 20-të, në komunitetet zezakëve në Jug të Shtetet e Bashkuara. Muzika Jazz ka lindur nga një përzierje e traditave të muzikës afrikane dhe europiane. Prejardhja afrikane e muzikës Jazz është e dukshme në përdorimin e “notave blu”, që janë tinguj të vecantë, improvizimin, poliritmin, sinkopat, muzikën modale etj. Nga fillimet e saj e deri në ditët e sotme, muzika Jazz ka marrë edhe elementë nga muzika popullore amerikane për shumë stile të dallueshme si: New Orleans Jazz që daton nga fillim të 1910, Gypsy Jazz nga vitet 1930 dhe 1940, Bebop nga mesi i viteve 1940, Cool jazz, Avant-gard jazz, Afro-Kuban jazz, Modal-jazz, Free-jazz, Latin Jazz, Soul-Jazz, Fuzion Jazz dhe Rock jazz, Smooth jazz, Funk jazz, Jazz punk, Acid jazz, Ethno jazz, Indo jazz dhe mënyra të tjera për të luajtur muzikë.

Instrumentët më të përdorur të muzikës Jazz janë: Saksi, Tromba, Tromboni, Bateria, Contra Basi, Ksilofoni dhe instrumentët elektrikë mbas viteve 70-të.

Instrumenti i trombës ka një vend shumë të rëndësishëm në muzikën Jazz. Tromba si një instrument shumë i vecantë për muzikën në përgjithësi ka një pozicion prominent në muzikën Jazz. Tromba është edhe simboli i muzikës Jazz. Krahas instrumenteve të tjerë ajo është përdorur nga shumë kompozitorë të muzikës Jazz. Tingulli i saj, notat e larta i japin trombës vlera të mëdha dhe ky instrument shpreh tinguj dhe ngjyra shumë origjinale në këtë lloj zhanrri.

Krahas një seri instrumentistësh të mëdhenj në instrumeta të ndryshëm, një rol të madh kanë luajtur edhe trombistët amerikanë: Louis Armstrong, Dizzy Gillespie, Miles Davis dhe vazhdojnë ta lozin në ditët tona këtë rol Wynton Marsalis dhe Arturo Sandoval.

Muzika xhazSatchmo

Louis Armstrong, me nofkën Satchmo, ka qenë një trombist dhe këngëtar amerikan i muzikës Jazz, nga New Orleans, Louisiana.

Armstrong filloi të marrë famë në fillim të viteve 1920-të. Armstrong ka patur një ndikim themelor në muzikën Jazz. Ai ishte një trombist shumë i mirë dhe shpikës në muzikë.

Ai zhvendosi fokusin e muzikës nga improvizimet kolektive në lojën solo. Me zërin e tij të veçantë si “zhavorr”, Armstrong ishte gjithashtu një këngëtare me influencë, duke demonstruar shkathtësi të madhe si një improvizues. Ai e lidhi lirikën me melodinë e këngës për qëllime shprehëse. Ai ishte gjithashtu shumë i aftë në të kënduarit Scat, një lloj të kënduari (duke vokalizuar, përdorur tingujt dhe rrokjet në vend të këngëve lirike aktuale të kohës).

Armstrong u lind në një familje shumë të varfër në New Orleans, Louisiana dhe vinte nga një familje skllevërish.

Armstrong vdiq nga një atak në zemër në gjumë në vitin 1971, një muaj para ditëlindjes së tij të 70-të .

Një kritik shkruan për Louis Armstrong: “Ai lindi i varfër, vdiq i pasur dhe nuk shqetësoi asnjeri përgjatë rrugës së tij”

“When the Saints go marching in” është një pjesë tipike, spiritual, që ishte edhe simboli i Armstrong. Armstrong lot në trombë në këtë këngë dhe këndon me shumë emocion këtë pjesë tipike, spiritual duke dhënë mesazhe jetësore dhe të shenjta nëpërmmjet artit, muzikës së tij. Dizzy Gillespie, ishte një trombist amerikan i muzikës Jazz , drejtues orkestre muzikore, kompozitor dhe këngëtar.

Scott Yanow shkruante, “Kontributet e Gillespie për muzikën Jazz ishin të mëdha. Gillespie ishte një prej trombistëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave të Jazz. Ndoshta Gillespie kujtohet, nga kritikët dhe tifozët, si një prej borizanëve të Jazzit më të mëdhenj të të gjitha kohërave. ” Gillespie ishte një virtuoz borisë dhe improvizues, por duke shtuar edhe shtresa të kompleksitetit harmonik të panjohur më parë në xhaz. Gillespie përdori harmoni të vecantë në lojën e tij, gjuhë të re harmonike.

Bebop është i njohur si stil i parë i Jazzit modern. Bebop u konsiderua si një produkt i Swingut, por jo një revolucion në muzikë. Swing prezantonte një diversitet të muzikantëve të rinj në epokën e Bebop si: Charlie Parker, Thelonious Monk, Bud Powell, Oscar Pettiford dhe Gillespie. Sistemi Charlie Parker ka mbajtur gjithashtu metodat duke shtuar akorde me akordet ekzistuese progresive dhe duke nënkuptuar akorde shtesë brenda linjave të improvizuara. Dizzie Gillespie është i famshëm dhe është një nga themeluesve të Bebop modern (së bashku me Charlie Parker) dhe muzikës Kubane kanë ndikuar tek Jazz. Ai vdiq në vitin 1993 duke lënë prapa një trashëgimi artistike të madhe. Ai e vuri në shërbim të artit edhe fëtyrën e tij, duke fryrë faqet kur luante në trombë.

“A night in Tunizia” e luajtur nga Gillespie në trombë me sordinë, nëpërmjet ritmit, melodisë dhe interpretimit, krijon një pejsazh surrealist dhe shumë emocional.

Miles

Miles Davis ka qenë një muzikant amerikan i Jazz-it, drejtues i bandës muzikore dhe kompozitor. Ai konsiderohet gjerësisht si një prej muzikantëve me më shumë ndikim në shekullin e 20-të. Miles Davis ishte në ballë të zhvillimeve muzikore të mëdha në Jazz me grupet e tij muzikore, duke përfshirë Bebop, Cool Jazz, Modal Jazz dhe Jazz fuzion.

Më 7 tetor 2008, albumi “Kind of Blu” i vitit 1959 mori certifikatën e katërt platinit nga Shoqata e Industrisë Regjistrimi në Amerikë, (RIAA) për dërgimin e të paktën katër milionë kopjeve të disqeve të tij në Shtetet e Bashkuara.

“Summertime” është një pjesë nga albumi ”Porgy dhe Bess” e muzikantit Miles Davis, botuar në vitin 1958 në Columbia Records. Albumi përmban rregullimet e bëra nga Davis në bashkëpunim me Gil Evans nga opera e George Gershwin “Porgy and Bess”. Për shumë kritikë të Jazz , “Porgy and Bess” konsiderohet si vepër historike.

Në vitin 1958, Davis ishte njëri prej muzikantëve të Jazzit më të pakënaqur me Bebop-in, duke parë ndryshimet e tij gjithnjë e më komplekse akordike si pengesa krijimtarisë. Pesë vjet më parë, në vitin 1953, pianisti George Russell botoi konceptin e tij kromatik lidian të organizimit të tonaliteteve, e cili ofronte një alternativë për praktikën e improvizimit bazuar në akorde. Kompozimi modal, me mbështetjen e tij mbi shkallë dhe mode përfaqësonte, sic shkruante Davis: “një për kthimin melodi”.

Një dëgjues kur dëgjoi “Summertime” nga “Porgy and Bees”, të luajtur nga Davis shkruan: “Ju mund të ndjeni flladin e verës duke prekur fytyrën tuaj nga muzika e Trombës së Davis”.

Marsalis

Wynton Marsalis, është trombist, kompozitor, mësues muzike dhe drejtori artistik i Jazzit në qendrën Linkoln në New York City. Marsalis ka promovuar shpesh muzikën klasike dhe Jazz në audienca me të rinj. Marsalis ka marrë nëntë cmime Grammys në të dy zhanret, atë klasik dhe Jazz. Marsalis është djali i muzikantit të Jazzit Ellis Marsalis.

Një dëgjues shkruan për Marsalis: “Faleminderit ju të gjithëve që më kujtuat mua se diskutimi për muzikën ndryshon subjektin prej tingujve në fjalë”. Marsalis arrin ti kthejë tingujt në fjalë.

Marsalis është një muzikant universal. Ai lot shumë mirë muzikën klasike dhe atë Jazz. Marsalis shquhet për teknikën shumë të lartë dhe një tingull të vecantë. Ai krijon nëpërmjet talentit të tij emocione të vecanta tek dëgjuesit. Marsalis e bën trombën të flasë, falë një kombinimi të artit muzikorë, aftësive dhe mendjes së tij, aftësive mendore dhe komunikimit.“Cherokee” e luajtur nga Marsalis, është një pjesë tipike me teknikë të lartë, ku dallohet qartë kthimi i tingujve në fjalë nga muzikanti i madh amerikan.

Sandoval

Arturo Sandoval është një trombist Jazzi, pianist dhe kompozitor. Ai ka lindur në Artemisa, Kubë.

Sandoval ndërsa jetonte në Kubë, ishte ndikuar nga legjendat e Jazzit, Charlie Parker, Clifford Brown dhe Gillespie. Ai e takoi më në fund Dizzy Gillespie në vitin 1977. Gillespie menjëherë u bë një mësues dhe koleg, duke luajtur me Arturo Sandoval në koncerte në Evropë dhe Kubë dhe më vonë në orkestrën e Kombeve të Bashkuara. Sandoval dezertoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Spanjë, në një turne me Gillespie në vitin 1990, dhe u bë një qytetar amerikan në vitin 1999. Jeta Sandoval ishte subjekt i filmit 2000 TV, “For Love or Country”: Ai aktualisht banon në Calabasas, Kaliforni.

“Aniversario” e luajtur nga Sndoval dhe Gillespie është një pjesë me teknikë të lartë komunikimi, ku Gillespie mentori i Sandoval dhe ai vetë lozin në një mënyrë të magjishme pjesën “Aniversario”.

Talenti i madh i Sandoval e ka udhëhequr atë që të lidhet me muzikantë shumë të mëdhenj, por ndër më të rëndësishmit është Dizzy Gillespie. Gillespie ka qenë idhtarë i muzikës afro-kubane dhe ka qenë “babai shpirtëror” për Sandoval. Sandoval shquhet për një talent brilant dhe një lojë të vecantë në instrumentin e trombës, sidomos për notat shumë të larta dhe natyrale. Ky ishte një historik modest për këto muzikantë të mëdhenj amerikanë të trombës të të gjitha kohrave në muzikën Jazz. /Albert Vataj / KultPlus.com

Arben Ramadani & Armend Xhaferi mbrëmë erdhën “Pa kornizë”, sollën një koncert që doli përtej limiteve

Era Berisha

Një mprehtësi e thellë e tingullit jo të zakonshëm që buronte lehtësisht dhe sillte një emocion të pakrahasueshëm që vendosej pikërisht përbrenda qenies së njeriut, erdhi mbrëmë nëpërmjet mbizotërimit të dy instrumentistëve kosovar, pianistit Arben Ramadani dhe kitaristit Armend Xhaferi, të cilët mbrëmë pushtuan skenën me madhështinë e muzikës xhaz e cila për herë të parë shkeli me këmbë në festivalin “Chopin Piano Fest”, shkruan KultPlus.

Në edicionin e dymbëdhjetë të festivalit, kjo është hera e parë që muzika xhaz ka një hapësirë tejet të veçantë në programin e larmishëm të tyre. E kjo ndërhyrje dukshëm solli me vete edhe një publik krejt ndryshe mbrëmë në sallën e Amfiteatrit të Ri të Bibliotekës Universitare. Ndonëse ndriçimi ishte i njëjtë si në katër netët paraprake, përsëri ishin dritat e ngrohta përreth dhe sipër skenës ato të cilat dukshëm iu vinin në ndihmë publikut i cili shikonte me ëndje interpretimin e dy instrumentistëve në skenë. Me reflektorë me ngjyrë të bardhë që vinin në pah logon e dizajnit në prapaskenë dhe dritën natyrale e cila gjithmonë rri e vendosur sipër hapësirës në publik, të pranishmit mirëpritën me duartrokitje e buzëqeshje një mbrëmje e cila vulosi këtë edicion me kujtime të paharrueshme.

Hapjen e kësaj mbrëmjeje të festivalit ‘Chopin Piano Fest’ e nisi drejtoresha organizative e festivalit, Besa Luzha e cila u shpreh se ndjehet mjaft e kënaqur që në mbrëmjen e pestë të këtij edicioni, është një natë krejtësisht ndryshe nga të tjerat, madje për të gjithë festivalin në përgjithësi.

Për të pranishmit të cilët nuk kishin dëgjuar akoma talentin e mirënjohur të dy instrumentistëve, ishte prezent dhe një libërth që përmbante fakte dhe informacione për pjesëmarrësit në edicionin e 12-të të Chopin Piano Fest. Ndërkaq, përpara se koncerti të shënonte fillimin e tij, skena ishte pushtuar nga tela të cilët janë të njohur për skenën e një koncerti xhaz. Të gërshetuar mes vete, ata ndihmonin për një audio më të mirë të kitarës që pas pak do të pushtohej nga kitaristi Armend Xhaferi.

Në skenë, doli kitaristi Armend Xhaferi i cili e nisi koncertin me një interpretim të dy pjesëve të xhazit dhe e përfundoi atë me një pjesë të vetë kompozimit të tij. Ky interpretim që u shoqërua gjithandej me një qetësi absolute nga ana e publikut, solli melodi të cilat i dhanë jetë skenës dhe e gjallëruan atë në një mënyrë tejet të çoroditur. Ishin tingujt ata të cilët këndshëm rrotulloheshin në atmosferë për të kapluar kështu gjithë vëmendjen e të pranishmëve ndaj vijës melodike sa të butë e të lehtë aq edhe intime.

Ndërkaq, kitara e cila ishte shndërruar në një trup të dytë në skenë krahas kitaristit, ishte ajo që mori vështrime ziliqare. E bukur në pamje, por madhështore në ndezjen e saj, ajo kaploi çdo shpirt të pranishëm nën vorbullën e saj magjike. E interpretimi mahnitës nga kitaristi Xhaferi bëri që pjesa e parë e kësaj mbrëmjeje të jehojë në plot katër muret e vendit dhe jo vetëm.

Gishtërinjtë mbi kitarë dukeshin se kishin marrë një elektrizim të tyrin i cili të jepte ndjenjën se nuk do të kishte fund. Që nga fillimi e deri në përfundim, ata nuk pushonin lëvizjet e tyre precize të kontrolluara nga vetë kitaristi. Ndërsa, ishin vetë shprehjet e fytyrës së tij dhe luhatjet e lehta trupore të cilat dëshmonin për një pasion të zjarrtë për muzikën xhaz. Përgjatë gjithë natës, ti nuk mund të definoje se kush kënd e kishte kapluar në një rënkim melodish. Kitara kitaristin apo e kundërta.

Gjithashtu, pjesa e dytë solli pianistin Arben Ramadani për një rikthim të fuqishëm në skenën shqiptare. Pas rreth shtatë vitesh, ai përsëri shkeli skenën shqiptare dhe e pushtoi atë me një interpretim të pashoq në piano. Prezenca e tij skenike dhe ndryshe nga të gjithë interpretuesit e tjerë, po tregonte për një talent që rrallëherë e gjejmë në mesin tonë. Pianoja përballë tij dhe ai përballë pianos, ishte një dyshe e mrekullueshme që qysh në sekondën e parë tërhoqi dëgjuesin e pranishëm pas vijës melodike.

Meloditë e pastra që vinin ëmbëlsisht nga instrumenti gjigand arrinin të hynin lehtazi përbrenda shpirtit të gjithsecilit. Me një kompleks tingullor, pianisti interpretoi vepra të cilat erdhën krejtësisht ndryshe nga që e prisnim. Introverte në thelb, por aq të fuqishme në atmosferë, veprat e performuara sollën një koncert pianistik që asnjëherë nuk është shfaqur më parë. Nata e mbrëmshme dukshëm la përshtypje të jashtëzakonshme tek publiku kosovar dhe kjo vërehej më së miri edhe atëherë kur të gjithë sytë e pranishëm nuk po largoheshin aspak nga skena e cila ishte e dekoruar me lule shumëngjyrëshe të cilat njëlloj portretizonin llojllojshmërinë e tingujve dhe melodive që buronin nga pianoja.

Eleganca e pianistit Arben Ramadani nuk erdhi vetëm nëpërmjet qëndrimit të tij skenik, ajo u shfaq dhe në lojën e tij pianistike. Vija e tij melodike që posedonte një qartësi të paparë po e fuste publikun në një drithërimë sa të lehtë aq edhe frymëzuese. Karakteristik në lëvizjet e tij, pianisti zotëronte një teknikë autentike të vetën, gjë kjo që të gjithë sallën e shndërroi në pronësinë e tij muzikale. Me sy e vesh drejt skenës, të pranishmit u magjepsën pas jo vetëm instrumentit bardh e zi, por edhe pas pianistit që këtë instrument e bënte të dukej i vogël në krahasim me talentin e tij.

“Chopin Piano Fest” po vazhdon që edhe në natën e pestë të tij të dëshmoj një kapacitet të lartë të profesionistëve kosovarë në muzikë, për të cilët publiku dukej se ishte i etur për t’i parë e dëgjuar.

Kështu, krejt në fund, vepra e cila përmbylli natën në mënyrë fenomenale ishte kënga “Martesa jonë”. Kjo këngë e dëgjuar sa e sa herë përmes zërave më të njohur shqiptarë, mbrëmë erdhi nga dueti unik i pianistit Ramadani dhe kitaristit Xhaferi. Interpretimi i tyre aq i afërt me njëri-tjetrin erdhi në një nivel që se kishim dëgjuar e parë më herët. Një emocion i rrallë në skenë u ngjall nga kjo dyshe e cila gërshetoi pianon dhe kitarën në një këngë shqipe që shënoi fundin e kësaj mbrëmje madhështore.

Ky koncert në thelb përmbante disa vepra popullore dhe “Nokturna” të kompozitorit Frédéric Chopin, në fakt nuk kishte një përmbajtje të saktë të programit, për arsye se dyshja me dëshirën e tyre sollën improvizime në vepra të ndryshme të xhazit. Kjo ndodhi me qëllim që gjithçka të ishte spontane jo vetëm në skenë por edhe në muzikë. Kjo padyshim që solli një koncert tejet unik, duke filluar nga vetë programi që ishte i titulluar “The story of Arben” dhe “The story of Armend”. Ndërsa vetë koncerti erdhi në emërtimin “Pa kornizë”, një emërtim ky i saktë për këtë mbrëmje që me të vërtetë doli përtej limitit dhe solli një interpretim shpirtëror dhe tejet personal të vetë instrumentistëve.

Pas këtyre perfomancave të shumta ku secila erdhi në një frymë ndryshe, ishin duartrokitjet dhe brohoritjet e shumta ato të cilat u bënë pjesë kyçe në hapësirën e publikut i cili u ngrit në këmbë dhe vazhdonte të falënderonte të dy instrumentistët.

Për të treguar më shumë rreth natës së mbrëmshme, për KultPlus foli dirigjenti Edon Ramadani i cili e vlerësoi lartë këtë dyshe.

“Kjo është diçka e re përbrenda festivalit. Është diçka shumë e bukur sepse edhe unë shpesh kam eksperimentuar dhe jam adhurues i të dy zhanreve, klasikes dhe xhazit. Arbeni është një pianist shumë i veçantë duke marrë parasysh se në interpretimin e tij ka edhe shumë ngjyrime të impresionizmit dhe klasicizmit. Ai është edhe një njohës shumë i mirë i polifonisë së barokut dhe të gjitha këto ai i shfrytëzon shumë bukur dhe krijon një stil unik të vetes si xhaz pianist”, thotë Ramadani.

Sipas tij, publiku kosovar e mirëpret shumë mirë muzikën xhaz dhe natyrisht është shumë i etur për të dëgjuar këtë zhanër në mungesë të koncerteve dhe festivaleve xhaz.

Ndërkaq pianisti Arben Ramadani për KultPlus tregoi emocionet e tij për një rikthim në vendin e tij si dhe bashkëpunimin me kitaristin.

“Është shumë emocionues rikthimi pas shumë viteve në një vend ku unë kam lind dhe kam performuar në prani të audiencës shqiptare. Unë ende e ndjej veten këtu dhe jam i lidhur në njëfarë mënyre mistike me këtë vend. Andaj, ky ka qenë rast shumë i qëlluar. Ne me Armendin kemi ushtruar dje dhe menjëherë kishim një interaksion të paparë me të në muzikë”, thotë ai.

Arbeni tregoi tutje se programi ka qenë jo i planifikuar por një improvizim i hapur, gjithmonë duke u bazuar në disa shtylla.

Po ashtu, kitaristi Armend Xhaferi për KultPlus shpalosi përshtypjet e tij pas një koncerti të tillë.

“Kjo është hera e parë që po marr pjesë në një festival të muzikës klasike. Ishte një kënaqësi e madhe për të performuar me Arbenin sepse kemi pasur dëshirë qysh herët që të performojmë së bashku. Kryesisht ideja ishte që të mos shkojmë me muzikë të përgatitur që në njëfarë mënyre të nxjerrim muzikën që na është mbledhur në shpirt tash e sa vite. Donim që muzika të dilte spontanisht”, thotë Xhaferi i cili tutje tregoi se kjo është hera e parë që ata të dy interpretojnë së bashku në një koncert.

Chopin Piano Fest’ gjatë këtij edicioni do të prezantojë edhe 10 koncerte të tjera në vazhdim. Nata e gjashtë e këtij festivali vjen më datë 20 maj ku do të interpretojë pianisti gjerman, Florian Uhlig në një mbrëmje “Piano Recital” në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare, duke filluar nga ora 20:00. / KultPlus.com

Prej jazz në shqiptaren

I.

II – Prej jazz në shqiptaren

Nga Ballsor Hoxha

Bregoviq, dhe muzika e tij në Korçë e Tiranë (para disa viteve) duke shpërfaqur kompleksin e të qenit shqiptarë, është dhembje e këtij qëniesimi, apo keqkuptim i të qënit shqiptarë? Atëherë çka do të thotë tërë kjo përsiatje mbi serben, nëse e tëra është një dhembje e thellë, e të qenit serb. Çka do të thotë e tëra nëse po humbim një dëshmi të vetme të mundshme të të qenit shqiptarë në të vërtetë. Por a mund të jetë kjo tranzicion i kongicionit, e që në të vërtetë është kalim në kognicion selektiv apo të kufizuar. Dhe me këtë tranzicion i qëniesimit shqiptarë.

Nëse muzika lindi si liri, pse duhet ta kontrollojmë atë, me teknikë profesionale apo teknologjike? Është apori e njeriut, si edhe  qëniesimi i tij. Është pikërisht kjo apori që mund të na shërbejë si gjurmë për të përsiatur mbi qëniesimin tonë, shqiptarë.

E tëra është domosdoja për kontroll. Duke qenë se muzika është zë, si mund të kontrollohet zëri? Apo nëse kjo është arritur dhe ngulitur në ne, si mund të kontrollohet përjetimi i dëgjuesit të saj?

Prej këtu, të pyetemi, çka është në të vërtetë muzika e Nexhmije Pagarushës dhe Vaçe Zelës? Çka është muzika shqipe, apo muzika që e njohim si muzikë shqipe? Nëse të dyjat ishin përpjekje për të shprehur shpirtin, psikën apo kulturën, përbrenda padrejtësisë (lexo: robërisë) në të cilën ishim gjendur, çka është muzika e Dafina Zeqirit sot?

A nuk është e njëjta gjë, përpjekje për të shprehur shpirtin, kulturën apo psikën bashkëkohore shqiptare? Të njëjtën gjë që bëri Pagarusha dhe Zela, për të ngadhënjyer mbi robërinë tonë, e që ishte muzika përmes skemave muzikore të kohës së saj, është duke e bërë Dafina Zeqiri, me huazimin e skemave bashkëkohore për të shprehur, apo ngadhënjyer mbi zhdukjen, zhbërjen dhe asimilimin shqiptarë. Pavarësisht se jemi në liri, pavarësisht se kemi ngadhënjyer, përpjekja për të shprehur shqipen është imperativ dhe nevojë esenciale.

Nëse improvizimi, apo ajo që në filozofi quhet spekulim, dhe shprehur në mirëkuptim si kreativitet, është vetë jazz, dhe kjo shprehja e cila ndërtoi njerëzimin nga modernizmi e këndej, dhe shprehja më e lartësuar dhe më e çmuar muzikore në botë sot, e prej një kohe të gjatë, kjo është karakteristikë dhe mënyrë e qëniesimit e të gjithë popujve dhe shoqërive të robëruara, e të ndalura, pavarësisht aktuales së tyre.

Është shprangosje dhe – çarje – tej robërisë, apo skemave muzikore të cilat e robërojnë po të njëjtën shoqëri të robëruar. Apo, sikur që ndodhi me jazz, është të qëniesuar, me qenë se ky nuk ndalet, përmes botës që e robëron.

Gjë që e kemi shumë të njohur, në përvojë dhe në qëniesimin tonë si shqiptarë.

Por, le ta marrim jazz, si gjurmë në zhbërjen e të tashmes, apo fuzionimin e të tashmes në të shkuarën dhe të ardhmen aq më shumë, në pafundësi prezencash. Që është pafundësi të vërtetash që e bëjnë të tashmen tonë.

Jazz është pikërisht ajo që bëri njerëzimi në tërë përvojën e tij: sajimi spontan i një skeme, mbi të cilën më vonë improvizoi një qëniesim të tërë.

Jazz është lufta dhe mbijetesa e qëniesimit të njeriut në një Tokë (sipas Heidegger) në të cilën nuk kemi kontroll. Në të cilën kemi sajuar dhe ndërtuar skemën e Botës (sipas Heidegger), për të fshehur pikërisht këtë mungesë kontrolli. Thënë më saktë këtë pafuqi tonën.

Jazz është të lundruarit në gjithë pafundësinë e të vërtetave, apo thënë saktë në padrejtësinë e të vërtetës.

Jazz është shprehja e njeriut i cili ka përjetuar ankthin e asgjësë, hiçit, dhe të pafundësisë së të keqes. Është qëniesim përballë kësaj pafuqie të njeriut. Dhe pikërisht për këtë një prej shprehjeve më autentike, më të besueshme dhe më të fuqishme të njerëzimit.

Kjo gjurmë jazz është edhe gjurma e përvojës së njeriut në Tokë, por edhe themel i ndërtimit dhe sajimit të Botës. Në atë se hasë dhe mbahet në naiven, primitiven dhe zanafillën e shprehjes së njeriut në Tokë, pavarësisht përkatësisë dhe të vetëdijshmes. Është vetë kujtesa e Tokës, dhe e Botës. Duke qenë se e tëra ishte humbur për afrikano – amerikanët, dhe jazz e riktheu tërë kujtesësn e përvojën e tyre.

Kjo gjurmë përmban edhe të shkuarën, të tashmen por edhe të ardhmen e njeriut. Në atë se është autentikja e krijimit dhe shprehjes së njeriut. Si skemë e improvizuar, dhe si improvizim i skemës.

Këto që u thanë për gjurmën e jazz, apo çka na thotë jazz si gjurmë, janë krejtësisht identike me muzikën shqiptare. Shprangosja, improvizimi dhe kujtesa e qëniesimit shqiptarë. Por, sikur jazz, po ashtu edhe shqiptarja, në përgjithësi a janë ndërtim mbi atë që ishte, apo huazim dhe asimilim i qëniesimit si ndër – kulturore, apo janë autentike?

Ajo që është më e qarta në tërë këtë, është përpjekja dhe ankthi jonë për të kontrolluar qëniesimin tonë. Si shqiptarë, si serbë apo si njerëzim. Të vetëdijshëm tanimë, me COVID posaçërisht, për pafuqinë tonë ndaj vdekjes, ne duhet të kontrollojmë edhe më shumë të qenit tonë.

Ne duhet të kontrollojmë edhe më shumë të qënit shqiptarë, apo serbë. Ne duhet të kontrollojmë çdo gjë. Ashtu siç kontrollohet romja në muzikën e Bregoviq, e që është kontrollimi i primitives dhe parakes në ne. Gjithherë duke vuajtur aporinë e të qënit: si kulturë, e kultura si ndalesë, derisa universalja e qëniesimit as nuk arrin të asimilohet tërësisht dhe as të harrohet. Apo në të vërtetë, dhembja e të qënit shqiptarë është veçim të cilin nuk e kemi zgjedhur, dhe zgjedhje për të ndjerë dhembjen. Dhe kur përpiqemi të harrojmë këtë, ne festojmë me Bregoviq. Sikur, kemi harruar ç’është të qenit shqiptarë. Apo ndoshta, sikur është e pamundshme sot të festosh të qënit shqiptarë. / KultPlus.com

94 vjet më parë lindi Miles Davis, artisti që bëri histori në muzikën xhaz

Miles Davis ka qenë kompozitor i shquar i muzikës xhaz. Ai është konsideruar si një nga figurat me më së shumti ndikim në historinë e xhazit në shekullin 20, shkruan KultPlus.

Vitet 50 kanë qenë shumë të suksesshme për të. Me albumin “Kind of blue”, ai arriti t’i shesë 5 milionë kopje në ShBA.

Davis ndihmoi në ngjalljen e popullaritetit të muzikës xhaz. /KultPlus.com

Ndërron jetë nga koronavirusi Lee Konitz, artisti i shquar i xhazit

Lee Konitz, një prej artistëve më të mëdhenj në botën e xhazit, ka vdekur në moshën 92-vjeçare në Lenox Hill Hospital të New York-ut nga koronavirusi. I lindur në Chicago në 13 tetor 1927, saksofinisti gjatë karrierës së tij të gjatë ka luajtur me më të mëdhenjtë duke filluar nga Miles Davis, Michel Petrucciani, Ornette Coleman dhe shumë të tjerë.

Ai është i famshëm mbi të gjitha për punën e tij me Mile Davis në vitet 1949 dhe 1950 për albumin “Birth of the Cool”, por karriera e tij filloi një gjeneratë më përparë. Puna e tij e parë e rëndësishme ishte si xhazistin në orkestrën e drejtuar nga Teddy Poëell.

Mentori i tij ishte pianisti i verbër Lennie Tristano. Ai ishte mik dhe koleg me Charlie Parker dhe ka punuar së bashku me muzikantë kalibri si Stan Kenton dhe Claude Thornhill. /KultPlus.com