Arrestohen edhe dy persona të tjerë të dyshuar për dhunimin e 11 vjeçares

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se janë arrestuar edhe dy persona të tjerë, të cilët dyshohet se morën pjesë në dhunimin e një 11 vjeçareje në Prishtinë, ngjarje e cila ndodhi sot, shkruan KultPlus.

Postimi i plotë:

“Me shqetësim kam pranuar lajmin për dhunimin e një vajze të mitur, 11 vjeçare, nga 5 persona për disa orë me radhë. Jam i vetëdijshëm për shqetësimin e drejtë të secilit prind e secilës vajzë në vendin tonë.

Nga Policia e Kosovës kam kërkuar angazhim maksimal për arrestimin sa më të shpejtë të të gjithë kryesve të këtij akti makabër dhe sapo u njoftova se janë arrestuar edhe 2 të tjerë. Koordinimi i të gjitha organeve kompetente është i domosdoshëm sepse nuk ka asnjë dilemë që dënimi ndaj këtyre kriminelëve duhet të jetë maksimal.

Nuk duhet dhe nuk do të tolerohet asnjë veprim që cënon jetën, integritetin dhe mirëqenien e të gjithë qytetarëve tanë. Vendi ynë duhet dhe do të jetë vend i sigurtë për të gjithë, sidomos për vajzat dhe gratë, dhe nuk ka asnjë alternativë tjetër”, thuhet në postimin e tij. /KultPlus.com

Largohen nga Kosova edhe 51 afganë tjerë

Këtë të diel janë larguar edhe 51 qytetarë nga Afganistani të cilët kanë qenë të strehuar në Kosovë.

Lajmin e ka dhënë ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, përmes një shënimi në Facebook.

“Sapo u përshëndetëm me 51 qytetarë afganë, të cilët i strehuam përkohësisht për disa javë në Republikën e Kosovës. Si pjesë e marrëveshjes me Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ata do të vazhdojnë rrugëtimin e tyre për një jetë më sigurt dhe më të mirë në SHBA”, është shprehur Sveçla.

Ministri i Brendshëm thotë se do të vazhdojë bashkëpunimi me NATO-n për transferimin e afganëve nga Kosova.

“Qeveria e Kosovës, bashkë me NATO-n dhe Qeverinë e SHBA-ve, do të vazhdojë bashkëpunimin edhe më tutje, për të realizuar me sukses transferimin e qytetarëve afganë nga Kosova për në vendet e tjera”.

Sveçla shton më tej se Kosova do të ndihmojë në ndërtimin e paqes dhe stabilitet në rajon.

“Jemi të përkushtuar për një shoqëri demokratike dhe që bashkë me aleatët tanë të ndihmojnë në ndërtimin e paqes dhe stabilitet në rajon dhe më gjerë”, ka shkruar tutje Xhelal Sveçla.

Nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, të enjten ishin larguar drejt Mbretërisë së Bashkuar edhe 117 shtetas afganë, të cilët  ishin strehuar në Kosovë. / KultPlus.com