Poeti Xhevahir Spahiu nderohet me titullin “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, sot ka akorduar titullin “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, për poetin Xhevahir Spahiun, shkruan KultPlus.com

Ka qenë vet Spahiu i cili ka bërë publik këtë lajm teksa ka falënderuar atë dhe gjithë bashkëpunëtorët e tij që kanë qenë pranë tij në këtë ditë. Titujt e tillë zakonisht jepen në raste kur personalitetet të ndryshme në sferat e tyre tregojnë suksese ashtu siç ka treguar ndër vite edhe Xhevahir Spahiu.

“Presidenti i Republikës, zoti Ilir Meta, më akordoi sot titullin “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”.
E falënderoj presidentin dhe gjithkënd prej miqve, shokëve, poetëve e artistëve që ishin pjesë e këtij gëzimi” , ka shkruar Spahiu në Facebook.

‘Abetare, Abetare, sillma diellin në dritare’

Poezi nga Xhevahir Spahiu

Abetare, Abetare,
Sillma diellin në dritare!

Lehtë, lehtë
e bukur, bukur,
Dora ime sa e lumtur;
Hap një faqe,
kthen një fletë,
Nëpër shkronja –
Bota vetë.

Rrjedh në fjalë plot kumbim
Gjuhë e lasht e vendit tim.

Me ty mendjen lartësoj
Me ty zemrën e gëzoj,
Bëhem zog e fluturoj.

Abetare, Abetare,
Ti je dielli në dritare. / KultPlus.com

Rekuiem për orën 6…

Xhevahir Spahiu

Ora 6
Akrepat si dy krahë të hapur që presin
dhe ti s’po vjen
ti s’po vjen as në 6 e një minutë
në 6 e dy minuta vetmia ish me mua
unë isha me vetminë në 6 e tre minuta
në 6 e katër bota ishte po ajo
6 e pesa i ngjante 6 e gjashtës si dy pika uji
6 e shtatë, 6 e tetë, 6 e nëntë, 6 e dhjetë
Ti s’po vjen
S’po vjen
S’vjen
në 6 e pesëmbdhjetë
hodha sytë si dy vetëtima në fushën e orës së qytetit
akrepat u thyen si dy krahë të një zogu
që s’ekziston

Unë morra pikëllimin për dore
dhe ika/KultPlus.com

Borxhet e mia

Xhevahir Spahiu

Do të vdes,
do të vdes i mbytur në borxhe,
s’është asgjë mbytja në lumë, a në dhomat e gazit
I kam borxhe nënës që s’ia ngrita varrin,
i kam borxhe lisit që s’ia hodha pjergullën,
i kam borxhe dashurisë që ia vodha të dielën,
i kam borxhe krimit që s’i vura emër.

Do të vdes,
do të vdes i mbytur në borxhe.
I kam borxhe fjalës që s’e pashë në ëndërr
i kam borxhe korbit që s’ia zbardha pendët,
i kam borxhe vitit ’13 që s’ia mbylla plagët
i kam borxhe ardhmërisë që ia lashë tek pragu
terrin e një kohe të largët.

Do të vdes,
do të vdes i mbytur në borxhe.
U kam borxh të gjallëve,
u kam borxh të vdekurve;
gurin e varrit e shes
të laj borxhet.

Dhe vë pikën këtu.
Tani mund të flisni
për borxhet që më kini ju./KultPlus.com

Dil

Poezi nga Xhevahir Spahiu.

Kur s`i qesh buza buzëqeshjes,
Kur dhe vetmia zë vetmohet
Ti rri ngujuar brenda heshtjes,
Po tjetërkush për ty ngujohet.

Je gjeth i degës hijerëndë,
Je dru i pyllit që nuk sos
Nga zëra njerëzish rrafsh iu shembën
të lashtat mure Jerikosë.

Dikush për ty përbluan urinë
Mos ndjejnë uri as zogjtë, as ti.
Ti – një shushamë në suferinë,
ngujuar brenda vetes rri.

Dil sa pa rënë nata e gjatë,
sa pa të marrë harrimi osh,
Në këtë botë të pamatë
Të rrosh, përkthehet të luftosh!

Xhevahir Spahiu shpërthen në lot kur lexon lajmin e vdekjes së Fatos Arapit

Ditën e sotme u nda nga jeta në moshën 89 vjeçare shkrimtari i njohur Fatos Arapi.

Miku i tij, poeti Xhevahir Spahiu ka shpërthyer në lot kur ka lexuar lajmërimin e vdekjes ngjitur pas një shtylle.

Këtë imazh është kujdesur ta përjetësojë gazetari Zylyftar Hoxha duke na përcjellë të gjithëve emocion e dhimbje.
Xhevahir Spahiu nuk qan vetëm për humbjen e mikut të tij por edhe për fundin e një gjenerate shkrimtarësh e poetësh që me penën e tyre, tejçuan shpirtrat e gjithkujt dhe i dhanë ngjyra letërsisë shqipe./ KultPlus.com

Si e përjetoi Dritëro Agolli sëmundjen e Xhevahir Spahiut?

Në kohën kur poeti Xhevahir Spahiu kaloi një sëmundje jo të lehtë , Dritëroi , me optimizmin që e shquante në çdo situatë sado të vështirë, i shkruante mikut të tij, Xhevos, plot humor:

D: – Si je, o Xhevo? Xhevua qesh.

D: – Jam Dritëroi. Mos u mërzit. Do të të hapet në mendje një vidhë që do ta shpjesh poezinë në një shkallë më të lartë; do të bësh një poezi të çuditshme. Përsëri Xhevua qesh.

D: – Edhe unë u sëmura dhe u shtrova në spital për 11 ditë. Unë e humba jo vetëm mendjen, po edhe këmbët, por m’u hap një vidhë në tru: vidha e të shkruarit aforizma, dmth fjalë të urta. Xhevua qesh dhe thotë: -Ashtu.

D: – Nuk dua të të shqetësoj. Së shpejti do të vij të të vizitoj me helikopter, se këmbët mezi më punojnë.

Letrat me këto shënime janë bërë publike nga e bija Elona Agolli. / KultPlus.com

Parlamenti

Xhevahir Spahiu

Atje brenda,
pas mureve të trasha,
pas mureve të rënda,
atje brenda,
thonë natën e varrosnin,
thonë ditën e përsosnin,
sa shpresa,
sa ëndërra,
atje brenda.
Atje brenda?
Një mëngjes u gdhinë të tmerruar,
panë se vetveten e kishin harruar
dhe nisën vetveten
nga gjumi
ta zgjonin,
ta miklonin,
të kërkonin:
kush vila, kush plazhe, kush paga të larta,
kush blloqe të reja, avione, parajsa,
duart dhe këmbët
si në ethe i shtrinin.

Ferrparajsa

Poezi e shkruar nga Xhevahir Spahiu

Pa pikë pezmi vdes qysh nesër
po fundja fatit pse t’ia prish
Pushtoma shpirtin, verë e vjetër,
më lidh me pranga perëndish.

Shkëlqen parajsa përmatanë,
s’ka ferr e terr e tmerr pa fre,
se nga të gjithë qe shkuan e vanë
asnjë s’u kthye prapë mbi dhe.

Por cfarë mërzie e përzishme
rrafshirë e botës n’ameshim!
Pa pabesi të befasishme,
Pa një përplasje, një tundim.

M’u ndiz në deje zjarr i are,
me prush e afsh më përkëdhel.
Njëmijë demonë ta heqin zvarrë,
I zmbraps ky dufi yt rrebel!

Me yjet flet kur pret vetëm
në ferrparajsa gjithësish.
Plugoma shpirtin, verë e vjetër,
të thyej pranga perëndish.

Rekuiem për orën 6…

Poezi nga Xhevahir Spahiu.

Ora 6
Akrepat si dy krahë të hapur që presin
dhe ti s’po vjen
ti s’po vjen as në 6 e një minutë
në 6 e dy minuta vetmia ish me mua
unë isha me vetminë në 6 e tre minuta
në 6 e katër bota ishte po ajo
6 e pesa i ngjante 6 e gjashtës si dy pika uji
6 e shtatë, 6 e tetë, 6 e nëntë, 6 e dhjetë
Ti s’po vjen
S’po vjen
S’vjen
në 6 e pesëmbëdhjetë
hodha sytë si dy vetëtima në fushën e orës së qytetit
akrepat u thyen si dy krahë të një zogu
qe s’ekziston

Unë mora pikëllimin për dore
dhe ika!