Margariti: Xhubleta e gjithë njerëzimit, jo vetëm e jona

Në Pallatin e Brigadave u zhvillua sot mbrëmja e Xhubletës, tanimë pasuri e deklaruar e mbarë njerëzimit, nën mbrojtjen e UNESCO-s.

Dijebërja e veshjes së xhubletës që daton 4 mijë vjet para, tashmë është pasuri e gjithë njerëzimit.

Në ceremoninë e zhvilluar ishin të pranishëm ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, studiues, gra dhe vajza nga Malësia e Madhe të veshura me xhubletë, etj.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti në fjalën e saj tha se “ kjo veshje kaq magjike me kaq hijeshi e thjeshtësi i kthen këto gra në zana dhe këtë objekt në log bjeshkësh”.

“Për atë që jemi të gjithë krenarë sot dhe gëzojmë që tashmë xhubleta është e gjithë njerëzimit jo vetëm e jona është një gëzim i lidhur me mistiken që ky kostum madhështor mbart me vete. Sot e shikojmë këtë sallë të mbushur plot e përplot me dallgë  xhubletash, por dy vjet më parë u ndërgjegjësuam që nëse nuk do të lëviznim edhe xhubleta  rrezikonte të kthehej në një kujtim, në një  kornizë. Përballë këtij rreziku vrapuam ta kapnim kohën e humbur për ta kthyer shpëtimin e xhubletës në një mision”, nënvizoi Margariti.

Ministrja Margariti u shpreh se “ishte një mision që nuk do të arrinim ta bënim vetëm. Falënderoj të gjithë miqtë që na u bashkuan për përgatitjen e 4 dosjeve për në UNESCO”.

“Xhubleta nuk është thjesht një rend, është një kod ato e qepin me një harmoni përsosmëri me ato kallëpet që po mundohemi t’i zbulojmë se cilat janë ato magjitë e të gjitha formave perfekte e kësaj kambane që tingëllon bukur në trupin e tyre dhe lëviz ajri në mënyrë të magjishme”, tha Margariti.

Gjatë mbrëmjes së organizuar në ambientet e ministrisë vajza e gra treguan për të pranishmit teknikat e qepjes dhe qëndisjes së xhubletës.

Tole Lekaj Berisha, 96 vjeçarja nga Tuzi, rrëfeu për vlerat e xhubletës 400-vjeçare.

“Xhubletën e kam mësuar 70 vite më parë dhe nuk e kam lëshuar kurrë. Nuk e mendoja se do të vinte kjo ditë edhe pse e kam dashur me zemër. E kam punuar këtë veshje me qejf ditë e natë, që kjo kulturë të përhapet e mos të humbasë”, tha ajo.

E moshuara në formë mirënjohjeje i ka dhuruar Kryeministrit Edi Rama një xhubletë të punuar nga duart e saj, e cila iu dorëzua ministres së Kulturës.

Ministrja Margariti tha se “do të jetë pjesë e koleksionit të muzeut të dhuratave të çmuara në Kryeministri”.

Xhubleta shqiptare katërmijëvjeçare u pranua në 28 nëntor të këtij viti në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale nën mbrojtjen e UNESCO-s. Veshja simbol e trashëgimisë tonë është tashmë pasuri e gjithë njerëzimit.

Xhubleta njihet si veshje tradicionale e grave të Malësisë. Dosja e dijebërjes artizanale të xhubletës u dorëzua në UNESCO vitin e kaluar, për shkak se veshja tradicionale unike po rrezikonte të humbiste.

Xhubleta është një veshje e punuar me dorë, e veshur nga gratë dhe vajzat në Shqipërinë e Veriut, e karakterizuar nga forma e saj e valëzuar e ziles. Kryesisht e zeza me motive shumëngjyrëshe të qëndisura, procesi i përpunimit përfshin përgatitjen e shajakut, prerjen, qepjen dhe qëndisjen e figurave simbolike. Xhubleta dikur përdorej në jetën e përditshme që nga mosha e pubertetit. Ajo tregonte statusin social dhe ekonomik të mbajtësit. Megjithatë, përdorimi dhe prodhimi i saj ka qenë në rënie gjatë dekadave të fundit për arsye socio-politike dhe ekonomike.

Politikat e reja të vendosura nga sistemi socialist në vitet 1960 ndryshuan modelet tradicionale kulturore duke sjellë ndryshime në jetën e përditshme të komuniteteve malore dhe përdorimin dhe prodhimin e xhubletës.

Duke qenë se gratë duhej të punonin në kooperativat socialiste bujqësore, xhubleta nuk ishte më praktike për jetën e përditshme. Për më tepër, kolektivizimi çoi në mungesën e lëndëve të para për prodhimin e tij. Sot, pak gra kanë njohuri për të gjithë procesin dhe transmetimi tradicional i bazuar në familje është i rrallë. Megjithatë, veshja ka ruajtur domethënien e saj shoqërore dhe shpirtërore dhe ende konsiderohet pjesë përbërëse e identitetit malësor./atsh/ KultPlus.com

Xhubleta shqiptare e UNESCO-s “zbret” në Lezhë

Pas shpalljes si pasuri botërore në UESCO, vëmendja dhe interesi për të është rritur ndjeshëm.

Në aktivitetin e zhvillua në memorialin “Gjergj Kastrioti” kryefjalë ishte sërish xhubleta. Rita Shkurtaj, drejtuesja e shoqatës Xhubleta e Alpeve Shqiptare rrëfen misteret e saj.

“Për të folur për xhubletën duhet një natë dimri themi ne malësorët. Ndihem shumë krenare për këtë punë, përgjegjësi dhe bashkëpunim reciprok që kemi mes vete. Këtu ka shumë malësorë dhe ajo që na mban të lidhur është kjo xhubletë.”, tha Shkurtaj.

Prej 30 nëntorit xhubleta shqiptare dhe dije bërja me histori 4 mijë vjeçare, është marrë në mbrojtje nga UNESCO. /abcnews.al/ KultPlus.com


Për një xhubletë, deri në nëntë muaj punë

File Kola ishte 8 vjeçe kur nisi të mësonte nga e ëma dhe tezja se si bëhej xhubleta, ndërsa si 10-vjeçare u ul të punonte në tezgjah.

Xhubleta është një veshje e punuar me dorë, që vishej nga gratë dhe vajzat malësore në Shqipërinë e Veriut, por edhe në një pjesë të Malit të Zi dhe Kosovës.

Është kryesisht e zezë, e punuar në masë të madhe me pëlhurë leshi dhe me motive të qëndisura shumëngjyrëshe. Karakteristikë e saj është pjesa e poshtme në formë të kambanës.

Filja, sot 70 vjeçe, kujton ende në detaje gjithçka nga procesi i bërjes së një xhublete.

“E zgjidhnim leshin e deles ku ishte më i miri, e shprishnim, e lënurnim dhe e tirrnim. Mjetet që duheshin për ta përgatitur xhubletën, ishin: koshi i spikut, veku dhe vajanica. Tirku bëhej në vek [tezgjah] dhe kur përfundonte, e çonim në vajanicë, që ka qenë një vegël prej druri… Ishin si dy çekiçë prej druri që komandoheshin nga forca e ujit, godisnin tirkun dhe krejt copa ngjeshej”, kujton Filja për Radion Evropa e Lirë.

Javën e kaluar, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) e mori nën mbrojtje xhubletën.

Kjo veshje, e vjetër 4 mijë vjet, dikur përdorej në jetën e përditshme.

Megjithatë, përdorimi dhe prodhimi i saj ka qenë në rënie gjatë dekadave të fundit, si për arsye socio-politike, ashtu edhe për arsye ekonomike.

Filja kujton se në kohën e rinisë së saj nuk kishte bojëra për të ngjyrosur leshin e deles, por se ato bëheshin duke zier lëvozhga verri, gjethe frashri, si dhe një gur me ngjyrë blu që thotë se quhej karaboj.

Tetë xhubleta në pajë

“Unë jam martuar me xhubletë dhe kam pasur tetë xhubleta në pajë. Më e mira ishte ajo që vesha kur u bëra nuse dhe e përdorja kur kishim festa. Xhubleta pas së mirës ishte ajo që e vishja kur të afërmit na ftonin në dreka dhe darka, ndërsa të tjerat i kisha për t’i mbajtur përditë”, thotë Filja.

Me keqardhje, ajo tregon se sot i ruan vetëm dy prej tyre.

“Ishin kohë të vështira, varfëri… Të besohet që gjashtë xhubleta i kam prishur dhe me to kam bërë qilima, apo shtrojë, apo mbulojë? Më vjen të qaj kur e kujtoj. Më janë dhimbsur shumë kur i kam prishur se i kisha bërë me këto duar, por nuk kam pasur rrugë tjetër”, thotë Filja.

Ajo nuk jeton më në fshatin e saj të lindjes, Vermosh, ku edhe mësoi zanatin, por në Shkodër – qytet në pjesën veriore të Shqipërisë.

Për ta ruajtur këtë traditë, por edhe për të siguruar të ardhura për veten dhe bashkëshortin, Filja, në shtëpinë e saj, vazhdon të qepë xhubleta dhe tirq – veshje që dikur përdornin burrat malësorë.

Ajo thotë se numrin më të madh të porosive e ka nga emigrantët në Shtetet e Bashkuara.

“Ata i duan xhubletat dhe tirqit ashtu siç kanë qenë dikur, origjinale. Është një punë që merr shumë kohë. Një xhubletë e shes 3 mijë dollarë, por kjo shifër është qesharake, krahasuar me punën që bëj. Më duhet t’i blej stolitë, t’i mbledh nëpër zona të ndryshme, dikush shet një varëse, dikush hajmalinë, dikush postavën, apo brezin e hekurit që kanë mbajtur gratë dikur…”, rrëfen Filja.

Ajo thotë se më së shumti punon imitime të xhubletës, pasi kështu mund t’ia dalë për të siguruar më lehtë të ardhura. Për ta qepur atë në formën origjinale, thotë se i duhet mbështetje edhe nga institucionet.

Xhubleta për raste të ndryshme

Rita Kalaj Shkurtaj, kryetare e Shoqatës Kulturore “Xhubleta e Alpeve Shqiptare”, ka intervistuar rreth 150 gra të moshuara në zonën e Malësisë së Madhe dhe në Mal të Zi për teknikën e punës së bërjes së xhubletës.

Dhe, gjithçka që ka të bëjë me të, e ka dokumentuar në një botim.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ajo tregon se për të punuar një xhubletë dasme apo festash, janë dashur gjashtë deri në nëntë muaj kohë.

Xhubletat e përditshme, thotë ajo, kanë kërkuar më pak kohë, sepse nuk kanë pasur punime të veçanta dhe qëndisje.

“Xhubleta e ‘vdekjes’ [që ruhej dhe vishej kur varrosej një grua] gjithashtu ka kërkuar kohë, sepse ka pasur shumë punime në pjesën e përparme të saj”, thotë Kalaj Shkurtaj, studiuese dhe sipërmarrëse në ruajtjen dhe kultivimin e xhubletës. Një prej grave që ka intervistuar ajo, ka qenë edhe Age Vuktilaj, sot 94 vjeçe.

Ajo ka treguar në detaje dijen e saj dhe është ndër të rrallat që mban gjallë teknikat më të hershme të bërjes së xhubletës.

Kalaj Shkurtaj thotë se ajo dhe shumë gra të tjera të zonës së Kelmendit të Malësisë së Madhe, që dinë të bëjnë xhubleta, kanë emigruar në SHBA.

Shumë artizane e kanë rikthyer këtë traditë, por një pjesë e tyre nuk punojnë me material origjinal – ose riciklojnë xhubleta të vjetra, ose bëjnë imitime të tyre.

Rikthehet tradita e daljes së nuses me xhubletë

Në zonën e Kelmendit, pjesa veriore e Shqipërisë, shumë familje i ruajnë xhubletat e hershme.

Dilë Vaçaj, 69 vjeçe, nga fshati Vermosh, ruan ende xhubletën e nënës së saj, si dhe pjesët që e shoqërojnë: bohçja e kuqe, pështjellaku i zi, kraholi, gryksa, kapica me ruba, çorapet e qëndisura e të tjera.

“Është e vështirë ta mbash dhe ta veshësh. Xhubleta duhet palosur me kujdes që konet e saj të rrinë në pozicionin e duhur. Jo kushdo di ta ruajë dhe ta veshë. Jam shumë e gëzuar që po rritet interesi për këtë veshje të mrekullueshme. Sivjet, një vajzë në Kelmend erdhi dhe kërkoi xhubletë që të dilte nuse me këtë veshje”, thotë Dilja.

“Ta shohësh një nuse nga afër me xhubletë, ishte shumë bukur”, shprehet ajo.
Një prej stolive që ruan, është edhe varësja e mashave.

“Xhubleta ka pasur shumë qëndisje dhe shumë stoli. Peshonte rreth 14-15 kilogramë si veshje. Një prej stolive ishte edhe varësja e mashave, që gruaja malësore e mbante varur në qafë. Në fund të varëses është një si gërshërë e vogël. Me të, gruaja merrte një gacë nga oxhaku dhe ndizte çibukët e burrave në odë”, rrëfen Dilja.

Ajo thotë se një tjetër pjesë e stolive ka qenë edhe hajmalia, ku nuses i hidheshin napolona ari gjatë kërcimit.

Roli i institucioneve

Luljeta Dano është një prej anëtarëve të ekipit që dorëzoi dosjen e xhubletës dhe të bërjes së saj në UNESCO.

Pranimi në këtë organizatë, thotë ajo, nënkupton “obligim për realizimin e disa detyrave nga institucionet qendrore dhe lokale”.

“Duhet të ndërtojnë politika se si të rijetëzohet xhubleta në jetën kulturore, në politikat e turizmit. Më pas vjen përfitimi prej këtij vendimi. Do të prodhohen më shumë xhubleta me teknikën origjinale, do ta shohim këtë kryekostum të etnografisë shqiptare më të pranishëm në festa familjare, në tregun e turizmit etj.”, thotë Dano, koleksioniste dhe drejtore e Qendrës Antropologjike “Xhubleta”.

Më 29 nëntor, kur ka bërë publik lajmin për pranimin e xhubletës në UNESCO, ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, ka thënë se xhubleta nuk do të mbetet një relikt i së shkuarës, por se do ta ketë mbështetjen e institucioneve.

Në ueb-faqen e UNESCO-s shkruan se xhubleta përfaqëson një trashëgimi të kulturës nga ilirët te shqiptarët. Kështu, xhubleta është veshja më e hershme në Shqipëri dhe Ballkan. / KultPlus.com

Një xhubletë e ekspozuar në Muzeun Kombëtar të Kosovës. Kjo veshje shqiptare, e vjetër 4 mijë vjet, tashmë është nën mbrojtjen e UNESCO-s.

Në 110-vjetorin e Pavarësisë, Xhubleta shqiptare pranohet në UNESCO

Xhubleta shqiptare është regjistruar në UNESCO. Lajmin e ka dhënë, ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cila e ka cilësuar si një lajm të jashtëzakonshëm për trashëgiminë tonë kulturore.

“Pas një pune të gjatë, plot përkushtim të një grupi të madh bashkëpunëtorësh, dosja e dije bërjes artizanale të xhubletës u pranua në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale nën mbrojtjen e UNESCO-s.” shkruan Margariti.

Xhubleta shqiptare, e lashtë 4 mijë vjet, tashmë është pasuri e gjithë njerëzimit!

Postimi:

Xhubleta shqiptare në UNESCO

Një lajm i jashtëzakonshëm për trashëgiminë tonë #kulturore, si dhuratë në 110-vjetorin e Pavarësisë!

Pas një pune të gjatë, plot përkushtim të një grupi të madh bashkëpunëtorësh, dosja e dijebërjes artizanale të xhubletës u pranua në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale nën mbrojtjen e UNESCO-s.

Xhubleta shqiptare, e lashtë 4 mijë vjet, tashmë është pasuri e gjithë njerëzimit!./KultPlus.com

Xhubleta e thakut t’prem’

‘Në krahun e majtë të xhubletës, thekët janë të prerë. Thekët ia priste burri dhe kjo ishte shenja që ai e divorconte gruan, e cila për gjithë jetën e saj qe e detyruar ta mbante “Xhubletën me Thakun e prem’.

Nga Luljeta Dano

Këtë foto që duhet të jetë bërë në ekspozitën time të xhubletave, më 16 prill 2008, në Galerinë e Arteve, sapo e gjeta në Facebook dhe u gëzova, sepse gjithë këto vite kam pasur një peng. Në krahun e thekëve të prerë, xhubleta qe tërhequr me forcë dhe qe shqyer (shqepur). Më vonë, unë e qepa dhe hoqa mjaft fije floku të gruas që e kishte pasur veshur. Ishin flokë në ngjyrë të çelur, bojë gruri të artë. Po çuditesha me këtë grua që nuk i kishte ngjyer flokët të zeza, si gjithë gratë bionde që vishnin xhubletë. Kur procesi “i masakrës” time konservuese mbaroi, u kujtova se padashur kisha prishur një dëshmi të rrallë antropologjike. Ishte e pandreqshme ajo që kisha bërë, dhe nuk kisha të paktën asnjë fotografi të sajën.

Prof. Afërdita Onuzi, kur i tregova historinë time me xhubletën e thakut t’prem’ në një xhubletë të ngushtë të Dukagjinit, më tha se fenomeni ishte i shpeshtë. Natyrisht që në zemërim e sipër burri ia priste thekët, por ndodhte shpesh që të pajtoheshin dhe historia mbyllej brendapërbrenda pa e marrë vesh bota. Dhe, xhubletës i bëheshin një palë thekë të reja.

Zgjohesh në mëngjes, hap Facebookun dhe pas shumë vitesh e rigjen xhubletën e thakut të prem’, siç ishte, me shenjën e mëngës së majtë të shqyer…

Xhubletën e thakut t’prem’ e sjell si reference profesori Agim Bido, në librin e tij: Arti popullor në veshje e tekstile. Mbi këtë referencë, unë tregoj historinë time./ KultPlus.com

Shfaqet ekspozita për xhubletën, veshja më e vjetër shqiptare

Xhubleta nuk është thjesht një veshje, ajo është rit, kulturë shekullore, traditë.

Të vishje një xhubletë nuk ishte thjeshtë një rutinë e përditshme dhe për këtë ‘TI Center’ realizoi instalacionin “Riti i veshjes së xhubletës” e cila u ekspozua dje, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, në kuadër të Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore.

Xhubleta është një fund në trajtë këmbane, që vjen i valëzuar sidomos në pjesën e mbrapa. Përbëhet nga një numër i madh copash e rripash të ngushtë shajaku, qepur horizontalisht dhe të ndërthurur me breza gajtanësh. Mbahet e varur në supe me dy rripa të gjerë.

Në shek. XVIII, xhubleta përbëhej nga shumë ngjyra, por ato që na kanë mbërritur në ditët e sotme janë: të zeza për gratë dhe bardhë e zi për vajzat. Pjesë të tjera të kostumit me xhubletë janë: kraholinë, xhoka, kërdhokla, paraniku, kallmat e shputat, etj.

Xhubleta është me prejardhje të lashtë. Paraqet ngjashmëri me veshjen e disa figurinave neolitike të gjetura në Bosnje, por edhe në vise të tjera të Mesdheut, që i përkasin mijëvjeçarit te dytë para erës sonë dhe lidhen me qytetërimet e vjetra mesdhetare.

Xhubleta e Malësisë është trashëgimi e qartë e prejardhjes ilire të kulturës tone, që malësorët e përcollën deri në vitet 1950-1960, pra përbën një nga elementët identifikues të veshjes popullore shqiptare, nëpërmjet motiveve, ku emblema për të gjitha është shqiponja.

Ekspozita e instalacionit “Riti i veshjes së xhubletës” është një projekt i TI CENTER dhe është mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe Muzeu Historik Kombëtar.

Të pranishëm në aktivitet ishin ministrja e Kulturës Elva Margariti, ambasadori i BE-së në Shqipëri Luigi Soreca, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Dorian Koçi dhe personalitete dhe dashamirës të artit, kulturës dhe gazetarisë. / atsh / KultPlus.com