KultPlus ju sjell 25 vajzat dhe gratë e Kosovës që u shndërruan në zërin e vajzave, djemve, grave dhe burrave të Kosovës.
Vajzat dhe gratë e Kosovës po vazhdojnë të shkëlqejnë në fusha të ndryshme, duke shndritë nëpër botë.
Me rastin e 8 Marsit, KultPlus ka përzgjedhë 25 vajza e gra që nëpërmjet fjalimeve, performancës, muzikës, sportit, filmit e biznesit kanë ngritë dhe kanë përfaqësuar vendin në mënyrë dinjitoze, e duke shndërruar Kosovën në një Kosovë të artë, në një Kosovë që synon Oscar, në një Kosovë që me rrëfimet e nxjerra po nga ky vend, i ka treguar botës po për dhimbjen, kurajën dhe guximin e vajzave dhe grave të vendit më të ri në kontinentin e vjetër.
Po këto vajza dhe gra u shndërruan në inspirimin e shumë vajzave, djemve, grave e burrave, të cilët kuptuan se ëndrrat nuk duhet dhe nuk mbeten vetëm ëndrra.
Në vazhdim, KultPlus ua sjell xhudisten kosovare, Majlinda Kelmendi. E artë, Kelmendi mbylli karrierën si sportiste aktive për të vazhduar atë si trajnere.
Nën organizimin e Presidencës së Kosovës, është mbajtur ceremonia për nderimin e xhudistes Majlinda Kelmendi dhe kalimin e saj nga një sportiste aktive në arenën e sportit të xhudos në trajnere.
Federata Botërore e Xhudos po ashtu pati shkruar një artikull të veçantë për pensionimin e xhudistës së artë kosovare.
Qeveria e Republikës së Kosovës pati miratuar propozim – vendimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për shpalljen e Majlinda Kelmendit – qytetare me merita të veçanta.
Majlinda Kelmendi – me arritjet e saja në sportin e xhudos është shëndrruar në ikonën e suksesit kosovar, dhe është bërë shembull i shoqërisë tonë duke i thyer të gjitha tabut e vështirësive dhe sfidave në sport. Ajo i ka dëshmuar rinisë tonë, se kur punohet me përkushtim dhe qëndrueshmëri – suksesi është i pashmangshëm.
Gjatë karrierës së saj, ajo ka prekur majat e suksesit të sportit të xhudos në arenën ndërkombëtare.
Këto janë disa prej rezultateve të saja ndër vite:
-Kampione e botës për junior;
-Fituese e disa Grand Slams;
-Kampione e Evropës;
-Kampione e Botës; dhe
-Kampione Olimpike në Lojërat Olimpike Rio 2016.
Konsideruar kontributin që ajo e ka dhënë në promovimin e fushës së sportit në Kosovë, dhe në promovimin e shtetit tonë në arenën ndërkombëtare, Majlinda Kelmendi merr statusin e qytetares me merita të veçanta, dhe do të shpërblehet në vlerë prej 1,321.32 euro në muaj – vlerë e cila përkon me rrogën bruto të një Ministri/e në Kosovë. / KultPlus.com