Filmi “Yjet e së ardhmes” rikthen në kinema aktorët e njohur Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Reshat Arbana dhe Luftar Paja. Regjisori Edmond Topi trajton në film dialogun e munguar në shoqërinë shqiptare mes brazave, pa harruar mungesën e vëmendjes ndaj artistëve, që kanë kontribuar në artin e këtij vendi.
Filmi “Yjet e së ardhmes” me skenar të Uli Bree dhe regji të Edmond Topit vjen i përshtatur për publikun shqiptar nga sot në të gjitha kinematë e kryeqytetit. Vëmendja e regjisorit kësaj here është tek mosha e tretë, tek marrëdhëniet që ka ndërtuar shoqëria më këtë brez.
Prandaj, ai ka zgjedhur më së miri, që këtë komunitet “ta sjellë” në kinema nëpërmjet artistëve më përfaqësues të kinematografisë shqiptare. Por, kjo zgjedhje është bërë me vetëdije prej regjisorit, për të konkretizuar edhe vëmendjen e paktë, që ekziston për këta artistë të njohur në këtë periudhë tranzicioni, e cila paska qenë më e gjatë nga sa e ka menduar shoqëria shqiptare.
“Filmi tenton të orientojë vëmendjen e komunitetit pikërisht në ato vlera, që nuk lidhen me moshën, por me standardin profesional e qytetar dhe i referohet moshës së tretë për të tërhequr vëmendjen e publikut për nevojën dhe epërsitë e angazhimit të një brezi, mundësitë potenciale, të të cilit të panjohura ose të injoruara, përbëjnë energji të pallogaritshme në shërbim të zhvillimit qëndrueshëm dhe nxitjes së harmonisë shoqërore”, shprehet regjisori Topi për mediet.
Duke dashur të transmetojë mesazhin, se çdo moshë ka ëndrrat, mundësitë, sukseset dhe zhgënjimet e veta, filmi i vë brezat t’i ndajnë ato me njëri-tjetrin, shpjegon Mirela Oktrova, duke i afruar ata në komunikim intensivë për përjetime, vlera, plane, dështime dhe suksese të përbashkëta. Filmi tenton të sjellë kështu krejt natyrshëm dhe në mënyrë organike argumentin, se brezat mund të bashkëjetojnë shumë mirë nëse komunikojnë dhe njihen mes tyre. Dialogu i munguar në shoqërinë shqiptare dhe paragjykimet, që vijnë kryesisht nga mosnjohja, tentohet që në film të vijnë përmes situatës herë absurde, herë të papranueshme, herë tragjikomike, por jo rrallë edhe optimiste.
Përmes modelit të një grupi të moshuarish fillimisht në krizë vetmie edhe harrese, të cilët vullneti, këmbëngulja dhe dashuria për jetën i shtyn drejt një suksesi të pa ëndërruar, duke i shndërruar në heronj edhe për të rinjtë, filmi e sfidon komunitetin lidhur me qasjen shoqërore ndaj moshës së tretë: suksesi, lumturia e madje edhe dashuria as kanë dhe as njohin moshë, nëse tenton drejt tyre, ato mund t’i bësh të tuat deri në ditët e fundit të jetës… mjafton të duash, të kesh vullnet edhe të tentosh drejt tyre… Ky është një nga qëllimet e këtij filmi shpjegon Oktrova, e cila është konsulente artistike, në film.
“Kasti i aktorëve, si Gazmend Paja, Elia Zaharia, Tinka Kurti, Reshat Arbana, Margarita Xhepa, Luftar Paja, Ema Andrea, Karafil Shenaj, Sadush Ylli etj., kanë ndërtuar një ansambël harmonik në energji, talent dhe përkushtim, duke na transmetuar me çdo forcë dramat, pasionin, brengat dhe ngadhnimet e një jete të jetuar në dehje, në çdo rast dhe deri në fund. Tre breza artistësh, performojnë së bashku në një sfidë suksesi dhe mundësish, në një himn dashurie për jetën edhe besnikërinë ndaj ëndrrave të pajtuara”, shton Topi…/ KultPlus.com