Në ditëlindjen e pionieres së lirisë dhe dëshmores Ylfete Humolli e cila u vra nga forcat serbe me 1 shkurt gjatë demonstratave të 1990-ës kundër regjimit të Serbisë në Kosovë, vetëm pak ditë para se të festonte 17 vjetorin e lindjes, përfaqësues nga ambasada e Shqipërisë kanë vizituar sot familjen Humolli, shkruan KultPlus.
Kjo vizitë e bërë në fshatin e lindjes së Ylfetes, Llupçin e Poshtëm u kryesua nga ambasadori Qemal Minxhozi.
Por krahas Ylfetes, në familjen Humolli edhe Mentori 23 vjeçar ra në altarin e lirisë, disa vite më vonë në betejën e Koshares në 1999, në kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Në një postim të bërë në Facebook nga ana e faqes së Ambasadës së Shqipërisë në Prishtinë tregohet se ishte nëna e Ylfetes ajo që në këtë vizitë shpalosi kujtimet e së bijës, albumet e flamurin e saj.
“Me lot në sy, nëna heroinë, me shumë dashuri, mall e dhembshuri, shfleton albumet me fotografi, na tregon disa nga vizatimet e shënimet e Ylfetes, flamurin kombëtar të varur në mur, të qëndisur ndër vite, me shumë dashuri nga të gjithë fëmijët e familjes, midis tyre dhe Mentori e shumë e shumë kujtime të tjera. Heronjtë nuk vdesin kurrë, ata kanë vetëm ditëlindje.”, shkruhet në postimin e bërë nga ambasada./ KultPlus.com