Valdrin Thaqi në artin e regjisë, shpalosi shfaqjen surreale “Short poems and other tales”

Era Berisha

“Short poems and other tales”, titullohet shfaqja e cila u shpalos në kryeqytet këto ditë. Me një skenografi e tekst të veçantë, artisti Valdrin Thaqi i cili shpeshherë nëpërmjet artit vizual shpalos tema që lidhen rreth ballafaqimit me jetën e përditshme, duke shtruar pyetje të shprehive e të jashtëzakonshme në të njëjtën kohë, kësaj radhe vjen nën penën e një formati tjetër. Aq sa është i dhënë pas detajeve në piktura, aq ka qenë edhe në këtë shfaqje që e ka prodhuar vetë, shkruan KultPlus.

“Short poems and other tales”, ndeshet me identitetin dhe traumat kulturore. Është e mbështjellë me shumë simbolika dhe ngjarje surreale, por në thelb, është një përrallë klasike e një të riu që kthehet në shtëpi.

Është një shfaqje eksperimentale që prezanton disa mediume njëkohësisht, si: poezi, performancë, muzikë dhe imazhe. Megjithëse është një shfaqje shumë e shtresuar dhe jo gjithmonë ndjek një histori lineare, publiku ka pasur mundësinë të lidhet me temat universale që paraqet vepra.

Praktikat e artistit Thaqi ndërrojnë nga pikturat eksperimentale, skulpturat, instalacioni dhe intervenimi. Mirëpo, kësaj here na shpalos dhuntinë e artit regjisorial.

Premiera e shfaqjes qe më 24 tetor në katin e gjashtë të hotelit Grand. Vendi qe i mbushur plot, për të parë nga afër krijimin e bukur të artistit Thaqi. Pamjet vizuale janë ato që fillimisht shpojnë atmosferën këndshëm. Pastaj, gërshetimi i koreografisë me muzikën rrëqethëse, ka zgjuar emocione të shumta brenda katër mureve. Si një vegim i kamotshëm, teksti lulëzon mbi diçka unike që vjen nga brendësia e Thaqit, i cili me mjeshtëri ka prezantuar një shfaqje që kalon përtej “normales”. Ai arrin të krijoj një paralel mes reales dhe imagjinatës, në të cilën audienca mund të hyjë e të dalë, kur të dojë.

Në një intervistë për KultPlus, ai na tregon se shfaqja është shkruar nga vetë ai, vitin e kaluar në Berlin. Fillimisht, e ka menduar si një përmbledhje me poezi të shkurtra dhe tregime imagjinare, por tanimë ka gjetur dritën si një shfaqje tradicionale.

Shfaqja konsiderohet të jetë gjysmë-autobiografi, e frymëzuar nga ngjarjet e vërteta, qofshin ato ngjarje të përditshme apo nga mendimet e tij të përsëritura. Por, padyshim që është e përzier me elemente të fantazisë që ndërlidhen me kujtimet dhe ndodhitë nga jeta personale e artistit Thaqi.

“Short poems and other tales”, interpretohet nga dy aktorë: Art Pasha në rolin kryesor dhe Klara Grapci, me Ensar Lutaj valltar, si dhe tre muziciente live: Viola Rrecaj në piano dhe tastierë, Yll Krasniqi në bas kitarë dhe Lum Veseli në bateri.

Në qendër të shfaqjes është Arti, personazhi kryesor, ndërsa Klara dhe Ensar përfaqësojnë aspekte imagjinare të mendjes së tij – Klara anën pavetëdijshme të tij dhe Ensar, (përmes kërcimit), anën ëndërrimtare të tij.

Dinamikat e personazheve janë të dallueshme: Arti mbetet kryesisht i palëvizshëm, ndërsa Klara dhe Ensar lëvizin rreth tij, duke ndërvepruar dhe duke i dorëzuar objekte.

Ky kontrast në lëvizje zbulon botën e brendshme të tij, me dy karakteret tjera që mishërojnë mendimet dhe imagjinatën e tij. Për më tepër, një ekran shfaq Artin të heshtur, të izoluar, duke sugjeruar një person të vetëm që ndërton skenën përreth tij. Në thelb, gjithçka që ndodh në skenë pasqyron mendimet e brendshme të personazhit të sjella në jetë.

Frymëzimi për emrin e shfaqjes vjen nga një seri lektyrash që i kam dashur shumë qysh si fëmi, ‘Poezi dhe Tregime të Shkurtra’. Më ka pëlqy tepër, sesi çdo faqe e librit ofronte tregime të ndryshme, duke të leju të hidhesh e te lexosh kudo. Kam synu me e pasqyru këtë format në shfaqje, megjithëse në fund të fundit doli sfiduese, përfundova duke futë të dhëna delikate mes skenave për të kap ndjenjën e zbulimit”, thotë Thaqi.

Sipas tij, kjo ka qenë përvoja e tij e parë me një ekip relativisht të madh, dhe nuk mund të jetë më i lumtur me njerëzit me të cilët ka zgjedhë me bashkëpunu në këtë projekt.

“Natyrisht, kemi pasur sfida, sikurse menaxhimi i elementeve të performancës live, dhe gjithashtu mbajtja e gjithçkaje të sinkronizuar, ishte kërkuese. Përtej kësaj, kemi mbajt trajnim në gjuajtje me hark, seanca koreografike dhe kompozim muzikor për shfaqjen. Procesi ka qenë tepër i kandshëm dhe jam ndje që i gjithë ekipi ka qenë i investuar plotësisht, duke sjellë më të mirën si teknikisht ashtu edhe në pjesën kreative”, thotë tutje ai.

“Short poems and other tales”, është shfaqja e parë e artistit Thaqi. Regjia për të ka qenë një andërr e kahershme. Artet pamore, kryesisht piktura, ka qenë në thelb të krijimeve të tij, mirëpo gjithmonë ka qenë adhurues i teatrit dhe kinematografisë, dhe e konsideron veten një artist multidisiplinar.

“Besoj se mediumet e ndryshme të artit ekzistojnë për të mbështetur dhe përmirësuar vizionin e artistit, duke ofruar mjetet e nevojshme për të shprehur idetë plotësisht.”

Si një artist në zhvillim me bazë në Prishtinë dhe Berlin, tashmë artisti Valdrin Thaqi në plan ka që të vazhdoj të zgjeroj punën e tij. Ai nuk mund të parashikoj saktësisht se cili do të jetë projekti i ardhshëm, por ka një ndjenjë se për të është duke nisë diçka emocionuese. / KultPlus.com