Sot ekipi i filmit “Zgjoi” shpalos suksesin e deritanishëm të filmit në KultPlus Caffe Gallery

Blerta Basholli, skenaristja dhe regjisorja e filmit të suksesshëm “Zgjoi” do të jetë e pranishme në KultPlus Caffe Gallery, e cila bashkë me producentët e filmit Yll Uka dhe Valon Bajgora do të flasin për suksesin e deritanishëm të filmit, propozimit të këtij filmi për Oscar, mundësitë rreth nominimit dhe pjesëmarrjes së filmit nëpër festivalet botërore, shkruan KultPlus.

Filmi “Zgjoi” është filmi më i suksesshëm i kinematografisë së Kosovës, film që numëron shumë çmime prestigjioze. Poashtu, filmi ka shënuar edhe rekord të shikueshmërisë në Kosovë, por në të njëjtën kohë po shfaqet edhe nëpër rrjet të kinemave nëpër Evropë dhe Botë.

Të pranishëm do të jenë edhe një pjesë e aktorëve që kanë marrë pjesë në këtë film, andaj, të gjithë ju që dëshironi ti dëgjoni për së afërmi këto rrëfime, ju ftojmë të jeni pjesë e kësaj mbrëmje që do të shënohet në kuadër të Festës së Flamurit.

Mbrëmja mbahet konform masave Covid 19. / KultPlus.com

Yll Uka nga Kosova, njëri ndër 20 producentët e “Producers on the move”

European Film Promotion (EFP) që është rrjet i 37 institucioneve evropiane të promovimit të filmit, ka përzgjedhur 20 producent nga 20 vende të ndryshme evropiane për platformën e rrjetëzimit dhe promovimit të profilit të lartë ‘Producers on the Move’, përcjellë KultPlus.

“Të jesh njëri ndër 20 të zgjedhurit në programin prestigjioz ‘producers on the move’ është nder i veçantë për mua. Mbi të gjitha kjo është një njohje ndërkombëtare për punën dhe sukseset tona ndër vite”, tha Yll Uka producenti i përzgjedhur nga Kosova.

Disa nga filmat ku Yll Uka ishte producent janë: ‘Exil’-i nga Visar Morina, ‘Cirku Fluturues’ nga Fatos Berisha, ‘Nëntor i Ftohtë’ nga Ismet Sijarina, ‘Rooftop Story’ nga Gazmend Nela dhe filmi aktualisht në postproduksion ‘Zgjoi’ nga Blerta Basholli.

Programi i rrjetit i EFP ‘Producers on the Move’ do të zhvillohet ashtu siç ishte planifikuar fillimisht nga 11 deri në 15 maj, 2020, dhe pavarësisht nga Festivalit të Filmit në Kanë i cili është shtyrë për shkak të pandemisë koronavirus. 20 producentët e ardhshëm evropianë të përzgjedhur do të takohen përmes internetit këtë vit dhe do të prezantojnë projektet e tyre në takime dhe seanca të rrumbullakëta. Bisedat me ekspertë do të përmbyllin programin dixhital që zgjat pesë ditë. / KultPlus.com