Akademiku Rexhep Qosja ka shprehur ngushëllimet e tij për vdekjes e akademikut Ylli Popa i cili vdiq para dy ditë në moshën 87 vjeçare. Popa, për një periudhë 10 vjeçare drejtoi Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, shkruan KultPlus.
Qosja është shprehur I pikëlluar për këtë humbje të madhe e cila sipas tij ka lënë zbrazëti në jetën mendore, shkencore, arsimore e kulturore shqiptare.
Letra e Rexhep Qosjës:
Me pikëllim të madh e mësova lajmin për ndarjen nga jeta të Akademik Ylli Popës. Me ndarjen e tij nga jeta mbetet zbrazëti e madhe në jetën mendore, shkencore, arsimore e kulturore shqiptare.
Dhe si të mos mbesë zbrazëti ashtu e madhe? Ylli Popa ishte i madh në shumë pikëpamje.
Ylli Popa ishte i madh me shumë dhunti të cilat ia kishte dhuruar natyra.
Ylli Popa ishte i madh me shumë virtyte të jashtëzakonshme.
Ai ishte vërtet Yll në jetën mendore, shkencore, arsimore e morale shqiptare.
Ai ishte i madh si intelektual. Me atë mendjen e tij larghedhëse ai i parashihte idetë e reja dhe ndryshimet e reja mendimore, shoqërore e politike. Me qartpamjen e tij që e bënte njëkohësisht shumë të guximshëm si intelektual ai arriti i pari që t’i parathotë ndryshimet politike e shoqërore të fundit të viteve të tetëdhjeta dhe të fillimit të viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar.
Ai ishte i madh si studiues shkencor. Ai u bë themelues i dijeve dhe i institucioneve të reja në disa fusha të mjekësisë shqiptare, në mënyrë të veçantë të kardiologjisë shqiptare.
Ai ishte i madh si arsimdashës dhe si mësimdhënës në arsimin shqiptar. Ai ishte njëri prej pedagogëve më të çmuar e më të dashur në këtë arsim. Duhet të dëgjohen studentët e tij se ç’thonë për njeriun Ylli Popa dhe se si i kujtojnë ligjëratat e paharruara të pedagogut të jashtëzakonshëm Ylli Popa.
Ai ishte i madh si organizues, si planifikues e si reformues në institucionet që drejtonte. Risitë që do të sjellë në këto institucione do t’i çojnë përpara ato dhe do të çojnë përpara dijen, arsimin, kulturën dhe mendimin shqiptar në përgjithësi.
Ai ishte i madh si njeri, si njeri në kuptimin më të lartë të kësaj fjale. Në Ylli Popën ishin bashkuar për mrekulli mendja më larghedhëse dhe zemra më bujare që përbënin tërësinë e quajtur etikë e lartë e Ylli Popës.
Ylli Popa do të mbahet mend si njëri nga baballarët më të mëdhenj të jetës arsimore, shkencore e kulturore shqiptare, që me veprën e tij mendore dhe me etikën e tij njerëzore do të ndriçojë përgjithmonë në historinë kombëtare shqiptare.
I mburrur që e njoha, i mburrur që gëzova kujdesin e tij si mjek i madh, i mburrur që mësova prej mendjetores së tij jashtëzakonisht të pasur, kurrë të shterrshme, familjes së tij dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë u shpreh ngushëllimet e mia më të thella. / KultPlus.com