Romani ‘Rrëfenjë me ndërkombëtarë’ i shkrimtarit Ylljet Aliçka botohet në Norvegji

Një nga shtëpitë botuese më të mëdha në Norvegji “Bokvennen Ferlag” sapo botoi në gjuhën norvegjeze romanin e mirënjohur të shkrimtarit Ylljet Aliçka “Rrëfenjë me ndërkombëtarë”, përkthyer nga origjinali nga Jon Kvaerne. Ky roman qarkullon në norvegjisht me titullin “Dosja12 Tirana – Rrëfenjë me ndërkombëtarë”, përcjellë KultPlus.

Ndër të tjera botuesi norvegjez e përcjellë këtë botim me fjalët e mëposhtme:

“…sado të qeshni e të argëtoheni me karrierën diplomatike të nëpunësve ndërkombëtarë, është e pashmangshme të qëndroni indiferentë ndaj së vërtetës së hidhur, zhveshur nga lëvorja e krejt përmbajtjes letrare të këtij romani..”

Romani përshkruan jetën e një prej zyrave diplomatike ndërkombëtare, vendosur në Shqipëri pas viteve’90, për të futur vendin në rrugën e mbarë të përparimit, pas brezash të humbur nën regjime diktatoriale. Po si mund të ndihmohet një vend ku kamerierët e trupit diplomatik janë të pashpirt, dhe ku për larjen e rrobave shpenzohen shumë detergjent, apo në një humbëtirë ku vendasit nuk respektojnë qentë, ndërsa kuajt janë të pastërvitur, fundja si të zotët?!

Bëhet fjalë për një ironi që kalon jo rrallë në një sarkazëm të hidhur, me të cilën autori “qëndis” kontrastin mes idealeve fisnike të ndërkombëtarëve dhe përditshmërisë së jetës së tyre rutinë, zhytur në zyrat gri.

Arrivizmi për të ngjitur shkallët e karrierës është prioriteti absolut i stafit ndërkombëtar apo i dikujt që ia del të zërë butësisht dhe si pa u vënë re një vend pranë ambasadorit në veturën e tij diplomatike.

Hasim aty diplomatin që i merr vendimet e rëndësishme diplomatike, nën efektin dehës të ndjenjave të pastra të dashurisë… Teksa një tjetër diplomat preferon më mirë të këpusë në fshehtësi të plotë frutat e pjekura të oborrit të përfaqësisë, sesa të bjerë viktimë “e çmimeve të çmendura të vendasve”. Kurse për disa të tjerë, oraret e mërzitshme të ditës nëpër zyra mjaftojnë për hartimin e qarkoreve me kërkesa të rrepta për temperaturën e letrave mbi fotokopjuese….!!

Duket se Ylljet Aliçka ka pasur një përvojë të gjatë me të huajt dhe, sado që do të qeshni e do të argëtoheni me karrierën diplomatike të nëpunësve ndërkombëtarë, është e pashmangshme të rrish indiferent ndaj së vërtetës së hidhur, zhveshur nga lëvorja e krejt përmbajtjes letrare të këtij romani. / KultPlus.com