Yllka Domi, përfaqëson emrin e një poeteje të re në kohën e vendit të saj të okupuar. Yllka njëherit nxënëse e shkëlqyer e shkollës “Mazllom Këpuska” në Gjakovë, herët u dallua për shkathtësitë e saja organizative, por edhe për talentin e rrallë që kishte për shkrimet dhe krijimtarinë letrare. Qysh herët ajo iu përkushtua shkrimeve, aktrimit dhe vallëzimit, shkruan KultPlus.
Gili Hoxhaj
Emri i Yllka Domit, ka lenë një gjurmë të pashlyer tek njerëzit me të cilit është rritur në kohën më të vështirë të vendit. Rrethanat e kohës, e fryma patriotike e familjes, bën që me shtatin e saj, të rritej edhe dashuria për atdheun. Yllka Domi në sytë e saj kishte shkëlqimin e një artisteje, në shpirt kishte jehonën e një poeteje e në mendje kishte vizionin e një atdhetareje. Portreti i saj vjen me buzëqeshjen e shikimin e butë në njërën anë. Pas shkuarjes në UÇK, ajo nuk do t’i kthente më kurrë sytë nga Kosova. I depertueshëm është sot vargu i saj i cili i himnizon lirisë së vendit, dashurisë deri tek shpërfaq parandjenjat për pragun e fundit të jetës se saj. Yllka Domi, do të mbetej një emër që simbolizon veprimtarinë më të çmueshme të kohës e se saj. Emri i Yllkës nënkupton vargun e këputur, megjithatë dy ditë para vdekjes, ajo vendit i lë amanet poezinë. Përmes poezisë, Yllka la vargjet të cilat kumbojnë për vdekjen e saj ende pa prekur dekadën e dytë të jetës. Edhe pse po vdiste si një dëshmore, Yllka përmes poezisë së saj të fundit nuk po kërkonte përmendore, i do vargjet me rërën e detit, e një shkop afër kokës.
Amanet ju le nëse nuk pritoni
të ma shkruani emrin në rërën e detit,
dhe dy vargje mi shkruani me shkrimin e saj.
Në krahët e valëve të ketë epope te pambaruar
dhe arena e kafazit të jetë e hapur.
Përmendore nuk dua…!
Nëse në kurrizin e qytetit gjeni një shkop
vendosni afër kokës sime.
Ashtu siç edhe kishte dëshirë ashtu edhe u radhitë në Brigadën 137 Gjakova të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjatë ofensivës së Betejës së Çabratit, e cila po zhvillohej në mes të forcave të UÇK-së dhe ushtrisë serbe. Data 7 Maj e vitit 1999, shënon ditën e vrasjes së Yllkës së bashku me disa bashkëluftëtarë.Yllka Domi u vra me snajper nga forcat serbe, në Çabrat. Kriminelët serbë për të fshehur gjurmët e krimit, trupin e Yllkës bashkë me trupat e tjerë të vrarë, i dërguan në një varrezë masive në Batajnicë (Serbi). Pas identifikimit të eshtrave të Yllka Domit nga ekspertët e mjekësisë ligjore, u rivarros me 23 dhjetor të vitit 2003,në kodrën e Çabratit në Gjakovë. Yllka Domi është shpallur dëshmore e kombit.
Amanet nënshkrimet e juaja mos i lini,
mund të komunikoni fshehurazi
deri në sosjen e emrit tim.
Atje poshtë e lart, pa skena të zbehta
nën mbrëmjen, nën qiellin e pastërt
Ky është mesazhi i fundit që Yllka Domi, e la me poezinë e saj të fundit. Yllka e palos këtë poezi , dy ditë para se të vritej ku edhe ia dhuroi si amanet për botim, bashkëluftëtare e mikes së saj- Shkëndie Hodës. Shkëndija e cila është rritur në një lagje me Yllkën, sot ai vend ia kthen më shumë se kurrë kujtimet për Yllkën që iku shumë herët.
“Takimi im i fundit me Yllkën ishte data 5 Maj 1999 vetëm dy dite para se te vritej, atë ditë Yllka ma dhuroi një poezi “Amanet ju lë”, ku kërkoi qe nëse ajo vritet kjo poezi te botohet me çdo kusht. Yllka pati fatin e shenjt dhe ra dëshmore dy ditë më pas”, rrëfehet për KultPlus, shoqja e saj Shkëndie Hoda e cila po ashtu i ka shkruar shumë poezi Yllkës, ndërsa së bashku me Mevlyde Saraçin kanë shkuar një libër “Në rrugëtim me Yllka Domin”.
Shkëndie Hoda: Mungesën e Yllkës e ndjej tek pena, tek kujtimet e luftës, e në shkallët e teatrit
Shkëndie Hoda, po ashtu tregoi se Yllka vazhdimisht gjente koha për të shkruar, e për të lexuar. Ndërsa pas vetes barte librin “Ana Karanina”, të Leo Tolstoy. Shkëdia thotë se mungesën e Yllkës e ndjen tek pena, tek kujtimet e luftës, në shkallët e teatrit.
“Më mungon në lagje ajo Yllka e cila ishte lozonjare dhe e ëmbël. Ajo ka qenë një vajzë e veçantë dhe si e veçantë ja la një histori qytetit te saj. Yllka me mungon kudo”, shprehet Shkëndia ndaj kujtimit të veçantë që e ruan për Yllkën.
Yllka Domi, la po ashtu një poezi që kumbon veçantinë e stilit të saj në secilin fjalë. Poezia e saj “Ti fluturon me dallëndyshet”, sot lexohet edhe tek nxënësit në shkolla, dhe është personifikim i jetës e brengave të saj.
“Shpresuam se deri në vdekje do të jemi bashkë,
Por ajo jetë që ne e ëndërruam nuk ishte e gjatë,
Ajo zgjati vetëm të paktët muaj
E për këtë gjë unë tani po vuaj”
Lidhur me vargun e saj, Shkëndie Hoda e pohon atë se Yllka po e ndjente vdekjen në cdo moment e më shumë, madje kjo jo vetëm që reflektohet në poezitë e saj por edhe në bisedat e fundit të tyre.
“Yllka aq shume e ndjente vdekjen, sa shume herë na thoshte “Ju do ta shijoni lirinë, por shijojeni edhe për ne”, dhe kjo na fuste gjithmonë ne grindje, sepse vdekjen e kishte si pasqyre të syve”, tregon Shkëndie Hoda për KultPlus, e cila thotë se edhe pse vdekja e Yllkës i jep një dhimbje të papërshkrueshme, ajo sot më shumë se kurrë ndihet krenare me të.
Dikur Yllka në mënyrë shumë artistike lexonte poezitë e poetëve të mëdhenj. Ajo sot është frymëzim i poeteve te rinj, e pjesë e këngëve të tyre. Është dashuria e veçantë që Yllka me pak vite jetë e mbolli tek të gjithë. Poetja Mevlyde Mezini- Saraçi tha për KultPlus se Yllkën e ka njohur si nxënëse të shkollës fillore “Mazllum Kepuska”, përmes organizimeve që nuk i ndalnin as rrethanat e okupimit.
“Yllka kishte shume talent. Ishte një poete që premtonte shumë”, thotë poetja Mezini. Ajo, ashtu si të tjerët e kujtojnë atë si një nxënëse të shkëlqyeshme, të edukuar me një kulturë të veçantë të mirësjelljes. Mbi të gjitha Yllka kishte një shpirt human. Poetja Myvlyde Mezini- Saraçi përmes një bisede me KultPlus na e përshkruan pamjen e saj, që reflektonte preukopimet e brendshme të asaj kohe.
“Kishte një shkëlqim dhe bukuri te veçante me shtatin e saj të gjatë, ata te sy të bukur me vetulla si harqe, ajo kishte një buzëqeshje të lehtë që brenda fshihte pikëllimin, jo vetëm për babanë Afrimin i cili ndodhej ne burg në ato kohë, por edhe për shkak të rrethanave në të cilat ndodhej populli ynë”, tregon Mezini Saraçi.
Poezitë e saj janë një përshëndetje me jetën
Myvlyde Mezini Saraçi thotë se fakti që Yllka ishte rritur në një familje patriotike, ka bërë që në moshë të re, të piqej para kohe dhe t’i gjykonte gjërat shumë më larg se sa i përgjigjej moshës së saj.
“Humbja e Yllkes përveç se ishte humbje e një ushtareje të UÇK-së ishte edhe humbje e një kuadri intelektual, një atdhetareje dhe poete e cila sigurisht se do të ishte prijatare e proceseve te ndërtimit të shtetit, por edhe shtylle e kulturës dhe letërsisë, mbi të gjitha edhe një humaniste e vërtetë e cila do t’ia dinte vlerën e lirisë”, shprehet poetja Mezini.
Yllka e bankave të shkollës
Blerim Valla, ishte arsimtari i gjuhës shqipe, tek i cili Yllka drejtohej sa herë që kishte ndonjë poezi të re. Kureshtare e plot energji, e kujton ai sot Yllkën. Talenti i saj kapërcente moshën në të cilën ajo ishte, andaj edhe arsimtari Valla thotë për KultPlus se e ndjente se Yllka një ditë do të shpërthente në hapësirën poetike të qytetit të Gjakovës.
“Në hapat e parë të poezisë Yllkën e karakterizonte shpirti i çiltër, i pafajshëm,si gjithë moshataret e saj, por me kalimin e viteve, poezia e saj filloi te jetë nga pak e ngrysur, përplot pyetje retorike, edhe kur fliste për dashurinë, për lirinë etj. Kjo ishte e arsyeshme, pasi edhe koha ishte e atillë, në vitet e ‘ 90-ta. Yllka ishte rasti me i mirë ku mund të barazohej një: si personaliteti i saj me unin e saj poetik”, shprehet arsimtari Valla.
Ai thotë se pak nga pak në poezitë e saj filluan të ndihen tonet pesimiste dhe gatishmëria e saj flijuese për liri. Ai thotë se humbja e saj, përvec se është një humbje e madhe njerëzore, është edhe një humbje e madhe për fushën e artit dhe kulturës.
“Në poezitë e saja që i lexonte nëpër manifestimet e ndryshme letrare e qe unë kisha fatin t’i lexoja ndër me të paret por edhe ti vlerësoja si pjesëtar jurie, sidomos ne vitet e fundit te jetës se saj, para se te vritej nga paramilitaret serb ne maj te vitit 1999, vërtet kishin tone pesimiste. Ndjehej shpirti i saj sakrifikues por edhe optimist për te ardhmen e panjohur që po vinte, por edhe një gatishmëri e saj flijuese për liri”, tha arsimtari Valla, ndërsa shtoi se mu ky motiv poetik bën që jo vetëm poezia antologjike “Ti fluturon me dallëndyshen “por edhe gjitha poezitë e saja qe i kishte lënë ajo në dorëshkrim e që më vonë, pas luftës u botuan në një libër, estetikisht kane vlera të larta në formë dhe në përmbajtje.
Tashmë është bërë traditë që në Gjakovë cdo vit të jepet “Çmimi letrar Yllka Domi”, çmim ky i cili jepet për poeteshën me te mirë, pjesëmarrëse ne manifestimin letrar ne Mitingun e Poezisë qe mbahet për çdo vit në Gjakovë./KultPlus.com