Shtëpia e shkrimtarit Ymer Elshani kthehet në muze

Shtëpia e shkrimtarit Ymer Elshani do të shndërrohet në muze për të dokumentuar jetën dhe krijimtarinë e tij.

Lajmin për RTK-në e ka konfirmuar vajza e shkrimtarit, Teuta Elshani.

“Do të bëhet muze shtëpia familjare e Ymer Elshanit, ku ka jetuar, ku janë dorëshkrimet, fotografitë, rrobat, ashtu siç ka shpëtuar nga lufta. Mendohet edhe disa muaj të fillojë renovimi”, ka thënë ajo për transmetuesin publik.

Ajo ka treguar se këtë ide e ka pasur qe disa vite.

“Kjo ka qenë ide e imja, unë e kam iniciuar. Jam duke u munduar që nga viti 2018, por deri tash s’ka pasur asgjë konkrete”, ka thënë Elshani.

Ymer Elshani u vra në masakrën e Poklekut në Drenas më 17 prill të vitit 1999 bashkë me familjen e bashkëfshatarët e tij. Ai la pas vetes dhjetëra libra për fëmijë me poezi, tregime dhe romane./rtk/KultPlus.com

Posta e Kosovës e nderon artistin Ymer Shaqiri

Filatelia e Postës së Kosvës, sot ka vënë në qarkullim postar pullën me të cilën prezanohet puna e artistit Ymer Shaqiri, shkruan KultPlus.

Filatelia e Postës së Kosovës, përmes motiveve të pesë pullave postare, të cilat nga sot vihen në qarkullim postar, prezanton veprat e përzgjedhura të artistit, piktorit dhe grafistit të njohur të artit bashkëkohor, Ymer Shaqiri.

Ymer Shaqiri u lind më 1 tetor 1955, në Sveçlë, në jug të Podujevës. Akademinë e Arteve e kreu në Prishtinë në vitin 1981, nën drejtimin e Fatmir Krypës, ndërsa studimet pasuniversitare i kreu në Akademinë e Arteve në Beograd më 1984, ku edhe mori titullin akademik.

Origjinaliteti në shprehjen e veçantë që karakterizon grafikën e autorit për nga stili dhe teknika paraqet një kulturë të lashtë. Detajet e kompozuara me kujdes dhe mjeshtëria në objektet e preferuara të artistit si porta, dyer, dritare me gozhda të ndryshkura, janë mesazhe të fuqishme që interpretojnë lashtësinë, vuajtjet dhe realitetin e vendit tonë.

Ka jetuar dhe punuar në Gjermani dhe Kosovë. Ai u nda nga jeta më 11 gusht 2021, duke lënë pas një punë kolosale si punëtor i palodhur që ishte.

Punimet e tij mund të gjenden në shumë koleksione, galeri dhe muze të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare. Ai ishte pjesëmarrës në bienale dhe trienale në Slloveni, Japoni, SHBA, Francë dhe vende të ndryshme, dhe nga sot, përmes shërbimit postar të Postës së Kosovës, punimet e tij do të ekspozohen në mbarë botën duke na bërë jashtëzakonisht krenarë./KultPlus.com

Instituti Albanologjik organizon tryezë shkencore për veprimtarinë e Ymer Jakës

Instituti Albanologjik i Kosovës do të organizojë një aktivitet të rëndësishëm me datën 12 dhjetor, shkruan KultPlus.

Bëhet fjalë për Tryezën shkencore me titull “Veprimtaria shkençore dhe intelektuale e Ymer Jakës”.

Ymer Jaka është padyshim njëri nga intelektualët më të afirmuar shqiptar. Ai ishte profesor dhe studiues i mirënjohur, si dhe përkthyes i afirmuar që prezantoi Skënderbeun para audiencës franceze.

Ky aktivitet do të mbahet më 12 dhjetor duke filluar nga ora 11 në sallën e Institutit Albanologjik, me ç’rast do të prezantohen kumtesa në lidhje me veprimtarinë e Jakës. /KultPlus.com