Përzgjedhje nga krijimtaria letrare e Ymer Elshanit, shkrimtari që u masakrua nga paramilitarët serbë

Jusuf Buxhovi

Opusi letrar i njërit ndër shkrimtarët tanë më të njohur për fëmijë, Ymer Elshanit, u ndërpre dhunshëm, në prillin e vitit 1999, kur bashkë me një pjesë të familjes u masakrua nga paramilitarët serbë. E bija, Teuta, prej kohësh është përkujdesur që vepra letrare e të etë, në disa vëllime me vjersha, tregime dhe romane, të prezantohet si një tërësi. Së fundit, kemi botimin e një përzgjedhje prej katër veprash: romaneve “Aventurat mbi trotinetin e vjetër” dhe “Ndodhitë e Hundëkarotës” , tregimeve të përzgjedhura për fëmijë, “Planeti i mirësisë” si dhe vëllimit me poezi “Kur vallëzojnë buzëqeshjet”, të përzgjedhura nga kritiku letrar Anton Nikë Berisha.

Katër veprat e përzgjedhura nga krijimtaria letrare, nxjerrin në pah vlerat e veçanata letrare të Ymer Elshanit në prozë dhe poezi, të cilat pasqyrohen në këto dy romane të botuara për herë të parë në vitet e shtatëdhjeta, me të cilat asokohe Elshani tërhoqi vëmendjen. Kjo vlen veçmas për romanin “Ndodhitë e Hundëkarrotës” (1971), prozë kjo, që më të drejtë, nga kritika letrare u vlerësua vepër që solli një frymë të re në prozën tonë për fëmijë. Por, njësoj u prit edhe roman tjetër “Avanturat në trotinetin e vjetër” (1975), për të cilën mund të thuhet se radhitët ndër rimanët më të mira të prozës sonë për fëmijë.

Në këtë përzgjedhje të veprave të Ymer Elshanit është përfshirë edhe vëllimi me poezi “Kur vallëzojnë buzëqeshjet”, nën përkujdesjen e kritikut letrar Anton Nikë Berisha. Poezitë përcillen edhe me pareathënie të Berishës rreth opusit të gjithëmbarshëm të Ymer Elshanit për fëmijë, që përfshinë disa vepra. Për Berishën “poezia për fëmijë e Ymer Elshanit mbruhet nga një art i opasur që i jep asaj përmasën e gjithëkohëisi dhe se çështjet që shqiptohen nëpërmjet tekstit poetik janë të lidhura ngushtë me botën e tyre të fëmijëve, me gëzimet dhe me shqetësimet; ato janë veçanti të jetës së tyre të sotme, po do të jenë të tilla ose të ngjashme edhe në të ardhmen”. / KultPlus.com

Ymer Elshanit

Poezi nga: Rifat Kukaj

Ahiii, vëlla i shtrenjtë, Ymer Elshani
Parandjej se derisa t’jem gjallë
Në plagë t’hapur do m’pikoj katrani
Lot i shpirtit do m’këlthasë n’qëpallë!

Pa ty netët zvarritën ngathtë – ngathtë
Për n’vendlindje udha m’është shëmtuar
Se ç’na e theve, ore krahun e djathtë
Me stuhinë e dhembjes së pashëruar!

Në orët letrare tani si të shkojmë
Pa buzëqeshjen tënde aq bujare?
Kurreshtarëve mësues c’ka t’u thomë
Dhe zogjtë që çukisin në abetare?!

Si do t’na vijë lejleku i parë
Pa ëndrrën tënde n’flatra o mik?
Si do mbijë kokërr gruri n’arë,
Pa afshin e vargut të ri – lirik?

Më bëhet sikur më le një porosi
Që më erdhi me zërin tënd të gjallë
“Ma përkëdhel gjithandej çdo fëmijë,
M’ia fshij lotët shkurtabiqit n’përrallë!”

Kjo Drenica jonë përherë e zhuritur
Nën rrufetë e këtij qielli të nxirë,
Yje t’çiltër lindi e të ndritur
Që barbarët i krodhën nē humbëtirë!/ Telegrafi/KultPlus.com

Shkrimtari Ymer Elshani dekorohet pas vdekjes me Medalje Presidenciale

Shkrimtari Ymer Elshani pas vdekjes është dekoruar me Medaljen Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë nga Presidenti Hashim Thaçi.

“Me Medaljen Presidenciale Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë, pas vdekjes, e dekorova shkrimtarin e njohur të letërsisë për fëmijë, intelektualin dhe pedagogun, Ymer Elshani”, ka shkruar Thaçi, përcjell KosovaPress.

Thaçi ka thënë se Elshani dhe familja e tij u sakrifikuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Ymer Elshani lindi më 1948 në Korroticë të Poshtme të Drenasit. Botoi dhjetëra libra për fëmijë me poezi, tregime dhe romane.

Ai u vra dhe u masakrua më 17 prill 1999 nga forcat serbe në fshatin Poklek të vjetër të Drenasit bashkë me gruan, të katër djemtë, nënën, kunatën dhe me afro gjashtëdhjetë bashkëfshatarë./KultPlus.com