“Young Generation”: zërat e të rinjve të talentuar dhe premtues përmbyllin natën e tretë të “PriVocalFest” 

Era Berisha 

Nata e tretë e festivalit “Prishtina International Vocal Fest” u karakterizua nga veçantia e të rinjve si: sopranoja Aurela Murtezaj, mezosopranoja Blenda Kelmendi, sopranoja Despina Krango, sopranoja Edina Pllana, sopranoja Elita Hoxha, sopranoja Egzona Hoxha, baritoni Harris Bajraktari, sopranoja Martina Lekaj, sopranoja Syarta Mehmeti dhe sopranoja Teuta Morina, të udhëhequr nga trajneri i zërit Raúl Giménez, derisa për të për përçuar edhe më shumë emocione tek publiku, u përkujdes pianisti Melos Buza, shkruan KultPlus. 

Në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës së Kosovës u bënë bashkë një numër i konsiderueshëm njerëzish që përcillnin nga afër edhe natën e tretë të festivalit “PriVocalFest”. Me padurim po prisnin daljen në skenë të artistëve të rinj, që të ardhmen duket se e kanë të shtruar bukur. Me perde të zeza, e reflektorë në ngjyrë portokalli, që i ngjajnë edhe logos së vetë festivalit, ishte mbushur këndshëm hapësira para syve të audiencës. 

Koncerti i cili filloi fiks në orën 19:13, portretizoi një program të veçantë, për zërat e veçantë të artistëve në skenë. Gjatë gjithë kësaj nate, publiku u shpreh shumë i kënaqur me performuesit, duke dhënë duartrokitje të panumërta për të gjithë ata që u ngjitën në skenë. Ishin të njëpasnjëshme veprat që u interpretuan, mirëpo secila pati diçka unike më vete, njashtu si vetë interpretuesit.  

Në këtë natë u interpretuan vepra të zgjedhura nga punëtoria e mbajtur për disa ditë me radhë nën instruksionet e Giménez, i cili me punën dhe këshillat e tij ka “fuqizuar” këta të rinj që të eksplorojnë teknika të reja dhe thellësi emocionale në interpretimet e tyre. 

Ndërkohë, loja aktoreske e këtyre artistëve ishte diçka që i shkonte shumë programit të përzgjedhur. Herë duke qeshë, herë duke lëvizë në skenë majtas e djathtas, herë në dyshe, e herë solo, u interpretuan veprat serioze, për një orë të plotë. Veshjet e tyre elegante i shtonin hijeshi zërit të tyre buçues, që jehonte brenda katër mureve, me ç’rast jepnin emocione të pafundme. 

Kjo u dëshmua edhe nga duartrokitjet e publikut, që pati rastin ta përjetojë një koncert më ndryshe, mbushur me ndjenja të larmishme. Ajo që mbizotëronte ishte krenaria në sytë e të afërmve të tyre, që shihnin fëmijët e tyre në skenë, tashmë nisur drejt një rruge që nuk ka kthim, por një fund dukshëm të suksesshëm. 

Për të folur më shumë rreth këtij koncerti, trajneri i zërit me prejardhje spanjolle, Raúl Giménez për KultPlus është shprehur tejet i kënaqur me performancën e artistëve të rinj. 

“Kam kaluar një periudhë shumë të mirë me këta djem e vajza këtu, me këta të rinj të talentuar dhe dua ta falënderoj festivalin për ftesën. Ka qenë një javë intensive, dhe mendoj se kemi bërë një punë shumë të mirë. Jam shumë i lumtur që i kam ndihmuar këta të rinj dhe dëshiroj që ata gjithmonë të këndojnë kështu bukur si në këtë festival. E di që është hera e parë që si maestro po e bëj këtë kurs dhe dua shumë që festivali ta vazhdojë misionin tutje, me këta të rinj të talentuar.” 

Ndërsa, drejtori i “PriVocalFest” Hajrullah Syla për KultPlus ka potencuar se maestro Giménez, është njëri ndër emrat më eminent si trajner zëri. 

“Përzgjedhjen e programit e ka bërë maestro Giménez, pasi që ka filluar punën me të rinjtë, të cilët kanë propozuar veprat e tyre për t’i punuar me maestron. Gjatë punës, ai ka bërë përzgjedhjen e programit. Për të rinjtë është hapur një thirrje ku janë ftuar që të aplikojnë dhe me pas janë përzgjedhur nga komisioni profesional për të qenë pjesë e këtij masterklasi me maestro Giménez, i cili është njëri ndër emrat më eminent si trajner zëri, i cili punon pothuajse në të gjitha studiot operistike më të njohura në botë dhe ishte mjaft e rëndësishme që ta sjellim edhe në Kosovë. Bashkëpunimi më të ishte mjaft i mirë dhe tejet i lehtë, kishim mirëkuptim nga të dy anët dhe çdo gjë ishte mjaft mirë e realizuar. Shpresojmë që do të vazhdojmë edhe në edicionet e radhës që të sjellim emra të mëdhenj të këndimit, që të rinjtë tanë të punojnë me ta dhe të kenë eksperienca të tilla.” 

Koncerti i radhës në “PriVocalFest”, ‘There is someone on earth’ me mezosopranon Albane Carrère, shoqëruar në piano nga Andi Duraku dhe violonçelistja Donjeta Cërmjani, mbahet më 19 tetor nga ora 19:00 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare.

Fotografitë: Rrahman Osmani / KultPlus.com