Nisë Festivali tradicional ‘Ylberi i Prishtinës’ (VIDEO)

Festivali ndërkombëtar i fëmijëve “Ylberi i Prishtinës”, i cili këtë vit organizohet për të pesëmbëdhjetin vit me radhë, ka nisë sot në Sheshin “Zahir Pajaziti”, shkruan KultPlus.

Në këtë nismë, fillimisht kanë defiluar mbi 500 fëmijë nën tingujt e muzikës me veshjet tradicionale kombëtare duke prezantuar vlerat kulturore përmes valleve të ndryshme të qyteteve dhe shteteve që përfaqësojnë.

Defileu i ansambleve i cili nisi nga Sheshi “Zahir Pajaziti” për të vazhduar më tutje përgjatë bulevardit “Nëna Terezë” deri tek Sheshi “Skënderbeu”, tashmë ka përfunduar. Ku tutje edhe u bë hapja e festivalit në Sheshin “Zahir Pajaziti”(tek amfiteatri).

Këtë vit do ketë shumë risi me qëllim që ky manifestim të lë mbresa të veçanta tek qytetarët e posaçërisht tek fëmijët. Përpos ansambleve vendore, pjesëmarrës do të jenë edhe ansamblet nga Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, Kroacia, Bullgaria dhe Turqia.

Pak para hapjes, krzetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, është lidhur live nga vendi i ngjarjes ku edhe fton të gjithë të bëhen pjesë e kësaj ngjarje të rëndësishme për fëmijët.
Nata e dytë e festivalit do të vazhdojë më 10 shtator, nga ora 18:00 – 21:00 në Sheshin “Zahir Pajaziti”.

Festivali organizohet nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, realizohet nga Qendra Kulturore e Fëmijëve të Prishtinës dhe mbështetet nga Drejtoria për Kulturë e Komunës së Prishtinës. / KultPlus.com