Së shpejti do të hapet ekspozita “Thurrje Kosovare”, kushtuar grave krijuese kosovare brenda dhe jashtë Kosovës, përcjell KultPlus.
Kjo ekspozitë vjen në Galerinë e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Ndërkaq emrat e artisteve që do të iu paraqiten veprat e tyre, janë: Alije Vokshi, Alketa Xhafa-Mripa, Arta Agani, Argenita Fetahu, Arjeta Mala, Arlinda Hajrullahu, Blerta Syla-Surroi, Eliza Hoxha, Fitore Berisha, Haveit, Kaltrina Hoda, Lala Meredith-Vula, Laura Sllamniku-Kryeziu, Lyra-Zajmi, Magbule Xhemaili, Marigona Ademi, Mjellma Goranci-Firizi, Shqipe Kamberi, Teuta Alaj-Pula, Valdeta Veliu-Vuçitërna, Violeta Xhaferi, Zake Prelvukaj dhe Zana Ramadani.
Ekspozita hapet me datë 26 maj, duke filluar nga ora 19:30. / KultPlus.com
Arti, historia, shkenca, e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja pushtuan hapësirat e KultPlus Caffe Gallery kur edhe artisti, Drilon Shoshi, bëri hapjen e ekspozitës së tij të titulluar “8 cepat”, shkruan KultPlus.
Në këtë ekspozitë, veprat paraqiteshin mbi artin i cili bazohet në simbole dhe figura që datojnë shekuj më parë, sikurse që është ylli simbolik, që e përdorte Gjergj Kastrioti në vulën shtetërore përgjatë dhjetëvjetëshit të fundit të jetës së tij.
Poashtu në veprat e Shoshit është e dukshme inspirimi nga Emblema e Gjergj Kastriotit, yllit zanafillor me 8 cepa, portave të vjetra shqiptare, ngjyra e kuqe që simbolizon gjakun e derdhur të shqiptarëve nëpër periudha të ndryshme, pastaj trekëndëshat, hëna, dielli, sikurse edhe ngjyra e zezë, që sipas autorit është ngjyrë që u shton vetëbesim dhe fuqi.
Familjarët, miqtë dhe dashamirët e artit po prisnin me padurim hapjen e kësaj ekspozite, që ngërthente në vete një lloj arti që nuk jemi mësuar ta hasim në çdo cep të rrugës.
E hapjen e kësaj ekzposite e bëri drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti, e cila në radhë të parë pati një falënderim të veçantë për të gjithë të pranishmit, derisa i uroi suksese edhe artistit Shoshi.
“Kjo është ekspozita e dytë personale e Drilonit, derisa ne i urojmë suksese për punën e tij të madhe që ka bërë ndër vite. Do të vazhdojmë mbështetjen e artistëve të rinj”, tha fillimisht Pajaziti, duke i ofruar fjalën edhe artistit në fjalë.
Pas saj, ishte pikërisht artisti Shoshi që mori fjalën.
“Nuk dua ta zgjas këtë fjalim, por dua të falënderoj secilin prej jush që ka gjetur kohë dhe ka ardhur në ekspozitën time të dytë, derisa ndjehem shumë i lumtur që puna ime po vlerësohet”, tha ai.
Ndërkaq, kuratori i kësaj ekspozite, Ilir Muharremi, duke i uruar mirëseardhje të pranishmëve, njoftoi se ftesën për të qenë kurator e pranoi me gjithë kënaqësi.
“Kur artistët e rinj ballafaqohen me ekspozitat e para, është shumë e vështirë sesa të katërtat ose të pestat. Driloni është shumë i guximshëm në temat që i trajton, sidomos Dielli i Prometeut, e cila paraqet në vete një histori të thellë. Simboli kryesor i artistit është dielli, dhe ka të bëjë me historinë në përgjithësi. Sot, dielli është burimi kryesor i gjallesave në tokë. Driloni paraqitet me 10 punime, me teknikën akrilik, po ashtu edhe me simbolin e portës herë duket e hapur dhe herë duket e mbyllur. Në një far forme arti është intravers, shumë personal, shumë “egoist” për shijen e artistit”, tha Muharremi.
Kuratori në fund u shpreh shumë optimist për të ardhmen e artistit.
Në mesin e pjesëmarrësve që morën fjalën ishte edhe artistja, Zake Prelvukaj, e cila lavdëroi punën e artistit duke shtuar se e ardhmja e tij është e sigurt.
“Driloni është ardhur si artist i përgatitur, ka ushtruar paraprakisht çka është ngjyra, prekjen e ngjyrës, zbërthimin e saj dhe një përgatitje të veçantë. Mirëpo, unë po e them dhe ju keni me qenë të bindur që Driloni veç në këto punime që i ka të mira, ka me qenë edhe një tranzicion që do të ecë dhe është në kërkim të shtresimit të vetë, i cili e detyron me kalu në një dimension tjetër. Ai është një njeri që gjithë dijet e veta i merr, por edhe e mundon vetëvetën ngapak.”, u shpreh Prelvukaj, duke falënderuar gjithë të pranishmit aty.
Në mesin e të pranishmëve në këtë ekspozitë, rastësisht qëlloi të ishte i pranishëm edhe një gazetar spanjoll, Juan Manuel Montero, i cili njihet për dashurinë e tij për artin dhe sidomos për Kosovën.
“Nuk kam qenë këtu që nga 2019, por jam i lumtur dhe ndonjëherë ndjehem në siklet se si ka njerëz nga Kosova që flasin gjuhën spanjishte kaq mirë. Një qytet e vend kaq i mirë”, tha ai.
Ekspozita ‘8 cepat’ do të qëndrojë e hapur për dy javë. Pikturat janë në shitje dhe të gjithë të interesuarit duhet të kontaktojnë artistin për t’i blerë. /KultPlus.com
Ekspozita ‘’Rregullat e Reja’’ nga Zake Prelvukaj vjen me një performancë, 7 piktura masive rreth 2 metra të larta dhe të gjera që janë punuar në vitin 2021 me një kolorit i cili përsëritet qysh nga vitet e 90-ta, 9 fotografi dhe 4 video arte me ç’rast lajmëron ndryshimin e ndjeshmërisë sonë ndaj ngjarjeve të papritura, ekspozitë kjo e cila këtë muaj do të prezantohet në Galerinë Nacionale në Shkup në objektin ‘Çifte hamam’, shkruan KultPlus.
Koncepti i ekspozitës ngërthen në vete kohën në të cilën njerëzit janë duke jetuar dhe ballafaquar me ngjarje apo përditshmëri të papritura. Në këtë shekull është menduar që njerëzit kanë ecur me disa hapa jo të lehtë duke e jetuar transformimin e shtetit tonë. Prandaj, në këtë tranzicion ka pasur edhe disa pika të mira sepse edhe kjo kohë ka një gjatësi, Zake si artiste absorbon informacione, ndonjëherë me vetëdije e ndonjëherë edhe pa të.
Se si erdhi ideja për të krijuar një ekspozitë të tillë në bashkëpunimin me kuratoren Ana Frangovska, për KultPlus ka treguar Zake Prelvukaj.
“Në vitin 2020 jam ftuar nga kuratorja Ana në programin e Shkupit të Galerisë ‘Çifte hamam’, që është një galeri prestigjioze në Maqedoninë e Veriut, por ekspozita e menduar për 11 maj është shtyrë për shkak të rrethanave pandemike”, thotë Prelvukaj.
Sipas saj, në vitin 2007 në një ekspozitë me mediume të ndryshme artistike në ‘’Malla Stanica’’, kuratorja e ka parë artisten dhe e ka ftuar atë duke e ditur që deri në këtë kohë është punuar një art ndryshe, që i përshtatet kohës dhe aktualitetit dhe kështu kuratorja ka pasur dëshirë që Prelvukaj të prezantohet me punën e saj të fundit në një vazhdimësi të punëve të tjera të vitit 2010 por kryesisht punime të vitit 2021 që përputhen me konceptin.
Gjithashtu, Prelvukaj ka dashur që këtë ekspozitë ta përfundojë në muajin maj prandaj edhe ekspozita do të ketë hapjen e saj më 25 maj. Ndërsa, ekspozita e saj kësaj radhe do të vijë në disa ngjyra më transparente, me motive të ndryshme ku nuk janë përdorur më elementet teknologjike.
“Është bërë kjo vazhdimësi e çdo mediumi, por baza kryesore që do të jetë në hyrjen e Galerisë do të jetë njëfarë performance që e bëj unë me pasqyra dhe një monolog me vetveten në njëfarë rrethi dhe pastaj brenda janë dy fotografitë e mija që asnjëherë nuk janë parë. Do të vi me një performim të gishtave, më ndryshe se e zakonshmja”, tregon Prelvukaj për KultPlus.
Ajo tutje ka bërë të ditur se kuratoja veçse e ka bërë renditjen e këtyre punimeve sipas konceptit dhe hapësirës që është lejuar për të realizuar konceptin dhe mesazhin që përcjell ekspozita.
“Sipas mendimit tim, çdo gjë çka ne parashohim, e parashohim si diçka të panjohur. Unë nuk e parashoh të ardhmen, por parashoh diçka, që ne si gjenerata e pas luftës, kemi me qenë të përqendruar në monitor duke e humbur kështu prekshmërinë, ndjeshmërinë dhe atë se çka jemi si qenie njerëzore”, tregon ajo.
Për Zaken, ky përjetim do të jetë shumë më shumë optik përmes virtuales dhe ajo e ka parë se është drejtuar aty ku do të jetë një botë ndryshe, qoftë me dëshirën apo pa dëshirën e secilit. Prandaj, as nuk mund të thuhet se është diçka e mirë apo e keqe sepse nuk është e njohur por që duhet të pranohet sepse nuk është duke u luftuar me kohën sepse koha na mund secilin, por këto janë vetëm paralajmërime që artisja i sjell si një individ dhe qytetare për shpjegimin e rregullave të çrregullta, për njerëzit, por ndoshta edhe të rregullta për gjeneratat e reja që po vijnë duke u bazuar në ndjenjën e saj që diçka po ndryshon.
“Edhe pse koha ka qenë e tmerrshme, është diçka interesante sepse unë në këtë vit jam vetvetja dhe mjaft e disponuar sepse e kam kuptuar dhe po e kuptoj çdo ditë se jeta nuk duhet të jetohet duke u marrë me gjëra të cilat na bëjnë nervoz, me njerëz që nuk kanë disponim të mirë. Këtë e kam parë edhe në ngjyrat që po i përdori, të cilat janë shumë më transparente, më të mira dhe më të disponueshme edhe për mua si autore por edhe për shikuesit dhe artdashësit që do ti shohin punimet”, rrëfen ajo.
Po ashtu, artisja është shprehur se ajo jetën po e dashuron shumë më shumë tani sepse e ka parë që rëniet njerëzore të popullatës asnjëherë nuk janë paralajmëruara. Prandaj, ajo çdo minutë dhe çdo mot të kthjellët e shfrytëzon qoftë edhe duke dalur deri në ballkon sepse sipas saj çdo gjë duhet të përjetohet në mënyrën më të mirë në mundësitë që ofrohen.
Punimet e kaluara të artistes janë cilësuar se ato vazhdimisht po flasin njëjtë ku edhe në këtë kohë që janë rikthyer, ato ende po flasin, me ç’rast Prelvukaj është shprehur se po ndjehet mjaft e lumtur për ciklin e ri që po fillon sepse është një vazhdimësi e viteve 96/97-ta të cilat kanë qenë një lojë me instrumente.
“Këtë lojë e kam përpunuar më ndryshe duke përfshirë rregulla, motive dhe objekte shumë më ndryshe që lidhen me diçka të pa parashikuar dhe mund të them që për mua janë pikërisht këto vepra të vitit 2021, vepra të mira për kohen që i kam punuar”, ka potencuar ajo.
Teksa ajo flet për vështirësitë e hasura ajo ka treguar se vështirësia e vetme që ajo parasheh është vetëm transporti sepse punimet janë masive dhe organizimi nuk është i lehtë. Kurse, për të ardhmen ajo shpreson se njerëzimi të mos sundohet më nga njerëz të ‘veçantë’ por që secili të ketë një barazi që kontribuon në ndërtimin e shtetit.
“Nëse e hulumtoj vetveten se pse jam kaq e disponuar, e gjej veten duke menduar që më është hapur një dritare e re sepse nuk e di çfarë është por po shoh diçka të mirë. Në tërë këtë tmerr më është hapur njëfarë porti që po shoh vetëm pozitivitet. Ashtu po ndjehem mirë por nuk e di pse”, thotë Prelvukaj.
Në këtë intervistë për KultPlus ajo ka bërë të ditur se punimet në këtë ekspozitë janë historia e saj dhe e botës në një periudhë kohore të tillë. Po ashtu, ajo këtë ekspozitë e ka cilësuar si një paralajmërim i idesë që njerëzit janë ata që nuk çuditen më. Kurse, ajo se çka pëlqehet nga artistja është se njerëzit e kanë kuptuar që të gjithë në këtë botë, sido qofshin ata, ata janë njerëz të njëjtë.
Kështu, krejt në fund ajo ka shpalosur edhe synimet e saj për të ardhmen të cilën ajo e sheh si një mundësi për të krijuar edhe më shumë duke u shprehur se ky virus i ka shtyrë njerëzit të mendojnë më thellë.
“Dëshira ime në të ardhmen është kontributi që pikturat e krijuesve kosovar dhe ndërkombëtarë ta gjejnë një shtëpi të përjetshme për të cilën Kosova ka nevojë si një aspekt i politikës kulturore”, përfundon Prelvukaj. / KultPlus.com
Tanimë nuk ishin hapësirat vendtakimet e njerëzve, qofshin ato të hapura apo të mbyllura. Aktivitetet kulturore e artistike të ndikuara nga pandemia, kaluan në formatin digjital. Mos mbajtja e aktiviteteve kulturore ka sjell shumë pasoja për artistët të cilët ende sot vazhdojnë të presin për një rifillim të jetës së tyre artistike në mënyrën qysh e kanë praktikuar gjithmonë, shkruan KultPlus.
E pikërisht kjo çështje është kthyer në temë nga Europe House Kosovo të cilët organizuan një panel diskutimit.
‘’Në kohë të pandemisë: ndikimi në artin dhe kulturën në Kosovë’’ bëri bashkë në një ekran 4 panelistë të cilët diskutuan për kompleksitetin e kulturës dhe ndryshimet që ajo ka pësuar nga Coronavirusi. Për këtë diskutim, duhej patjetër përzgjedhja e individëve të cilët vet janë pjesëtar të komunitetit artistik si dhe ata të cilët krijojnë politika udhëheqëse të kulturës vendore.
Europe House Kosovo në këtë diskutim mbi kulturën kishte panelistë: piktoren Zake Prevlukaj, pjesëtarin e projektit ‘’Kultura për Ndryshim’’ Arif Muharremin, zëvendësministrin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit Engelbert Zefajn dhe regjisoren Zana Hoxhën. Diskutimi nisi nën moderimin e mrekullueshëm të Arbër Selmanit dhe u transmetua në faqen e European House Kosovo në Facebook.
Tema e parë e cila i bashkoj në diskutim folësit u bë pandemia. Arif Muharremi duke qenë panelisti i parë filloj duke shpjeguar se periudha në të cilën ndodhemi është një krizë dhe si e tillë kjo është një prodhuese e frikës.
‘’Kjo krizë e ka kapluar edhe skenën e pavarur kulturore të Kosovës, e cila për 20 vite me radhë ka kontribuar në luftimin dhe zvogëlimin e frikës te popullata jonë’’, u shpreh Muharremi.
Pjesëtari i Qendrës Multimedia, Arif Muharremi beson se pavarësisht pse pjesëtarët e skenës kulturore kanë bërë mjaftueshëm për promovimin e vendit, ata nuk kanë gjetur adresim të nevojave të tyre te institucionet relevante.
‘’Përveç që denjësisht skena kulturore e ka përfaqësuar Republikën tonë jashtë vendit për më shumë se 20 vite, merita e saj është që e ka promovuar atë që iu është dashtë dhe iu duhet ende shtetit tonë për të implementuar më shumë proceset e shtetndërtimit si demokracinë, përgjegjësinë, shoqërinë aktive’’, thekson tutje pjesëtari i projektit ‘’Kultura për ndryshim’’.
Muharremi tregoj për aktivitetet e Qendrës Multimedia përgjatë pandemisë duke përfshirë: shënimin e ditës ndërkombëtare të librit, pjesëmarrjen në programet dhe kalendarin teatror të Kosovës, dhurimin e librave në bibliotekat komunale, bisedat me njerëz të kulturës, etj.
Me mbylljen e institucioneve kulturore u pezulluan shumica e aktivitete që zhvilloheshin në kuadër të tyre. As Teatri nuk i rezistoj pandeminë. Që nga mbyllja e tërësishme e deri në qershor, shikuesit mbetën pa shfaqje. Transmetimi i shfaqjeve që nga 12 qershori bëri që publiku të përballet me një ‘’teatër digjital’’. Mirëpo, edhe sot e kësaj dite dyert e këtij institucioni kulturor qëndrojnë të mbyllura. Për t’i ndarë përvojat e saja profesionale e kulturore diskutimit iu bashkua regjisorja Zana Hoxha. Ajo rrëfeu se si pandemia ndikoj në ndërprerjen e një projekti teatror një javë para shfaqjes së saj te publiku, në të cilën punonin një ekipë prej 30 personash.
‘’Ishte me të vërtetë një situatë sfiduese sepse kemi pritur një drejtim, një lehtësim më të madh të tërë procesit nga ana e institucioneve tona’’, theksoj regjisorja Hoxha.
Mirëpo, digjitalizimi i cili ka bashkuar botën për komunikim ditor, kësaj radhe kreu këtë funksion edhe për komunikim kulturor. Projekti i cili iu ndërpre Zanës, u shfaq në formën online më 12 qershor, pikërisht në ditën e çlirimit të Prishtinës. Ajo vlerëson se ka qenë e domosdoshme për të si regjisore shfaqja e saj te publiku, aq më shumë kur artistët e pavarur këtë e shihnin si një ‘’fije shpëtimi të një përkrahje financiare’’.
‘’Vendosëm që ta japim premierën për shkak që e vetmja mënyrë që institucionet tona të paguajnë artistët ka qenë që të shfaqet vepra, për dallim prej shumë vendeve të Bashkimit Evropian ku ka mjaftuar paraqitja e kontratës, fillimi i procesit ose edhe mos fillimi i procesit’’, thotë regjisorja Hoxha.
Derisa flet për teatrin, Zana tregon se buxheti i Teatrit Kombëtar të Kosovës ka mbetur 80% i parealizuar, teatrot lokale i vlerëson se janë në një hap të mirë për shkak që tani secila kanë krijuar ansamblet e veta, por që e sheh problematike mungesën buxhetore që ndikon drejtpërdrejtë në proceset e krijimit të shfaqjeve.
‘’Unë mendoj që kemi mundësi, kapacitete e sisteme teatrore që të mbajmë shfaqje ose ngjarje të hapura në hapësira publike siç është duke ndodhur tash në Maqedoni, në Shqipëri e Serbi’’, vlerëson kontributdhënësja e Teatrit. Zana njëherit është edhe drejtoreshë e Festivalit ‘FemArt’, i cili promovon gratë dhe vajzat nëpërmjet artit. Këtë vit ky festivali vie i përqendruar në rrafshin vendor, duke anuluar planet ndërkombëtare të cilat përfshijnë udhëtimet, ushqimet, akomodimet; në mënyrë që ky buxhet të ndahet si pagesa për artistët vendor krijues.
‘’Ky buxhet do të shkoj në pagesa për artistët tanë dhe do të krijojmë vepra të reja, të cilat jo domosdoshmërisht e adresojnë çështjen e Covidit, por e adresojnë nevojën e artit dhe krijimtarinë e artistëve tanë’’, shprehet drejtoresha e FemArtit. Sipas regjisores Hoxha, iniciativat artistike online si teatrot, koncertet, ekspozitat ishin të duhura mirëpo tanimë duhet të mësohemi të jetojmë me Covidin pa hequr dorë nga identiteti jonë kulturor.
‘’Nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm të një shoqërie nëse nuk ka kulturë dhe nëse nuk ka zhvillim të industrisë kreative që vjen bashkë me kulturën’’, thekson Zana Hoxha.
Nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport ishte i pranishëm zëvendësministri Engelbert Zekaj, për të shpalosur politikat institucionale për kulturë. Gjatë diskutimit u përmend fondi emergjent 5 milionësh, që sipas Zekajt është pamundësuar shpërndarja e deritanishme e saj për shkak të ngjarjeve politike në vend.
‘’Ky 5 milionësh do të shpërndahet në pjesën e mbetur të vitit, për tre katër muajt që i kemi në dispozicion deri në fund të dhjetorit’’, shton tutje zëvendësministri i MKRS-së, Engelbert Zekaj. Përveç kësaj, Zekaj informoj publikun se në thirrjen e hapur në janar për subvencione nga MKRS kanë aplikuar mbi 700 organizata, 480 prej të cilave kanë fituar projekte dhe 312 si organizata jo-qeveritare dhe 168 persona si krijues artistik.
Tutje ai tregoj se pritet një fond emergjent edhe për vitin e ardhshëm.
‘’Kurse për vitin e ardhshëm planifikohet një buxhet poashtu ndihmës, jo i subvencioneve sepse janë të ndara subvencionet me planin e rimëkëmbjes’’, u shpreh Zekaj.
Piktorja Zake Prelvukaj si përfaqësuese e Galerisë Kombëtare të Kosovës tregoj mbi përvojën e këtij institucioni kulturor i cili u detyrua të bëj shtyrjen dhe anulimin e ekspozitave, kryesisht atyre ndërkombëtare. Pavarësisht mundit të tyre për shfaqjen e ekspozitave online, disa kanë qenë të pamundura për shkak të kompleksitetit që kishin.
‘’Ajo ekspozitë në mënyrë virtuale nuk ka qenë e plotësuar, se në vend të prezantimit të 5 ose 6 punimeve, ne kemi shkuar me 1 ose 2 punime dhe ajo s’ka qenë ai plotësimi fizik, optik që e shikon aty për aty’’, shpjegon anëtarja e kryesisë së bordit të GKK-së për anulimet e ekspozitave nga artistë të huaj.
Prelvukaj duke qenë ligjëruese në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, thekson se mësimi virtual në pikturë nuk ishte i lehtë por që ka pasur edhe përparësitë e veta:
‘’Kemi sjell diçka prej studentëve që në kushte normale nuk do të mund t’i kishim ato motive, njëfarë mbrojtje, stimulimi, ringjallje e vetëdijes sonë’’, tregon ligjëruesja Prelvukaj. Ndërkaq përveç aspektit akademik, pandemia sipas saj ka pasur anët pozitive edhe te artistët, të cilët gjatë kësaj kohe kanë hulumtuar e gjetur shumëçka nga vetja.
‘’Kjo periudhë na ka vetëdijesuar që të japim mesazhe të ndryshme, që të duhemi më shumë, të bashkëpunojmë më shumë dhe që arti të mos jetë individual, por të jetë shoqëror’’, thekson krejt për fund artistja Prelvukaj. / Medina Pasoma/ KultPlus.com
Ka vite që merret me art dhe ka ditur të provokojë në kohëra
kur ka qenë vështirë të dalësh jashtë kutisë. Në forma të ndryshme, ajo ka qenë
gjithmonë artiste por edhe aktiviste, ka ndihmuar me artin e saj thumbimin e
mentalitetit. Ajo ka sfiduar edhe veten, edhe familjen e saj, por nuk është dorëzuar
asnjëherë.
Zake Prelvukaj, pos artit dhe ekspozitave të cilat i ka hapur gjithandej nëpër botë, ka ndihmuar shumë në ligjërimin mbi artin, tek fëmijët. Ajo qysh e vogël ka nisur me qepje, ka qepur vello, ka qepur edhe për të fituar. Këpucat e mprehta të nënës së saj ajo i ktheu në sandale, se nuk i pëlqenin në formën origjinale. Rrugët e Prishtinës i ka mbushur me vizatime me shkumës, ndërsa në vende të ndryshme në Kosovë ka ligjëruar mbi mënyrën e të menduarit me art.
Zake Prelvukaj ka qenë mysafirja e radhës në mbrëmjen ‘KultWoman me…’ organizuar nga KultPlus, për të nderuar gratë të cilat kulturës dhe artit i dhanë shumë ndër vite.
Në rreth 60 minuta bisedë, Alberina Haxhijaj nga KultPlus
dhe Zake Prelvukaj kuvenduan për karrierën e kësaj të dytës, për jetën e saj,
artin, jetën, inspirimin, dhe zërin artistik që duket se atë nuk e lë asnjëherë
të qetë.
‘Unë asnjëherë nuk pajtohem me gratë që thonë se me vite nuk kam mundur të punoj shkaku i familjes. Po ju tregoj, për katër vite i kam rritë fëmijët e motrës sime, vetë kam pasë probleme dhe disa dështime me shtatzanitë e mia, por gjithmonë kam pasur forcën. Kur të vjen zani i artit, sikur zani i Krishtit apo Muhamedit, është i shenjtë dhe mua nuk më ka lënë asnjëherë të qetë. Unë gjithmonë kam kriju, veq nëse nuk kam mujt me lëvizë fare” ka treguar gjatë mbrëmjes mes tjerash Zake Prelvukaj.
Audienca e pati Zaken përpara saj, një artiste e cila jo
rrallë ka ditur të jetë qendra e vëmendjes së artit në Kosovë, me goditjet e
saj në qarqe të ndryshme të jetës.
Ajo e ka nisur tregimin e saj me fëmijërinë, me kohën kur ishte e re dhe kur vendosi të qepte, e më pas të futej në pikturë, në Akademi të Arteve, dhe më pas të bëhej edhe profesoreshë. E refuzoi rolin e Ministres së Kulturës, sepse nuk e linin që ajo ti përzgjidhte vetë këshillëtarët e saj. E refuzoi edhe rolin e drejtueses së Galerisë së Arteve, sepse liria e saj frymonte ndryshe. Zakja thjeshtë frymonte më afër me artin, se me postet artistike.
Në ‘KultWoman me…’ ajo nuk harroi ta përmendte edhe Hanin e 2 Robertëve, hapësirën në kryeqytet ku u rritën e morrën formë disa prej artistëve të njohur të gjeneratave të ndryshme në Kosovë.
“Hapësira e artit Hani i 2 Robertëve ka luajtë rol të madh
tek artet figurative, por edhe tek fushat tjera, sepse kur kemi shku aty na kanë
trajtu sikur të ishim fëmijët e tyre. Por unë nuk u ndala me pak. Në vitet
1996, 1997 shkoja në Tivar dhe krijoja murale, e në këtë kohë për ekzistencë
shitej më pas edhe piktura, sepse kisha familje të gjithë mbetëm pa rroga. Për
femrat e dhunuara kemi reaguar si artistë qysh në vitin 1997, sepse sipas
mendimit tim, arti është dokumenti më i fortë, më shumë flet arti e fotografia
sesa një shkrim që mund të zgjerohet. Arti është pasqyrë e fortë e terrenit ku
jeton” tregoi Prelvukaj.
Ajo është përjetësisht e lidhur me ndjenjën e artit. Tregimi i saj nuk është vijë e drejtë, dhe ajo e kupton shpesh që del jashtë temës, e kthehet në temë, dhe del prapë jashtë por gjithmonë futet brenda duke e përdorur artin dhe lidhjen e jetës së saj me fushën artistike, shprehjen artistike në forma e trajta të ndryshme.
Para 21 vitesh ajo doli për herë të parë me trupin e saj brushë. Nuk munguan fjalët e njerëzve, por ajo guxoi sepse siç tregon, ky ishte inspirimi i saj i kohës. Vjen koha kur nuk të pëlqen brusha dhe më pas dëshiron të punosh në një formë tjetër, tregon Zakja. Ajo kësisoj ka punuar gjithmonë, duke e ndjekur elementin e inspirimit të saj, pa dëgjuar çka thonë të tjerët rreth saj.
“Jam e lumtur që kam pasur një aparat, nëj Toshiba që ma ka ble baba, një aparat me të cilin jam zhvillu gjithandej. Kam fotografu çdokund, prej Akademisë së Arteve, portrete, kam fotografu protesta, ekspozita, me Ibrahim Kodrën i kam dy filma të aparatit, me Muslim Mulliqin e me Xhevdet Xhafën. Këto fotografi sot nuk janë ekspozuar por e di se një ditë do t’i ekspozoj ato, duke nisur prej portreteve, të gjitha fotografive në Hanin e 2 Robertëve, dhe të gjitha fotografitë e ngjarjeve që kanë një lidhshmëri me krijimin e situatës ekonomike, politike e sociale në atë kohë” tregon tutje Zake Prelvukaj.
Ajo e përsëriti trupin e saj brushë, në një herë të dytë me trupin e saj të lyer me zift. Dhe zifti do ti dhimbte shumë në trup, por ajo e dëshironte këtë dhimbje, duke u solidarizuar me gratë e dhunuara shqiptare dhe me dhimbjen e gruas, për çfarëdo arsye. Ajo thotë se procesin e trupit brushë do ta përsërisë çdo 4-5 vite, në forma të ndryshme artistike.
Tregimi i saj për ‘KultWoman me..’ është i gjatë, i bukur dhe i mishëruar ashtu siç di vetëm Zakja.
‘KultWoman me…’ organizohet nga KultPlus dhe është projekt në kuadër të Kultura për Ndryshim – financuar nga EU dhe implementuar nga Qendra Multimedia dhe Goethe Institute.
Do të jetë piktorja Zake Prelvukaj e ftuara e radhës e KultPlusit në ngjarjen ‘KultWoman me…’
Në ciklin e ngjarjeve, e katërta mbrëmje do të mbahet me Zake Prelvukajn.
Me datë 15 shkurt, e premte, në ora 17:00 në Qendrën Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian në Prishtinë, Zakja vjen me tregimin e saj mbi jetën dhe artin e saj.
Zake Prelvukaj diplomoi për pikturë në vitin 1991 në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës në klasën e prof. Nysret Salihamixhiqit. Në vitin 1993 filloi punën si docente në lëndën pikturë monumentale. Në vitin 1997 magjistroi në lëndën e pikturës, në klasën e prof. Muslim Mulliqit. Në vitin 2000 mori klasën e pikturës, si profesor i asociuar.
Në vitin 2005 ajo morri Çmimin e Nëntorit në Maqedoni dhe më pas morri çmim edhe në Ekspozitën ‘Lule për Aleksandër Moisiun’.
Gjatë karrierës së saj të deritanishme ka ekspozita të
shumta personale dhe grupore. Ekspozitat personale në Kosovë i hapi kryesisht
në Prishtinë: Future X (2010), Mbroje natyrën në Parkun Gërmia (2004),
Sexhibition në Muzeun e Kosovës (2005), 12 hours-shoping centre-performative
(2004), Ghetto in Balkan në Hani i Dy Robertëve (2003), X-sat flasin – Arti i
rezistencës, Galeria Dodona (1998). Në Pejë ekspozoi në Kafe-Galerinë Evergrin
(1994) dhe Galeri Evropa (1996), ndërsa në Gjakovë në Neë Vision Gallery (2001)
Ejani me 15 shkurt ta dëgjoni tregimin e Zakes dhe ta takoni nga afër artisten.
‘KultWoman me…’ është ideuar nga KultPlus ndërsa është projekt në kuadër të ‘Kultura për Ndryshim’ nga Bashkimi Evropian.
Në kuadër të ekspozitës “Perceptimet: Burrneshat” në Galerinë Kombëtare të Kosovës, artistja Zake Prelvukaj ka shpalosur rrugëtimin e saj si artiste. Ajo gjithashtu ka diskutuar edhe për veprën e saj “Ofshama”. Vepra e artistes Prelvukaj së bashku me shumë vepra të artistëve të njohura britanike dhe kosovare po ekspozohen në kuadër të ekspozitës “Burrneshat”, shkruan KultPlus.
Babai i artistes Zake Prelvukaj, në kohën kur artistja ishte
akoma fëmijë kishte një aparat përmes të cilit fotografonte momente të ndryshme
familjare. Një fotografi e realizuar nga ajo,
poashtu ka dokumentuar pasionin që artistja ka pasur për artin që në fëmijëri.
Prelvukaj në këtë fotografi shihet e përkulur derisa në tokë ka vizatuar një
shtëpi. Pikërisht me këtë kujtim ajo fillon edhe rrugëtimin e saj për të
pranishmit në Galeri, të interesuar për të dëgjuar tregimin e artistes. Sipas
saj, kjo fotografi dhe pikërisht ai aparat i kanë ndihmuar për të kuptuar
pasionin e saj por edhe rëndësinë që ka dokumentimi i gjërave.
“Baba më ka dashtë shumë, po nuk me ka thonë që me u marr me art se thojke
nuk ka fitim, mbetesh moler. Gjithmonë me ka thonë le të mbetet piktura për ty
si hobi”, tregoi artistja. Ndikuar nga kjo, artistja fillon studimet në juridik, të cilat
më vonë edhe i braktisi, pasi që arti mbeti edhe gjatë asaj kohe pjesë e saj.
“Hyra në Akademi të Arteve dhe pata fatin me qenë te një
pedagog i jashtëzakonshëm, Nysret Salihamixhiq. Ishin kohë shumë të vështira, ku shumë kush ka pasur probleme financiare. Për
me fitu pare për me i ble ngjyrat, shpeshherë ju qepsha pallto njerëzve. Në Akademi
shkoj shumë mirë, e merrsha një
kasetofon të vogël dhe punojsha deri në 1 apo 2 të natës. Kam pas fat që banesen
e kisha shumë afër fakultetit, prandaj qëndroja deri vonë”, theksoi artistja.
Pas kësaj Prelvukaj arriti që të punësohet, mirëpo puna si mësimdhënëse
në kohën kur nxënësit shqiptarë helmoheshin nëpër shkolla nga pushteti serb i
asaj kohe dhe situata e atëhershme në Kosovë filluan të ndikonin edhe në punën
e artistes. Vijat, ngjyrat, çdo gjë në pikturat e saj vinin në pah emocionet e brendshme
që kishte artistja gjatë asaj kohe, e që
fatkeqësisht ishin të përziera, të turbullta dhe aspak të qeta.
“Ato vite kanë qenë shumë të rrezikshme mirëpo prapë dilnim
kafeve shumë. Pikërisht këtu edhe filloj ajo jeta ‘nëntokës’ ku edhe hapet Hani
i dy Robertëve. Definitivit kohë të vështira, prandaj si kam diplomuar i kam
lyp babës me dal prej banese, se edhe ngjyrat ishin të rrezikshme. Madje e kam
marrë edhe makinën e gjyshes që e ka pas
edhe nana për me qepë. Prej pesë rrogave në shpi, atëherë na ka mbet veç njo,
prandaj edhe unë punojsha kartëvizita, reklama e qepsha që me e mbajt veten”,
tregoi ajo.
Sipas saj gjatë kësaj kohë femrat janë detyruar që të bëhen
burrnesha pasi që u është dashur të punojnë, të rezistojnë, të krijojnë, të
gjitha së bashku.
“Fillimisht se kemi ditë a kemi me ekzistu deri nesër, pastaj
si me e bo kafshatën e gojës, sepse si profesor atëherë në Fakultetin e Arteve
nuk na paguanin, dhe e treta ishte si me ekzistu si krijues”, theksoi ajo. Mirëpo,
sipas saj është shumë e rëndësishme që njerëzit të jenë të guximshëm, të
qëndrojnë përkrah të vërtetës dhe të kenë vetëbesim. Pikërisht këto dy virtyte
artistja Prelvukaj beson se janë me të rëndësishmet dhe i nxitë që të mbizotërojnë
edhe të studentët e saj.
Duke biseduar për gratë në Kosovë ajo theksoi se tani ato
janë të njohura, sidomos në kulturë, me
regji, me muzikë, e me art. Mirëpo, sipas saj i vjen keq që shpesh herë gratë janë
ato të cilat mundohen që të shtypin një grua tjetër, diçka të cilën e ka
provuar edhe ajo.
“Më vjen keq që ka gra që shpesh herë ia fshinë një gruas
tjetër emrin. Kam heq shumë keq prej grave, e sidomos pas luftës, të cilat kanë
dashur që nga fundi të arrijnë në kulm. Ato ishin në gjendje që jo vetëm mua,
por secilës grua, përmes politikës t’ia fshijnë emrin. Mirëpo politika shkon
dhe vjen çka mbetet janë faktet dhe krijimtaria. Edhe pse politika edhe tani na
ka shkatërruar edhe në Fakultetin e Arteve dhe gjithkund, ajo do të
tjetërsohet. Gjeneratat e reja, e që janë qytetarë jo vetëm të Kosovës por edhe
të gjithë botës kanë me përparu”, u shpreh ajo. Sipas saj, është shumë e rëndësishme që gratë të
përkrahin njëra-tjetrën pasi që vlera e artit do të rritet, e sidomos kur muzetë më të mëdha të
interesohen edhe për artin në Ballkan, në mënyrë që të mbulojnë edhe atë
zbrastësi.
Si fëmijë që merrte pjesë në gara të shkollës, pikturonte me
shkumësa në rrugë e madje talentin e saj e përdorte edhe kur qepte, një zanati
të cilit ia pa hajrin dhe i ndihmoi për të fituar para shumë herë. Arti për
Zaken nuk mbetet më vetëm diçka e bukur, mirëpo edhe një formë për të
protestuar dhe për të shfaqur problemet shoqërore.
Një prezantim i mahnitshëm i këtyre pikturave nëpër muret e Galerisë Kombëtare të Kosovës, jo vetëm që e kënaqi publikun duke i parë, por edhe duke i ndjerë ato. Përmes syve mund të shihje secilën ‘Ofshamë’ të secilës vijë të krijuar nga Zake Prelvukaj.
Sarandë Selimi
E bardhë, e zezë, ngjyrë kafeje, e verdhë, e kuqe, krem, ngjyrë portokalli… Portret duke ulëritë, trup femre, dorë, mure, shtëpi… ‘Pa Mitrovicë nuk ka Kosovë’, ‘Rroftë Mitrovica’, ‘Stop Manifestimeve pa çlirimin e Mitrovicës’, ‘Mos e prek’, ‘Shpia e Zane’… ‘Art modern’, ‘Demokraci’, ‘Shoot’, ‘Madness’… e krejt kjo ‘OFSHAMË’.
Mbrëmja e së hënës në Galerinë Kombëtare të Kosovës solli këtë qasje përmes pikturave të artistes shqiptare Zake Prelvukaj. Kjo ekspozitë personale e Prelvukajt mblodhi rreth ‘Ofshamës’ shumë miq, artdashës e familjarë të artistes, për të cilën kryeqyteti kosovar ka pritë goxha gjatë që të vijë me një ekspozitë të tillë. Një prezantim i mahnitshëm i këtyre pikturave nëpër muret e Galerisë Kombëtare të Kosovës, jo vetëm që e kënaqi publikun duke i parë, por edhe duke i ndjerë ato. Përmes syve mund të shihje secilën ‘Ofshamë’ të secilës vijë të krijuar nga Zake Prelvukaj.
Kjo ekspozitë u hap me fjalët e drejtoreshës së Galerisë Kombëtare të Kosovës Arta Aganit, e cila menjëherë ia kaloi fjalën ministres në detyrë në MKRS, Vlora Dushmoshit. Dumoshi, tha që është e nderuar të marrë pjesë në ekspozitën e mikes së saj, e cila përveç pikturës dhe talentit të saj, veçori specifike, sipas Dumoshit është edhe gjuha e malësisë të cilën ajo e flet. “Vetë kjo ekspozitë me titullin ‘Ofshamë’ e tregon një rrugëtim të popullit tonë dhe këtë më së miri e shpreh Zakja”, tha Dumoshi.
Ndërsa një katalog më i veçantë se nëpër ekspozita të tjera ishte ky për ekspozitën e Zake Prelvukajt. Në këtë katalog një shkrim të veçantë kishte bërë Shkëlzen Maliqi, me ç’rast lexoi pak pjesë nga ai shkrim.
“Artet bashkëkohore lirinë dhe kuptimin e kërkojnë para së gjithash te vetvetja e jo nënshtrimet e detyrimeve sociale, politike, religjioze… edhe në raste kur këto detyrime duken plotësisht të arsyeshme, ose për më shumë, si vlera sublimë, imponuese, të shenjta. Nga ana tjetër, kuptohet se nga artisti nuk mund të pritet që ai, si qenie sociale dhe politike që është, të shkëputet plotësisht nga jeta dhe zotimet sociale, të cilat në kohërat e krizave dhe të mbijetesës bëhen pothuajse të pashmangshme”, theksoi Maliqi, i cili vazhdoi tutje të thotë se Zake Prelvukaj shprehet plotësisht e vetëdijshme për këtë situatë ekzistenciale të artit.
“Në një bashkëbisedim me sinqeritetin më të madh ajo më kishte thënë: “Në vitet 90-ta, kur unë seriozisht pata filluar të merresha me art, krijimtaria ime motivohej jo vetëm nga dëshira dhe dashuria për artin, por edhe nga revolta””, pohoi Maliqi.
Pasi të pranishmit që ishin në një numër të madh shikuan e shijuan këtë ekspozitë, KultPlus foli me kritikun e artit Ilir Muharremi. Ai tha se Zakja konsiderohet si artiste e guximshme, mirëpo, sipas tij, koha ka ndryshuar, pasi që atëherë sistemi dhe femrat pak merreshin me art, kurse sot merren shumë.
“Motivet nuk qenë më të ndryshme nga ato që i kemi parë të Zakja, si për shembull: Demokracia tani trageti në mesin e këmbëve të femrës. Tashmë janë tejkaluar këto, nuk janë më atraktive, sepse femra është avancuar, duhet të avancohet dhe artistja të jetë përpara kohës së sotme e jo të jetoj me të kaluarën. E veçanta e ekspozitës ishte realizimi i punimeve në stilin e Zakës, herë abstrakt e herë ekspresiv abstrakt, sidomos portretet e shpërqendruara që ma kujtonin Dr. Zhivagon. Por edhe motivi nga lufta e fundit, mbishkrimet. Ka formën, vijën dhe ngjyrën por edhe kompozicionin. Është art i ndërdies, nuk i jep rëndësi veç figurës, por tërë kompozicionit. Ka përjetime individuale, ulërimë, ulërimë e munkut piktorit, klithma por nuk ka krijim të ri mbi sistemet, mbetet me të kaluarën e sistemeve”, u shpreh Muharremi i cili përfundoi të thotë se e sheh më shumë si art individual.
E vetë protagonistja kryesore e kësaj ngjarje, artistja Zake Prelvukaj, iu tha të pranishmëve se e kanë nderuar në rrugëtimin e saj jo të lehtë. Ajo tha se stacioni i saj ishte Prishtina e këndshme dhe e mira, ishte shtëpia e saj e cila gjithmonë u mor me art.
“Mora një rrugë që nuk e dija se ku të qet e ku do të shkoj, mirëpo ajo rrugë ishte më i rëndësishmi në jetën time, në atelienë në të cilën u rrita, studiova, krijova. Këto rrugë nuk duhet t’i shikojmë si të vështira, se njerëzit thonë që ndoshta nuk të shpërblehet puna, por unë për të gjithë ju them se puna shpërblehet dhe kjo puna ime është puna juaj, puna juaj është puna ime dhe në çdo”, u shpreh artistja e cila pas këtij fjalimi morri shumë duartrokitje e pastaj edhe shumë urime.
‘Ofshamë’ e Zake Prelvukajt do të qëndroj e hapur në Galerinë Kombëtare të Kosovës deri më 5 tetor të këtij viti./ KultPlus.com