Memorie dhe traumë – Kujtesa mbi luftën nëpërmjet letërsisë

Zamira Rexhepaj Mehmetaj

Blerina Rogova Gaxha: Memorie dhe traumë, Artini, Prishtinë, 2023

Çfarë është memoria e çfarë është trauma?

Memoria është aftësia për të mbajtur në mend një ngjarje të caktuar, situatë apo periudhë.  Trauma, e cila mund të jetë dy llojesh, fizike në kuptimin e sëmundjes dhe shpirtërore në kuptimin emocional, është tronditja e fortë nga një ngjarje, situatë apo periudhë e caktuar.

Të dyja këto terme shumë të qarta në shikim të parë, vijnë në një formë të veçantë në veprën Memorie dhe traumë (Kujtesa e luftës 1998-1999 në Letërsinë shqipe në Kosovë) të Blerina Rogova Gaxhës.

Memoria në librin e Blerina Rogova Gaxhës është një trajtesë letrare mbi kujtesën e luftës, e cila është një letërsi faktuese për ngjarje të përjetuara në Kosovë, gjatë periudhës së sulmeve serbe. Trauma, ashtu siç edhe përshkruhet në librin e autores, është një ngjarje e cila e ka fillimin por mbarimi i saj nuk dihet, mbase mund të jetë edhe me mbarimin e vetë jetës njerëzore.

Rogova Gaxha zgjedh 49 autorë kosovarë për t’i dhënë jetë qëllimit të vet që ta shqyrtojë natyrën dhe funksionin e memories dhe traumës së luftës së viteve ’98-’99 në letërsi, raportin e këtyre koncepteve me aktin e shkrimit dhe aktin e dëshmisë letrare.

Kjo vepër eseistike, përbëhet nga trembëdhjetë pjesë dhe përveç tjerash përbrenda ndarjeve ndërmjet pjesëve përfshihen edhe lustrime të ndryshme.

  1. Riformësimi i luftës përmes letërsisë

Letërsia është fiksion, por ajo në Memorie dhe traumë vjen si dëshmi e një periudhe shumë të vështirë ku ngjarjet e kohës së luftës faktohen përmes letërsisë. Në këtë tekst trajtohen tri lloje viktimash nga lufta e fundit në Kosovë:

  1. Të vrarët
  2. Të dëbuarit
  3. Të përdhunuarit

Autorët që zgjedh Rogova Gaxha janë protagonistë të dëbuar ose të pranishëm të kësaj lufte dhe ata merren me çështjen e çështjet të cilat mund të shihen nga prizmi personal dhe ai kolektiv. Njëmbëdhjetë ndarjet përbrenda veprës Memorie dhe traumë, siç janë: Letërsia si dëshmi, kujtesa e të zhdukurve, trauma e të mbijetuarve, kujtesa e fëmijëve të vrarë, trauma e refugjatëve, taksa e luftës, anatomia e traumës, luftë dhe liri: proza e zonës traumatike, rikrijimi i së shkuarës, vetja e traumatizuar: e kaluara në të tashmen, poezia e revoltës dhe protestës, paraqesin pikëpamjen e cila sillet në rrethin ku e kaluara ndjek të tashmen e autorëve në letërsinë shqipe të Kosovës, mbi përjetimet e luftës, ndërmjet traumës dhe kujtesës në fazat e ndryshme të jetës së gjithsecilit. Rogova Gaxha ndërton tri kohë në veprën e saj:

  • Fëmijëria
  • Rinia
  • Pleqëria

Faza e përjetimit fëmijëror të luftës, kalimi i një pjese të rinisë në luftë dhe pleqëria e vdekja gjatë periudhës së luftës janë një kujtesë dhe traumë e gërshetuar dhe e bartur edhe në lirinë e cila shihet dhe përjetohet nga të gjithë ata që ishin pjesë të këtyre kohëve dhe i faktuan ato kohë përmes letërsisë.

Funksioni i letërsisë në faktimin e këtyre ngjarjeve flet nëpërmjet syrit që i përjeton pamjet e frikshme, të humbjeve, të zhdukjeve, të fitoreve, të pamjeve makabre, ku nëna sheh fëmijën me trupin e ndarë në dysh dhe nuk çmendet, djali mban në krah eshtrat e babait të vdekur dhe nuk ka lot për të qarë, babai mban në gji fëmijën e pranon të flijohet bashkë me të, por nuk e lë vetëm.

Pra, bëhet fjalë për dokumentimin e ndjenjave njerëzore përmes letërsisë, përtej ngjarjeve e realitetit që mund ta përshkruajë fusha e historisë, këtu i jepet jetë këtyre ngjarjeve dhe njerëzve që ishin pjesë e tyre.

Letërsia këtu shtron një kërkesë të re ndaj vetvetes të cilën Rogova Gaxha e sjell si kërkesë shumë unanime, të flasë të vërtetën e përjetimeve të një kohe plot dëshmi, nga më afër, nga brendësia, nga ajo që dihet por nuk mund të shihet nga të gjithë. Trajtimi nga individi te shoqëria e lë pa ndarje ndjenjën e frikës, të dhembjes, shpresës, vdekjes, dëshirës e dashurisë, duke u bërë të gjitha një, duke jetuar trazimin përmes një kohe e cila la pas vetes vështirësi për të ardhur deri te qetësia e mëparshme.

  • Ndërmjet frikës, shpresës, jetës dhe vdekjes

Memorie dhe traumë sjell njerëzit të cilët mbase ndjenjat i kanë të thyera, jetën e duan, por frikë e kanë. Frika dhe shpresa e rrëzojnë monotoninë e protagonistëve të autorëve të Rogova Gaxhës. Ata ndiejnë mllef dhe janë të lodhur nga ndjesia që u jep bindjen se sytë e tyre tashmë janë mësuar me gjakun dhe pajetësinë në njerëzit e tyre, por kjo nuk ndodh edhe me armikun, ai thjesht e përjeton pamjen me pangopësi:

Asgjë nuk lëvizte brenda kornizës
oxhaqet e shtëpive ishin të fikur
pemët flinin pa zogj
nga gjiri i një gruaje të vrarë
rridhte qumështi
sikur donte t’i shuante etjen për jetë
atij që po e sodiste pikturën
[1]

Në vargjet e Xhevdet Bajrajt të poezisë Tabllo lufte shfaqet pamja e një situate lufte, ku edhe zogjtë nuk kanë më vend në pemë, e shpresa ende rrjedh për një të ardhme të cilës iu shua një jetë.

Frika se do të humbasin shumë nga vetja dhe shpresa se do të gjendet një fije për të shpëtuar nga ky ankth vjen në dy forma të ndryshme, njëra tek autori Gazmend Bërlajolli e tjetra tek Donika Dabishevci, tek i pari gjendet shpresë te jeta, kurse tek e dyta kërkohet vdekja për ta larguar frikën se nuk ka më shpresë.

Nji tamël ma prunë do gra

Beben ngjeshë në prehën,
vjehrrën po e lus
Nanë,
çikën ma rroku nji copë granate…
gjaku rrëke kambës,
…oj nanë, veç po dridhna,
çikën a ma mban?

Rrugës dikur vjehrra,
Zoti shnosh ty se
çika, më thotë,
vdiq.

Ç’me i ba oj nanë,
a thue ku me e lanë?

Ia kam puthë ballin,
edhe sytë të dytë
te një mulli e kam lëshue
Në nji cepë aty,
ku kish pasë do sanë.

Mos e le këtu
se ta han ndoj qen,
Merre!
Ushtar me uniformë ish.
Merre!
më bërtiti,
këtu s’mundesh m’e lanë.

Iu afruem qytetit,
na shtinë në fabrikë.
u avitën gratë,
copën e granatës
ma hoqën me gërshanë,
mishi mos me u infektue.

Ma përmiellën varrën
prap ma lidhën kambën
pakëz m’u qetësue.

Gjinit veçse gjakun
s’mujsha me ia ndalë
me u dridhë,
ethe,
më nisën.

Çikës ia laga
buzën me nji tamël
që ma prunë do gra.

Çika sytë i çeli
ish hala e gjallë.
[2]

Është e ndryshme ajo që ndodh me poezinë e Donika Dabishevcit Lutjet e nji nane:

S’kish menu nanëshkreta që mun vjen ajo ditë
kur me ma t’kthjelltin menim kish me e lypë dekën e fmisë.

“Aman mor Zot, merre,
merre nji dakik e ma parë.
T’falem Zot, merre shpejt,
merre e mos e le me hjekë!”

S’kish besue nanëmjera se mun vjen ajo ditë,
që kish mu gzue kur shpirti i shpirtit t’saj,
zemra e zemrës,  loçka e loçkës,
ai qingj i vogël që sa kish marrë kamtë me ecë ledinave,
kish me i mshelë ata sy t’bukur, sy bojëqielli.

Jo me pushue, as me fjetë…
Me i mshelë për mos me i çelë ma.
Kurrë!

Nanëzeza menxi ja kish tubue zorrtë t’birit,
zorrtë e çpupurituna si krelanë prej ciflave t’granatës.

“Marova nanë prej barku, mos m’prek…
po m’dhem shumë”…
si gjylpana n’shpirt dej n’ditë t’vorrit
gugatjet e tij t’fundme…
[3]

Pjesa më e prekshme nga të gjithë autorët, janë thirrjet që frika e shpresa e bërë bashkë ua ka falur. Kur përmendet frika para del figura e gruas shqiptare e cila mban shpresën e saj në gji, duke aluduar këtu në fëmijën e saj, shpresë që në ndonjë rast nuk dëshiron ta ketë nga drika se mund ta humbasë.

Ideja e trajtuar në lidhje me luftën në Kosovë është pandashëm e lidhur me këto dy figura, pra atë të gruas dhe atë të fëmijës. Fëmijët përshkruhen si pikëshikimi i të gjithve, në njërën anë për t’i ruajtur fizikisht nga armiku e në anën tjetër për t’i ruajtur shpirtërisht nga memorizimi i kësaj traume. Në kuadër të kësaj ideje mund të përmendet poezia Loja e tmerrit e poetit Sali Bashota, në të cilën njeriu i shndërruar në numër, ka sytë në fëmijën e vet, në shpresën e vet që gjendet mbi frikën e brendshme të humbjes:

Grua mbulona kokën me batanije
Fëmijët janë zverdhur nuk do t’i çelë mëngjesi
Shi i zi bie në kufirin e vdekjes
Bllaca gjëmon kur na i zhveshin edhe ndjenjat

Ç’trishtim i tmerrshëm këput litarët e lotëve
Populli im midis dy grumbuj gjarpërinjsh këlthet
Po vdes në shkretëtirën e atdheut të vet
O Zot jam njeri i shndërruar në numër
Kur loja e tmerrit vazhdon pa pikë pa presje
[4]

Lidhja e shpresës me fëmijët përtej njeriut me veten e vet, është një kontekst i cili mund të shihet nga një pikëpamje më e gjerë, më universale. Kjo bazuar në idenë se janë fëmijët ata që bëjnë kohën që të rinjtë dhe të moshuarit e lënë prapa dhe në anën tjetër është armiku i cili nuk e do të ardhmen tënde, do të ta vjedhë atë, ashtu siç edhe ndodhi në luftën e fundit në Kosovë, ku u vranë mbi 1000 fëmijë. Kjo bëhet edhe më e lexueshme në tekstin Memorie dhe traumë, ku pamja e fëmijëve të vrarë e të zhdukur vjen si një tragjedi e përzier me skenat më të tmerrshme.

Kufiri midis jetës dhe vdekjes është më i afërti, veçanërisht ky kufi theksohet për nga afria në një gjendje lufte. Por kuptimi i të dyjave, si i jetës ashtu edhe i vdekjes ndërron në luftë. Ndonjëherë vdekja në fakt është edhe shpëtimi më i lehtë, dëshira e vetme që kanë njerëzit që po e përjetojnë tmerrin e luftës.

Poezia Ata më thanë ik, dhe unë ika e poetit Lulzim Tafa, flet mbi temën e vdekjes në luftë dhe tjetërsimin në një kohë barbare:

Kokën time të prerë
Në dorë ma dhanë
Dhe thanë
Ik!

Zorrët m’i nxorën
Dhe me to
M’i lidhën këmbët
Dhe thanë
Ik!

Mbusha gojën time
Me gjak
Xhepat me gjymtyrët
e mia dhe
ika.
[5]

Por vdekja bëhet shumë herë më e dëshirueshmja, sidomos kur kalohet në situatën e grave të përdhunuara seksualisht në luftë. Kjo vjen përmes poezisë së Vlora Konushevcit e cila flet nga përspektiva e gruas e cila ka përjetuar dhunë seksuale në luftën e fundit:

Kur jam çky e jam çnderu n’sy të babës, të fëmijëve
Tokën me thoj e kam gërry
Dhambët fort i kam shtrëngu
Mos me qitë as edhe nji za.
Kambaduersh me krejt hezin e mbetun
Kam gërry e gërry
Vetit vorrin me ia ba,
Dhimtën teme e paçi n’qafë!
[6]

Brutaliteti i dhimbjes së përjetuar e bën gruan e dhunuar të trajtuar nga Konushevci ta dëshirojë vdekjen, sepse jeta e saj veç është shndërruar në ferrin që mbase nuk do ta përjetonte nëse do të vdiste.

Vija e hollë ndarëse ndërmjet dy koncepteve jetë e vdekje, trajtohet si një thikë me dy tehë e cila në të dyja anët e rrëzon idenë e jetës së mirëfilltë, kjo ngaqë shumë prej njerëzve veç janë të dëbuar, kanë familjarë të zhdukur, kanë humbur fëmijët, kanë gratë e përdhunuara, kanë humbur dhe nuk kanë më atë që kishin, qenien e tyre.

Përshkrimi më i mirë që vjen në tekstin e Rogova Gaxhës është përmes poezisë Gjellë shqiptare  të Xhevdet Bajrajt, të cilën ajo e zgjedh me shumë të drejtë kur përshkruhet imazhi i armikut:

Ushtarët e armikut në Kosovë
kishin mëny të pasur shqiptare

Në mëngjes
Qumësht nga gji të shqyer nënash
dhe foshnja të palindura të ziera në zjarr shtëpish
servirur me sy të zinj të kaltër apo ngjyrë kafe
dhe nga një shishe lotë të valë

Dikush kënaqej veç me nga një kokë të pjekur[7]

Ndonëse nuk qëndron vetëm parakalimi mbi shumë autorë që në veprën e saj i bën pjesë Blerina Rogova Gaxha, shtresimi që ajo bën në studimin e faktimit nëpërmjet letërsisë përfshin fletë të shumta të cilat lëvizin nga personalja në kolektiven, se si realisht shndërrohet dhimbja në letërsi, e letërsia në pasqyrë të së vërtetës.

  • Reflektimi mbi pasqyrën e thyer të kohës – lufta me hijet e traumës dhe kujtesës

Ardhja e lirisë nuk bëri një kalim drastik në jetën e njerëzve. Në Memorie dhe traumë jepet liria ashtu siç erdhi, plot me dhimbje. Trauma e kujtesa e luftës nuk la mundësi që dikush ta gjejë forcën e t’i kthehet jetës, siç është rasti i Pashkës, gruas në Gjakovë e cila e dogji veten pasi iu kthyen kufomat e fëmijëve të saj, por edhe ata që e gjetën këtë forcë, kjo ishte e mbushur me hije, frikë për të dalë në pah. Ashtu siç edhe merret në veçanti Blerina Rogova Gaxha, mbesin më të prekurat gratë e dhunuara seksualisht, të cilat në liri margjinalizohen edhe nga familjarët e tyre, mbesin në rrugë, nuk trajtohen nga askush.

Mënyra se si imazhi i tyre vjen në letërsi në Memorie dhe traumë përshkruhet përplot dhimbje dhe trishtim, ku gjendja e mjerë e grave të përdhunuara shfaqë edhe gjendjen e mjerë të shoqërisë, e cila turpërohet nga ajo që nuk është krenaria e tyre:

Na shihni në sy dhe ju shohim
Ju shohim përditë po jemi kaq të verbër
Ah, ku gjendet çelësi i Ferrit tuaj
Një, dy, tre,
Nëntë rrathë thellë në shpirtin e djegur
Ju shohim e na shihni…
[8]

Kjo poezi e Adem Gashit e shfaqë këtë traumë të ngelur në gruan e përdhunuar dy herë, një herë në luftën e të gjithve e një herë në lirinë e të tjerëve por jo të sajën, kjo sepse liria asaj i solli një luftë të re.

Kështu, sa është e fuqishme kujtesa mbi një kohë që ka lënë një traumë të thellë shpirtërore?

Këtë përgjigje e jep pikërisht autorja e veprës Memorie dhe traumë, duke dokumentuar përmes autorëve rolin e letërsisë në tregimin e kësaj fuqie, ku humbja më e madhe është e brendshme, ndërsa fitorja është e jashtme dhe përplot dhimbje. Duke përfunduar kështu se çmimi i paguar është aq i shtrenjtë dhe i pakthyeshëm, aq sa të vdekurit e të zhdukurit shpesh paraqiten në letërsi në një gjendje paqeje në krahasim me ata që vazhduan të luftojnë sepse mbetën të gjallë.

  • Përfundim

Ashtu siç shprehet edhe vetë autorja letërsia e dalë nga mitra e luftës shplon pëlhurën që mbuloi traumën e thellë për ta kthyer në këngë e lament, në dëshmi poetike e në testament letrar, ajo në të vërtetë e realizon idenë e kujtesës e idenë e traumës në një përmbledhje e cila sjell autorët e letërsisë shqipe të Kosovës, duke përcjellë mesazhin në dimensione të ndryshme, nga pamja e syve të foshnjës në atë të syve të pleqve, nga pamja e të burgosurit, e të dëbuarit, të zhdukurit, të vdekurit, atij që jeton, të përdhunuarit e kështu me radhë duke përdorur thellësinë në vërtetësinë të cilën mund ta sjellë arti i letërsisë, përmes aftësisë së saj për t’u bërë një me dhimbjen, shpresën e frikën.

Blerina Rogova Gaxha me këtë studim e sjell një rezultat shumë të çmuar në kontekstin jo vetëm letrar. Andaj, përfundimi mbi këtë tekst studimi nuk ka se si t’i largohet fjalisë përfaqësuese të tij:

Lufta nuk ka kujtesë, por truri poetik mban në mend.

Shënim: Punimi është prezantuar në lëndën Letërsi aktuale shqipe, te prof. dr. Sali Bashota, studimet master, Dega e Letërsisë Shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë.