Një shfaqje e mrekullueshme e talentit dhe zërit të mrekullueshëm të sopranos Zana Abazi-Ramadani pritet të bëjë për vete publikun në përmbyllje të koncertit të datës 15 shtator ku njëkohësisht Zana shënon debutimin e saj në Hamburg të Gjermanisë në Festivalin Ndërkombëtar “International Mendelssohn”, shkruan KultPlus.
Ky debut emocionues për artisten, do të ndodhë në një nga vendet më të njohura të muzikës klasike dhe padyshim që është një moment i veçantë për të pasi do të ndajë zërin e saj me një audiencë të gjerë.
“Shumë e lumtur, e nderuar dhe e privilegjuar që do të përmbyllë koncertin e datës 15.09.2023 (E premte) dhe me këtë rast të debutoj në Hamburg të Gjermanisë, në festivalin e njohur ndërkombëtarisht “International Mendelssohn Festival”!
Falenderime të përzemërta për miken time dhe sopranon tonë të mirënjohur Elbenita Kajtazi dhe Camille Lemonnier për rekomandimet dhe ndërmjetësimin.
Falenderime për drejtuesin e festivalit Prof.Niklas Schmidt dhe udhëheqësin e orkestrit kameral që do të më shoqëroj në këtë koncert Prof. Clemens Malich për ftesën, vlerësimin, besimin dhe bashkëpunimin”, shkruan Zana.
Festivali “International Mendelssohn” është një ngjarje prestigjioze në botën e muzikës klasike dhe është një platformë e rëndësishme për artistët e rinj dhe të konsoliduar të muzikës klasike për të treguar aftësitë e tyre. / KultPlus.com
Kryeveprat e jashtëzakonshme të kompozitorëve shqiptarë dhe botërorë u jetësuan mbrëmë nga talenti i shquar i Korit të Fakultetit të Arteve, Korit të Filharmonisë së Kosovës, kompozitorit Valton Beqiri, violinistit Visar Kuçi, Orkestrës Harkore të Filharmonisë së Kosovës, sopranos Zana Abazi-Ramadani, tenorit Ismet Vejseli dhe baritonit Denik Prizreni, të cilët frymuan së bashku për të sjell një repertor sublim që përmbante tri premiera botërore si dhe tri vepra që përkujtuan kompozitorin Fahri Beqiri në një vjetorin e vdekjes së tij, me ç’rast koncerti krijoi një spektër të guximshëm të melodive dhe tingujve që mbrëmë dolën përtej Ateliesë së Pallatit të Rinisë dhe Sportit, shkruan KultPlus.
Ky koncert mahnitshëm portretizoi literaturën muzikore korale që në thelb përmbante disa nga veprat më të bukura shqiptare të kompozitorëve si: Fahri Beqiri, Mendi Mengjiqi, Arben Ramadani, Drinor Zymberi, Josif Minga dhe Valton Beqiri. Veprat e titulluara “Mars” nga Mendi Mengjiqi, “Të kesh mall” dhe “Vaj si qenka ba dynjaja” nga Arben Ramdani, erdhën mbrëmë si premiera botërore të cilat Kori i Filharmonisë i interpretoi në një mënyrë aq të bukur saqë publikun e futi në një gjendje të çuditur nga përsosmëria harmonizuese e tyre.
Pasi që të pranishmit tashmë kishin zënë vendet e tyre duke mbushur komplet sallën në tërësi, pasoi qetësia tashmë e njohur nga ana e publikut. Ndërsa, ishin dy podiume të gjata që po pritnin hapat e pjesëmarrësve të Korit të Fakultetit të Arteve për të mbushur skenën e cila në prapavijë po mbizotërohej nga ngjyra e zezë e perdeve të gjata. Të veshur në të zezë kokë e këmbë, Kori i Fakultetit të Arteve priti lëshimin e parë të dorës të dirigjentit Edon Ramadani për të sjell veprat e fuqishme si: “Shkoj e vij fluturim si zogu” për kor femrash ku Kori ishte i vendosur edhe në hapësirën lart në katin e dytë, “Erdh Misiti” dhe “Madrigali i Ibrit plak” për kor të përzier, të cilat sollën një interpretim ku duart e dirigjentit luhatnin në harmonizim me intensitetin e vokalit të tyre, aty ku dallohej dhe veçantia më e bukur e tyre.
Tutje ishte Kori i Filharmonisë së Kosovës ai që mrekullisht pushtoi skenën me interpretimin e veprave si: “Mars”, “Të kesh mall”, “Shkoni krushqi”, “Vaj si qenka ba dynjaja” dhe “Paska çelur moj pranvera”. Të pozicionuar në hapësirën e tyre specifike tradicionale, për të sjell gjithsej pesë vepra sa ritmike po aq edhe melankolike ku tri nga të cilat ishin premierë, vokali i tyre arriti të prekë dhe hyjnoren e tingujve e melodive. Si çdo herë, Kori dëshmoi për talentin e tyre të pakrahasueshëm e të veçantë në stilin e tyre. Ndonëse të kufizuar në një hapësirë të vogël, ishte zëri i tyre i gërshetuar ai që depërtoi lehtësisht ndërmjet të pranishmëve dhe doli përtej sallës si një hije e pandashme që portretizonte dhuntinë e tyre.
Kësaj here dukshëm vërehej dhe programi tejet i pasur i koncertit me ç’rast në skenë doli violinisti Visar Kuçi dhe pianisti Valton Beqiri për t’iu bashkangjitur Korit e për të interpretuar veprën “Udhëtim sonor” nga Valton Beqiri, vepër kjo e cila solli ndërlidhjen e rrallë dhe tejet të nevojshme për një program unik. Një piano, një violinë dhe vokali i Korit, u shndërruan në një urë lidhëse të tingujve gërshetues të cilat ngërthyen publikun në strofullën e saktësisë të qartë dhe pastërtisë të kristaltë së magjisë poseduese që dhurohej nga ata.
Pas një pushimi dhjetë minutash, në skenë po shtoheshin disa karrige të tjera në një numër të madh, për të pritur kështu edhe Orkestrën Harkore të Filharmonisë së Kosovës, sopranon Zana Abazi-Ramadani, tenorin Ismet Vejseli dhe baritonin Denik Prizreni. E pastër si loti dhe e gjatë mbi më shumë se njëzet minuta, u interpretua vepra e fundit për këtë natë “Mesha Nr.2 në G-dur, D.167” të kompozitorit të njohur, Franz Schubert. Lëvizjet ritmike të kokave dhe duarve të Orkestrës shpalosën një interpretim tejet të bukur të tyre ku me inkuadrimin e zërave po aq të bukur të sopranos, tenorit, baritonit si dhe me vokalin e njëtrajtshëm të Korit, shënuan fundin e një nate me copëza magjike të paharrueshme.
Teknika e duhur korale, harmonia e gërshetuar precize ndërmjet interpretuesve, programi unik që anonte nga meloditë shqiptare, dhënia e shpirtit të secilit anëtar të dy Koreve, instrumentistëve dhe treshes vokale që u paraqitën sonte, janë dëshmitarë të seriozitetit, punës së madhe dhe dashurisë për muzikën klasike, rrënjët e së cilës strehohen në Filharmoninë e Kosovës me të gjitha degët e saj.
Në anën tjetër, ishte vetë dirigjenti Edon Ramadani ai i cili gjatë gjithë këtij koncerti la gjurmë të paharrueshme. Përgjatë gjithsej dy orëve, vepër pas vepre, ai drejtoi kahjen e interpretimeve të njëpasnjëshme ku herë me një dorë e herë me dy, ai vazhdueshëm komandoi jo vetëm të dy Koret e paraqitura, Orkestrën, tingujt e violinës e pianos, vokalin e tre interpretuesve të Meshës por edhe vështrimin e fokusin nga të pranishmit mbrëmë. Qysh nga momenti i parë, skena ishte shndërruar në trupin e tij i dytë dhe ai arriti të fiksonte natën me artin e shenjtë të dirigjimit, mjeshtëria madhështore e së cilës u dallua në secilën vepër. Kështu, në përfundim të koncertit nuk munguan duartrokitjet dhe brohoritjet e shumta të publikut që vazhdonin pa ndalë, me ç’rast shpalosej dëshira që ky koncert të mos kishte një fund.
Për të treguar më shumë rreth këtij koncerti dhe veçantinë e tri veprave premierë, për KultPlus foli dirigjenti Edon Ramadani.
“Programi ishte tre pjesësh dhe natyrisht ishte një përgjegjësi e madhe sepse kishim tre ansamble të mëdha duke nis nga Kori i Fakultetit të Arteve të cilët i kishim mysafirë këtu sonte. Pastaj Kori i Filharmonisë e pat pjesën e parë kryesisht me ‘A cappella’ dhe në fund përfundoi me veprën e profesorit Valton Beqiri i cili ishte dhe në piano së bashku me violinistin Visar Kuçi. Kisha kënaqësinë që sonte t’i kisha tri premiera botërore dhe në pjesën e tretë interpretuam Meshën me solistët e talentuar. Por më e bukura ishte se pas shumë kohëve, salla ishte përplot e mbushur”, thotë Ramadani.
Sipas tij, tri premierat ishin shumë të bukura, shumë të ndjeshme dhe stilistikisht të ndryshme nga njëra-tjera në secilin aspekt. Andaj, për të ishte dhe një përgjegjësi më e madhe sesa përsëritjet e zakonshme ngase xhirimi i parë mbetet një dokument për interpretimet e radhës.
Po ashtu, sopranoja Zana Abazi-Ramadani për KultPlus tha se Meshat janë goxha sfiduese dhe të dhimbshme për t’u interpretuar.
“Fillimisht dua të falënderoj Filharmoninë e Kosovës dhe dirigjentin Edon Ramadani që më dhanë këtë mundësi për të performuar këtë Meshë. Meshat siç dihen nuk janë edhe aq të lehta të performohen për shkak të mjeshtërisë brenda tyre e po ashtu nuk mund të këndohen nga secili solist, ngase janë goxha sfiduese dhe të dhimbshme njëkohësisht. Ishte një kënaqësi shumë e madhe që të ndaj skenën me të gjithë këta njerëz të talentuar”, tregon Abazi-Ramadani.
Ndërsa, violinisti Visar Kuçi mbrëmë për veprën e kompozitorit Valton Beqiri tha se tani kishte marrë një kuptim të cilin e meritonte vepra.
“Perfomanca e sotme ishte më e mira prej atyre që i kemi bërë gjatë provave dhe gjatë përgatitjeve, edhe pse unë këtë vepër e kam luajtur edhe njëherë para disa viteve. Sonte më është dukur se e ka marrë tamam atë kuptimin që e meriton vepra. Veçantia e veprës është që kompozitori ka arritur me fragmente ose tema të shkurtra për të na dhuruar një udhëtim nëpër një numër shumë të madh të trojeve shqiptare. Të gjitha ato tema që ishin të vendeve të ndryshme në fakt në partiturë ndodhen edhe emrat e tyre dhe secila karakterizohet me një ritëm dhe një melodi”, thotë Kuçi.
Nata e tretë e edicionit të 21-të të festivalit ReMusica, solli para të pranishmëve një interpretim nga Kuarteti harkor, “Selini String Quartet”, ku së bashku me inkuadrimin e artistëve të ftuar si: sopranoja Zana Abazi-Ramadani dhe pianisti Edon Ramadani, u sollën vepra të kompozitorëve të huaj si dhe atyre shqiptar, me ç’rast mbrëmë mahnitshëm u gërshetuan dy fryma sa të ndryshme, aq edhe të mrekullueshme, shkruan KultPlus.
Tash e tri net, është Salla e Kuqe ai vendi i cili tashmë po pushtohet nga artistë të ndryshëm të cilët gjithmonë prekin skenën e njëjtë por të cilët sjellin vepra krejtësisht unike ku secila ngërthen një veçanti në vetvete. Shkronjat gjigande që shpërfaqin emrin e festivalit në prapaskenë kësaj here kishin ndërruar pozicionimin e tyre në një kënd ndryshe që i përshtatej akoma më shumë hapësirës, ndërkaq në anën tjetër, reflektorët e vendosur mbrapa skenës ishin kthyer përsëri në ngjyrë të kaltër, për t’i shtuar hijeshinë, veprave që pas pak do të performoheshin.
Hapjen e natës së tretë të festivalit ReMusica e nisi koordinatori Shaban Behramaj, i cili i uroi mirëseardhjen të pranishmëve dhe tutje tregoi se është bërë një ndërrim i vogël në program.
“Mirë se keni ardhur në natën e tretë të festivalit ReMusica. Jemi shumë të lumtur që ju shohim sonte këtu dhe me të vërtetë na ka marrë malli që të jemi prezent në koncerte, për shkak se ishim dy vite të tmerrshme në formatin online që ishin jo aq të lehta për ne. Sonte prezantohet Kuarteti nga Austria, “Selini String Quartet”, të cilat kanë një program të mirë përzgjedhur edhe mezi po presim t’i dëgjojmë. Por, fillimisht po ju informoj për një ndërrim të vogël në program ku bëhet fjalë për vendosjen e veprës së tretë me radhë, e cila do të luhet krejt në fund të programit”, thotë Behramaj.
Po ashtu për një fjalë rasti në skenë doli dhe ambasadori austriak Christoph Weidinger, i cili thotë se është një kënaqësi që sonte do të interpretohet një program mjaft i larmishëm.
“Jam shumë i kënaqur që mund t’ju mirëpres këtu sonte në këtë koncert, i cili mbështetet nga Ambasada e Austrisë për programin “The Sound of Change”. Ky është një program i Ministrisë të Punëve të Jashtme të Austrisë i cili jep mundësinë muzicientëve të rinj që të performojnë edhe jashtë vendit, jashtë Austrisë. Andaj, jam shumë i kënaqur që sonte “Selini String Quartet” do të interpretojnë një program të larmishëm për ne. Siç shumica prej jush e dini, muzika kamertale e në veçanti kuartetet harkore kanë një traditë të gjatë në Austri dhe kjo traditë prek edhe kohën e shumë kompozitorëve si Mozart”, thotë Weidinger.
Sipas tij, është një gjë shumë e bukur që programi që do të luhet sonte, përmban një vepër nga Schubert dhe vepra të tjera nga kompozitorë bashkëkohorë nga Kosova dhe Austria.
Pas këtyre fjalimeve, me veshje në ngjyrë të zezë, në skenë doli Kuarteti harkor “Selini String Quartet”, që qysh në fillim po rrezatonte plot hijeshi dhe elegancë. Me hapa drejt skenës, ato u mirëpritën me një duartrokitje të zjarrtë. Ndërkaq, pas disa ndreqjeve të vogla të instrumenteve të tyre, fuqishëm erdhën meloditë e para të veprës “String Quartet op.20/5” nga kompozitori Joseph Haydn, vepër kjo që futi në funksion të gjithë trupin e këtyre instrumentisteve, duke lëvizur sa në një anë në tjetrën, për të goditur vazhdimisht notat e sakta që po pasonin me lehtësi.
Dy violina, një violë dhe një violonçel në ngjyrë kafe morën vëmendjen e kujdesshme të të pranishmëve, të cilët me një koncetrim të shtuar vëzhgonin lojën madhështore të kuarteti harkor. Nga vepra në vepër, lëvizjet e krahëve dhe të duarve të tyre futeshin në një cikël rrotullimi nga i cili nuk dolën për asnjë moment, me ç’rast secila nga instrumentistet tërë kohën po frymonte në një vijë me meloditë dhe tingujt pasues.
Përgjatë pothuajse dy orëve, kuarteti solli dhe veprat e njohura si: “seacoloured lightbellsounds” nga kompozitori Philipp Manuel Gutmann dhe “String Quartet no.13 ‘Rosamunde’” nga kompozitori Franz Schubert, për të lënë kështu një përshtypje se meloditë çelnin ngadalë nga instrumentet porsi lulet në pranverë, teksa ato pothuajse ishin të padëgjueshme në disa çaste por që kjo padyshim ishte dhe veçantia e tyre.
Në anën tjetër, ëmbëlsia tjetër e këtij koncerti padyshim që ishin veprat e njohura shqiptare si: “Vet’ ke mbetë” nga kompozitori Gjergj Kaçinari dhe e ripërpunuar nga Edon Ramadani dhe “Valsi i lumturisë” nga kompozitori Avni Mula, e po ashtu që erdhi e ripërpunuar nga Edon Ramadani. Këto dy vepra erdhën nën interpretimin e fuqishëm të sopranos Zana Abazi-Ramadani e cila së bashku me “Selini String Quartet” dhe pianistin Edon Ramadani, pushtuan skenën me frymën shqiptare të pakrahasueshme.
Publiku ishte ai i cili dukshëm dëgjonte me entuziazëm vokalin e pastër të sopranos teksa edhe buzëqeshjet nuk mungonin në fytyrën e tyre. Meloditë mallëngjyese dhe tejet melankolike u përjetuan nga secili i pranishëm, me ç’rast ishin ndjenjat unike ato që morën përsipër që të shfaqeshin edhe në formën fizike, atë të rrëqethjes në trupin e njeriut në një formë trajektoreje.
Kështu, krejt në fund ishte publiku ai i cili duartrokiti dhe brohoriti performancën e jashtëzakonshme të “Selini String Quaret”, sopranos Zana Abazi-Ramadani dhe pianistit Edon Ramadani, të cilët u rikthyen për të dytën herë në skenë për t’i dëgjuar nga afër ritmikën e krijuar nga të pranishmit.
“Selini String Quartett” për KultPlus tha se kjo është hera e parë që vijnë në Prishtinë dhe se veprat shqiptare janë me të vërtetë tejet të bukura.
“Është hera e parë që ndodhemi këtu në Prishtinë dhe në fakt e kemi shijuar shumë. Njerëzit janë kaq të mirë dhe moti është kaq i ngrohtë kur mbërritëm dje. Ne patëm një provë shumë të bukur dhe një masterklasë shumë të mirë këtë mëngjes me studentët, gjë për të cilën u befasuam shumë këndshëm. Sonte patëm kënaqësinë të performojmë për një publik të madh kështu që shpresojmë të kthehemi”, thotë “Selini String Quartett”.
Sipas tyre, pjesët shqiptare vërtetë ishin të mahnitshme dhe diçka e re për to, ku muzika u konsiderua më e lehtë dhe tejet e bukur.
Po ashtu, për të treguar më shumë rreth përshtypjeve për koncertin, për KultPlus foli sopranoja Zana Abazi-Ramadani.
“Fillimisht jam shumë e privilegjuar që mu dha mundësia të performoj me këtë Kuartet fantastik dhe dua të them se nuk kemi bërë asnjë provë përpos sot që kemi bërë provën që ka zgjat vetëm pesë minuta, dhe ja suksesi po shihet edhe vetë dhe shpresoj që edhe publikut i ka pëlqyer”, thotë Abazi-Ramadani.
Sipas saj, programi ishte i veçuar për shkak të shkaqeve natyrore që duhet të përkrahen në mënyrë maksimale dhe në mënyrë që vetëdijesimi të jetë akoma më i pranishëm në popull.
“Besoj që do të ketë edhe më shumë koncerte të tilla sepse siç po shihet, publiku është shumë i interesuar për të dëgjuar. Ndërsa, në anën tjetër do të duhej të ishte edhe një sallë tjetër, që është tejet e domosdoshme, njëlloj sikur shtëpia operistike për solo këngëtarët. Besoj që në të ardhmen do të realizohet një sallë e tillë, ngase kjo sallë nuk i përmbush të gjitha kushtet e nevojshme për muzicientët”, përfundon Abazi-Ramdani.
Ndërsa, pianisti Edon Ramadani për KultPlus tha se ishte një kënaqësi që ai po bashkëpunon me një Kuartet të përmasave botërore.
“Ishte një kënaqësi që të kem bashkëpunim me një Kuartet të tillë prestigjioz dhe botëror sepse “Selini Quartet” ka një agjendë të ngjeshur dhe një turne të paracaktuar nëpër botë, kështu që është me të vërtetë një kënaqësi që ReMusica së bashku me Ambasadën Austriake na mblodhi për të interpretuar së bashku ku unë dhe pata dy përpunime të dy këngëve ikonike të dy këngëtareve tona siç është Nexhmije Pagarusha dhe Vaçe Zela”, thotë Ramadani.
Sipas tij, eleganca, muzikaliteti dhe saktësia e Kuarteti, janë tri veçoritë kryesore që u panë edhe në koncert.
Ndërkaq, kujtojmë se edicioni i 21-të i festivalit ReMusica, “The Sound of Change”, trajton temën e ndryshimeve klimatike dhe bën thirrje për ndërgjegjësim tek publiku për veprim klimatik. E gjithë kjo, është reflektuar në programin e sivjetmë, duke u kujdesur që përmbajtja e tij të orientohet në këtë temë, me fokus në katër elementet e natyrës – Toka, Uji, Ajri dhe Zjarri.
Festivali ReMusica do të zgjasë deri më 21 prill. Ndërsa, sonte duke filluar nga ora 20:00, vjen koncerti i radhës “Duo Ko-Art” me violinisten Abigeila Voshtina dhe pianisten Artemida Qarri-Haxhiaj.
Fotografia në ballinë: Rrahman Osmani/ KultPlus.com
Kamerfesit mbrëmë i ka takuar “Zanave”. Tri artistet që performuan mbrëmë ishin me një emër por jo edhe me një shije dhe kolorit. Në fakt, pikërisht se secila prej tyre ishte në një pozicion ndryshe, një fakt ky dhe bazë e mjaftueshme që publiku të dëgjonte tinguj pianoje, flaute si dhe zërin e çlirët dhe të pastër të sopranos Zana Abazi-Ramadani, e cila qe e përcjellur nga pianistja Zana Badivuku- Basha dhe flautistja Zana Abazi, shkruan KultPlus.
Salla ishte e mbushur, ndërsa në skenë arriti ansambli që do të performonte aty. Ata u pritën me duartrokitje të pasuar me një heshtje si shenjë përgatitje për fillimin e koncertit. Veprat të ndryshme të huaja, të interpretuara nga artistet në fjalë përshëndeteshin vazhdimisht, por kulmimi i emocioneve dhe duartrokitjeve erdh kur sopranoja Zana Abazi-Ramadani nën përcjelljen e artisteve tjera, filloi interpretimin e këngës “Valsi i Lumturisë”. Çdo i dyti mysafir ishte me telefon në duar, duke incizuar apo fotografuar. Momentet që ajo dhuroi gjatë asaj performance nuk mjaftonin vetëm që të shijoheshin, ato duhej të ruheshin.
E gjithë mbrëmja ka kaluar nën një atmosferë shumë relaksuese dhe pozitive. Formacioni artistik, përveç anës profesionale ka arritur që tek publikun të transmetonte edhe një energji pozitive dhe të krijonte një klimë miqësore që në fakt ishte edhe një nga veçantitë e kësaj mbrëmje.
Siç ndodh zakonisht, mbrëmja u mbyll me shumë fotografi dhe shkëmbime mendimesh rreth asaj performance, ku vërehej se të gjithë ishin të kënaqur.
Sopranoja, Zana Abazi- Ramadani, ka thënë se programi që kanë pasur nuk ka qenë i lehtë.
“Me të vërtetë ka qenë mjaftë i vështirë, ka epoka të ndryshme dhe secila epokë, secila këngë, secila vepër e ka stilin e vet dhe duhesh t’i përshtatesh stilit të saj. Duhesh të jesh vazhdimisht në formë në mënyrë që të performosh në çdo moment”.
Ajo tutje ka folur për vështirësitë që krijon mungesa e një salle koncertale në Kosovë.
“Me të vërtetë kjo biseda për sallën është bërë si traditë të diskutohet mirëpo, nëse nuk kemi salla si duhet atëherë edhe për neve si instrumentistë dhe si artistë e kemi më të vështirë t’i realizojmë interpretimet tona”.
Zana Abazi, tha se është ndjerë e nderuar që ka ndarë skenën me dy artistet tjera.
“Ka qenë privilegj shumë i madh për mua që ta ndaj skenën me dy profesioniste si profesoreshën Zana Badivuku dhe profesoreshën Zana Abazi-Ramadani. Një mundësi shumë e mirë për mua që më është ofruar nga profesoresha Sihana Badivuku”.
Më pas, shkurt ka treguar edhe për përzgjedhjen e programit.
“Përzgjedhja e veprave është bërë në bashkëpunim me drejtoreshën e festivalit, ndërsa trion që e kemi luajtur së bashku tri zanat, ka qenë vepër e aranzhuar nga profesori Edon Ramadani”.
Pianistja, Zana Badivuku-Basha ka folur pak për organizimin si dhe për provat që kanë pasur së bashku para performimit.
“Mendoj se kemi qenë një ansambël i mirë, jemi përshtatë mirë. Provat i kemi mbajtur dy-tri javët e fundit, jo shumë por mjaftueshëm sa për ta realizuar një koncert, do të ishte mirë që ta vazhdonim këtë bashkëpunim”.
Pianistja Lejla Pula e ka vlerësuar si “shumë të bukur” mbrëmjen e djeshme.
“Ishte një mbrëmje shumë e bukur. Vërtetë jam shumë e lumtur që jemi dëshmitarë që artistët tanë punojnë pa pushim dhe përparojnë gjithnjë e më shumë. Ishte një përshtypje e jashtëzakonshme artistike”.
Ajo ka zgjedhur fjalë të mëdha për sopranon Zana Abazi-Ramadanin.
“Është një prej sopranove më të mira që ne kemi dhe me të cilën ne mund të mburremi vërtetë dhe mendoj se ne duhet të gjejmë rrugë që këta artistë të kemi rastin dhe t’i shfaqim edhe jashtë kufijve të Kosovës”.
Festivali Kamerfest 2019 që po zhvillohet në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë Veriore, do të vazhdojë edhe netëve të tjera me aktivitetet të ndryshme artistike teksa edhe KultPlus do të vazhdojë t’i mbajë të informuar lexuesit e tij. / KultPlus.com