“Ballo me maska” e shkruar nga kompozitori italian Giuseppe Verdi së shpejti në TKOB

Vepra “Ballo me maska” e shkruar nga kompozitori italian Giuseppe Verdi do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në 1 qershor, në kuadër të Javës së Kulturës Italiane.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, drejtoresha e TKOBAP, Zana Çela dhe artistë shqiptarë e të huaj zhvilluan sot një konferencë për shtyp.

“Jemi shumë të kënaqur që do të celebrojmë së bashku ngjitjen në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit të kësaj vepre që vjen si një bashkëpunim mes TKOBAP dhe Teatro Regio Di Parma. Një staf i gjerë artistësh dhe prapavije, shqiptarë e të huaj, janë bërë bashkë për të sjellë një shfaqje madhështore”, u shpreh Margariti në një postim në rrjetet sociale.

Ky është një bashkëpunim, tha Margariti, që me siguri nuk do të ishte kurorëzuar pa investimin madhor që është bërë në këtë teatër.

“Kjo shfaqje në Tiranë është edhe një moment historik, pasi ky produksion vjen nën atmosferën e vitit 1913, përmes skenografisë dhe kostumografisë së krijuar në atë periudhë dhe të restauruar së fundmi. Pra bashkë me këtë vepër vjen edhe një copëz historie. Por kjo shfaqje shënon edhe hapjen e Javës Kulturore Italiane, që do të pasohet me një kalendar të pasur aktivitetesh”, tha Margariti.

Nga 31 maji, deri në 7 qershor do të zhvillohet në disa qytete të Shqipërisë Java Kulturore e Italisë. Kjo javë zhvillohet në kuadër të “Javëve Ndërkombëtare të Kulturës”, nismë e qeverisë shqiptare me moton “Shqipëria mikpret botën”, ku marrin pjesë 17 vende të ndryshme të botës si dhe vende të Bashkimit Evropian. Pas javëve kulturore të Francës, SHBA, Greqisë, në Tiranë dhe disa qytete të tjera të vendit gjatë Javës Kulturore të Italisë do të zhvillohen një sërë aktivitetesh kulturore./atsh/ KultPlus.com

Këngëtarët e famshëm shqiptarë, publikohen fotografitë kur ishin të vegjël (FOTO)

Ardit Gjebrea, Inva Mula, Irma Libohova, David Tukiçi , Zana Çela e shumë artistë të tjerë të cilët tashmë janë shumë të famshëm, talentin e tyre e kishin nisë qysh të vegjël, shkruan KultPlus.




Qendra Kulturore e Fëmijëve ka publikuar fotografitë e këtyre artistëve, të cilët qysh të vegjël ishin prezantuar para audiencës.


Kjo qendër tashmë feston 70-të vjetorin dhe këtë përvjetor po e shënon me këta artistë, të cilët kanë qenë pjesë e këtij institucioni qysh në fëmijëri. Për të parë se si kanë qenë atëherë, mund ti shikoni nëpërmjet fotografive/KultPlus.com



Sherr midis Inva Mulës me Zana Çelën

Disa ditë para se të vihej në skenë shfaqja e fundit nga Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit, situata aty nuk ka qenë dhe aq e qetë. Një mosmarrëveshje e cila ka degraduar deri në tone të larta, ka ndodhur mes sopranos së mirënjohur shqiptare Inva Mula dhe drejtueses së këtij instutucioni, Zana Çela.

Të dyja kanë debatuar ashpër në zyrën e Çelës për sa i përket fondeve të cilat pretendoheshin nga ana e sopranos. Sipas saj, ishin të pakta fondet e dhëna për operan “Peshkatarët e Perlave”, e cila u vu në skenë nga TKOB për herë të parë pas 40 vitesh, gjatë fundjavës që sapo kaloi. Sipas burimeve të brendshme të këtij institucioni, tone të larta janë dëgjuar nga ana e të dyja artisteve, gjë e cila u pasqyrua në vijim edhe në konferencën për shtyp ku secila prej tyre qëndronte larg dhe ftohtë me njëra-tjetrën, siç bëjnë me dije burime për ‘Xing.al’.

Madje nga burime të afërta me artistet është bërë e ditur që Zana Çela refuzoi të merrte pjesë edhe në një emision ku ishin të ftuara të dyja për të folur për shfaqjen. / KultPlus.com