Gili Hoxhaj
Së shpejti, Peja do të jetë nikoqire edhe e këtij edicioni të Festivalit të Animacionit- Anibar që pritet të jetë i spikatur sa i përket aktiviteteve, ndërsa në fokus të tij këtë vit është tema e pabarazisë gjinore si një thirrje në kërkim të ngritjes së numrit të grave në animacion. 50/50 është slogani që do të shoqërojë Anibarin në pothuajse secilin aktivitet të tij, ku do të përfshihen edhe panele diskutimi të fokusuara në këtë temë.
Vullnet Sanaja nga Anibar tha se këtë vit është një numër i madh i filmave që do të shfaqen në katër kinema. Filmat do te shfaqen në ekranet e kinemave Jusuf Gërvalla, Teatrin Istref Begolli, Kinema Liqeni, dhe Kinema Kubat.
“Këtë vit kemi një numër të madh të filmave që do të shfaqen në katër kinema, dy prej tyre të mbyllura dhe dy të hapura, këta filma janë përzgjedhur prej 1059 filmave që kanë aplikuar për të qenë pjesë e programit të këtij viti. Prej tyre janë përzgjedhur rreth 215 filma që do të shfaqen në kinema”, u shpreh Sanaja. Ai tutje tha se do të kemi një numër edhe të animatorëve nga Kosova që do të prezantohen këtë vit për herë të parë dhe do të mësojnë nga studentë të animacionit dhe profesionistë.
Popullariteti i animacionit vazhdon të rritet si në Kosovë dhe në të gjithë botën. Mirëpo, pjesëmarrja e grave në studime për animacion, animatore por edhe shikuese është rritur, por gjithashtu ka ekspozuar shumë pabarazi. Sipas organizatës Woman in Animation, “Gratë përbëjnë 60% të studentëve të animacionit, por vetëm 20% e animatoreve janë gra.” Kjo ka bërë që gratë të jenë të nënpërfaqësuara në industrinë e animacionit veçanërisht si skenariste, regjisore dhe producente.
Prandaj, Anibar përmes edicionit të nëntë të festivalit do të bëjë një ndryshim duke inspiruar gratë dhe burrat në botën e animacionit për ti adresuar çështjet gjinore. Një proces më gjithëpërfshirës, kreativ dhe teknik, do të përmirësojë punën e burrave dhe të grave duke krijuar mundësi për ta shpërndarë filmin e animuar në të gjithë botën.
Zana Cimili- kordinatore e këtij festivali u shpreh sot ne një konceferncë për media se Anibar ka vendosur ta nxjerrë në pah pabarazinë gjinore në industrinë e filmit, gjegjqësisht të animacionit dhe krejt kjo vjen për t’i inkurajuar ato që të merren me këtë industri.
“Pabarazia gjinore është shumë e shprehur në botë pasi që industria e filmit është shumë më e shprehur në botë se sa tek ne. Ideja është që nëse po fillojmë me industrinë e animacionit, të fillojmë sic duhet, t’i inkurajojmë gratë që të merren me animacion dhe të mos dekurajohen nga burrat të cilët e mbizotërojnë këtë fushë të filmit”, u shpreh Camili , duke shtuar se festivalet më të mëdha në botë kanë trajtuar tema të ngjashme të pabarazisë.
Këtë vit Anibar do të përfshijë edhe një program të ri pasi që do të hapë edhe akademitë e filmit në Pejë e Prishtinë, ku një pjesë e madhe e pjesëmarrësve do të jenë vajza, në mënyrë që ato të vazhdojnë këtë rrugëtim. Akademia e Animacionit Anibar ka për qëllim ofrimin e një programi të edukimit për ndërtimin e gjeneratës së re të animatorëve nga Kosova, duke i ekspozuar të rinjtë ndaj filmit të animuar si një formë e artit.
Thomas Johnson Volda, Ivana Bosnjak Volda, Lisa LaBracio, Tiziano Berber, Karine Miralles, Andrea Oberosler dhe Letizia Depedri janë disa nga emrat që do ligjërojnë në Anibar. Ky festival i cili do të mbahet më 13 deri 19 gusht në qytetin e Pejës dos sjellë edhe regjisorjen Amy Winfrey dhe animatorin Peter Merryman i cili është pjesë e serialit të Netflix – “BoJack Horseman”. E pranishme do të jetë edhe regjisorja Luce Grosejan nga Franca, e cila do të flas mbi temën “Vizioni i femrës për seksin në animacion”.
Pjesa argëtuese e festivalit është e vendosur në Parkun “Karagaq”, ku pritet të vijnë emra të muzikës si DrenAbazi e Elina Duni, për të krijuar mbrëmje të paharruara në Pejë.
Anibar do të ti bashkohet lëvizjes së Women in Animation duke nënshkruar zotimin për reprezentim të grave në animacion për të arritur 50/50 deri në vitin 2025.
Ky mesazh inkurajimi do të kurohet nga një ekip kreativ që do të prodhojë art në hapësira publike, do të ndërtoj kinema të hapura, shfaqje filmash, organizim të koncerteve dhe instalim të kinemave të hapura në parqe dhe në qendra të qyteteve. / KultPlus.com