Shfaqet premiera ‘Zanat e Luleve’, balerinat e vogla emocionuan të gjithë me lojën e tyre artistike

Xhemile Hysenaj

Fotografitë: Riard Bllaca

Sot, skena e Teatrit Kombëtar të Kosovës, ishte mikëpritëse e Zanave të vogla që me ngjyrat e bukura e lojën e tyre skenike i dhanë jetë tingujve të gërshetuar të muzikës klasike e asaj moderne. Premiera ”Zanat e Luleve” e realizuar nga Studio ”Let’s Dance” të Vjollca Llugiqit, mboldhi fëmijët e moshave të ndryshme, të cilët shpirtin e tyre artistik e shpalosën përmes baletit, shkruan KultPlus.

Tingujt e kompozitorëve si Antonio Vivaldi, Tchaikovsky, Chopin etj, erdhën si të ishin punuar pikërisht për këta fëmijë, që dukej sikur trupat e tyre bashkëvepronin me secilën notë të shkruar nga ata . ”Zanat e Luleve” shfaqi secilën balerinë si një mishërim të luleve që rriteshin, zhvilloheshin e freskinë e tyre ia falnin botës.

Shfaqja filloi nga Zanat e Vogla që performancën e tyre e realizuan nën tingujt e Secret Garden, ndërkaq u mbyll me këngën e bukur shqipe ”Me lule të bukura” të interpretuar nga Eliza Hoxha.

Balerinat ishin entuziaste dhe kjo gjë pasqyrohej në fytyrën e secilës prej tyre, e sidomos kur pas përfundimit të secilës performancë duartrokitjet nga audienca e stërmbushur me prindër krenarë, nuk ndaleshin. Mirëpo, e veçanta e kësaj shfaqjeje qëndron në faktin se pjesë e kësaj trupe balerinësh ishin edhe disa fëmijë me aftësi të kufizuara, duke përçuar kështu direkt mesazhin se dallimet duhet të evitohen në secilën fushë e veçanërisht kur bëhet fjalë për fushat artistike.

Vjollca Llugiqi e cila ka 20-të vite që është bërë një me artin e bukur të baletit, nuk e ka pasur aspak të lehtë këtë rrugëtim. Ka realizuar diku rreth 60-të premiera dhe ndër to edhe shumë role kryesore. Llugiqi është ndër balerinat që asnjëherë nuk është dorëzuar dhe tash e dhjetë vite, talentin e saj e ndan dhe ua mëson edhe fëmijëve të tjerë. Lumturia e madhe, ishte e paevitueshme nga ana e saj, e cila menjëherë pas shfaqjesh u vërshua me lule e përqafime të shumëta nga nxënësit e saj.

”Më kanë dhënë një emocion të papërshkruar, akoma jam në emocione, sidomos tash që të gjithë janë të lumtur dhe po vijnë drejt meje me urime e përqafime. E veçanërisht prindërit e këtyre fëmijëve që vërehet se janë emocionuar tej mase”, thekson Llugiqi për KultPlus.

Ishin lulet, ngjyrat e shumëllojshme e buzëqeshjet disa nga elementet që mbizotëruan sot në Teatrin Kombëtar. Me përqafime të shumëta, lot gëzimi e urime që nuk kurseheshin nga prindërit për mësuesen Llugiqi, u dëshmua edhe njëherë para publikut se baleti vazhdon të mbetet një nga artet më të veçanta skenike.

Më poshtë mund të gjeni listën e plotë të balerinave që performuan në shfaqjen ”Zanat e Luleve”.

Solistet e mëdha: Lea Hamza, Edita Zeka, Noela Selishta, Eda Isufi, Viktorija Simpson, Rita Gashi, Puhizë Nuhiu, Duesa Berisha, Arta Makovci, Margarita Berisha, Jeta Istrefaj, Dite Shala dhe Kanina Mulaj.

Solistet e vogla: Unika Surkishi, Amara Haliti, Ami Gojani, Etna Sherifi, Liza Rrahmani, Buna Azemi, Rejna Beqiri, Alea Dvorani, Reas Hertica, Anna Krasniqi, Ninna Krasniqi, Drea Zakuti, Nina Beha, Eda Godanci dhe Tiara Kamberi.

Lulet e Malit: Erina Bislimi, Livia Haxholli, Jora Braha, Valëza Maqedonci, Diella Maqedonci, Ambla Haliti, Toena Nushi, Bleta Pitarka, Bora Spahiu, Narta Axhanela, Elena Lipsckomb, Eda Sekirqaq, Morea Llapashtica, Erina Zeqiri dhe Uresa Fusha.

Zanat e Vogla: Iva Uja, Nina Rrahmani, Malbora Bullatovci, Una Ahmeti, Zoi Ajeti, Rita Ukymeri, Nisa Miftari, Hana Maqedonci, Jara Krasniqi, Morea Abdyli, Dora Begolli, Jana Ibrahimi dhe Anika Ismaili. / KultPlus.com

‘Zanat e Luleve’, nesër premierë në Teatrin Kombëtar

Nesër, me 20 qershor duke filluar nga ora 12:00, në skenën e Teatrit Kombëtar do të shfaqet premiera e ”Zanat e Luleve” nga balerinët e studios ”Let’s Dance” të Vjollca Llugiqit.

Kjo shfaqje do të paraqet secilin balerinë si një lule që rritet, zhvillohet dhe freskinë e saj tenton t’ia falë botës. E veçanta e kësaj shfaqjeje qëndron në faktin se pjesë e kësaj trupe balerinësh do të jenë edhe disa fëmijë me aftësi të kufizuara, duke përçuar kështu direkt mesazhin se dallimet duhet të evitohen në secilën fushë, shkruan KultPlus.

”Zanat e Luleve” do të manifestohet me koreografi nga baleti klasik dhe poashtu edhe disa pjesë të baletit modern, ndërkaq kostumet e balerinave të vogla do të jenë me ngjyra, duke përçuar kështu shumë gjallëri. Për sa i përket skenës, Llugiqi ka treguar se do të realizohet nga ”Anea”.

Ndërkaq, fëmijët pjesëmarrës të kësaj shfaqjeje, do të jenë të moshave të ndryshme, duke filluar nga 4 deri në 14 vjeçarë. / KultPlus.com

‘Zanat e Luleve’, premierë në Teatrin Kombëtar, Llugiqi: Është shumë e rëndësishme që fëmijët të rriten me art

Xhemile Hysenaj

Baleti si mishërim i artit më të bukur skenik, kësaj radhe do të zë vend në skenën e Teatrit Kombëtar ku protagonistët kryesor do të jenë balerinët e studios ”Let’s Dance” të Vjollca Llugiqit. Bëhet fjalë për premierën e shfaqjes ”Zanat e Luleve”, shfaqje kjo e cila do të paraqet secilin balerinë si një lule që rritet, zhvillohet dhe freskinë e saj tenton t’ia falë botës. E veçanta e kësaj shfaqjeje qëndron në faktin se pjesë e kësaj trupe balerinësh do të jenë edhe disa fëmijë me aftësi të kufizuara, duke përçuar kështu direkt mesazhin se dallimet duhet të evitohen në secilën fushë, shkruan KultPlus.

Vjollca Llugiqi e cila ka 20-të vite që është bërë një me artin e bukur të baletit, nuk e ka pasur aspak të lehtë këtë rrugëtim. Ka realizuar diku rreth 60-të premiera dhe ndër to edhe shumë role kryesore. Llugiqi është ndër balerinat që asnjëherë nuk është dorëzuar dhe tash e dhjetë vite, talentin e saj e ndan dhe ua mëson edhe fëmijëve të tjerë.

”Ka shumë rëndësi që fëmijët të rriten me art, e sidomos me Baletin i cili kërkon shumë diciplinë. Sa i përket premierës së ”Zanat e Luleve”, tani jemi në pjesën finale dhe në emocionet e premierës. Mirëpo, të punosh me fëmijë është gjëja më e bukur që kam edhe pse është një punë që kërkon shumë kohë, përkushtim dhe durim”, është shprehur Llugiqi për KultPlus.

”Zanat e Luleve” do të ketë koreografinë nga baleti klasik dhe poashtu edhe disa pjesë të baletit modern, ndërkaq kostumet e balerinave të vogla do të jenë me ngjyra, duke përçuar kështu shumë gjallëri. Për sa i përket skenës, Llugiqi ka treguar se do të realizohet nga ”Anea”.

Për fëmijët e studios ”Let’s Dance”, Llugiqi tregon se janë frymëzim për të. ”Arti i baletit të jep mundësi që të kërcesh, aktrosh dhe të kesh një vesh të mirë muzikal dhe ky edhe është qëllimi im, që të kemi fëmijë me më shumë njohuri për artin. Të mësohen të dëgjojnë muzikë me vlerë dhe të krijojnë një diciplinë në jetën e përditshme”, potencon Llugiqi për KultPlus.

”Për fat të mirë kemi fëmijë me shumë potencial drejt një të ardhmeje të ndritur në balet. Dhe, sigurisht që secili që ka talent në këtë fushë, do të ketë përkrahjen time maksimale”, thekson tutje Llugiqi për KultPlus.

Sa i përket Baletit dhe të ardhmes së tij në Kosovës, Llugiqi ka potencuar për KultPlus se këtu edhe e ka frikën më të madhe, pasi mungesa e shkollës së ulët të baletit është një barrierë mjaft e madhe për këtë art. ”Uroj që të bëhet diçka në këtë drejtim, këta fëmijë nuk duhet ta shuajnë talentin e tyre. Arti i baletit mos të zhvillohet vetëm në studio arti, mirëpo të ketë shkollë që këta balerinë/a të kenë një vend adekuat ku do t’i nisin fillet e karrierës së tyre”, thekson Llugiqi.

Baleti i cili në Kosovë po shuhet çdo ditë e më shumë, si pasojë e kushteve që kërkon ky art e që deri tash nuk janë plotësuar as gjysma, ka bërë që shumica të hezitojnë drejt fillimit të një karriere si balerinë. Mirëpo, Llugiqi, për të cilën baleti është vetë jeta mendon se secili që ka sado një shkëndijë të vogël për baletin, të vazhdojë në atë drejtim. ”Të gjithë ata që kanë dëshirë të mirren me balet, ose ata prindër që shohin një shkëndijë të vogël tek fëmijët e tyre, të japin mbështetjen e tyre maksimale. Njerëzit japin shumë për të zbuluar një talent tek vetja, një talent të cilën disa nga ju veçse e kanë zbuluar. Mos hiqni dorë kurrë, pasi të mirresh me art është gjëja më e bukur në jetë”, përfundon Llugiqi për KultPlus.

”Zanat e Luleve”, do të ketë premierën më 20 qershor të këtij viti, në Teatrin Kombëtar. Ndërkaq, fëmijët pjesëmarrës të kësaj shfaqjeje, do të jenë të moshave të ndryshme, duke filluar nga 4 deri në 14 vjeçarë. / KultPlus.com