Tirana po bëhet gati të presë Ditën e Verës Përveç programit të aktiviteteve argëtuese, Bashkia e Tiranës ka nisur përgatitjet për t’i dhënë qytetit një atmosferë pranverore dhe mbi të gjitha festive.
Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” janë vendosur zbukurimet përgjatë gjithë këtij segmenti. Siç shihet edhe nga fotot, janë vendosur zbukurimet me lule që simbolizojnë largimin e dimrit dhe ardhjen e pranverës. Sakaq ndërmarrjet bashkiake kanë veshur edhe të gjitha pemët përgjatë gjithë këtij bulevardi me ngjyra që krijojnë një atmosferë festive.
Dita e Verës është një festë me origjinë të lashtë pagane . Ajo është festë e trashëguar në veçanti nga qytetarët e Elbasanit, festë mbarëshqiptare, që kremtohej si në Veri edhe në Jug, por me nuanca të ndryshme, sipas krahinave.
Dita e Verës ishte dita e fillimit të vitit sipas kalendarit shumë të lashtë të shqiptarëve, pra një ditë që kremtohej shumë shekuj para se të lindte krishterimi. Ajo kremtohej me 1 mars të kalendarit Julian, ditën e parë të vitit të ri, e sipas kalendarit Gregorian, “14 mars”./ KultPlus.com