Zbulime arkeologjike të reja në Antigone, misioni shqiptaro-italian identifikon katër faza banimi përreth zonës së Agorasë

Misioni shqiptaro- italian synon të sqarojë dy momente themelore nga pikëpamja kronologjike, banesat dhe stili i jetës gjatë periudhës helenistike dhe lidhja e kësaj periudhe me ndërtimet dhe jetën pararendëse në Antigone.

“Është një projekt që planifikohet të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme. Rezultatet janë të kënaqshme. Jemi fokusuar kryesisht në topografinë e qytetit, urbanistikën dhe kemi kryer gërmime të cilat kanë nxjerrë në dritë dy banesa të reja të panjohura më parë. Kemi identifikuar tre e ndoshta katër faza banimi. Kjo ekspeditë shërben edhe si një trajnim për studentët shqiptarë dhe italianë, pra është një bazë për përgatitjen e brezave të ardhshëm. Puna jonë në terren ka ndikuar në shtimin e monumenteve dhe kjo ngjall interesin e banorëve lokalë dhe turistëve që vijnë në Antigone”, thotë Sabrina Veseli, bashkëdrejtuese e misionit.

Profesor Perna nga universiteti i Macheratës flet për qëllimet komplekse të kësaj ekspedite që nga topografia e qytetit antik, raporti i ndërtimeve me territorin dhe fazat e ndryshme të jetës që ishin pak të njohura deri tani.

80-90 struktura të reja i shtoi hartës topografike ky mision si edhe disa periudha të panjohura të jetës duke nisur nga shek V-IV pk.

“Po përfundojmë fazën e katërt të gërmimeve në Antigone së bashku me kolegët shqiptarë. Është një ekspeditë shumë e rëndësishme që po ju jep përgjigje disa pyetjeve të projektuara më parë. Gërmimi nuk synon thjesht strukturën e banesave por tani po zbulojmë Antigonenë para se të ndërtohej Antigonea, pra çfarë kishte këtu para se Pirro të vendoste të ndërtonte këtë qytet të bukur dhe ortogonal dhe të organizuar siç e shohim sot. Dhe në fakt kemi evidentuar faza të jetës para kësaj periudhe që tani do të duhet të eksplorohen më tej. Gjithashtu po punojmë në agora për të kuptuar si ishte e organizuar agoraja, cilat ishin godinat që e rrethonin si dhe kronologjinë historike të tyre. Po konkludojmë kështu mbi një panoramë të re topografike të qytetit duke evidentuar gati 80-90 struktura arkeologjike të panjohura më parë”, thotë Roberto Perna.

Gërmimet deri tani kanë siguruar gjetje me vlerë të periudhës para helenistike ndërsa misioni do të kryejë sondazhe vitet në vijim në funksion të kërkimit të tempujve, sheshit qendror dhe teatrit./tema/KultPlus.com

Zbulimet arkeologjike në Durrës, sondazhe gjeologjike të reja në Amfiteatër

Në Amfiteatrin Antik të Durrësit ka nisur sondazhi i shtresave gjeologjike të pazbuluara dhe të panjohura deri më sot nga studiuesit dhe arkeologët. Këto sondazhe i paraprijnë ndërhyrjes së mëtejshme për zbulimin e plotë të monumentit më të madh të botës antike në vend dhe rajon.

“Ministria e Kulturës ka bërë përzgjedhjen e një kompanie që do të bëjë sondazhet duke nxjerrë kampionet nga pjesa e arenës dhe pjesë të tjera dhe pasi të bëhet analiza dhe studimi i sondazheve pritet dalja në konkluzion nga ana e specialistëve deri ku mund të shkojë tabani dhe lloji i shtresave. Punime këto që nuk kanë mundur të bëhen më parë”, ka thënën drejtor i Qendrës Muzeore Durrës, Alban Ramohito.

I zbuluar në vitin 1966, Amfiteatri i Durrësit, një nga 30 amfiteatrot e botës antike, është ndërtuar në fund të shek. I pas Krishtit, në periudhën e perandorit Trajan. Për afro 2 shekuj ai u përdor për dyluftimet e gladiatorëve dhe të kafshëve të egra dhe kishte një kapacitet për 15 mijë shikues. Sipas autoriteteve muzeore, sondazhet e sapo nisura nuk do të pengojnë në vizitueshmërinë e monumentit antik për këtë sezon turistik, që gjithsesi do të ofrojë më pak objekte të trashëgimisë sonë për t’u vizituar, pasi dhe muzeu më i madh arkeologjik në vend është nën rikonstruksion.

 “Në këtë moment kemi vetëm Amfiteatrin të vizitueshëm, pasi Muzeu është në rikonstruksion, Hamami gjithashtu. Edhe Torra Veneciane, që shpresojmë të hapet para sezonit turistik. Me hapjen e Torrës, po dhe të Amfiteatrit do të kemi një fluks të konsiderueshëm vizitorësh të cilin e mirëpresim për t’u dhënë shërbimet e dëshiruara”, është shprehur Alban Ramohito.

Amfiteatri dhe zonat kryesore arkeologjike A dhe B, në Durrës, pritet t’i nënshtrohen ndërhyrjeve të shumta për të nxjerrë në pah vlerat që ato mbartin nën dhe mbi tokë, për ta kthyer Durrësin në një nga destinacionet turistike më tërheqëse në 10 vitet e ardhshme. / Top Channel / KultPlus.com

Zbulohen tre site të reja palafitesh buzë Ohrit, rreth 5200 vjet para Krishtit

Zbulimeve arkeologjike, në fushën e Korçës, u janë shtuar edhe tre site të tjera me palafite, në bregun e liqenit të Ohrit.

Sipas arkeologut shqiptar Ardian Anastasi, janë zbuluar tre site me palafite në breg të liqenit, të cilat mendohet se kanë ekzistuar rreth 5200 vjet para Krishtit.

Për të përcaktuar saktë vjetërsinë, arkeologu zvicerian i cili po punon së bashku me kolegët e tij shqiptarë, ka informuar prefektin e qarkut Korçë, Nertil Jole, se pritet rezultati i analizave laboratorike nga universiteti i Oxford-it në Angli.

Prej mostrave të strukturës së tokës, marrë nga gërmimet në të tre sitet, pritet të përcaktohet vjetërsia e këtyre shtëpive të ngritura mbi shtylla druri, në zona bregliqenore, me qëllim mbrojtjen nga përmbytjet apo kafshët e egra.

Arkeologët mendojnë se po konfirmohen të dhënat që provojnë elementet e agrikulturës shumë të hershme në fushën pranë liqenit, që ata i kanë quajtur edhe si “Fermerët e parë të Europës”, fakt i cili dëshmon për gjurmët e lashta të ekzistencës sonë.

“Frymëzuese të shohësh pasionin e arkeologëve shqiptarë nga Shqipëria e Kosova, si dhe atyre nga Zvicra”, shprehet prefekti Jole.

Arkeologët po punojnë në terren me një projekt të përbashkët financuar nga qeveria zvicerane në bashkëpunim me Institutin e Arkeologjisë në Tiranë, për zbulimin e shtëpive prej druri-palafite në bregun e liqenit të Ohrit, në afërsi të fshatit Buqezë.

Ky projekt ka nisur në verën e vitit 2019 dhe përfundon në vitin 2025.

Hulumtime të tilla përveçse ngjallin kuriozitet, japin edhe jehonë pozitive për atraksione unike prehistorike në qarkun Korçë. / KultPlus.com