BE: Projekti i financuar nga ne shpiu në zbulimin e jashtëzakonshëm arkeologjik në Ulpianë

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka reaguar pas zbulimit arkeologjik në Ulpianë, duke thënë se projekti i financuar nga ta shpiu në një zbulim të jashtëzakonshëm.

Sipas Zyrës së BE-së në Kosovës, projekti i financuar pikërisht nga Bashkimi Evropian shpiu në një zbulim të jashtëzakonshëm, i cili daton në mes viteve 527-565 pas Krishtit.

“Një ekip i përzier ekspertësh ndërkombëtarë dhe vendas të udhëhequr nga profesori Christophe J. Goddard bëri një zbulim të jashtëzakonshëm në lokalitetin arkeologjik të Ulpianës: përkushtimin nga Perandori Justinian (527-565 pas Krishtit) dhe gruaja e tij Theodora, një “urbs Dardaniae”, një nga shumë pak përkushtime latine të çiftit perandorak në botën e vonë romake”.

“Zbulimi i këtij mozaiku, si dhe zbulimi i një bazilike imponuese peshkopale në vitin 2022, janë rezultatet konkrete të një projekti të financuar nga BE-ja të titulluar “Misioni Arkeologjik Evropian në Kosovë: nga Ulpiana në Iustiniana Secunda”, i cili pritet të përfundojë në dhjetor të vitit 2024”, thuhet në reagim, transmeton Klankosova.tv.

Ndërsa, në lidhje me këtë, ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, tha se zbulime të tilla ofrojnë një perspektivë unike për kulturën dhe historinë njerëzore.

“Jam shumë krenar që ky projekt i financuar nga BE-ja çoi në identifikimin e një pjese të rezervatit të pasur arkeologjik të Ulpianës. Misioni Arkeologjik në Kosovë do të vazhdojë punën e tij të zellshme për të ndihmuar Kosovën të zbulojë, trajtojë dhe të ruajë trashëgiminë e saj arkeologjike”, tha Szunyog./Klan Kosova/KultPlus.com

Zbulohet se si janë ndërtuar piramidat në Giza

Arkeologët kanë gjetur fakte mahnitëse, të cilat zgjidhin njërin nga misteret më të mëdha në botë – se si shoqëria nga periudha e bronzit, e cila nuk ishte e zhvilluar nga ana teknologjike, arriti të zhvendosë blloqe të mëdha graniti dhe gurë gëlqerorë me të cilat janë ndërtuar piramidat në Giza.

Zbulimi i fundit i mbishkrimit në papirusin antik, anijes së drurit dhe sistemit gjenial të sistemeve të kanaleve të ujit, ka hedhur një dritë të re mbi infrastrukturën impozante, të cilën e kanë krijuar ndërtuesit e Gizës.

Në papirusin e gjetur në portin Vadi el-Jarf, përshkruhet në detaje se si 170.000 tonë të gurëve prej gëlqeres janë bartur nga lumi Nil deri në Gizë, transmeton ksp.
Punëtorët vendosën blloqet në anijet prej druri, që ishin të ndërlidhura me litarë, dhe pastaj anijet lundronin nëpër kanale deri në portin e brendshëm, i cili ndodhej vetëm pak kilometra larg piramidës.

Punëtorët përmes rrugës së kanalit ndryshuan edhe kahun e lumit Nil.

Edhe pse prej kohësh ishte e njohur se blloqet e granitit janë furnizuar nga Asuani, 855 metra në jug të Gizës, dhe blloqet e gurit gëlqeror nga Tura, tetë kilometra më tej, arkeologët nuk ishin dakorduar për faktin se si materiali ndërtimor ishte transportuar saktë.

Mbetjet e kanalit u gjetën nën platonë e pluhurosur në Giza. Po ashtu është gjetur edhe pishina kryesore, ku kryheshin dërgesat kryesore.
Mijëra njerëz kanë marrë pjesë në realizimin e projektit, shkruan Daily Mail./ KultPlus.com