Sot në Podujevë zbulohet shtatorja e ish-presidentit Rugova

Në 34-vjetorin e shpalljes së Kushtetutës së Kaçanikut, sot Podujeva organizon ceremoninë e zbulimit të shtatores së ish-presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Me pjesëmarrës zyrtarë të lartë shtetërorë, ceremonia do të mbahet në Parkun e Qytetit, afër ish-objektit të vjetër të administratës komunale.

Zbulimi i shtatores fillon në orën 13:00.

Zyrih, zbulohet një mënyrë e re të prodhimit të çokollatës

Një çokollatë e pasur, e errët, por e ëmbël, me një nuancë të hidhur kakaoje.

”A kanë zbuluar shkencëtarët zviceranë një çokollatë të re të qëndrueshme?”, shkruan BBC.

Tradicionalisht çokollata është prodhuar duke përdorur vetëm kokrra kakao.

Tani, shkencëtarët e ushqimit në Zyrih kanë gjetur një mënyrë për të bërë çokollatë duke përdorur të gjithë frutin e kakaos, pa shtuar sheqer.

Ëmbëlsira e re e zhvilluar nga Kim Mishra dhe ekipi i tij përfshin tulin e frutave të kakaos, lëngun dhe lëvozhgën ose endokarpin.

”Çelësi i çokollatës së re është lëngu i saj shumë i ëmbël, i cili ka shije”, shpjegon Mishra, “pak si ananasi”./ atsh/ KultPlus.com

Regjisori James Cameron zbulon titullin e ‘Avatar 3’

James Cameron ka njoftuar titullin e filmit të ri Avatar, “Fire And Ash”.

“Avatar: Fire and Ash” është filmi i ardhshëm epik fantastiko-shkencor amerikan i drejtuar, shkruar, bashkëprodhuar dhe bashkë-edituar nga James Cameron.

Ai është filmi i tretë në ekskluzivitetin e Cameron’s Avatar dhe një vazhdim i Avatar: The Way of Water (2022).

Regjisori bëri një paraqitje surprizë në D23, eventi i fansave të Disney në Kaliforni, së bashku me yjet e filmit Zoe Saldana dhe Sam Worthington për setin e tretë të filmit për vitin 2025.

Epika e fantashkencës vjen pas “Avatar” të vitit 2009 dhe vazhdimin e tij “Avatar: The Way Of Water” të shfaqur për publikun e gjerë në 2022.

“Filmi i ri nuk është ai që prisni, por padyshim ai që dëshironi”, tha Cameron para audiencës prej 12,000 personash.

“Ne nuk do të shfaqim pamje sot, është shumë shpejt, por do të ndajë me ju – një koncept arti të mrekullueshëm për të ngacmuar imagjinatën tuaj, i cili shfaq personazhet në qiell dhe të rrethuar nga zjarri”, tha 69-vjeçari.

Ai gjithashtu foli rreth një personazh të ri që audienca do të “pëlqejë ta urrejë”.

“Ka kultura, mjedise dhe krijesa të reja dhe biome të reja”, tha Cameron.

“Do të shihni shumë më tepër nga Pandora, planeti, që nuk e keni parë kurrë më parë”, shtoi ai.

Filmi pritet të dalë në 19 dhjetor 2025. /atsh/ KultPlus.com

Në Pagarushë zbulohet lapidari për dëshmorët dhe të rënët e fshatit

Ditën e së dielës, në fshatin Pagarushë u bë zbulimi i lapidarit, përkatësisht pllaka përkujtimore për të rënët e fshatit Pagarushë, dëshmorët dhe martirët e fshatit.

Në këtë ngjarje mori pjesë kryetari i komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, Nait Hasani, njëri nga themeluesit e UÇK-së, pastaj  Kadri Kryeziu dhe përfaqësues të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, të politikës dhe qytetarë të shumtë, përcjell Klankosova.tv.

Pllakën për të rënët e fshatit e shpalosën familjarët e dëshmorëve të fshatit, së bashku me kryetarin e Kastratin.

Në fjalën e rastit, Kastrati tha se “kjo pllakë, me këta emra, në vete mbanë të gjitha vlerat më të larta të një kombi: luftën, krenarinë, dinjitetin dhe sakrificën. Ne sa më shumë që i respektojmë këto vlera, do të jemi gjithmonë më mirë. Lavdi dëshmorëve dhe të rënëve të kombit”.

Ndërsa, Hasani, në fjalën e tij, bëri thirrje për unitet dhe mbrojtje të vlerave të luftës. Ai theksoi se këto vlera sot mbrohen duke mbrojtur krerët e luftës, të cilët padrejtësisht po gjykohen në Hagë, dhe duke i mbrojtur ata, ne mbrojmë edhe lirinë që kemi fituar.

Hasani gjithashtu i përgëzoi pagarushasit për këtë vepër dhe për kontributin e këtij fshati, sidomos gjatë luftës së fundit, ku kanë mbajtur me bukë mbi 100 mijë banorë të zhvendosur dhe kanë furnizuar me armë të gjithë ata që kanë luftuar.

Në emër të degës së OVL të UÇK-së foli Januz Mazreku, i cili theksoi se pa krismat e pushkës dhe gjakun e derdhur të dëshmorëve, nuk do ta kishim lirinë.

Në emër të luftëtarëve të fshatit foli Sahit Pagarusha, ndërsa në emër të familjeve të dëshmorëve foli Fidaim Krasniqi. Për historinë e fshatit dhe kontributin në luftë foli Nysret Kryeziu.

Kadri Kryeziu, në fjalën e tij, vuri në dukje se në të gjitha luftërat e 100 viteve të fundit në trojet shqiptare, ka qenë e pamundur të mos ketë marrë pjesë dikush nga Pagarusha.

Një varrezë misterioze mesjetare zbulohet në Uells

Një varrezë e rrallë mesjetare e hershme është zbuluar në Uells dhe ka bërë që arkeologët të “kruajnë” kokat e tyre.

Kjo varrezë mMendohet se daton në shekullin e 6-të ose të 7-të, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.

Disa nga skeletet e ruajtura mirë janë gjetur të shtrirë në pozicione të pazakonta dhe artefakte të papritura po dalin gjithashtu nga vendi.

Gërmimi ka zbuluar më shumë rreth këtij komuniteti të lashtë – por gjithashtu po ngre pyetje.

Gjatë dy verave, një ekip ka qenë i zënë duke hequr me kujdes shtresën e hollë të shtresës së sipërme të tokës për të ekspozuar varret që ishin gdhendur në shkëmb shumë kohë më parë./KlanKosova/KultPlus.com

Do të ndërtohej një supermarket, por zbulojnë vilën romake

Arkeologët e Oksfordit kanë zbuluar një vilë romake, e cila ka një mozaik mahnitës. Zbulimi ka ndodhur teksa po kryheshin gërmime për ndërtimin e një supermarketi në Buckinghamshire.

Arkeologët thanë se mozaiku ishte i përbërë nga pllaka të kuqe, të bardha dhe blu. Ky zbulim vlerësohet si i rëndësisë së madhe.

“Për shkak të vendndodhjes ku do të bëhej ndërtimi, ne kishim parashikuar të gjenim mbetje romake, por një zbulim i tillë ishte totalisht jashtë pritshmërive tona. Të jesh në gjendje të ruash mbetje të tilla, tregon për një punë të shkëlqyer”, u shpreh menaxheri i projektit të zbatuar nga arkeologët.

Pavarësisht këtij zbulimi, projekti për ndërtimin e supermarketit do të realizohet, por pa cenuar mozaikun. /A2CNN / KultPlus.com

Zbulohet portreti origjinal i Skënderbeut nga Gentile Belini, pikturuar në vitin 1467

Studiuesi Fotaq Andrea, autor i album-antologjisë “Skënderbeu, Heroi Kombëtar shqiptar”, së bashku me antikuarin Dritan Muka, Kanada, kanë njoftuar ditët e fundit nëpërmjet portalit të njohur « Zemra Shqiptare », zbulimin e rrallë të portretit origjinal të Skënderbeut nga piktori i shquar i Rilindjes italiane e europiane Gentile Bellini, 1467. Portreti mban të shkruar emrin SCANDER BECO, njëlloj si harta portolane e Bartolomeo Pareto-s e vitit 1455, që mban të shkruar emrin SCANDRE BECO.

Ky portret u ble në dhjetor 2020 nga antikuarët shqiptarë që morën pjesë drejtpërdrejt në ankandin “Capsule Auctions” të New Yorkut, ku u vu në shitje koleksioni i madh i Prof. Richard I. Johnson (1925-2020), me rreth 2000 objekte.

Kjo vepër e rrallë artistike, që paraqet origjinal, real dhe autentik portretin e Skënderbeut, prej shekujsh dihej e humbur, ndërkohë që, sipas traditës gojore të përcjellë brez pas brezi, ishte e njohur që piktori italian Gentile Belini kishte pikturuar drejtpërdrejt KryeHeroin e shqiptarëve gjatë  shekullit XV. Tërë studiuesit e ikonografisë skënderbegiane, nga Paolo Giovio më 1543 e deri te Friedrich Kenner më 1893, nga Faik Konica më 1901, te Atë Vinces Malaj më 1969, i janë referuar historikisht skicave të humbura të Gentile Belinit për portretin e Skënderbeut, ashtu sikurse gjithë studiuesit e sotëm me në krye prof. Kristo Frashërin.

Mbi bazën e një analize të thellë shkencore, duke ndjekur e kombinuar metodat kryesore klasike të eksplorimit të një vepre arti, si dhe duke iu referuar rreth 70 autorëve shqiptarë e të huaj, studiuesit Fotaq Andrea dhe Dritan Muka arrijnë në vëzhgime e përfundime të qarta dhe bindëse se portreti i purpurt i Skënderbeut është vepër unikale e Gentile Belinit e vitit 1467, kur “Atleti i Krishtit” dhe Mbrojtësi i Europës Gjergj Kastrioti ka pozuar përpara Belinit, portretistit zyrtar të dozhëve të Venedikut.

Studiuesit vërtetojnë për herë të parë se Skënderbeu ka shkuar për vizitë të fshehtë në Venedik, me sugjerim edhe të papa Palit II, për të kërkuar ndihma e të holla që të vazhdohej qëndresa dhe lufta e paepur shqiptare kundër pushtuesit osman. Gjatë kësaj vizite të fshehtë, që përkonte edhe me Karnavalet e Venecies të shkurtit 1467, Skënderbeu shoqërohej nga e shoqja Donika Arianiti Kastrioti dhe i biri 12 vjeçar Gjoni II Kastrioti. Po ashtu edhe nga Dhimitër Frangu, thesarmbajtësi i Skënderbeut dhe pesë apo gjashtë kalorës arbër.

Portreti i Skënderbeut, realizuar nga Gentile Bellini, piktori zyrtar portretist i Senatit të Venedikut, është bërë me vendim dhe porosi të drejpërdrejtë të Dhomës së Dozhëve në Venecie si një dhuratë për KryeTrimin shqiptar në shenjë mirënjohjeje e nderimi. Dy protagonistët Belini dhe Skënderbeu janë takuar në Venedik në shkurt 1467, njëmbëdhjetë muaj  para vdekjes së Skënderbeut.

Portreti origjinal i Skënderbeut është dhënë me saktësi të habitshme ravijëzimi portretual dhe me interpretim të thellë artistik , në periudhën kur kishte filluar të përdorej në pikturën italiane teknika e pasqyrave, e quajtur kamera luçida, si dhe teknika e pikturës në vaj mbi panel druri.  

Ky portret i Skënderbeut të vërtetë, i vitit 1467 nga Belini, dallon dukshëm me portretin më të njohur deri më sot të Skënderbeut “legjendar” të piktorit Christofano dell Altissimo të vitit 1553, që ndodhet në Galerinë Uffizi të Firencës, pikturuar mbi bazën e përshkrimit fizik që i ka bërë Marin Barleti portretit të Skënderbeut në vitin 1508 dhe historiani italian Paolo Giovio në vitin 1543, si dhe mbi bazën e gravurave të fillimi të shekullit XVI.

Në bazë të metodës krahasimore dhe metodës vizu, studiuesit Fotaq Andrea dhe Dritan Muka nxjerrin në pah se organi i hundës tek portreti origjinal i Skënderbeut nuk është i kërrutë apo me kurriz a gungëz në mes dhe me majën të rënë poshtë, sikurse shfaqet përgjithësisht ky organ në tipologjinë skanderbegiane krijuar mbi bazën e mitit të hundës shqiponjë te Skënderbeu. Përkundrazi, është hundë e drejtë, e fortë, tepër lehtë e lakuar dhe me majën po ashtu të drejtë.

Nga ana tjetër, edhe pse portreti është i dëmtuar rëndë e i sfumuar pas gjashtë shekujsh e gjysmë sprove mbijetese, krejt tiparet, balli i gjerë e i lartë, syri i pastër gjithë shkëlqim, mustaku me mjekrën e derdhur të përhime e në të mëndafshtë, buza e poshtme mjaft e dukshme, si dhe pjesa e fortë kockore e fytyrës, shfaqin një portret të paparë gjer më sot të Skënderbeut të Madh, portretin gjithë madhështi të Burrit të shtetit të Arbërit, plot seriozitet, dinjitet e personalitet të lartë, me vendosmëri e siguri në vetvete, plot krenari e largpamësi.

Veç kësaj, në lojën hije-dritë të teknikës piktoriale të Gentile Bellinit, bie në sy mbi portret një ndriçim i veçantë mbi ballin e KryeHeroit shqiptar, që shfaqet si reflektim i një kuadrati dritësoreje ballore nga ku ka hyrë drita e diellit. Po ky ndriçim në formë kuadrati shfaqet edhe në një portret tjetër të Belinit mbi ballin e portretit të dozhit Leonardo Loredano, të cilit Barleti i kushtoi parathënien e librit të tij “Rrethimi i Shkodrës”. Të dyja këto vepra artistike belineske dëshmojnë se Mjeshtri i madh venecian pikturon me saktësi drejtpërdrejt në natyrë, sur le vif, duke pasur personazhin historik përballë tij.

Në studim i bëhet një analizë e hollësishme, mbi bazë faktesh historike, “rrugëtimit” të kësaj vepre artistikehumbur në thellësi të kohërave, por ruajtur me fanatizëm nga antikuarët italianë, deri në mesin e viteve 1950, kur Prof. Richard I. Johnson duhet ta ketë blerë portretin e Skënderbeut në Itali dhe ndoshta në Venecie.

Studiuesit Andrea dhe Muka nënvizojnë se këtë vepër fatlume për mbarë kombin shqiptar, titulluar SCANDER BECO, që e kemi sot para syve, e ruajti nga shkatërrimi dhe zhdukja e plotë,  DASHURIA, emri i Belinit të Madh dhe vetë emri i Skënderbeut të Madh shkruar me germa të arta mbi portret.

Për studiuesit e këtij portreti të Skënderbeut, të  “Babait të Kombit shqiptar”, siç e ka pagëzuar i pari Faik Konica, ky zbulim SCANDER BECO ka një rëndësi të trefishtë: si pasaportë nderi dhe krenarie për kombin shqiptar; si pasuri e çmuar kombëtare dhe më në fund si pasuri po aq e çmuar për trashëgiminë kulturore europiane e ndërkombëtare, ku sintetizohen dhe shkrihen në një tablo të vetme emri i Skënderbeut të Madh nga Gentile Bellini i Madh. /zemrashqiptare/ KultPlus.com

Në Egjipt zbulohet një qytet i lashtë, besohet se u ndërtua para 3.000 vjetësh

Arkeologët në Egjipt kanë zbuluar një qytet shumë të lashtë. Madje, ata besojnë se ky është qyteti i lashtë më i vjetër që është zbuluar ndonjëherë në Egjipt dhe që ka qenë “i varrosur” nën rërë për disa mijëvjeçarë.

Egjiptologu Zahi Hawass njoftoi për zbulimin e atij që e quajti “qytet i artë i humbur”, duke thënë se struktura është zbuluar afër Luxor-it, ku ndodhet “Lugina e Mbretërve”, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

“Misioni egjiptian nën udhëheqjen e Dr. Zahi Hawass, e gjeti qytetin që kishte humbur nën rërë. Qyteti është 3.000 vjet i vjetër, i përket pushtetit të Amenhotep-it III”, tha ekipi i arkeologëve.

Ky ekip e cilësoi zbulimin si qytetin më të madh të lashtë që është zbuluar ndonjëherë në Egjipt. Sipas arkeologëve, qyteti është quajtur Aten.

Ekipi i filloi kërkimet në shtator të vitit të kaluar mes tempujve Ramses III dhe Amenhotep III, 500 kilometra në jug të kryeqytetit Kajro.

Pas shtatë muajsh gërmime, janë zbuluar disa lagje të qytetit të lashtë, përfshirë një furrë buke si dhe distrikte të banimit dhe distrikte administrative. / KultPlus.com

Zbulohet busti i heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Gjilan (FOTO)

Në Gjilan, në kuadër të manifestimit “Flaka e Janarit 2018”, u zbulua busti i heroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastriotit Skënderbeut, shkruan KultPlus.

Me këtë rast, një fjalim mbajti edhe i pari i Gjilanit Lutfi Haziri, i cili theksoi se ky bust dhe ky vend do të rrezatojë mbi gjeneratat e reja.

“Në kuadër të manifestimit “Flaka e Janarit” ne jemi krenarë dhe ndihemi krenarë para veprave të mëdha të patriotëve e baballarëve tanë që na mësuan se si të luftohet për liri. Skënderbeu është shkaku që ne jemi gjallë. Ky bust dhe ky vend do të rrezatoj mbi gjeneratat e reja”, tha Lufti Haziri./ KultPlus.com

Në Norvegji është zbuluar atllasi i parë i shtypur

Atllasi është ruajtur për shumë vite në Bibliotekën Kombëtare të Norvegjisë dhe është atllasi i parë i turqve dhe myslimanëve. Atllasi mban datën 1803 dhe titullin “Përkthimi i Atllasit Botëror”.

Punonjësi i bibliotekës, Ander Kvernberg atllasin e gjeti me ndihmën e medias sociale. Atllasi është shtypur në Stamboll në vitin 1803 dhe vetëm në 50 kopje. Sot në botë mund të jenë të rralla kopjet e këtij atllasi. Fotografinë e atllasit Kvernberg e publikoi në platformën e medias sociale Reddit. Nga komenti që ka bërë një përdorues i Reddit ai ka mësuar që emri i librit në fjalë është “Përkthimi i Atllasit Botëror”.

Kvernberg zbriti në depo për të parë se kishte kopje tjetër apo ribotim të atllasit, por konstatoi që letra e përdorur ishte e vjetër dhe prej lëkure, atllasi ishte botim i vetëm dhe nuk ishte shtypur më pas. Sot në botë nga ky lloj atllasi gjenden 14 copë. / KultPlus.com