‘Nuk ka kush më telefonon çdo të shtunë’/ Një vit pa kolosin e humorit Zef Deda, Jul Deda: Njeriu vdes kur harrohet, jo kur largohet nga kjo botë

Një vit më parë u nda nga jeta kolosi i humorit shqiptar, aktori “Mjeshtër i Madh” Zef Deda duke lënë pas një dhimbje të madhe për familjen, miqtë dhe artin mbarë shqiptar.

Në këtë një vjetor teatri “Migjeni” zhvilloi homazhe në nder të figurës së Zef Dedës. Djali i tij, aktori Julian Deda thotë se Zef Deda është një mungesë e madhe.

“Ju falënderoj shumë. Kaloi një vit i vështirë për familjen tonë, nuk jemi mësuar të rrimë pa të.
Prania e tij në familje ka qenë dominante, për nga gjithçka, edhe energjia që përcillte.
Një shprehje latine thotë që njerëzit vdesin kur harrohen jo kur ikin nga kjo botë. Ai e meriton të kujtohet përjetë.
Duke ju falënderuar për gjithë jetën që keni kaluar me tim atë, për gjithë shembullin që na keni dhënë, e ka thënë edhe ditën kur ai u largua nga bota, na keni dhënë shembullin e një bashkëjetese fantastike.

Mua personalisht më mungon telefonata jo vetëm e përditshme, por edhe e përjavshme kur mbaroja punën dhe thoshte mirë ke qenë por këtë moment duhet ta shikosh. Nuk ka kush më merr tashmë çdo të shtunë”, tha ai.

Disa prej miqve, po ashtu emra të mëdhenj të humorit dhe artit shqiptar shprehen se Zef Deda ishte unik si aktor por edhe si njeri.

Zef Deda, aktori i humorit i qindra roleve lindi më 27 korrik 1950 ndërsa u nda nga jeta në moshën 73-vjeçare më 24 nëntor 2023. Një sëmundje që e mundoi i morit jetën aktorit të estradës shqiptare.

Ai do të mbetet në memorien e çdo zemre shqiptare si një kolos i humorit që përmbi 50 vite shënjoi emrin e tij në panteonin e artit e kulturës tonë kombëtare./ balkanweb/ KultPlus.com

Përkujtohet në njëvjetorin e vdekjes mjeshtri i madh i humorit, Zef Deda

Përkujtohet në njëvjetorin e ndarjes nga jeta aktori i dashur i humorit, Zef Deda.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau në rrjetet sociale një pjesë nga humori i aktorit të madh.

“Një vit pa Zef Dedën – një njeri i artit që me humorin e tij i dha shpirt çdo roli dhe çdo shfaqjeje. Kujtimi i tij do të mbetet gjithmonë i gjallë në zemrat e atyre që e vlerësuan talentin dhe pasionin e tij për teatrin dhe kinematografinë”, shkroi Gonxhja.

Zef Deda u nda nga jeta një vit më parë në moshën 73-vjeçare. Mjeshtri i Madh i humorit vuante nga një sëmundje e rëndë.

Zef Deda lindi në Shkodër më 27 korrik 1950. Punoi për më shumë se 40 vite në Teatrin Migjeni të Shkodrës. Talenti i tij spikati që në moshë të vogël.

Një nga komedianët më të mirë të Shqipërisë, humoristi Zef Deda është cilësuar edhe si Charlie Chaplin i Shqipërisë. Me një shkathtësi dhe me një plastikë të shkëlqyer psiko-fizike ai realizoi qindra figura artistike.

I paharruar do mbetet në kujtesën e shkodranëve dhe gjithë shqiptarëve për humorin, batutat dhe karakteret që solli me mjeshtri./atsh/ KultPlus.com

Homazhe në nderim të “Mjeshtrit të Madh”, aktorit të humorit Zef Deda

Në teatrin “Migjeni” në Shkodër u zhvilluan sot homazhet në nderim të aktorit “Mjeshtri i madh”, Zef Deda, i cili u nda dje nga jeta në moshën 73-vjeçare pas një sëmundje të rëndë.

Në homazhe ishin të pranishëm miq, të afërm, familjarë, aktorë të njohur të humorit shkodran , por jo vetëm, qytetarë etj, të cilët i dhanë lamtumirën e fundit aktorit të njohur të humorit.

Pas homazheve të kryera në nderim të Zef Dedës, kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci tha se “është një humbje e madhe.Ne sot përcjellim me një respekt të jashtëzakonshëm, gjithë qyteti, por besoj gjithë kombi shqiptar, një figurë shumë dimensionale artistike. Me Zefin jemi rritur një brez i tërë, në festa e gëzime, por edhe në ditë të vështira na ka dhënë nga një buzeqëshje. Ai do mbahet mend për shumë role, do mbahet mend si Chaplini shqiptar”.

Aktori i njohur i humorit Sejfulla Myftari, tha për mediet se “është humbje shumë e madhe për humorin shqiptar. Shkodrës nuk i vjen më një si Zef Deda”.

Aktori i humorit Edmond Halili theksoi se “unë e kam thënë edhe herë të tjera, ‘ka vdekur humori shqiptar’ për mua. Zef Deda ka qenë një mrekulli e humorit shqiptar. Është një humbje e madhe për qytetin e Shkodrës nuk diskutohet, por edhe për mbarë Shqipërinë, sepse Zef Deda nuk bën më nëna. Janë të rrallë aktorët si Zef Deda”.

Ndërsa aktori Agron Llakaj tha se “Zef Deda me artin e tij ka lënë të qeshura mbrapa, dashurinë, publikun që e ka dashur dhe e ka mbështetur gjatë gjithë kohës. Duhet që institucionet t’u rikthehen brezit të ri e të tregojnë se kush ka qenë arti i vërtetë e çdo të thotë artist humori. Trupa profesioniste e humorit shqiptar sot më shumë është në qiell se në tokë. Aty i bashkohet edhe Zef Deda, ndryshe i quajtur Çaplini shqiptar. Dhimbja nuk është vetëm për publikun e Shkodrës, por për këdo që ka ndjekur artin e Zefit është një dhimbje e madhe”.

Zef Deda lindi në Shkodër më 27 korrik 1950. Ka punuar për më shumë se 40 vite në Teatrin Migjeni të Shkodrës. Talenti i tij spikati që në moshë të vogël. Një nga komedianët më të mirë të Shqipërisë, humoristi Zef Deda është cilësuar edhe si Charlie Chaplin i Shqipërisë.

Me një shkathtësi dhe me një plastikë të shkëlqyer psiko-fizike ai realizoi qindra figura artistike. Pas një shkëputje prej 6 vitesh, për shkak te emigrimit jashtë atdheut, ai kthehet në vitin 1996 në Shqipëri për të ushtruar profesionin e aktorit.

I paharruar do mbetet në kujtesën e shkodranëve dhe gjithë shqiptarëve për humorin, batutat dhe karakteret që solli me mjeshtri. /ATSH /KultPlus.com

Ndahet nga jeta Mjeshtri i Madh, Zef Deda

Është ndarë nga jeta në moshën 73-vjeçare Mjeshtri i Madh i humorit Zef Deda. Lajmin e hidhur e ka bërë të ditur djali i tij, aktori i njohur Julian Deda.

Ai prej pak kohësh vuante nga një sëmundje e rëndë. Deda ka vdekur në Shkodër, ndërsa pritet që ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit të bëhet të shtunën, kur edhe do të mbahen homazhet në teatrin “Migjeni”.

Zef Deda është një nga komedianët më të mirë të Shqipërisë, i cilësuar edhe si ‘Charlie Chaplin’ i Shqipërisë. Lindi në Shkodër më 27 korrik 1950. Është shkolluar në qytetin e tij të lindjes, dhe në politeknikumin e ndërtimit në Tiranë. Fillon shkollën e lartë për gjuhë – letërsi, por nuk e mbaron dot për arsye shëndetësore.

Ka punuar për më shumë se 40-vite në Teatrin Migjeni të Shkodrës. Talenti i tij spikat që në moshë të vogël. Me një shkathtësi dhe me një plastikë të shkëlqyer psiko-fizike ai arrin të realizojë qindra figura artistike. Prandaj dhe është mjaft i dashur për publikun shqiptar, sidomos atë shkodran.

Pas një shkëputje prej 6 vitesh, për shkak të emigrimit jashtë atdheut, ai kthehet në vitin 1996 në Shqipëri për të ushtruar profesionin e aktorit, të cilin e vazhdon me shumë sukses. Zef Deda është i martuar me Rozina Dedën dhe ka dy djem, Julian Deda dhe Marjan Deda. Zef Deda gjithashtu ka interpretuar edhe shumë komedi si: “Vëllai nga babai”, Kollovari”, Big Brother Shkodra 1”, “Big Brother Shkodra 2”, etj./tvklan.al / KultPlus.com

70-vjetori i lindjes së artistit Zef Deda, Meta: Urime “Charlie Chaplinit” shqiptar

Presidenti i Republikës, i ka uruar sot 70-vjetorin e lindjes komedianit dhe artistit të shquar, Zef Deda, të cilin e ka cilësuar si “Charlie Chaplini” shqiptar.

“Urimet më të përzemërta me rastin e 70-vjetorit të lindjes “Charlie Chaplinit” shqiptar, komedianit dhe artistit tonë të shquar, Zef Deda”, është shprehur Meta.

“Jetë të gjatë Mjeshtër, me shëndet të plotë dhe përherë me humorin fin shkodran pranë spektatorit!”, ka theksuar ai.

Faleminderit për çdo emocion dhe buzëqeshje që na ke dhuruar! “Dita e mirë shifet nadje, E ti ke le bash n’ditë t’qejfit!”, ka thënë Meta./ atsh/ KultPlus.com