Zejnullah Jakupi
Për dike RTK-ja është bërë si shtëpi e dytë, edhe pse kurrë nuk banon as nuk punon për të. E disa e këqyrin nga larg, disa e urrejnë e disa e kanë vetëm objekt studimi. Në këtë përvjetor të 18, dikur si vonë, edhe mua më ra ndërmend ti shkruaj disa fjalë. U festua ditëlindja e 18, por kjo nuk bëri aq bujë të madhe për opinionin publik.
Ditëlindja e Re akoma po i bartë problemet e vjetra.
Si duket udhëheqja e tanishme ( e kushtëzuar politikisht) nuk kanë përgatitje për të reflektuar rreth kësaj çështje. Tash edhe fëmijët 5 vjecarë e dinë se kur u themelua RTK-ja(dihet më 19 shtator 1999). Por askush nuk po e di ose (shumë pak prej tyre) dinë se a duhet te inkorporohet historiku i RTP-së, në festimin e përvjetorëve te saj. mbase kjo e para është paraardhëse e RTK-së?
Kjo histori gjithsesi nuk mund të mohohet. Disa nuk duan ta njohin këtë histori se druan se dëmtojnë RTK-në, disa mendojnë përkundrazi e ndihmon. Ish- korrespondenti i RTK-së në Beograd Fahri Musliu e kundërshton një anashkalim të kësaj historie nga RTK dhe stafi i saj udhëheqës. Ai thotë dihet se RTK-ja u themelua mbi gërmadhat e RTP-së nga EBU OSBE dhe UNMIK. RTP-ja ishte një ndërmarrje shoqërore dhe si e tillë në atë kohë, duke qenë shtetërore kishte patur një shumicë të madhe punëtorësh. Siç ishte zakon në shumë kombinate dhe ndërmarrje tjera shoqërore. Nuk dihet akoma, sepse nuk ka analiza se si ka qenë cilësia e programit të RTP-së? Për këtë duhet biseduar me ish udhëheqësit dhe punëtorët, por shumica prej tyre nuk jetojnë më. Disa që kanë zënë vend në RTK, e kanë të ndaluar të flasin, sepse të flasësh për RTP-në i bie se po e përkrah ish Radio Televizionin e sistemit socialist dhe po e mohon RTK-në. Për këtë politikë denigruese ndaj RTP-së mund të ketë edhe ndikim nga jashtë. Megjithatë sot kur e tërë udheqja është në duar të vendorëve nuk mund të arsyetohet se pse po bëhet ky anashkalim i historisë, pse nuk po thuhen gjerat ashtu si janë?
Fahri Musliu thotë se edhe radiotelevizionet e ish republikave jugosllave të cilat e mbanin emrin e kryeqytetit, pas shpalljes shtete të pavarura, e ndërruan statusin e tyre në mediume publike duke e marrë emrin e shtetit, por nuk ju ra ndërmend që ta shlyejnë vitin e themelimit.
Për ditëlindjen e 18-të të RTK-së drejtori gjeneral Mentor Shala i ka uruar 18 vjetorin stafit të RTK-së dhe thotë se pa këtë ekip do të kishte qenë i pamundun ky zhvillim i RTK-së pavarësisht sfidave mjaft të vështira që i kaluam dhe që do të na presin edhe në të ardhmen!
„Duke pasur një staf jashtëzakonisht profesional jam shumë i sigurtë që do t’ia dalim edhe në realizimin e projekteve tjera të mëdha të cilat i kemi përpara! Urime RTK!”
Shumë punëtorë të ish- RTP-së nuk kanë mundur të integrohen në RTK, sepse shteti nuk ka para ti paguaj, as RTK jo.
18 vjetori nuk i ka gëzuar as punëtorët e RTK-së të cilët janë pensionuar para kohe ose janë përjashtuar nga puna. Fahri Musliu është njëri ndër ta i cili ishte pjesë e këtij mediumi nga viti 01.06.2005 deri 31.07.(31.12) 2013.
“falsifikim i tmerrshëm …”
Fahri Musliu ka shkruar dje në 18 vjetorin e RTK-së duke thënë se ky është një falsifikim i tmerrshëm i të vërtetës që po i shitet opinionit dhe njëkohësisht, në këtë mënyrë, po e mohojmë të kaluarën tonë.
“Historiku i RTK nuk nis nga shtatori i vitit 1999, por shumë më heret: Radio Kosova punën e vet me emetimin e lajmeve e nis më 5 Shkurt të vitit 1945 në Prizren, si Radio Prizreni , kurse nga vjeshta e vitit 1946 kalon në Prishtinë, si Radio Prishtina. Fjalët e para në ekranin televiziv në shqip u emetuan më 29 Nëntor të vitit 1966 (nga TV Beogradi), ndërkaq TV Prishtina u themelua më vendimin e Kuvendit të Kosovës, më 15 Maj 1973, (dhe funksiononte në kuadër të TV Beogradit), por si televizion i pavarur RTP nis të emetoj program që nga 14 Shtatori i vitit 1975. Kjo do të thotë se Radio Kosova është themeluar para plotë 72 vitesh kurse Televizioni para 50, respektivisht para plotë para 42 vjetësh.
RTK momentalisht si deri më tani ballafaqohet akoma me probleme ekonomike. Mediumi publik vetëm pjesërisht financohet nga publiku, taksa siç bëhet në Gjermani përmes GEZ,-it, institucion ky i pavarur (nga shteti dhe grupet e interesit ekonomik dhe politik) i cili bënë mbledhjen e taksës për mediumin publik ARD dhe ZDF.
Mungojnë akoma ndryshime rrënjësore pa të cilat reforma paraprake në mediumin publik, reforma mbi qasjen e tij në program, rritjen e besueshmërisë nga qytetarët, rritjen e cilësisë së programit, mënjanimin e interesave partikulare etj dhe para së gjithash pa reforma në udhëheqjen e tij, nuk do ketë stabilitet dhe qëndrueshmëri të mediumit publik. Reforma do të fillonte me stafin e përgatitur menaxherial të RTK-së i cili duhet të jetë i ndarë nga struktura e udhëheqjes programore dhe asaj teknike, i pajisur me kuadro profesionale (doktor të ekonomisë, menaxher të sprovuar në ndërmarrje publike apo tregtare, qoftë edhe nga jashtë).
Por si duket për këtë reformë nuk ka gatishmëri politike, që të arrihet konsensusi shoqëror që edhe RTP, të mos anashkalohet sepse është pjesë e këtij historiku(po ta bënin këtë anashklim studijuesit, do të binin nga provimi). Problemi akut mbetet edhe më tutje problemi i pronës, problem ky që u trashëgua nga themelimi i RTK-së. Zgjidhja si duket qëndron tek kompromisi mes RTK-së dhe ish- RTP, bartja e trashëgimisë nga RTP tek RTK dhe marrja e gjitha përgjegjësive ligjore nga kjo e fundit ndaj RTP-së, mbi një bazë të arsyeshme ligjore dhe me këtë të ndërtohet modeli i mirëfilltë, modeli i një mediumi publik me mbështetje nga gjitha grupet relevante të shoqërisë.
Sot në këtë situatë ish-punëtorët e RTP-së janë të anashkaluar. Historia e RTP-së shkruhet vetëm nga studiuesit. RTK emiton material arkivor nga RTP por nuk paguan asnjë centë, pra nuk e respekton të Drejtën e Autorit. Arkiva e RTP-së ka kaluar në pronë të RTK-së. Nuk janë krijuar modalitete të cilat mundësojnë të përfshihen gjithsesi në ligjin e ri, duke u zotuar për zbatimin e të drejtave të autorit, zgjerimin dhe shkollimin e kuadrove, hapjen e redaksive në qendra si New York, Bruksel, Berlin, Paris, Londër … etj, dhe investime edhe në hulumtimin e programit dhe zhvillimin e hulumtimeve empirike të programit të RTK-se, gjë që, ky medium deri tani nuk ka ndarë as 1 cent.
Përballë gjithë këtyre problemeve, që përmendëm këtu ose disa prej tyre, historiku i RTK-së vazhdon të mbahet në sirtar. Objekti i saj është akoma nga koha e paraluftës, ose 30 vite para luftës. Nga pamja e jashtme të duket se je diku në Afganistan. Këtu është ndalur koha. Përkundër premtimeve se qeveria dhe ata që kanë ndikim tash e 18 vjet do ta ndërtojnë „soliterin“ e premtuar, akoma nuk ndodhi kjo mrekulli.
Por Mentor Shala nuk brengoset shumë. Atij nuk i pengon pse RTK nuk ka filluar digjitalizimin, sepse nuk është puna e tij, për këtë fajet i ka qeveria. Soliteri i RTK-së akoma nuk u bë! Por ky nuk është shkas të biesh në depresion. Mentor Shala është optimist: “Sot për herë të parë kam qit flutur në vend të kravatës klasike. Sebep ishte përvjetori i RTK! Hiq s’ma merrke menja qe ka me m’nejt najqysh! E kalova edhe kete sfide! Huuh!!!”/KultPlus.com