Nga Albert Vataj
A e shihni këtë grua? Emri i saj ishte Zelda Fitzgerald. Ajo nuk ishte thjesht një grua e epokës së saj, ajo ishte një shpërthim drite në një botë që nuk dinte si ta mbante.
Ishte e guximshme, e shndritshme dhe pa falje e lirë. Preu flokët shkurt, kërceu deri në agim dhe jetoi me një pasion që i mahniste dhe i shqetësonte ata përreth saj. Ngiste makina të shpejta, shkruante me zjarr dhe pikturonte me ngjyra që askush tjetër nuk mund t’i shihte. Ishte një grua që nuk njihte kufij, ose më saktë, nuk pranonte t’i njihte.
Pastaj, ajo u takua me F. Scott Fitzgerald. Ai u pushtua nga zjarri i saj, nga shpirti i saj i egër që e bënte të paharrueshme dhe intriguese marrëdhënien.
Ajo u bë muza e tij, frymëzimi i tij, modeli i vajzave të tij të arta në letërsi. Por me kalimin e kohës, i njëjti zjarr që e magjepsi, u bë diçka që ai donte ta kontrollonte.
Zelda nuk donte të ishte thjesht gruaja pas romaneve të tij, ajo donte të ishte një zë më vete. Dhe ajo ishte. Shkroi “Save Me the Waltz”, një histori të dhimbshme dhe të bukur, ku derdhi shpirtin e saj të paepur. Por në vend që ta mbështeste, Scott e pa si konkurrencë. E nënçmoi punën e saj, e kufizoi ëndrrën e saj dhe e pengoi të merrte vendin që i takonte në art.
Ajo luftoi tërë jetën kundër një bote që nuk ishte gati për të. E quajtën të paqëndrueshme, e mbyllën në azile dhe e nënshtuan ndaj trajtimeve që i zbehnin zjarrin, por pa mundur dot ta fikin diellin e një gruaje të gatuar me zjarr dhe dritë.
Por shpirti i një gruaje të lirë nuk mund të shuhet përgjithmonë, sepse ajo kishte lindur të meritonte përjetësinë.
Fjalët e saj, pikturat e saj, trashëgimia e saj, ato mbijetuan, linçimit dhe harresës. Dhe sot, Zelda nuk është më vetëm “gruaja e F. Scott Fitzgerald”. Ajo është një artiste, një shkrimtare, një forcë e natyrës.
Për çdo grua që i është thënë të heshtë: Mos e bëj. Vazhdoni të flisni. Vazhdoni të krijoni. Vazhdoni të jetoni sipas kushteve tuaja.
Bota u përpoq ta heshtë Zelda Fitzgerald. Por ne e kujtojmë dhe na mbrtet ta pranojmë se ajo vetëm se ju dha një zëshmërie më të gjëmimshme.