Duke ruajtur zakonet e artizanatit të lashtë, elementet e artit qeramik të cilat vinë të shpërfaqura nëpër gjurmë të kohëve të ndryshme dhe që njëkohësisht hulumtojnë historinë e praktikave të reja mbi bazën e atyre të vjetrave, duke sjell modernen në syrin e të pranishmëve, janë pikërisht themeli kryesor mbi të cilin ngritet ekspozita personale e artistes Lirije Buliqi, shkruan KultPlus.
Qysh në fillim, dëshmia për një rrugë të gjatë të artistes shihet në qeramikat e plasaritura në muret e KultPlus Caffe Gallery, me ç‘rast krijimtaria e saj unike ka arritur të spikatë detajet e bukura nga veshjet tradicionale të cilat konsiderohet se formulojnë imazhe si kujtime të ndjera për kombin. Veçantia e kostumeve popullore, thasëve ose torbave të lidhura herë me bukë e herë me bosh, shfaqen vazhdimisht nëpër sipërfaqet e qeramikave të cilat duken se janë shndërruar në rrënjët e veprave të saj dhe kësisoj po i japin jetë atyre.
Nën mbizotërimin e ngjyrës kafe, veprat artistike të Buliqit morën vëmendjen e të pranishmëve të cilët qysh në fillim po i ngopnin sytë me magjinë e portretizuar para tyre. Disa të pozicionuar nga afër e disa nga larg, ishte publiku ai i cili po shijonte format diversive, dekorimin grafik, gdhendjen e përsosur si dhe lustrimet e paraqitura mrekullueshëm.
Ndërkaq, hapjen e kësaj ekspozite e bëri drejtoresha e gazetës KultPlus, Ardianë Pajaziti e cila fillimisht i falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre.
“Sot Lirije Buliqi ka zgjedh që të prezantohet me ekspozitën e punës në qeramikë dhe është një kënaqësi sepse përpos faktit që ekspozita është hap dhe patëm rastin të shohim veprën dhe krijimtarinë e zonjës Buliqi, kemi festë të dyfishtë për arsye se ajo ka sot datëlindjen. Ndërkohë, këtë ekspozitë e ka kuruar Zeni Ballazhi i cili tutje do të shpjegojë më shumë rreth ekspozitës”, thotë Pajaziti.
Ndërsa, kuratori i ekspozitës, Zeni Ballazhi tha se teknika e artistes Buliqi është një teknikë që rrallëherë shihet në Kosovë.
“Unë në emrin tim dhe në emër të Lirijes, ju falënderoj për pjesëmarrjen tuaj në ekspozitën e saj personale. Nuk ka qenë lehtë për të bërë një përzgjedhje të tillë të qeramikave. Është një teknikë e veçantë specifike që rrallëherë e shohim në Kosovë dhe për mua ka qenë mjaft e vështirë për shkak që Lirija disponon me një numër jashtëzakonisht të madh të qeramikave dhe këtu jemi munduar të bëjmë një përmbledhje të cikleve të ndryshme që Lirija është prezantuar edhe më herët me to, mirëpo me shumicën e tyre nuk është parë. Kryesisht janë kompozime të cilat inspirimin zakonisht ajo e gjen qoftë edhe në kostume tradicionale ose përmes tradicionales duke e kthyer në kompozicione moderne bashkëkohore”, thotë Ballazhi.
E në hapjen e kësaj ekspozite e cila kishte bërë bashkë shumë dashamirë të artit, artistja Lirije Buliqi i falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe për kohën e tyre të ndarë enkas për këtë ekspozitë.
Pastaj, pas hapjes zyrtare të ekspozitës, ishin pikërisht të pranishmit ata që nën meloditë shqiptare vazhduan të admironin qasjen eksperimentale të artistes Buliqi. Puna e saj në qeramikat bashkëkohore po zgjonte kureshtjen e tyre për të deshifruar nivelin e lartë të shkathtësisë të artistes e cila nëpërmjet materialeve të ndryshme copëzash, ka krijuar një thjeshtësi të objekteve etnike.
Qeramikat nga balta shpërfaqën një diversitet dhe një imazh mjaft të fuqishëm që lehtazi ka lënë gjurmë të cilat do të mbahen mend për një kohë të gjatë.
Ekspozita personale e artistes Lirije Buliqi do të qëndrojë e hapur deri në dy javë dhe atë do ta keni rastin ta shijoni në KultPlus Caffe Gallery. / KultPlus.com